• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, May 19, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Dashuri, Komsomol dhe Pranverë’, kompozuar në 1978 nga A. Pahmutova, u kushtohet kosmomolasve që s’pyesin as për furtunë dhe as për zjarre, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Dashuri, Komsomol dhe Pranverë’, kompozuar në 1978 nga A. Pahmutova, u kushtohet kosmomolasve që s’pyesin as për furtunë dhe as për zjarre, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Poema Simfonike, që shkaktoi tërbimin e bolshevikëve, u kompozua nga Haçaturiani me rastin e 30-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, por më 1948 ai u dërgua në Armeni për…” / Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Poema Simfonike, që shkaktoi tërbimin e bolshevikëve, u kompozua nga Haçaturiani me rastin e 30-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, por më 1948 ai u dërgua në Armeni për…” / Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

                                      NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

                                                        PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Në muajt e parë të vitit 1921, Gjyqi i Nalt i Sheriatit, i kërkoi Ministrisë së Arsimit, që të drejtën e inspektimit të lëndës së besimit…”/ Historia e panjohur e raporteve të shtetit shqiptar, me religjionet fetare

“Poema Simfonike, që shkaktoi tërbimin e bolshevikëve, u kompozua nga Haçaturiani me rastin e 30-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, por më 1948 ai u dërgua në Armeni për…” / Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.                   

                                                     Vijon nga numri kaluar

Kapitulli II – të MUZIKA

Në vitin 1954 Haçaturiani kompozon muzikën e baletit ‘Spartacus’. Ky balet, sikurse dëshmon edhe titulli i tij, ka në qendër udhëheqësin legjendar, gladiatorin që u ngrit kundër pushtetit shtypës skllavopronar të kohës, kundër perandorisë Romake. Do të mendohej se, në këtë shtrirje, baleti është në harmoni me kërkesat e Realizmit Socialist. Megjithë këtë ai u kritikua ashpër nga kritika zyrtare e kohës, u ripunua dhe u paraqit me një koreografi të re në vitin 1968.

Në baletin sovjetik një vend të veçantë ka edhe koreografi me origjinë hebreje, Leonid Veniaminoviç Jacobsoni, i njohur si një nga mjeshtrit më të shquar të baletit në botë. Ai dhe krijimtaria e tij që shtrihet midis viteve 1930-1970, u akuzuan për « erotizëm, akrobatizëm dhe “izma” të tjera, për një nënshtrim ndaj artit të korruptuar perëndimor… “vrasës i baletit të madh rus”. Duke folur për baletin rus mund të shtojmë, gjithashtu, se që para Revolucionit të Tetorit, Teatri Perandorak i Shën-Petersburgut kishte humbur kërcimtarë të tillë si Mihail Fokine, Ana Pavlova dhe Vaslav Nizhinski, të tërhequr nga Baleti Rus i Sergei Diaghilevit në Paris. Pas vitit 1917, ky Teatër humbi pothuajse gjysmën e stafit të tij, përfshirë Tamara Karsavinanën në vitin 1918, Mathilde Kshesinskanën në 1920, Olga Preobrazhenskan në 1921 dhe Georgi Balanchivadzen, i cili u bë i famshëm si George Balanchine në Paris në 1924.

Kënga, koralet zënë gjithashtu vend të rëndësishëm në kulturën ruse. Në bazë të Realizmit Socialist ato duhet të jenë krijime të masave punonjëse dhe për masat punonjëse, duhet të mobilizojnë popullin si aktor, si pjesëmarrës aktiv të spektaklit. Shumica e këngëve të periudhës sovjetike janë kompozuar thjesht, të kapshme lehtësisht nga masat, për të përhapur kështu ideologjinë dhe “vlerat” e komunizmit midis tyre. Kënga, koralet sovjetike kanë përmbajtje revolucionare, u kujtojnë rusëve dhe popujve të tjerë sovjetikë detyrën për t’u mobilizuar në ndërtimin e një atdheu të ri. Ato himnizojnë regjimin komunist, heronjtë e Revolucionit, punonjësit socialistë, pathosin kolektivist, patriotizmin socialist dhe shpirtin heroik rus, mbrojtjen e vendit kundër agresorëve nazistë.

Shpesh ato janë një përzierje e folklorit rus dhe e marsheve ushtarake. Ideologët bolshevikë, Lidhja Ruse e Muzikantëve Proletarë, e modeluan këngën për të qenë detyrimisht optimiste dhe, për pasojë, e kompozuar në shkallë mazhore. Këngës ruse të pas Revolucionit, të kompozuar sipas kërkesave zyrtare të kohës, përgjithësisht i mungon elementi lirik, individual apo personal, që është i pranishëm tradicionalisht në kulturën ruse dhe pranë ndërgjegjes popullore.

Kënga sovjetike ka një rol të veçantë në himnizimin e shpirtit rus, të Rusisë së Madhe dhe në ndërtimin e kultit të Leninit e të Stalinit. Kjo gjë shihet edhe në vargjet e himnit shtetëror të BRSS-së, ku ata paraqiten si dy heronj, si baballarë të mirë të popujve sovjetikë, pse jo edhe si perëndi. Ja për ilustrim disa nga këto vargje: “Bashkimi i pathyeshëm i republikave të lira/ U bë përgjithnjë nga Rusia e Madhe…/ Nëpërmjet shtrëngatash shkëlqente dielli i lirisë/ Dhe Lenini i madh ndriçoi rrugën tonë/ Stalini na edukoi/Ai na frymëzoi besimin tek populli…”.

‘И вновь продолжается бой’ (‘Dhe lufta vazhdon sërish’) është një nga këngët sovietike kushtuar Revolucionit të Tetorit dhe Leninit. Në tekstin e saj janë edhe këto vargje: “Dhe lufta vazhdon sërish/ Dhe zemra alarmohet në gji/ Dhe Lenini është kaq i ri/ Dhe i ri Tetori është duke ardhur”. ‘Ленин всегда с тобой’ (‘Lenini gjithnjë me ty’) e kompozitorit Serafim Tulikov, është një tjetër këngë që i thur lavde Leninit. ‘Мы будем как Ленин’ (‘Ne do të jemi si Lenini’) me muzikë të A. Sardanit, ‘Песня о Ленине’ (‘Këngë për Leninin’) e Aleksandër Hollminovit, ‘Ленин’ (‘Lenin’) e Juri Çiçkovit, ‘Ленин и весна’ (‘Lenini dhe pranvera’) e Rostisllav Bojkos, ‘Ленин Партия Народ’ (‘Lenini Partia Populli’) e Ivan Sljotit, ‘Ленин поможет тебе’ (‘Lenini të ndihmon ty’) e Kolmanovskit, ‘Ленин с нами’(‘Lenini me ne’) e A. Novikovit, ‘Ленина помнит земля’ (‘Leninin e kujton toka’) po e Novikovit, ‘Он родился весной’ (‘Ai lindi në pranverë’) e I. Lluçenokut, ‘Песня нашего сердца’ (‘Kënga e zemrës tonë’) e Juri Çiçkovit, ‘Разговор с Лениным’ (‘Bisedë me Leninin’) e V. Loktevit, ‘Святое Ленинское знамя’(‘Flamuri i shenjtë Leninist’) i A. Aleksandrovit i thurin elozhe, ngrejnë kultin e Leninit.

Ndër vargjet e këngës ‘Святое Ленинское знамя’, thuhet: “I mençuri Lenin dhe i madhi Stalin/ Lavdi për gjithnjë dhe në pafundësi”! Në vitin 1937, pushteti sovjetik festonte 20-vjetorin. Me këtë rast u kompozua kënga ‘Москва Майская’ për filmin dokumentar ‘двадцатое мая’ (‘Njëzet maj’) në tekstin fillestar të së cilës i thuren lavde Stalinit. Në vitin 1938 Dunajevski kompozon “Песня о Сталине” (‘Këngë për Stalinin’).

Ja disa nga vargjet e saj: “Dhe ne këndojmë krenarisht këtë këngë/ Dhe ne himnizojmë madhështinë e viteve staliniane/ Ne i këndojmë jetës së bukur, të lumtur/ Gëzimit të fitoreve tona të mëdha/ Nga një breg në tjetrin/ Përgjatë majave të maleve, atje ku bisedojnë avionët/ Njerëzit ia thonë një këngë të bukur mbi Stalinin, të mençur, të shtrenjtë dhe të shumë dashur”. Më parë dhe më pas, këngë dhe marshe për Stalinin janë kompozuar edhe nga mjaft kompozitorë të tjerë sovjetikë si M. Starokadomski, A. Aleksandrovi, Anatoli Novikovi, L. Polovinkini, S. Chernetski, B. Terentievi, Sergei Prokofievi, K. Masalitinovi.

Në vargjet e këngëve të tyre lexojmë: “Vetëm ky person është i famshëm në BRSS-së”, “i pamposhtur dhe legjendar”, “Dihet se gjenia e Stalinit…”, “Stalini është flamur i lumturisë, agimi i  njerëzimit”, “Faleminderit profesor i madh”, “Faleminderit Stalinit të madh”. Stalini në asnjë rast nuk është shprehur kundër, nuk ka bërë ndonjë kritikë as të lehtë dhe as shkatërruese ndaj muzikës apo teksteve të këngëve kushtuar atij. Asnjë autor nuk është dënuar për këto këngë.

Kultura ruse është e mbrujtur me shumë patriotizëm, me krenarinë ruse, me forcën e karakterit rus, të ushtrisë ruse të pamposhtur dhe gjithnjë fitimtare. Kjo gjë vihet re edhe në mjaft këngë të kompozuara para dhe gjatë të gjithë periudhës sovjetike, ndonjëherë edhe në mënyrë jo të natyrshme, por të kërkuar, të sforcuar, për të luajtur një rol të caktuar. Kënga e shumënjohur ‘Калинка’ (‘Kalinka’) p.sh., e kompozuar në vitin 1860 nga Ivan Petroviç Larionovi, është interpretuar me ngjyrat e saj folklorike. Në një version tjetër ajo është interpretuar nga kozakët me një ton ushtarak dhe, po kështu, nga Kori i Ushtrisë së Kuqe.

‘Прощание славянки’ (‘Lamtumira e Slaviankës’) është një marsh patriotik rus i kompozuar nga Vasili Agapkin në vitin 1912; ai i bën homazhe qytetërimit sllav. Ky marsh ka shërbyer si himn jozyrtar i Ushtrisë së Bardhë të admiralit Aleksandër Vasilieviç Kollçak. Ai hyri gjithashtu në repertorin e Korit të Ushtrisë së Kuqe dhe është luajtur shpesh gjatë paradave ushtarake në Sheshin e Kuq. Kuptohet se autori i ‘Прощание славянки’ nuk e njihte Realizmin Socialist, ende të palindur, por kjo nuk i pengon të  “kuqtë” e Kremlinit, të hedhin hapin njëlloj si të “bardhët”, nëse kjo u duhet, nëse u shërben.

‘Полюшка, поле’ (‘Fusha, ju fusha’) është një marsh ushtarak, i kompozuar në vitin 1933 nga Lev Kniperi dhe të kujton marshet e kavalerisë kozake. Ajo është një nga këngët e para masive sovjetike, që ka gëzuar popullaritet të madh. Ndër vargjet e kësaj kënge janë: « Fusha, ju fusha/ Fusha ju të gjëra fusha/ Heronjtë kalojnë fushën/ Ah, po, heronjtë e Ushtrisë së Kuqe”. Në të vërtetë, sikurse është shprehur edhe shkrimtari rus L. Liubimov; “Para së gjithash, në këtë këngë është e tërë Rusia, e vjetra dhe e reja, e gjithë lavdia ruse…”.

Kjo shpjegon ndoshta edhe suksesin e saj të jashtëzakonshëm në Rusinë sovjetike. Me “lavdinë ruse” është manipuluar vazhdimisht nga ata që kanë patur apo kanë frenat e pushtetit në Kremlin, të bardhë apo të kuq qofshin. ‘Катюо ша’ (‘Katiusha’) e kompozuar në vitin 1938 nga Mihal Isakovski dhe Matvei Blanteri, është edhe kjo një këngë mjaft e njohur. Ajo i kushtohet një vajze, që i shkruan të dashurit të saj në frontin e luftës dhe lutet për të. Pavarësisht se tepër intime, në kushtet e militarizimit të përgjithshëm të jetës në Bashkimin Sovjetik, edhe kjo këngë “militarizohet”, dërgohet në front gjatë viteve të Luftës II-të Botërore dhe bën pjesë, gjithashtu, në repertorin e Korit të Ushtrisë së Kuqe.

Krijuesit, artistët rusë, më pas edhe ata ruso-sovietikë, i kanë kushtuar vazhdimisht rëndësi të madhe tokës ruse, Nënës Rusi. Kështu transmetohet tek dëgjuesit e saj kënga e vitit 1936, tepër e njohur edhe kjo, ‘Широка страна моя родная’, me autorë Vasili Lebedev-Kumachin dhe Isak Dunaevskin. Kjo këngë është si një himn. Në kohë të ndryshme, në vitet ’30-të, para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por dhe më pas, ajo pretendonte të ishte kënga e parë në vend. Edhe sot ajo dëgjohet, me rastin e festave të mëdha, në “Sheshin e Kuq” në Moskë. Midis vargjeve të saj janë: “Vendi im i shtrenjtë është i madh/Ai ka shumë pyje, fusha dhe lumenj/Unë nuk njoh tjetër vend si ai/ Ku njeriu merr frymë lirisht”. Teksti është i thjeshtë dhe pa asnjë përpjekje për t’u “zbukuruar”, me karakter propagandistik.

Bolshevikët, megjithatë, kërkuan më tepër nga kjo këngë. Pas miratimit të Kushtetutës Staliniane të vitit 1936, asaj ju shtua strofa: “Në tavolinën tonë askush nuk është i tepërt/ Secili shpërblehet sipas meritave/ Ne shkruajmë me germa të arta Ligjin Shtetror Stalinian/ Asnjë vit nuk do t’i fshijë këto fjalë madhështore dhe të lavdishme: çdokush ka të drejtë të studiojë, të pushojë dhe të punojë”. Duket se nuk kemi përpara një tekst kënge, por një fjalim propagandistik banal. Pavarësisht nga kjo, madje edhe për këtë shërbim propagandistik, më 1 janar të vitit 1937, gazeta ‘Правда’ boton Rezolutën e Komitetit Ekzekutiv Qendror të BRSS-së: “Për shërbimet e bëra ndaj artit kinematografik dhe për krijimin e një numri këngësh sovietike, që janë bërë pasuri e masave, i jep çmimin Urdhëri i Flamurit të Kuq të Punës kompozitorit I. O. Dunajevski dhe poetit Lebedev-Kumaç V.I.”.

‘Священная война’ (‘Lufta e Shenjtë’) është kompozuar nga Aleksandër Aleksandrovi (themelues i Korit të Ushtrisë së Kuqe) dy ditë pas agresionit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik. Kënga bën thirrje për një luftë të shenjtë për të mbrojtur dhe shpëtuar atdheun nga agresorët barbarë. Ajo u kthye në himn për mbrojtjen e atdheut. Duhet kujtuar me këtë rast se deri më 15 tetor të vitit 1941. “Lufta e Shenjtë” nuk u popullarizua shumë, sepse nga kritikët e Realizmit Socialist mendohej se ajo kishte një tingëllim tepër tragjik, se nuk i këndonte një fitoreje të shpejtë me “pak gjak”, por një beteje për vdekje, të vështirë.

Vetëm pas kësaj date, ndërkohë që Wermahti hitlerian kishte zënë Kalugan, Rzhevin dhe Kaliningradin, “Lufta e Shenjtë” nisi të dëgjohej çdo ditë nëpërmjet radios në të gjithë Bashkimin Sovjetik. Kënga fitoi popullaritet në frontet e Luftës së madhe Patriotike dhe shërbeu për të mbajtur lart moralin e trupave sovietike gjatë betejave të vështira. Realizmi “i shenjtë”, “i paprekshëm” Socialist, edhe në këtë rast u tregua i manipulueshëm, i hap rrugë pragmatizmit sipas orekseve dhe kalkulimeve të zotërve të Kremlinit. Janë ata që nuk ngurrojnë të diktojnë vullnetin e tyre edhe për raste krejt të panevojshme, të politizojnë vargje, që nuk kanë asgjë të dënueshme politikisht apo ideologjikisht, të ndryshojnë tekste këngësh për t’i bërë edhe më të dobishëm në përpjekjet për të zotëruar në çdo qelizë artin, kulturën, dhe nëpërmjet tyre, për të skllavëruar shpirtin e një vendi, të një populli.

‘Подмосковные вечера’ (‘Netët e Moskës’) është kompozuar në vitin 1955 nga Mihal Matusovski. Ajo u bë shumë shpejt një këngë emblematike. Autori, i lindur në Leningrad, e titullon fillimisht atë “Netët e Leningradit”. Teksti i këngës, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, u ndryshua dhe në vend të netëve të Leningradit ju kushtua atyre të Moskës. Kënga, tepër e suksesshme, edhe pse është një këngë lirike, romantike, që s’ka asgjë të përbashkët me ushtrinë, është interpretuar, në shumë raste, edhe nga Kori i Ushtrisë së Kuqe.

Shumë këngë i janë kushtuar nga kompozitorët sovjetikë atdheut socialist, kantiereve të ndërtimit, pranverës së jetës se re në qytet e në fshat, entuziazmit të rinisë, të masave punonjëse, qiellit të lumturisë. Një këngë e kësaj natyre, tepër popullore, është ‘Марш энтузиастов’ (‘Marshi i entuziastëve’) e vitit 1940, kompozuar nga Isak Osipoviç Dunajevski. Ajo u interpretua nga Liubov Orlova në filmin ‘Светлый путь’ (‘Rruga e Ndritur’) të Grigori Vasilieviç Aleksandrovit. Ja disa vargje të saj: “Në jetën e përditshme të kantiereve kryesore të ndërtimit/ Në zhurmën e gëzueshme, në dritat dhe kambanat/ Përshëndetje, toka e heronjve/ Toka e ëndërrimtarëve, vendi i shkencëtarëve!/ Ti shtrihesh nëpër stepa, t’i shtrihesh nëpër pyje/ i pakufishëm, i pathyeshëm/ Ti shtrihesh drejt tropikëve/ Ti shtrihesh drejt polit./ Shtrihu vendi im i shtrenjtë, i pakufishëm, i pathyeshëm. Ne nuk na ndal asgjë, as në det dhe as në tokë./ Ne nuk kemi frikë as nga akulli, as nga retë. Flakën e shpirtit tonë, flamurin e vendit tonë do ta bartim nëpër botë dhe ndër shekuj./ Ne kemi gjithmonë të drejtë në guximin tonë./ Puna jonë është një çështje nderi, një çështje guximi dhe një vepër lavdie”.

Vargje të denja për një fjalim apo raport në ndonjë kongres apo konferencë partie, vargje të fryra, jashtë çdo realiteti, njëlloj droge, vargje që pasqyrojnë megalomaninë komuniste, një shpirt ekspansionist të sëmurë, të etur për hapësirë. Në këtë frymë janë edhe mjaft këngë të tjera si, p.sh., ‘Не расстанусь с комсомолом’ (‘Nuk do të ndahem nga Komsomoli’) kompozuar nga Aleksandra Pahmutova në vitin 1970, apo ‘Любовь Комсомол и Весна’ (‘Dashuri, Komsomol dhe Pranverë’) kompozuar në vitin 1978 po nga A. Pahmutova. Këto këngë u kushtohen kosmomolasve që s’pyesin as për furtunë dhe as për zjarre, që sidoqoftë, do të kenë gjithnjë midis tyre dashurinë, pranverën, etj.

Rolin e saj “edukues” nëpërmjet mirazheve të qiellit blu, kënga sovjetike e nis që në vitet e para të komunistëve në pushtet, madje jo vetëm me komsomolasit, d.m.th. të rinjtë që vlerësohen si rezervë e Partisë Komuniste, por duke filluar nga moshat e fëmijërisë. Në vitin 1922, me kërkesën e bashkëshortes së Leninit, Nadjezhda Krupskaja, u kompozua ‘Гимн пионеров’ (‘Himni i Pionierëve’) nga Sergei Kaidana-Djoshkina. “Ne jemi pionierët-fëmijë të punonjësve /Afron koha e viteve të ndritura/ Thirrja e pionierëve : « Gjithmonë gati”! Këto janë disa nga vargjet e kësaj kënge himn. Nga bolshevikët, në emër të një të ardhmeje të lumtur, të një qielli blu, pa re, u kërkohet fëmijëve të jenë « gjithmonë gati !», të pranojnë gjithshka si kope e bindur.

Kënga më e famshme kushtuar Atdheut Sovjetik është, sipas të gjitha gjasave, ‘Мой адрес — Советский Союз’ (‘Adresa ime është Bashkimi Sovjetik’) kompozuar në vitin 1972 nga David Tihmanovi me vargje të Vladimir Haritonovit, me rastin e 50-vjetorit të Bashkimit Sovjetik. Në tekstin e kësaj kënge janë vargjet refren: “Adresa ime nuk është as një shtëpi, asnjë rrugë/ Adresa ime është Bashkimi Sovjetik”. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kjo këngë, për disa kohë nuk u dëgjua më. Ajo u ringjall, jo rastësisht duket, në një ndeshje futbolli gjatë së cilës, papritmas, i gjithë stadiumi nisi ta këndojë në kor.

Nostalgji rusomadhe për hapësirën e humbur?! Ansambli vokalo-instrumental “Samotsveti” vazhdon ta ketë këtë këngë në repertorin e tij edhe pse Bashkimi Sovjetik ka vdekur. Jeton, siç duket, ende ëndrra për një ringjallje të perandorisë së humbur, të hapësirës së humbur. Dhe ku mund të gjejë vend ajo, ku mund të injektohet fillimisht më lehtë se në gjirin e mijërave tifozëve të fanatizuar, të manipuluar? Një rol të veçantë luan kënga sovjetike në propagandimin e atyre që cilësohen si arritje në ndërtimin socialist të vendit, si fitore madhështore të pashoqe të bëra realitet nën udhëheqjen e Partisë, të Leninit e të Stalinit. Kënga sovjetike, d.m.th. propaganda sovjetike, nuk përmbahet, kalon në delir.

Vitet ’50-të të shekullit XX-të, njihen si vite gjatë të cilave u hapën toka të reja dhe si vite të rimëkëmbjes ekonomike pas Luftës II-të Botërore. Një numër i madh këngësh u janë kushtuar atyre. Një nga të parat ishte ‘Марш коммунистических бригад’ (‘Marshi i brigadave komuniste’) me muzikë të Anatoli Novikovit. Ja edhe disa nga vargjet e kësaj kënge: “Sot ne nuk jemi në paradë/ Ne jemi në rrugë drejt komunizmit/ Në brigadat komuniste Lenini është me ne/… Ne jemi kudo ku është e vështirë/ Çdo orë është e çmuar/ Puna e përditshme është pushim për ne/ Nëse kemi dhënë fjalën/ Nuk do të ju zhgënjejmë/ Le të ndezim diellin e jetës së re mbi glob”.

Një tjetër këngë, po e kësaj natyre, është ‘Песня о тревожной молодости’ (‘Kënga për rininë e shqetësuar’) kompozuar nga Aleksandra Nikollaievna Pahmutova. Ajo u kushtohet komsomolasve të viteve të vështira ’20-të, që u angazhuan në rrugën e ndërtimit të një të ardhmeje të shkëlqyer, sikurse thuhej në fjalorin sovjetik të kohës, por edhe më pas. Në vargjet e kësaj kënge thuhet: “Shqetësimi ynë është i thjeshtë/ Ja shqetësimi ynë i vetëm: /Që atdheu ynë të jetojë/ dhe që të mos ketë tjetër shqetësim”. Shkurt, i këndohet njeriut robot. Në vitin 2014 kjo këngë është interpretuar në formën e një marshi ushtarak gjatë paradës së fitores të zhvilluar në “Sheshin e Kuq”.

Kënga ‘Четырнадцать минут до старта’ (‘Katërmbëdhjetë minuta nga nisja’) është një këngë masash e kompozuar nga Oscar Feltsmani, një këngë që do të bëhet njëlloj himni jozyrtar për kozmonautët, himn i programit hapësinor të BRSS-së. Teksti i saj është shkruar nga Vladimir Voinoviçi. Në vendin e sovjetëve, në vitet ’60-të, tema e hapësirës u bë e detyrueshme për çdo koncert, kudo që të jepej, në kampet e pionierëve apo në Kremlin. Në këtë kuadër, kënga ‘Четырнадцать минут до старта’ është përdorur nga propaganda bolshevike në kohën e rivalitetit sovjeto-amerikan për zotërimin e hapësirës qiellore.

Vetë udhëheqësi sovjetik i atyre viteve, Nikita Hrushovi, i përshëndeti kozmonautët Nikolaev dhe Popoviç, të cilët e kënduan këngën nga hapësira kozmike. Ai citoi në përshëndetjen e tij edhe vargun e saj: “Gjurmët tona do të qëndrojnë në rrugën e pluhurosur të planetëve të largët”. Zgjedhja pikërisht e këtij vargu nga kreu i Kremlinit duket qartë se nuk është bërë rastësisht. Nga ana tjetër, citimi nga një udhëheqës sovjetik është, në vetvete, një ngjarje madhore. Menjëherë pas saj, gazeta qendrore e Partisë Komuniste të BRSS-së, “Правда”, e botoi këngën në dy numra të njëpasnjëshëm, në fillim në numrin special të mbrëmjes, në ngjyrë të kuqe, pastaj në ngjyrë të zezë, në numrin e zakonshëm të çdo mëngjesi.

Pavarësisht nga suksesi dhe përdorimi i këngës për qëllimet e përmendura, si dhe për qëllime të tjera për efekt të brendshëm, gjithnjë në frymën e krenarisë ruse, të shpirtit rus, të Rusisë së Madhe sovjetike, që shtrihet në dy kontinentet dhe që pushtoi edhe hapësirat qiellore, autori i tekstit, Vladimir Voinoviçi, nuk i shpëtoi dot, më pas, denigrimit dhe përndjekjes. Ai u dënua si disident e iu hoq qytetaria sovjetike. Librat e tij, pjesët teatrale dhe skenarët për filma, të shkruara prej tij, u ndaluan. ‘Четырнадцать минут до старта’ megjithatë vazhdoi të këndohet, por pa u cituar emri i autorit të tekstit./ Memorie.al

                                         Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Unë kam denoncuar disa herë sjelljen e hetuesve N. Gjikopulli dhe K. Gazeli, të cilët më kanë gjakosur dhe...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik: Pas ’90-ës, hetuesin tim e dërguan diplomat...!

Next Post

“Si mund të mendojë mbreti Nikollë i Malit të Zi, të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë...”/ Intervista e panjohur e Ismail Qemalit për gazetarin italian, prill 1913

Artikuj të ngjashëm

“Në muajt e parë të vitit 1921, Gjyqi i Nalt i Sheriatit, i kërkoi Ministrisë së Arsimit, që të drejtën e inspektimit të lëndës së besimit…”/ Historia e panjohur e raporteve të shtetit shqiptar, me religjionet fetare
Dossier

“Në muajt e parë të vitit 1921, Gjyqi i Nalt i Sheriatit, i kërkoi Ministrisë së Arsimit, që të drejtën e inspektimit të lëndës së besimit…”/ Historia e panjohur e raporteve të shtetit shqiptar, me religjionet fetare

May 18, 2026
“Poema Simfonike, që shkaktoi tërbimin e bolshevikëve, u kompozua nga Haçaturiani me rastin e 30-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, por më 1948 ai u dërgua në Armeni për…” / Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Poema Simfonike, që shkaktoi tërbimin e bolshevikëve, u kompozua nga Haçaturiani me rastin e 30-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, por më 1948 ai u dërgua në Armeni për…” / Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 18, 2026
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 18, 2026
“Vsevolod Zadaratskit do të përplaset në Gulag edhe në vitin 1937, nën pretekstin se kishte luajtur vepra të muzikantëve fashistë si Vagner dhe Shtraus, të cilët…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Vsevolod Zadaratskit do të përplaset në Gulag edhe në vitin 1937, nën pretekstin se kishte luajtur vepra të muzikantëve fashistë si Vagner dhe Shtraus, të cilët…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 17, 2026
“Krijuan një organizatë të quajtur ‘Fafaic’, caktuan detyrën dhe pseudonimin për çdo pjestar të grupit, mbledhjet i bënin në një bunker…”/ Dokumenti i Sigurimit i ’73-it, drejtuar Hysni Kapos për grupin nga Lezha
Dossier

“Krijuan një organizatë të quajtur ‘Fafaic’, caktuan detyrën dhe pseudonimin për çdo pjestar të grupit, mbledhjet i bënin në një bunker…”/ Dokumenti i Sigurimit i ’73-it, drejtuar Hysni Kapos për grupin nga Lezha

May 15, 2026
“Kompozitori bolshevik, Arseni Avramov, e deklaroi Sebastian Bachun; ‘një kriminel i madh përpara historisë, që ka deformuar dëgjimin e miliona njerëzve, pasi…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Kompozitori bolshevik, Arseni Avramov, e deklaroi Sebastian Bachun; ‘një kriminel i madh përpara historisë, që ka deformuar dëgjimin e miliona njerëzve, pasi…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 16, 2026
Next Post
“Si mund të mendojë mbreti Nikollë i Malit të Zi, të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë…”/ Intervista e panjohur e Ismail Qemalit për gazetarin italian, prill 1913

“Si mund të mendojë mbreti Nikollë i Malit të Zi, të imponojë me armë dhe me dhunë konvertimin fetar të myslimanëve shqiptarë...”/ Intervista e panjohur e Ismail Qemalit për gazetarin italian, prill 1913

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme