• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, May 17, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e katërmbëdhjetë

                                      NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

                                                        PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Vsevolod Zadaratskit do të përplaset në Gulag edhe në vitin 1937, nën pretekstin se kishte luajtur vepra të muzikantëve fashistë si Vagner dhe Shtraus, të cilët…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Krijuan një organizatë të quajtur ‘Fafaic’, caktuan detyrën dhe pseudonimin për çdo pjestar të grupit, mbledhjet i bënin në një bunker…”/ Dokumenti i Sigurimit i ’73-it, drejtuar Hysni Kapos për grupin nga Lezha

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.                   

                                                     Vijon nga numri kaluar

Kapitulli II – të MUZIKA

Viti 1948 ishte për kompozitorët sovjetikë një vit i rrezikshmërive të mëdha. Një vit më parë Stalini kishte dhënë urdhër që për të festuar 30-vjetorin e Revolucionit të Tetorit, kompozitorët të krijonin vepra të nivelit të lartë. Pas një viti rezultati ishte tepër i pakënaqshëm. Veprat e krijuara nuk paraqisnin, sipas diktatorit dhe rrethit të tij, madhështinë e komunizmit, madje krijimet e disa prej kompozitorëve më të dëgjuar, që u cilësuan edhe si “armiq të popullit”, kishin rrëshqitur drejt muzikës dekadente dhe mikroborgjeze perëndimore, gjë që nuk mund të lejohej. Ço muzikë jo entuziaste, me nota romantike, melankolike apo paksa tragjike, u deklarua si e dyshimtë, e keqe për popullin, që nuk kuptohej nga populli dhe për pasojë, e padobishme për të, përse jo edhe armiqësore.

“Pavarësisht disa sukseseve në fushën e muzikës së filmit dhe të këngës, do të theksojë Zhdanov në një dekret të muajit shkurt të vitit 1948, kompozitorët tanë nuk kanë realizuar detyrën e tyre ndaj popullit. Gjendja e muzikës sovjetike bashkëkohore është shqetësuese dhe e pakënaqshme, ndikimet e formalizmit antipopullor mbeten të forta…! Një numër i pretenduesve tanë si “kompozitorë yje” janë helmuar nga formalizmi dekadent i Perëndimit”.

Në vitin 1948, pas një rezolucioni të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, “Lidhur me operën ‘Miqësia e Madhe’ e Vano Muradelit”, kompozitori dhe dirigjenti Leonid Aleksejeviç Polovinkini akuzohet për “formalizëm”. Pas kësaj ai vdes, krejt papritur, në rrugë, më 8 shkurt 1949 dhe harrohet deri në vitin 2009, kur pianistja Anait Karpova regjistron në CD një përzgjedhje të kompozimeve të tij për piano. Në dallim nga disa kompozitorë të tjerë të kohës, që pushuan të shfaqin interes për muzikën xhaz, Leonid Alekseieviçi vazhdoi të përfshijë elemente të këtij stili në kompozimet e tij edhe në fundin e viteve ’30-të, në një kohë kur xhazi ishte deklaruar si jo popullor, dhe madje, edhe si armiqësor. Ai ka futur tema të xhazit edhe në veprat klasike e romantike për piano dhe simfoni.

Kompozitori Nikolai Jakovleviç Miaskovski njihet shpesh edhe si themelues i simfonisë sovjetike. Një anketë e bërë nga CBS në vitin 1935 pranë publikut të saj radiofonik, duke bërë pyetjen: “Sipas mendimit tuaj, cili nga kompozitorët e mëdhenj bashkëkohës do të qëndrojë midis të mëdhenjve të botës për 100 vjet”? e vendos Miaskovskin në dhjetëshen e padiskutueshme krahas Prokofievit, Rahmaninovit, Shostakoviçit, Riçard Shtrausit, Stravinskit, Sibeliusit, Ravelit, De Fallasit dhe Fritz Kreislerit. Bartës pesë herë i çmimit “Stalin”, në fund të jetës së tij edhe Miaskovski akuzohet si autor i një muzike formaliste, antisovjetike dhe anti-proletare. Kompozitori nuk i pranoi akuzat, nuk bëri autokritikë si mjaft të tjerë. Ai u shkarkua nga funksionet në vitin 1948 dhe u rivlerësua vetëm pas vdekjes së tij nga kanceri në vitin 1950.

Sipas bolshevikëve, “formalizmi” njësohej me “modernizmin” në kuptimin negativ të fjalës. Ai u dënua sepse forma muzikale, ndërtimi i një pjese muzikore vendosej mbi parametra të tillë si melodia dhe se përcjell fenomene të tilla “dekadente” si atonaliteti. Në vorbullën vdekjeprurëse bolshevike të “formalizmit” u dënuan drejtpërsëdrejti si “mishërim i formalizmit”, si fajtorët kryesorë të problemeve në muzikën ruse, edhe kompozitorë të tjerë të njohur të kohës si, Shostakoviçi, Prokofievi, Haçaturiani, Visarion Shebalini, Gavril Popovasi etj. Për të dëshmuar se gjithçka bëhet për popullin dhe vetëm në emër të popullit, të interesave të shenjta të proletariatit e në përgjithësi të masave punonjëse, bolshevikët organizuan apo sajuan një numër të madh tubimesh dhe debatesh në të gjithë vendin, në uzina dhe në kolkoze. Sipas propagandës së zhurmshme komuniste, “punonjësit”, miliona njerëz të thjeshtë kudo, pas debateve të zjarrta bashkoheshin njëzëri, të indinjuar, kundër Shostakoviçit, Prokofievit dhe “formalistëve” të tjerë.

Xhelozia e Stalinit ndaj lavdisë së dikujt tjetër, ka luajtur sigurisht rolin e saj. Ajo ka krijuar pasoja fatale mbi jetën dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve, përfshirë edhe të atyre, që shquheshin në fushën e muzikës. Mjaftonte ndonjëherë edhe diçka tepër e papërfillshme që ta zemëronte kreun e Kremlinit dhe që ai të mos e përmbante veten. Për të mjaftonte një fjalë e pakujdesshme e dikujt, mjaftonte dikush që, sipas tij, fliste shumë apo që në shikimin e tij ishte tepër i kultivuar, dikush që përgatiste një raport për të dhe që do t’i dukej atij si “tepër i aftë”, edhe vetëm kaq mjaftonte që ai të lëshonte rrufetë e Zeusit mbi fatin e njërit apo tjetrit.

Kjo ishte taktikë e tij për të mbjellur terror edhe në gjirin e personaliteteve të botës së kulturës dhe të artit. Në përputhje me të, një kompozitor mund të dënohej e denigrohej një ditë të bukur për t’u vlerësuar papritmas më pas si një hero i vërtetë i muzikës sovjetike dhe më pas për të kaluar sërish në listën e zezë të autoriteteve zyrtare. Shostakoviçi, veçanërisht, por edhe muzikantë të tjerë, do të vuajnë këto “akrobaci” të Stalinit dhe të të bindurve të tij, qofshin këta fanatikë të tij apo servilët dhe të tremburit, të terrorizuarit e tij.

Në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar, Stalini mori vendim për të shpallur një konkurs për shkrimtarët dhe muzikantët lidhur me krijimin e një himni të ri të Bashkimit të Republikave Socialiste sovjetike. Për këtë qëllim u krijua edhe një komision qeveritar. Midis kompozitorëve që morën pjesë në këtë konkurs ishin edhe emrat e mëdhenj të kohës : Prokofievi, Shostakoviçi, Haçaturiani, etj. Pas një pune disamujore secili nga kompozitorët paraqiti himnin e tij, por Stalini do të vendoste ndryshe. Ai kujtohet papritmas se një ‘Гимн партии большевиков’ (‘Himn i Partisë së Bolshevikëve’) i kompozuar nga Aleksandër Aleksandrovi para luftës, “është më i përshtatshëm si himn, ai tingëllon në mënyrë më triumfale”.

Kështu kompozimi i Aleksandrovit bëhet zyrtarisht himn i Bashkimit Sovjetik, pavarësisht nga mendimi i specialistëve të muzikës dhe i kompozitorëve, të cilët kishin punuar dhe që ishin pjesëmarrës të konkursit, nga mendimi i komisionit qeveritar, që faktikisht nuk mund të kishte tjetër mendim nga ai i Stalinit. Është Stalini ai që do të vendosë edhe mbi fatin e operës ‘Леди Макбет Мценского’ (‘Ledi Macbeth’ nga Mcsensku) dhe të autorit të saj, Shostakoviçit. Opera u kompozua nga autori në moshën 30-vjeçare dhe u luajt për herë të parë më 22 janar 1934 në Moskë. Përgjatë dy vjetëve ajo pati sukses të jashtëzakonshëm në vend dhe në shkallë ndërkombëtare. Gjithçka do të përmbysej me 28 janar 1936 kur Stalini, i shoqëruar nga Zhdanovi, vendos të shohë operën.

‘Леди Макбет Мценского’ trajton historinë e Katerina Ismailovës, në një qytet të vogël rus në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të. Kjo grua tregtari mërzitet dhe nuk mund të durojë një jetë në vetmi. I shoqi punon larg, duke munguar për javë të tëra. Ajo dëshiron një jetë të ndryshme dhe vendos të revoltohet kundër despotëve, që e pengojnë të jetë e lumtur. Për të arritur qëllimin e saj dhe për të jetuar dashurinë e re me Sergein, ajo nuk do të ngurrojë t’i asgjësojë këta despotë. Në pamje të parë duket sikur opera është në brazdat e regjimit. Katerina simbolizon popullin revolucionar, që ngre krye kundër tiranëve. Këta të fundit përfaqësojnë fshatarët e pasur rusë apo kulakët, një “klasë”, asgjësimi i së cilës nën urdhërat e Stalinit kishte nisur që në vitin 1929.

Pavarësisht të gjithave, kreu i Kremlinit nuk e pëlqeu operën. Ai u largua para aktit III, pa e ndjekur atë deri në fund, për të mos përshëndetur autorin, fati i të cilit u vu në gijotinë. Të nesërmen “Правда”, gazeta qendrore e Partisë Komuniste të BRSS-së, boton një artikull, lidhur me operën, me titullin : « Kaosi zëvendëson muzikën ». Shostakoviçi cilësohet nga “Правда” si “armik i popullit” sepse ai ka kompozuar një muzikë të papëlqyeshme, tepër kakofonike, apo « as e thjeshtë, as realiste, as e kuptueshme » dhe se “formalizmi i saj i qelbur ishte një provë përçmimi ndaj botës reale”. Shkurt, opera ishte në kundërshtim me idealin e Realizmit Socialist!

“Леди Макбет Мценского” kritikohet edhe sepse ajo mbyllet në mënyrë pesimiste me të burgosur që ecin në të ftohtë. Në kontekstin e depërtimeve masive të qytetarëve rusë në Gulagët e Siberisë, kjo opera u gjykua nga Stalini si e dëmshme dhe u ndalua. “Mësimi” ishte i qartë. Nëse Shostakoviçi, muzikanti më i madh rus i kohës, nuk kursehet, të tjerët aq më pak, çdo kompozitor duhet t’i nënshtrohet doktrinës së Realizmit Socialist, të përpiqet të ekzistojë dhe të jetë i gëzuar, pavarësisht nga përndjekjet e vazhdueshme, se çdo kompozitor që shmanget nga linja zyrtare do të shtypet.

Në këtë situatë, Shostakoviçi është i rënë nga froni, i mënjanuar nga peizazhi muzikor. Sikurse tregon edhe ai vetë në kujtimet e tij: “Cilësimi ‘armik i popullit’, më ndiqte kudo. Më trajtonin si armik i popullit, si privatisht ashtu edhe me zë të lartë, nga tribuna”. Një ditë Shostakoviçit i arriti një thirrje nga NKVD-ja (pararendësja e KGB-së). Atij i kërkohej të paraqitej në selinë e saj, një ndërtesë gjigante në qendër të Moskës. Aty ai do të merrej në pyetje nga një agjent i NKVD-së. Pyetjet do të ishin: “Cilët janë miqtë tuaj”? “Cilin takoni ju rregullisht”? “A e njihni ju mareshalin Tukaçevski”? Mareshali ishte, në fakt, një nga miqtë e tij të afërt. Oficeri i NKVD-së dëshironte të detyrojë Shostakoviçin të pohojë se Tukaçevski i takon një grupi terrorist, që përgatit një komplot kundër Stalinit. Lufta do të ndryshojë edhe fatin e Shostakoviçit. Nga armik ai do të shndërrohet në hero.

Është e njohur se më 8 shtator 1941, nis bllokimi i Leningradit nga forcat naziste dhe se ky bllokim do të zgjasë pothuajse 900 ditë. Uria dhe të ftohtit me temperatura deri 40 gradë nën zero, do të sjellin vdekjen e 1 milion leningradasve. Kufomat mbuluan, gjatë viteve 1941-1942, të gjithë qytetin. Është e vështirë të mendohet se në këto kushte mund të kishte një jetë të vërtetë muzikore në këtë qytet. Megjithatë, pikërisht në këto kushte, në dhjetor të vitit 1941, Shostakoviçi kompozon “Симфония” № 7 “Ленинградская” до мажор соч. (Simfonia Nr. 7 në do mazhor).

Kjo vepër e Shostakoviçit u vlerësua njëzëri nga autoritetet zyrtare. Kompozitori u nderua me çmimin «Stalin» në vitin 1942. Shumë shpejt kjo simfoni fitoi popullaritet si në Bashkimin Sovjetik ashtu edhe në Perëndim. Kjo shpjegohet me vetë objektin e saj, që ekzalton qëndresën kundër pushtuesit gjerman. Simfonia N.7 e Shostakoviçit luajti rolin e një arme psikologjike dhe është ritransmetuar, nëpërmjet altoparlantëve, disa herë në Leningrad, në të gjithë qytetin, për t’u dëgjuar nga populli dhe nga trupat armike. Artileria gjermane u përpoq që të pengojë ekzekutimin e Simfonisë, por për gëzimin e leningradasve, ajo u detyrua të heshtë nga bateritë e artilerisë sovjetike.

Interesant është të shihet se pas Luftës II-të Botërore edhe kjo simfoni e Shostakoviçit u vlerësua si vepër antistaliniane. Në vitin 1948 Tihon Krehnikov, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kompozitorëve Sovjetikë, do të shprehet: “Frymëzimi muzikor i Shostakoviçit u bën më tepër jehonë krimeve të fashizmit se sa heroizmit të epokës tonë. Atonalizmi abstrakt, kozmopolitizmi i gjuhës muzikore i Shostakoviçit që, edhe gjatë luftës nuk bëri as më të voglin hap për tu afruar me gjuhën muzikore të Popullit tonë, bëjnë që Simfonia e Shtatë të mos jetë një vepër popullore për një kohë të gjatë”.

Shostakoviçi vdes në vitin 1975 në moshën 69 vjeçare. “Правда” njofton vdekjen e tij në faqen e tretë, katër ditë më pas, nëpërmjet një artikulli mbushur me elozhe. Për nder të tij u organizua një funeral madhështor nga Partia Komuniste. Ata që e persekutuan për vite të tëra gjendeshin në radhët e para të tij. Një tjetër kompozitor i madh rus i shekullit të XX-të, Sergei Prokofievi, gjithashtu nuk është kursyer nga bolshevizmi. Pas një qëndrimi relativisht të gjatë në emigrim, kompozitori vendosi të kthehet përfundimisht në BRSS-së. Në majin e vitit 1936 ai vendoset me familjen në Moskë.

Pas kthimit në atdhe, Prokofievi u tregua ushtar i bindur i Realizmit Socialist në muzikë. Që në vitin 1935 ai kishte nisur punën për kompozimin e një kantate madhështore për Partinë; Кантата к двадцатилетию Октября (Kantata për 20-Vjetorin e Tetorit). Kantata frymëzohet nga historia e Revolucionit të Tetorit dhe nga krijimi i Bashkimit Sovjetik. Ajo shtrihet në kohë nga marrja e Pallatit të Dimrit në vitin 1917 për të kaluar më pas në vuajtjet e shkaktuara nga Lufta Civile, në funeralet për Leninin në vitin 1924, për të vazhduar më tej me ndërtimin e uzinave dhe të kolkozeve në fillimin e viteve ’30 dhe me kontrollin absolut të Stalinit në vend me kushtetutën e tij të re të vitit 1936.

Në një vështrim të shpejtë mund të vihen re dy gjëra lidhur me këtë vepër. Ajo kërkon mjete të jashtëzakonshme për t’u luajtur, për të mobilizuar dhe ekzaltuar masat, jo më pak se 500 vetë, një orkestër simfonike, një orkestër instrumentale për erërat, një orfeon, një ansambël për zhurmat goditëse, një orkestër fizarmonikash dhe dy kore të ndryshme. Tjetër gjë që tërheq vëmendjen ndaj saj është përdorimi, si përforcues, i teksteve të rëndësishme në bazë të ideologjisë komuniste. Ajo përdor pjesë nga Manifesti i Partisë Komuniste dhe nga Teza e Marksit mbi Fojerbahun, nga fjalimet apo botimet e Leninit dhe të Stalinit.

Prokofievi i përdor këto tekste në gjendjen e tyre bruto dhe e përligj këtë duke thënë se: “Gjuha e Leninit është kaq shprehëse, e gjallë dhe bindëse, se ai nuk ka dashur të perifrazojë mendimet e atij në vargje, duke parapëlqyer t’i përmbahet tekstit origjinal dhe të përdorë frazat e vetë Udhëheqësit”.

Kjo vepër e Prokofievit duket se i përmbush të gjitha kërkesat për t’u parë si krijim ideal i Realizmit Socialist. Përmbajtja e saj është tërësisht në harmoni me ideologjinë dhe forma, po ashtu, duke përfshirë masat nëpërmjet koreve dhe muzikantëve të shumtë. Duke dëgjuar “Кантата к двадцатилетию Октября” ndien në notat e saj praninë e heroizmit revolucionar. Mund të thuhet edhe se përdorimi i fizarmonikës nga Prokofievi në këtë vepër, është në përputhje me mendimin zyrtar të viteve ’20-të, që i kushtonte këtij instrumenti një vend të zgjedhur në rendin e ri socialist.

Në kohën e spastrimeve të mëdha staliniane të viteve ’30-të, Prokofievi bënte kujdes të mos përballej me rrezikun. Viti 1937 kujtohet, veçanërisht, si një vit i terrorit të tmerrshëm stalinian. Përgjithësisht në krijimtarinë e tij ai trajton heroizmin, një djalë të ri që shpëton një fëmijë nga flakët apo një tjetër që don të hakmerret për vëllanë, që ka dhënë jetën për atdheun etj. Prokofievi ekzalton ideologjinë komuniste dhe Stalinin. Krijimtaria e tij, përfshirë edhe Kantatën për 20-vjetorin e Tetorit, mund të shihet si një faqe e lavdishme e Realizmit Socialist në muzikën sovjetike.

Megjithatë ky nuk është as vështrimi dhe as vlerësimi i Kremlinit. Kjo kantatë u shpall heretike. Zyrtarisht, si arsye për këtë pozicionim të regjimit ndaj saj u deklarua se “fjalimet e ideologëve të komunizmit nuk janë bërë për t’u kënduar”. Duke përdorur “tekstet e shenjta”, Prokovievi kishte kryer një mëkat të madh, gjë që nxiti tërbimin e autoriteteve komuniste.

Platon Kerjentsevi, teoricien i kulturës proletare, në rolin e prokurorit, do t’i drejtohet kompozitorit me fjalët: “Si është e mundur pra, Sergei Sergeieviç të merrnit ju këto tekste popullore dhe t’i vendosni në një muzikë kaq të pakuptueshme”? Kryetari i Lidhjes së Kompozitorëve Sovjetikë, Tikhon Khrenikovi, në një diskutim mbi “historinë e muzikës sovjetike”, kërkon edhe ai të tregojë se si dhe qysh Prokofievi është një kompozitor krejtësisht i huaj në raport me traditën ruse.

Khrenikovi për ta denigruar dhe poshtëruar deri në fund Prokofievin, duke zbatuar urdhrat e shefave të tij të mëdhenj, nuk harron të flasë edhe për udhëtimet e tij jashtë Bashkimit Sovjetik. “Pasi i përmendi të gjithë modernistët si dekadentë, nervozë, kakonikë, fetarë, perversë seksualë, perversë të tillë si Olivier Mesiaenin, Jolivet, Hindemithin, Alban Bergun, Menotin, Benjaminin Brittenin, Khrenikovi sulmoi Prokofievin, duke u përpjekur të provojë se sa ishte deformuar dhe kthyer thellësisht në perëndimor”./ Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Nëpërmjet ‘Onufrit’, Bujar Hurdhri ka ndërtuar jo vetëm një institucion botues, por një hapësirë dinjiteti për letërsinë shqipe, pasi...”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë

Artikuj të ngjashëm

“Vsevolod Zadaratskit do të përplaset në Gulag edhe në vitin 1937, nën pretekstin se kishte luajtur vepra të muzikantëve fashistë si Vagner dhe Shtraus, të cilët…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Vsevolod Zadaratskit do të përplaset në Gulag edhe në vitin 1937, nën pretekstin se kishte luajtur vepra të muzikantëve fashistë si Vagner dhe Shtraus, të cilët…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 15, 2026
“Krijuan një organizatë të quajtur ‘Fafaic’, caktuan detyrën dhe pseudonimin për çdo pjestar të grupit, mbledhjet i bënin në një bunker…”/ Dokumenti i Sigurimit i ’73-it, drejtuar Hysni Kapos për grupin nga Lezha
Dossier

“Krijuan një organizatë të quajtur ‘Fafaic’, caktuan detyrën dhe pseudonimin për çdo pjestar të grupit, mbledhjet i bënin në një bunker…”/ Dokumenti i Sigurimit i ’73-it, drejtuar Hysni Kapos për grupin nga Lezha

May 15, 2026
“Kompozitori bolshevik, Arseni Avramov, e deklaroi Sebastian Bachun; ‘një kriminel i madh përpara historisë, që ka deformuar dëgjimin e miliona njerëzve, pasi…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Kompozitori bolshevik, Arseni Avramov, e deklaroi Sebastian Bachun; ‘një kriminel i madh përpara historisë, që ka deformuar dëgjimin e miliona njerëzve, pasi…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 16, 2026
“Në vitin 1938, muzika bëhet një mjet i fuqishëm i propagandës së Rajhut III-të dhe Gjermania u shpall ‘Vendi i muzikës’…”/ Ana e panjohur e raporteve të nazizmit me artin e kulturën
Dossier

“Në vitin 1938, muzika bëhet një mjet i fuqishëm i propagandës së Rajhut III-të dhe Gjermania u shpall ‘Vendi i muzikës’…”/ Ana e panjohur e raporteve të nazizmit me artin e kulturën

May 16, 2026
“Duke mos harruar qëndrimin e Mbretit Zog gjatë luftës dhe besnikërinë e ushtarakëve të tij ndaj Francës, gjenerali De Gaulle, i bëri…”/ Ana e panjohur e Monarkut shqiptar me kreun e Francës
Dossier

“Duke mos harruar qëndrimin e Mbretit Zog gjatë luftës dhe besnikërinë e ushtarakëve të tij ndaj Francës, gjenerali De Gaulle, i bëri…”/ Ana e panjohur e Monarkut shqiptar me kreun e Francës

May 13, 2026
“Siç shkruante Vladimir Voinoviçi, në Lidhjen e Shkrimtarëve do të kishte po aq kolonelë dhe gjeneralë të KGB-së, sa edhe në Shtabin e Përgjithshëm, pasi…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Siç shkruante Vladimir Voinoviçi, në Lidhjen e Shkrimtarëve do të kishte po aq kolonelë dhe gjeneralë të KGB-së, sa edhe në Shtabin e Përgjithshëm, pasi…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 14, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme