Nga ERALD KAPRI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Midis oficerëve britanikë që luftuan dhe drejtuan operacione lufte në Shqipëri në vitet 1943-1944, tre prej tyre ishin nga më aktivët dhe që qëndruan më gjatë. Billi Meklein, Dejvid Smajli dhe Julian Amery. Fillimisht, dy të parët erdhën më herët në Shqipëri, në prill të 1943, dhe formuan Brigadën e Parë. Më pas ata u rikthyen në pranverë të vitit 1944, për të qëndruar për disa muaj pranë shtabit të Abaz Kupit dhe mijëra forcave të tij. Në përfundim të luftës, të tre oficerët hartuan një memorandum prej mbi 40 faqesh dhe ia paraqitën Ministrisë së Jashtme Britanike, ku raportuan me hollësi për misionet e tyre.
Memorandumi i tre ushtarakëve britanikë në Shqipëri, në 1944
BETEJA FINALE E NACIONALISTËVE
Pjesa e dytë e memorandumit të 3 oficerëve britanikë, Billi Meklein, Julian Amery dhe David Smajli, përmban të dhëna interesante për luftën në Shqipëri, kryesisht në veri të vendit. Ata përshkruajnë operacionet ushtarake të kryera nga forcat nacionaliste të Abaz Kupit pas qershorit të vitit 1944. Ky raport flet edhe për arsyet se pse forcat zogiste nuk u mbështetën me armë dhe municione nga britanikët. Hyrja me vonesë në operacione, por edhe frika për një luftë civile në shkallë të gjerë, irritoi ata duke mos dhënë ndihma për nacionalistët e Abaz Kupit.
Detajet flasin për luftë civile mes partizanëve dhe zogistëve në të paktën disa raste. Para largimit nga Shqipëria, duket që Abaz Kupi e ka marrë me sportivitet humbjen, duke thënë se në Shqipëri pushteti është mbajtur nga gegët, për 1 mijë vjet. Një e dhënë interesante e oficerëve është edhe për forcat mercenare që luftuan në Shqipëri gjatë luftës të sjella nga gjermanët. Mund të duket e pabesueshme, por çdo komb përtej Kaukazeve ka pasur luftëtarë në Shqipëri, të tillë si turkmenë, kazakë, armenë, uzbekë, taxhikë, kirkizë.
Qindra forca të rekrutuara nga gjermanët pas luftës në Rusi, si një premtim për t’u dhënë lirinë vendeve të tyre nga Rusia komuniste. Mbetet e paqartë se cili ka qenë fati i këtyre qindra forcave pas lufte, të cilat një pjesë dezertuan dhe u bashkuan me partizanët shqiptarë. Britanikët nuk japin të dhëna për fatin e tyre dhe nëse ata patën fatin të kthehen sërish në vendin e tyre. Vlen të theksohet se në disa beteja të rëndësishme këto forca kanë luftuar në krah të partizanëve shqiptarë, duke pasur edhe humbje jete.
RAPORTI I PLOTË
Lufta civile në Shqipëri tashmë ka përfunduar dhe çdo gjë tani ishte në dyshim nëse Fronti Nacional-Çlirimtar do të pengohej për të mos ardhur në pushtet. Forcat politike dhe ushtarake të nacionalizmit të vjetër janë përmbysur dhe udhëheqësit e tyre janë ose në mërgim, robër të FNÇ-së, ose në arrati. Legjenda e njerëzve të tillë si Kupi, do të jetojnë në male dhe njerëz të rinj mund të shfaqen madje edhe nga brenda radhëve të Frontit Nacionalçlirimtar për të shfrytëzuar pakënaqësinë.
Zemërimi ndaj regjimit të ri mund të rritej në mesin e gegëve dhe ndoshta mund të ketë shpërthim të revoltave, por e tërë historia e Shqipërisë tregon se për sa kohë qeveria mbështetet vetëm në ndihmën e huaj, dhe Fronti Nacional-Çlirimtar duket se ka shumë miq në Beograd, edhe pse ndoshta jo më në mënyrë të hapur, një lëvizje opozitare nuk mund të rritet nëse nuk mbështetet nga jashtë.
Fakti thelbësor është se një revolucion po ndodh dhe Shqipëria ka siguruar një kastë të re udhëheqësish dhe një orientim të ri të politikës së jashtme. Mendja ka një prirje të natyrshme për të diktuar një motiv të caktuar lidhur me ngjarjet dhe nuk është e lehtë të vendosësh në një linjë të përbashkët të gjitha këndvështrimet e oficerëve britanikë, të cilët në mënyrë të pashmangshme e lidhin problemin shqiptar me luftën kundër Gjermanisë, dhe pikëpamjet e shqiptarëve, që natyrshëm dhe në mënyrë të njëllojtë, i lidhin të gjitha zhvillimet e luftës kundër Gjermanisë me revolucionin që po zhvillohet në vendin e tyre.
Duke shprehur pikëpamjet tona deri në njëfarë mase, kjo ndoshta u ka dhënë mundësinë shqiptarëve të flasin për veten dhe të arrijmë një përfundim me tre thënie të nxjerra nga bisedat personale me udhëheqësit nacionalistë:
- “Duhet ta dini që janë vetëm tre parti politike në Shqipëri; agjentët e Gjermanisë, agjentët e Anglisë dhe agjentët e Rusisë. Por ajo që asnjëri nga ne nuk e kupton, është përse agjentët e Rusisë paguhen nga anglezët”. Ramadan Kaloshi nga Dibra.
- “Duhet të mbani mend zoti kolonel, se ne shqiptarët jemi gjithçka është e ligë; ne jemi të varfër, ne jemi të paditur, ne jemi të vegjël”. Islam Elezi nga Dibra.
- “Ndoshta është thjesht e drejtë që ata (Fronti Nacionalçlirimtar) të marrin pushtetin. Ne Gegët i kemi shfrytëzuar Toskët për 1000 vjet; tani është radha e tyre të na shfrytëzojnë”. Abaz Kupi.
SHTESA A
DETAJET E BASHKËPUNIMIT ME LËVIZJEN ZOGISTE
- Operacionet
Përvoja me Frontin Nacional-Çlirimtar në në vitin 1943, na çoi në konkluzionin që komunikatat shqiptare shpeshherë janë tërësisht të pabaza dhe në të vërtetë është i dyshimtë fakti nëse u duhet kushtuar rëndësi raporteve të operacioneve të kryera nga shqiptarët, për sa kohë që nuk gjenden dëshmitarë okularë për këtë. Si rrjedhojë, ishte politikë e këtij misioni të bënte të gjitha përpjekjet për të siguruar që BLO-të dhe BNCO-të kanë qenë të pranishëm sa herë që e lypte nevoja gjatë operacioneve.
Vinin gjithashtu raporte për aksione të kryera nga forcat zogiste si në rastin e Musa Picarit, Nik Sokolit e të tjerëve, gjatë të cilave nuk kishte pasur vëzhgues britanikë. Këto njoftime mund të kenë qenë të sakta, por meqenëse ato nuk mund të verifikoheshin, atëherë ato nuk përfshiheshin në listën e operacioneve të dhëna si më poshtë, në secilën prej të cilave kishin qenë dëshmitarë okularë BLO-të dhe BNCO-të.
- 23 qershor. Shkatërrimi i Urës në Gjoles përgjatë rrugës Shkodër-Tiranë nga çeta zogiste. Kjo urë ishte ura e tretë më e madhe në Shqipëri dhe ndodhej në një zonë që mbrohej nga gjermanët. Kjo ndodhi më shumë se një muaj përpara se gjermanët të ngrinin një urë të përkohshme që ruhej nga 60 ushtarë dhe në këtë periudhë, rruga kryesore Shkodër-Tiranë-Durrës ishte mbyllur dhe transporti gjerman (afro 200-300 automjete në natë) ishte detyruar në mënyrë të konsiderueshme të merrte një rrugë të tërthortë. Majori Smiley dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
- 6 shtator. Çeta zogiste sulmoi dhe mori nën kontroll një pozicion gjerman, duke vrarë 10 gjermanë, përfshirë kapitenin e tyre dhe duke sekuestruar material luftarak, si dhe duke kapur rob 12 të burgosur italianë. Urës prej druri iu vu zjarri. Ky pozicion identifikohej si shtabi 3 Bty i Regjimentit të Artilerisë 297. Kolonel-Lejtënant McLean, majori Smiley and kapiteni Amery, ishin të pranishëm.
- 9/10 shtator (mbrëmje). Një çetë e përzier zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë që udhëtonte në rrugën Shkodër për të mbërritur pranë Prezës. Rezultati: 1 kamion me municione u hodh në erë, 2 kamionë u dogjën, afro 15 kamionë u plaçkitën dhe u dëmtuan, 8 motoçikleta u shkatërruan, 35 ushtarë gjermanë u vranë, 2 mitraloza të lehtë, 30 pushkë dhe materiale të tjera ushtarake. Lejtënanti Merrett, rreshteri Jones and Corsentino ishin të pranishëm.
- 10/11 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste dhe rreshteri Jenkins minuan rrugën kryesore të Shkodrës. 3 kamionë u hodhën në erë.
- 11/12 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste me majorin Smiley dhe rreshterin Jenkins hodhën në erë urën prej betoni në rrugën kryesore të Shkodrës në G.2558 duke bllokuar rrugën për tri net me radhë.
- 12/13 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste sulmoi autokolonën gjermane në Kulakumit G.21 një autokolonë plot me 9 automjete e shkatërruar plotësisht nga zjarri dhe të gjithë ushtarët gjermanë u vranë apo u shpërndanë, përfshirë dy oficerë feltëgendarmerie. U sekuestruan mitraloza të lehtë, pushkë dhe material tjetër ushtarak. Një çantë e divizionit 181 të Trupave Alpine 21 gjendej mes dokumenteve të sekuestruara. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
- 14/15 shtator (mbrëmje). Pritë e çetës zogiste në rrugën Tiranë-Durrës, dy milje në veri të Tiranës. Vendosen mina. 1 kamion që transportonte ushtarë gjermanë u shkatërrua plotësisht, 1 kamion u dëmtua dhe 3 ushtarë gjermanë u vranë. Aksioni u prish ndërsa Fronti Nacional-Çlirimtar nisi të sulmonte çetën zogiste pas shpine. Majori Smiley ishte i pranishëm.
- 15 shtator (mbrëmje). Forca zogiste dhe të Turkmenistanit sulmuan dhe sprapsën një autoblindë gjermane që udhëtonte drejt Shkodrës. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins, ishin të pranishëm.
- 20 shtator. Një çetë e përbashkët zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë dhe në të njëjtën kohë hodhi në erë urën që gjendet në rrugën që të çon në Shkodër pranë Laçit. 1 kamion u shkatërrua. Rreshteri Jenkins ishte i pranishëm.
- 21 shtator. E njëjta çetë sulmoi një kolonë gjermane në rrugën e Shkodrës, duke e detyruar atë të tërhiqej. Rreshteri Jenkins dhe rreshteri Schoemaker, ishin të pranishëm.
- 24 shtator. Ura te Hani i Teqes në rrugën kryesore të Shkodrës u hodh në erë dhe kolona gjermane u sulmua e u detyrua të tërhiqej nga çeta zogiste. Majori Smiley ishte i pranishëm.
- 12 tetor. Zogistët sprapsën sulmin gjerman kundër shtabit të misionit britanik në Velsh. 3 viktima në radhët e gjermanëve e ndoshta më tepër. Kolonel-lejtënant McLean dhe kapiteni Amery, ishin të pranishëm. Përveç këtyre aksioneve, më shumë se 200 shpues gomash u vendosën nga zogistët, BLO-të dhe BNCO-të dhe rezultuan të suksesshme.
Duhet theksuar se të gjitha këto operacione u kryen nga forca të vogla, në një kohë kur ofensiva e FNC-së kundër zogistëve ishte në kulmin e saj, dhe kur letra që morëm nuk inkurajonte në asnjë aspekt ndihmën me furnizime dhe propagandë nga britanikët. Rezultat e siguruara, si rrjedhojë, mund të konsiderohen vetëm si një shprehje e pjesshme e potencialeve ushtarake të forcave të Abaz Kupit./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














