• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, May 21, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët

“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët
Memorie.al
“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët
“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët
“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët
“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët

Nga Enver MEMISHAJ

Pjesa e parë

Memorie.al / Shumë familje që dhanë me përkushtim dhe me dashuri për atdheun dhe lirinë gjithçka që mundën, në kohë shumë të vështira, u mbuluan me pluhurin e harresës gjatë diktaturës komuniste. Një nga këto familje që duhet kujtuar dhe nderuar është edhe ajo e Numan Lepenicës. Numani lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1892, dhe kreu arsimin e lartë në Stamboll. Ai i shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912, si oficer në qeverinë e Ismail Qemalit, i plagosur në Luftën e Vlorës më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt deri më 31 dhjetor 1944 dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani, vdiq pa pension, në mjerim. Numani u martua me dashuri me mësuese Zenepen, të  bijën e Mustafa Xhomos, një bej i rënë nga vakti nga Leskoviku dhe mbesë në familjen Vlora.

Të tre vajzat e tij: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, nën shembullin e prindërve, u aktivizuan si luftëtare për përparimin e femrës shqiptare dhe si luftëtare për liri kundër pushtuesit fashist. Ato u burgosën dhe internuan e patën një fund tragjik. Sot nga ajo familje me famë e emër të mirë ka mbetur vetëm një vajzë, Donata. Është detyrë atdhetare dhe kulturore të hedhësh dritë mbi veprimtarinë qytetare dhe atdhetare të tre motrave Lepenica.

Gjithashtu mund të lexoni

“Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar, një gegërishte që s’është …”/ Si u kryqëzua poeti i famshëm nga Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve?

“Kur e kundërshtova për një projekt për disa punime gjeologjike në një zonë strategjike ushtarake, Mehmet Shehu më tha; do të var këtu në tunel…”/ Dëshmia e rrallë e ish-drejtorit të gjeologji-minierave

TEFTA  LEPENICA

Tefta ka lindur në Vlorë, më 28 prill 1917. Ajo fitoi konkursin për të ndjekur Institutit Femror “Nana Mbretëneshë”. Gjatë kohës së studimeve në Tiranë, ajo ra në dashuri me Emin Selenicën nga Korça, marrëdhënie që u kurorëzua me martesë më 27 dhjetor 1934, siç shënohet në regjistrin e Gjendjes Civile.

Martesa nuk e pengoi në vazhdimin e shkollës. Ajo me vullnet të fortë u diplomua në vitin shkollor 1936-1937, me rezultate të larta, në degën e gjimnazit.

Në bibliotekën e motrave Lepenica mundëm të gjejmë një kartolinë pas së cilës ishte shkruar: “Dhurue Tefta Lepenicës, Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”, për nota të mira”. Më poshtë në kartolinë shënohet: “Silluni mirë gjithmonë kundrejt shtazëve…”

Prej kësaj kartoline dhe të dhënave të tjera gojore marrim vesh se Tefta ka qenë një nxënëse e shkëlqyer në mësime. Krahas diplomës Tefta përvetësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane, ndërsa në familje ajo kishte marrë njohuritë fillestare për gjuhën turke, frënge dhe greke, prej prindërve.

Në shenjë kujtimi e nderimi për ato vajza që u bënë flamurtare të përparimit dhe luftës për liri po përmendim maturantet e këtij viti shkollor:

Dega e gjimnazit: Musine Kokalari, Vera Bogdo, Agllaia Harito, Tefta Lepenica, Qamuran Toptani, në sesionin e vjeshtës.

Dega e normales: Gjylsyme Dervishi, Liri Poshi, Margarita Nosi, Pullumbe Libohova, Eleni Toroshani, Ganije Bejko, Ganimet Gjilani, Gliqeria Koça, Gjenovefa Bojaxhi, Mukadez Serezi, në sesionin e vjeshtës.

Me rastin e diplomimit të maturës së parë të Institutit “Nana Mbretneshë”, shtypi kohës shkruante:

Në se sot kemi shkolla të mesme që na nderojnë Instituti “Nana Mbretneshë”, është në radhën e parë. Kishte nevojë të madhe vendi ynë për një strehë dritëdhënëse dhe edukonjëse të brezit femëror që po rritet. Dhe u plotësua me çeljen e këtij Instituti që qysh katër vjet punon pa lodhje për arsimin e 500 e ca vajzave shqiptare…!

U provua se vajza shqiptare është e zonja të punojë tamam si femrat e tjera të botës së qytetërueme. U pa qartazi dëshira dhe vullneti që ka vajza shqiptare për dritë përparimtare”. (Revista “Diana”, nr. 32, korrik 1937, fq. 32).

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, të tre motrat Lepenica: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, falë traditës familjare dhe shembullit të prindërve, që në ditët e para u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe luftës për liri. Shtëpia e tyre në lagjen “Lirim”, së bashku me atë të Aleksandra Premtit etj., fqinja e tyre, u kthyen në baza të luftës për liri.

Në korrik të vitit 1939, Tefta së bashku me Viktori Gjikondin, veterane e Lëvizjes Antifashiste në Vlorë, u caktuan të shoqëronin fëmijët shqiptarë që shkonin në kampet italiane.

Të dy shoqet vazhdonin të bënin propagandë të pa reshtur kundër pushtimit fashist, por fashizmi ashtu si edhe komunizmi, më vonë, kishte agjentë në çdo qelizë të shoqërisë.

Kështu që agjentët fashistë arritën të zbulonin aktivitetin antifashist të këtyre dy vajzave. Federata e Luftimeve në Brindzi, më 7 korrik 1939, i shkruan fashistit Giovani Giro, Inspektor në Tiranë:

“Referuar komunikimit telegrafik të shokut Bianki, dje janë paraqitur dy mësuese përkthyese të kampit Znj. Tefta Lepenica dhe znj. Viktori Gjikondi.

Sipas udhëzimeve të shoqes Poli, të cilës i kam telefonuar, parashtroj riatdhesimin e tyre të menjëhershëm për motivet e më poshtme: Kanë treguar entuziazëm të pakët për ardhjen e tyre në Brindsi, duke folur me një nga bashkëpunëtorët e mi, ato janë shprehur si më poshtë:

Ne ishim të kënaqura me Mbretin Zog (Mbret maskara e i poshtër), sepse ishte shprehja e një shteti të lirë dhe të pavarur.

Ne nuk kuptojmë se si Italia u ka hequr lirinë një milion shqiptarëve, të cilët duan të jetojnë të lirë.

Kur Republika e Venecias kishte raporte të mira tregtare me Shqipërinë, nuk ishte kjo Italia e sotme që pushton shtetet e vogla.

Ju italianët e njihni historinë tuaj siç ua kanë mësuar në librat tuaja. Historinë tonë, do të ua mësojmë ne, historinë e vërtetë që njihet ndërkombtarisht.

Ne kemi nostalgji për Shqipërinë, që për ne, mbetet atdheu jonë i bukur.

Ne kemi ardhur në Itali, për një shpërblim prej 400 liretash dhe që të kemi mundësi të blejmë ndonjë fustane apo sende të tjera.

Të gjitha mësueset e tjera i kanë nisur me detyrim.

Duam të jemi të lira, sidomos mbrëmjeve për t`u argëtuar.

E quaj të domosdoshme të shënoj që njëra prej të dyjave ka pohuar se është vajza e kryetarit të komunës së Vlorës.

Ju lutem të merrni masa urgjente për t`i kthyer në vendin e tyre dy mësueset që ndodhen në Brindsi. Po kështu dy mësueset e tjera njëra është bullgare dhe nuk di asnjë fjalë italisht, ndërsa tjetra di pak italisht”.

                           Sekretari Federal

                          Franko Fedele Bozi

(AQSH, F. 161, V. 1939, D. 975, f. 1)

Nuk ishte e vështirë për fashistët që të verifikonin menjëherë se bëhej fjalë për kryetarin e komunës, Numan Lepenica, babai i Teftës, ndaj të cilit edhe do të hakmerreshin. Shkresës së sipërme, më datën 8 korrik 1939, i përgjigjet Partia Fashiste e Shqipërisë, Drejtoria Qendrore, Tiranë: “Përgjigje e Francesko Jakomonit Mëkëmbës i Përgjithshëm i Mbretit Perandor Tiranë.

Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët pranë kolonive të Federatës së Brindzit, kanë manifestuar ndjenja antiitaliane, për më tepër janë shprehur në momentin në të cilin organi i Partisë Nacionaliste Fashiste, po përkujdeset me dashuri për mysafirët e vegjël shqiptarë.

Sjellja e dy mësueseve shqiptare, siç del nga raporti i Federatës së Brindzit, është e papranueshme dhe ju kërkoj domosdoshmërisht pushimin e shpejtë nga shërbimi që kryejnë. Tek elementë të tillë të këqij bashkohet shpirti keqdashës me paqartësinë.

Duke mbrojtur shërbimin tonë, shfrytëzojmë veprën e ripërtëritjes politike dhe morale dhe duke e marrë me shumë besim dhe me entuziazëm të madh bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.

Të dy mësueset e sipërcituara në koloninë e Federacionit të Brindzit, do të zëvendësohen me të tjera që rezervohem t`i shënoj”.

                     Inspektori P.N.F.

                       Giovani Giro

(AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 2-3)

Sekretari, Mëkëmbësit të Përgjithshëm ka vënë këtë shënim për S. Ernest Koliqin: “Relacioni i dërguar më datën 8 korrik 1939, nga inspektori i P.N.F. i dërguar për njohje nga E.V. përforcon idenë se dy mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi, që kanë demonstruar papajtueshmëri në situatën e re pushohen nga shërbimi. I jam mirënjohës E.V. në se do të na informojë, në kohën e duhur për sa i përket çështjes”.

Sekretari Mëkëmbësi i Përgjithshëm

(AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 6)

Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, më 13 korrik 1939, u përgjigjet shqetësimeve fashiste: “Me keqardhje kam marrë njoftim mbi shkresën tuaj të datës 8 korrik 1939. Shoqërueset Tefta Lepenica dhe Viktoria Gjokondi nuk janë mësuese, por vetëm ish-nxënëse në Institutin Femëror “Nana e Skënderbeut” të Tiranës, ku kanë krye liceun në vjetin shkollor 1938-1939.

Kam marrë shënim që ndonjë kërkesë eventuale e tyne për punë ose bursë të mos merret në konsideracion. Të përmendurat janë kenë dërgue me shpejti prej Vlonës, për me zavëndësue dy shoqëruese të tjera që janë kenë sëmurë”.

Ministri Ernest Koliqi

(AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 5)

Ndjekja e autoriteteve fashiste vazhdon. Më 24 korrik 1939, për mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi, gjejmë edhe këtë informacion: “Informues të vlefshëm raportojnë se mësueset shqiptare… kanë manifestuar një qëndrim të tillë ndaj situatës që ka qenë e mjaftueshme për riatdhesimin e tyre…! Është gjithashtu në vijim … masa paraprake për pushimin e tyre”.

Francesko Jakomoni

(AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f.7)

Viti 1939, kishte ardhur i zi për shqiptarët, por veçanërisht për ata që u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe të luftës kundër pushtimit fashist. Babain e Teftës, Numan Lepenicën, kryetar komune, i aktivizuar me qarqet antifashiste, më 10 tetor 1939, e pushuan nga puna.

Teftën e riatdhesuan nga Italia, duke mbajtur shënim që të mos punësohej në administratën shtetërore dhe të mos lejohej me bursë të ndiqte universitetin ne Itali, siç kam cituar më lart vendimin e Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi.

Ato vajza që kryenin degën e gjimnazit në Institutin “Nana Mbretneshë”, që fashistët e quajtën “Nana e Skënderbeut”, kishin të drejtë të ndiqnin studimet universitare në Europë.

Por, Tefta, për shkak të qëndrimit antifashist të saj dhe të familjes, ajo nuk mund të ndiqte studimeve në Itali, është kjo arsyeja që babi sajë kërkoi një udhë tjetër për të arsimuar të bijën.

Ajo mundi të regjistrohej për konkurrim në Universitetin e Zagrebit, për farmaci. Tefta fitoi konkursin ndoqi studimet dhe u diplomua farmaciste.

Për kohën e studimeve që kaloi në Zagreb, na mungojnë të dhënat. Ajo duhet të jetë diplomuar në vitin 1944 dhe pasi u kthye në Shqipëri, me ndihmën e miqve të babait, hapi një farmaci në Durrës. Komunistët që kishin ardhur në fuqi e shihnin me dyshim vajzën e një nëpunësi të lartë të regjimit “antipopullor” të Zogut.

Kështu që ajo punonte në kushte të vështira dhe aty nga viti 1947 (?), u gjend e helmuar, në moshën 30 vjeçare, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën,  në rrethana që mbetën të pa sqaruara.

Është rasti të bëjmë një krahasim midis fashistëve dhe komunistëve: Tefta, për mendimet antifashiste, vetëm u riatdhesua nga Italia. Motra e saj Afërdita, siç do të shohim më poshtë, për të njëjtat mendime, por tashmë kundër komunistëve, në vitin 1950, në moshën 24 vjeçare, u gjykua dhe prokurori kërkoi dënimin me vdekje, por gjykata “mëshiroi” dhe i dha vetëm 10 vjet burg!/ Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ndër filmat anglofobë, të prodhuar nga industria kinematografike e Gjermanisë naziste, mund të përmendet edhe ‘Xhaxhai Krüger i vitit 1940, i realizuar...”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Artikuj të ngjashëm

“Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar, një gegërishte që s’është …”/ Si u kryqëzua poeti i famshëm nga Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve?
Personazh

“Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar, një gegërishte që s’është …”/ Si u kryqëzua poeti i famshëm nga Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve?

May 20, 2026
“Ç’ka po t’lypet adresa, or tëj?! Hiç mos pyt për vendin, e di Partija ku i ngre burgjet dhe varret! Baj d’nimin që t’kan dhanë e mos bëzaj! More vesht’? – ulërinin policët dhe…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit
Personazh

“Kur e kundërshtova për një projekt për disa punime gjeologjike në një zonë strategjike ushtarake, Mehmet Shehu më tha; do të var këtu në tunel…”/ Dëshmia e rrallë e ish-drejtorit të gjeologji-minierave

May 20, 2026
“Më 25 prill 1951, Forcat e Ndjekjes dhe Sigurimi i Shtetit na rrethuan shtëpinë, vranë katër veta, dy miq nga Mnela, babën tim, dhe halla 23 vjeçe, e cila…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të përndjekurit politik
Personazh

“Më 25 prill 1951, Forcat e Ndjekjes dhe Sigurimi i Shtetit na rrethuan shtëpinë, vranë katër veta, dy miq nga Mnela, babën tim, dhe halla 23 vjeçe, e cila…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të përndjekurit politik

May 16, 2026
“Duke lexuar shkrimin e Prof. Nasho Jorgaqit kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të ‘Lahutës’…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja
Personazh

“Duke lexuar shkrimin e Prof. Nasho Jorgaqit kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të ‘Lahutës’…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja

May 15, 2026
“Faik Konica, shprehej: Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se ‘Lahuta’ e Gjergj Fishtës…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja
Personazh

“Faik Konica, shprehej: Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se ‘Lahuta’ e Gjergj Fishtës…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja

May 16, 2026
“Roma e Selia e Shenjtë, s’duhet të kenë dy shkallë vëmendjeje për shqiptarët: një për të krishterët romanë dhe një për të tjerët, pasi…”/ Zbulohet traktati i panjohur që hartoi At Gjergj Fishta
Personazh

“S’do të mjaftonte ky qëndrim armiqësor ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu jashtë Shqipërisë, Rexhep Qoses…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ja

May 15, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme