• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, April 3, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në Ballkan, i vetmi popull anti-sllav ishin shqiptarët trima e të besës, dhe gjermanët këto cilësi i gjetën në fytyrën e Xhafer Devës…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ministrit që u shua në moshën 96 vjeçare, në SHBA-ës

“Nga Tepelena, ai me gjashtë shokët e tij, ikën e kaluan kufirin për në Jugosllavi, por, i afërmi i Haxhi Lleshit, shefi i UDB-së për Dibrën e Madhe, i dorëzoi…”/ Historia e panjohur e të birit të Gjon Marka Gjonit
“Në kampin nazist të Zemunit ishim 517 shqiptarë, ku një pjesë vdiqën nga epidemitë, disa bashkëpunonin me gjermanët, si …”/ Rrëfimi i rrallë i ish-të burgosurit
“UDB-ja në Mitrovicë drejtohet nga Aleksa Vuçiniq dhe personel me grada, ku janë dhe dy shqiptarë, Jusuf Abdullahi e Musa Batalli nga Gjakova, të cilët…”/ Raporti i Xhafer Devës në vitin 1953
“Plumbi mizor që goditi sot këtë vëlla tonin, ka….”/ Zbulohet fjalimi i Xhafer Devës, në varrimin e Kalosh Hamdisë nga Reçani i Gostivarit, i cili u vra në 1973-in në SHBA-ës
“Në Vuçja Lokva, një grua myslimane u gozhdua e gjallë në një pemë, 26 burra u masakruan, kurse 20 gra e fëmijë…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur për spastrimin etnik në Sanxhak, në vjeshtën e 1941-it
“Në Vuçja Lokva, një grua myslimane u gozhdua e gjallë në një pemë, 26 burra u masakruan, kurse 20 gra e fëmijë…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur për spastrimin etnik në Sanxhak, në vjeshtën e 1941-it

Nga FAZLI HAJRIZI

Pjesa e dytë

Memorie.al / Kishte disa muaj që po e kërkoja me ngulm Ago Agajn dhe askush nuk po më ndihmonte dot, për të gjetur adresën e tij. U rashë telefonave në të katër anët e kontinentit ku jetonin shqiptarët, pyeta individë e shoqata në New York e qytete të tjera, por pa rezultat. Disa më thoshin se jeton në New York, ca të tjerë më këshillonin që të pyesja Baba Rexhepin, se ai mund të më çonte në gjurmët e Agos. –“Para dy vjetësh është vendosur në Florida”, – më tha në telefon kryetari i Teqesë. –“Në Florida? Një fjalë goje. Në Jug apo në Veri. Po ec e gjeje tani se në cilën pjesë të atij shteti jeton”! Por, nuk thonë kot se rastësia shpesh është mbreti i gjithçkaje.

                                                           Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Zogu s’ka dorë në vrasjen e Bajram Currit, një patrioti të admiruar, madje ai dërgoi xhandarët ta merrte në dorëzim, por e vranë…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ministrit që u shua 96 vjeç në SHBA-ës

“N’katundin Ponashec të Rekës Gjakovës, malazezt kanë mbytë e gri 116 vetë, n’mes të cilëve u gjindshin edhe gra e fëmijë, tuj i coptue barbnisht…”! / Shtypi i kohës për masakrat serbe ndaj shqiptarëve

Ago Agaj tregonte: “Isa Boletini i dha kështu Ismail Qemalit përkrahje morale dhe vajti për të ndaluar ushtrinë turke që të mos futej në Vlorë. Kemi edhe Hasan Prishtinën që ka luajtur rol të madh për pavarësinë e Shqipërisë. Ka qenë edhe Sali Gjuka, një patriot nga Peja, i cili vdiq në Berat, si drejtor i arsimit. Kosovarët qenë ata që thyen ushtrinë turke më 1912. U futën në Shkup dhe u sollën aq mirë, sa që të huajt që ishin atje, u habitën për rregullin dhe disiplinën e tyre.

Të gjitha luftërat e kryengritjet që janë bërë në Kosovë, kanë qenë të orientuara drejt pavarësisë. Më e madhja ishte ajo e vitit 1912. Mustafa Kruja, kur nisi kjo luftë, i veshur malësorçe, me 12 veta, shkoi e mori pjesë në të. Kur mbaroi ajo, u kthye nëpër Mirditë. Por, nuk duhet harruar se Dedë Gjo’ Luli, hapi luftën para krahinave të tjera”, – fliste Ago Agaj dhe solli sërish ndër mend kohën kur vajti për të ndihmuar shqiptarët në Mitrovicë, që po luftonin kundër çetave të Drazha Mihajlloviçit.

– “Në parlamentin serb ishte bërë zhurmë e madhe se gjoja shqiptarët e provincës së Mitrovicës, paskëshin djegur një fshat serb dhe se paskan vrarë e masakruar shumë civilë. Komiteti shqiptar i provincës më ngarkoi mua për të vajtur në këtë fshat e, për të raportuar se si ishte gjendja. U nisa dhe, pa arritur akoma atje, takova në rrugë shqiptarët që po largoheshin nga shtëpitë e veta. Fshatin e këtyre të mjerëve e kishin djegur çetnikët, ndërkohë që asnjë katund serb nuk ishte shkatërruar prej shqiptarëve.

Më treguan se zjarrvënësit ishin prej çetave të Vojvodë Kosta Peçanit. Raportin ia dërgova Komitetit shqiptar që udhëhiqte Mitrovicën dhe, sipas sugjerimit të tij, e përktheva dhe ia dorëzova komandantit gjerman, Rittmeister Friedrichs, i cili shprehu kënaqësinë për saktësinë dhe vërtetësinë e tij”, – tregonte Ago Agaj. – “Komandanti gjerman dhe oficerët, për të shkuar punët më mirë meqë unë kisha fituar në dy mbledhje simpatinë e popullit, më propozuan që të emërohesha prefekt i Mitrovicës. I këtij mendimi ishte dhe Xhafer Deva, i cili më premtoi se do të më ndihmonte e do të bashkëpunonte me mua. Propozimin e gjermanëve e pranoi edhe Komiteti”.

Ago Agaj menjëherë filloi shqiptarizimin e administratës. Kryetar gjyqi caktoi Shefqet Shkupin, prokuror, Kudret Kokoshin dhe të tjerë, të gjithë të ardhur si vullnetarë nga Shqipëria. Në postin e komandantit të xhandarmërisë, ai emëroi djalin e Isa Boletinit, Bajazitin. Nuk kaloi shumë kohë dhe vlonjati, që iu besua detyra e prefektit të Mitrovicës, u gjend në një situatë të papritur. Forcat e Drazha Mihajlloviçit sulmuan postën e xhandarmërisë në Banjskë. U nisën lajmëtarët, në këmbë e me kuaj, për të dhënë kushtrimin në gjithë rrethin: “Burrë për derë që ka armë, të paraqitet sa më parë para prefekturës, natë ose ditë qoftë, se na ka sulmuar Drazha Mihajlloviçi”.

“Në këtë kohë, një dorë gushkuqër, të komanduar prej nëntogerit Mehmet Gradica, arritën në Banjskë dhe me sulm të tërbuar, si vetëm burrat e Llapit mund të bëjnë, e zunë ditën në drekë post-komandën. Vetëm pak ushtarë të Drazhës mundën të shpëtonin. Kufomat e xhandarëve tanë të vrarë nga çetnikët, nuk ishin varrosur akoma. Qenë hedhur së bashku pranë rrëkesë, pasi u kishin prerë hundë e buzë e bërë të tjera shëmtime. Pasi u fotografuan, u varrosën. Më tej u varrosën edhe çetnikët serbë, por të pacënuar. Kurrë nuk kam mundur të kuptoj këtë zakon të shëmtimit të armiqve të vrarë nga ana e serbëve.

Feja krishterë nuk e lejon këtë dhe besoj se do të jetë trashëgim i kohëve pagane sjellë prej stepave të Azisë.

Një oficer serb më ka treguar se serbët edhe Mbretin e tyre, Aleksandër Obrenoviçin dhe të shoqen e tij, Dragen, kështu i kanë shëmtuar kur i vranë”, – shkruan në librin e tij Ago Agaj.

Ai bashkë me Xhafer Devën shkoi në frontin e luftës për të inkurajuar luftëtarët shqiptarë që luftonin kryesisht me pushkët serbe. Kërkoi ndihmë nga Ferhat Draga në Tiranë, por ai nuk i ktheu përgjigje. Atëherë ai iu drejtua për ndihmë Drenicës, krahinës më të njohur për trimëri, e cila ishte afër Mitrovicës, por në atë kohë përfshihej në zonën italiane. Ago Agaj pati një takim të fshehtë në Drenicë me Shaban Polluzhën, i cili i dha fjalën se do t’i vinte vetë në ndihmë me burrat që kishin armë.

– “Ne u kthyem, ndërsa ai nuk vonoi dhe lëshoi kushtrimin: ‘Burrat që nga shtatë deri shatëdhjetë, kundër shkjaut’. U nis xhadesë bashkë me luftëtarët e tij, i armatosur, por në kufi u ndal nga ushtria italiane. Me luftëtarët e vet u kthye malit përpjetë, doli deri në Kolashin, ku u godit nga çetnikët e vendit. U hodh në kundërsulm dhe i vuri përpara. Ditën tjetër, në mëngjes, erdhi para prefekturës në Mitrovicë”, – tregonte Agaj.

– “Ndihma që na erdhi nga Drenica nën komandën e Shaban Polluzhës, na dha zemër e kurajo për t’u hedhur edhe në kundërsulm. Dhe ky aksion u bë kosovarçe: në këmbë, me zhurmë, me sharje të rënda për armikun, i cili ua mbathi këmbëve. Drazha shpëtoi, por kalin e la në vend. Krenaria dhe ndërgjegjja kombëtare pas luftës së fituar u rritën shumë, në një atmosferë krejt të lirë, pasi gjermanët nuk përziheshin kurrë në punët tona. Dhe ata pak që ishin, dukeshin rrallë”, – kujtonte Agaj.

Për të shëruar të plagosurit shqiptarë, Agaj solli nga Vlora Dr. Ibrahim Dervishin, ardhja e të cilit u prit me lot gëzimi nga të plagosurit. Ai kujton rastin e një djaloshi 13-vjeçar, të cilit Dr. Ibrahimi i kontrolloi plagën.

– “Vajtëm jatak mbi jatak për t’i vizituar të plagosurit në spital dhe arritëm te ky djalë i vogël.

– ‘Po ti ç’kërkon’? – i tha mjeku.

– ‘Jam plagosur’, – ia ktheu djaloshi.

Ai mbante një pushkë në gji. Flinte me të. Kur vajtëm ne me doktorin për ta vizituar, mendoi se do t’ia merrnin.

– ‘Aman, mos ma merrni pushkën’! – klithi me frikë.

– ‘Unë i premtova se armën do ta mbante, bile i premtova se do të gjeja për të edhe një nishan’”, – kujtonte Agaj.

– “Problem për ne, – vazhdonte të tregonte Agaj, – përbënin dy nipat e Isa Boletinit, 12-13 vjeçarë. Nuk di se si kishin hedhur në duar dy dyfekë të shkurtër italianë me bajoneta. Kishin tentuar disa herë të niseshin për në luftë, por u kthyen mbrapsht, se u kisha dhënë urdhër rojeve t’i ndalnin e t’i sillnin para meje. Më në fund, këtë problem e zgjidhi Xhafer Deva, duke u mbushur mendjen se, po të më mbronin mua, ata bënin një shërbim më të madh ndaj atdheut, pasi jeta ime ishte në rrezik. Qysh atë ditë, i kisha gjithnjë me vete, por kurrë nuk isha i qetë se ata, me sytë si të Argusit, kontrollonin çdo lëvizje rreth meje. Kisha frikë se mos qëllonin ndonjë të pafajshëm, që u dukej i dyshimtë”, – tregonte Ago Agaj.

Në librin e tij, Ago Agaj ka përshkruar disa herë ankimet e serbëve, për të cilët thoshte se; “është një karakteristikë e tyre që të ankohen pa shkak dhe të shpifin e të krijojnë akuza të rreme”. “Populli shqiptar, – vazhdonte ai, – nuk di të ankohet, është tepër krenar, duron dhe nuk e ul kurrë veten poshtë. Serbi, para autoritetit qëndron me atë kësulën ushtarake të shëmtuar në dorë, i përulur, i bindur. Por me rastin e parë, bëhet ujk i pangopur për gjak. Po dhe ky ujk është melez i përzier me gjak çakalli, kur gjen rast, mbyt sa të lodhet”, shkruan Agaj.

Për një kohë të shkurtër, Mitrovica me rrethe përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë gjatë historisë. Kjo liri, siç thotë Agaj, e ndezi popullin aq shumë, sa edhe gratë morën pjesë në kremtimin e 28 Nëntorit 1941. Ishte hera e parë që ato merrnin pjesë në një mbledhje. Për herë të parë, pas 500 vjetëve, ato dolën sheshit të veshura me kostume kombëtare e të zbukuruara me flori e gurë të çmueshëm e, me qëndisje artistike, aq sa të huajt mbetën të habitur. Mirëpo, pas kësaj feste, siç tregon Agaj, ndodhi një ngatërresë e papritur me gjermanët. Komanda kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe komunitetin rom. Në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje, por kishte rreth katër mijë rom, që i quanin “gabelë”. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve.

– “U dhamë shpjegime gjermanëve, se romët ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë, që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe lypseshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashërit u gjet libri i Prof. E. Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu, romët shpëtuan dhe ata, në shenjë falënderimi, dhanë një koncert, siç dinë vetëm ata. Hebrenjve ua shpëtuam jetën. I vendosëm në një ndërtesë të mirë. Pas largimit tim, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje”, – tregon Agaj. Ai qëndron një kohë të shkurtër në krye të prefekturës, sepse Gjermania ndërhyri tek italianët, ngase “kjo liri e kjo administratë u muar si shembull edhe për Shqipërinë dhe rinia kërkonte edhe atje të njëjtin administrim”.

– Si e shpjegonin gjermanët ardhjen në Kosovë?

– “Ata kishin një program të ndarë në dy pjesë: njëra thoshte se Shqipëria etnike duhet forcuar ushtarakisht, ndërsa pjesa tjetër thoshte ajo duhet të përparojë me anë të arsimit. Gjermanët kishin për qëllim që Shqipëria të bëhej një kala besnike në Ballkan, sepse grekëve nuk u besonin, ndërsa me sllavët nuk kanë qenë mirë kurrë”.

– Si lindi dashuria ndaj shqiptarëve?

– “Ilirologu gjerman Hans Krahe ka shkruar: ‘Ilirët për herë të parë u vendosën në shtetet e sotme baltike: Estoni, Lituani etj. Emri ‘baltik’ vjen nga ilirishtja që do të thotë baltë, vende të ulta. Ilirët erdhën në Gjermaninë Lindore ku krijuan mjeshtërinë e poçeve, sepse deri atëherë njerëzit pinin ujë në lumë e burim. Prej andej u zgjeruan dhe erdhën në Gjermaninë e Jugut, ku qëndruan shumë kohë. Afërsia e karakterit të gjermanëve me shqiptarët, daton nga ajo kohë kur ilirët qëndruan shumë kohë në këtë pjesë. Afria e gjermanëve me shqiptarët tregohet edhe përmes besës.

Asnjë popull tjetër nuk i jep rëndësi fjalës e burrërisë, se sa këta dy popuj. Në Ballkan, i vetmi popull anti-sllav kanë qenë shqiptarët. Gjermanët trima dhe të besës, këto cilësi i gjetën të zhvilluara dhe të dukshme në fytyrën e Xhafer Devës dhe besimi i tyre ndaj tij ishte i pakufi. Veç kësaj, ata gjetën tek ai edhe kulturë, inteligjencë, talent politik dhe njohjen e popujve e gjuhëve të Ballkanit. Ai fliste rrjedhshëm shqip, serbisht, turqisht, anglisht dhe pothuaj më mirë gjermanisht. Njihte mendësinë dhe kulturën jo vetëm të popujve të Ballkanit, por edhe të popujve të mëdhenj të Evropës”.

– Po miqësia e sotme me gjermanët? Në ç’shkallë është ajo? – e pyes “vlonjatin e Kosovës”.

– “Gjermania ka ndryshuar. Ajo është amerikanizuar shumë. Gjermanët janë bërë më shumë biznesmenë. Nuk janë më ata gjermanët e vjetër. Një gjeneral egjiptian që ishte shkolluar në Gjermani, kur isha në Egjipt, më tha se aleatët u munduan ta shkatërronin këtë shtet, mirëpo ai sot është ekonomikisht shumë i fuqishëm. Megjithatë, në një aspekt tjetër, aleatët patën sukses. Ndryshuan karakterin gjerman”, – thoshte Agaj dhe shton:

– “Pas luftës janë bërë ndryshime të mëdha në Evropë. Por në Shqipëri, ka ndodhur e kundërta, është bërë hataja me shkatërrimin e moralit e të karakterit shqiptar. Enver Hoxha qe një sadist që kënaqej me vuajtjet e kundërshtarëve. Kur emisarët e tij kërkuan nga unë që të isha ndërlidhës ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, meqenëse kisha shërbyer në Mitrovicë dhe i njihja mirë serbët, unë u thashë se do ta bëja këtë punë, me një kusht që Kosova të mbetej pjesë e Shqipërisë. Dhe, ata nuk u dukën më”. Kujdestarja solli barnat për Ago Agajn.

– “Me këto e mbaj gjallë shpirtin”, – tha plaku 96-vjeçar, i cili për çdo ditë bënte gjimnastikë. Çdo mëngjes dilte jashtë, qëndronte një orë dhe kthehej brenda. Edhe në darkë nuk flinte para se të kishte bërë një ecje të mirë. Netët ishin shumë të gjata për të. Nganjëherë flinte tri-katër orë, nganjëherë hiç fare. Pas pak, kujdestarja erdhi sërish dhe na tha se Ago Agaj kishte kaluar disa orë pa lëvizur nga kërriga, ndaj ky takim me aq duhej të mbaronte.

– “Para se të largoheni, më jepni fjalën se do të vini prapë”? – kërkoi ai me një shikim që s’më hiqet nga mendja, ndërsa kujdestarja e Shtëpisë së Pleqve kishte bërë gati karrocën për ta çuar 96-vjeçarin në dhomën e fjetjes…!

Në vend të in memoriam:

Ago Agaj (1897-1994);  “Po vdes pa e parë të lirë Kosovën”

Ago Agaj, njëri nga shqiptarët më të moshuar në Amerikë, vdiq më 24 dhjetor 1994 në Clearwater (Florida) në moshën 97-vjeçare). Nga i ndjeri, për herë të fundit u nda Agim Sula. Lajmin mortor ma kumtoi i vëllai i tij, Daver Agaj, sipas amanetit që i kishte lënë vetë i ndjeri.

– Dy javë para se të shkonte në botën e amshuar, Agoja ra shumë fizikisht sa që nuk mund të lëvizte dot nga shtrati.

– Ai luftoi tërë jetën për çështjen kombëtare, ndaj ai sot jeton jo vetëm në zemrat e të afërmve, por edhe të shqiptarëve, që e njohën, – shton ai. Në një letër, disa muaj para se të ndërronte jetë, Ago Agaj i shkruante autorit të shkrimit:

“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë na kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetë-milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast e Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës.

Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë’?! Ismail Qemali u përgjigj: ‘Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë’”, shkruante Agaj dhe shtonte: “Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”.

Po në atë letër, Ago Agaj shprehte dëshirën që një ditë të shkonte në Kosovë, ndonëse shëndeti dhe pleqëria nuk e lanë.

“Po të isha në gjendje të mirë shëndetësore, unë do të isha sot në Kosovë. Jo për të trimëruar kosovarët, se është e njohur trimëria e tyre, as për të ndihmuar intelektualët, se sot Kosova ka nxjerrë intelektualë të shquar si Ibrahim Rugova, Anton Çeta, Zekeria Cana etj. Ata përpiqen për shqiptarizmin dhe unë krenohem me ta. Qëllimi im për të vajtur në Kosovë është që të pushoj pas vdekjes në dheun shqiptar”, – shkruante Agaj, autor i librit “Lufta e Vlorës” dhe “Miloshi – hero i Kosovës” të botuar në Amerikë.

Ago Agaj u varros në varrezat e qytetit në Clearwater (Florida). Në varrimin e tij merrnin pjesë të afërm dhe bashkatdhetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 03 Prill 2026

Next Post

“Siç kam marrë vesht, ju keni pritë në mënyrë madhështore të ikurit nga Kosova, por kam merak shumë për fatin e tyre, pasi dua...”/ Letra e panjohur e Princ Widit për Bajram Currin nga Tiroli, gusht 1920

Artikuj të ngjashëm

“Zogu s’ka dorë në vrasjen e Bajram Currit, një patrioti të admiruar, madje ai dërgoi xhandarët ta merrte në dorëzim, por e vranë…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ministrit që u shua 96 vjeç në SHBA-ës
Dossier

“Zogu s’ka dorë në vrasjen e Bajram Currit, një patrioti të admiruar, madje ai dërgoi xhandarët ta merrte në dorëzim, por e vranë…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ministrit që u shua 96 vjeç në SHBA-ës

April 2, 2026
“Si do bëheshin sllave vajzat dhe kërkesa për 600 milionë dinarë për të përzënë 40 mijë familje, të cilat…”?! / Zbulohet plani serb me skemën e akademikut, ku shqiptarëve do t´ju prisheshin edhe varret!
Dossier

“N’katundin Ponashec të Rekës Gjakovës, malazezt kanë mbytë e gri 116 vetë, n’mes të cilëve u gjindshin edhe gra e fëmijë, tuj i coptue barbnisht…”! / Shtypi i kohës për masakrat serbe ndaj shqiptarëve

April 2, 2026
“Kur u afruam te vendi i pushkatimit, ai djali që ishte dënuar për vrasje, qante dhe kërkonte mëshirë, por Gaspër Çurçia, i tha…”/ Dëshmia tronditës e ish-prokurorit që asistoi në ekzekutimin e muzikantit të famshëm
Dossier

“Turp i madh, një polici e tërë lufton me armë me një të çmendur, kuadrot tanë, s’janë të përgatitur të ndeshen trup me trup…”! / Raportet sekrete të Sigurimit për ngjarjen që tronditi Korçën më 12 dhjetor ’87

April 1, 2026
“Nga ‘Historia e Sigurimit të Shtetit’, e botuar në vitin 1974, nxirren mjaft të dhëna rreth diktaturës, si… “/ Ana e panjohur e krimeve të regjimit komunist, shqiptaro-jugosllav
Dossier

“Kur Kapidan Mark Gjomarku, n’bised’e sipër i tha Patër Anton Harapit, se prej vrasjes At Shtjefën Gjeçovit e, deri n’botim të ‘Kanunit’, Kleri Katolik…”/ Refleksionet e studiuesit nga SHBA-ja

March 31, 2026
“Prej vjetit 1944 e, deri në 1990-ën, ‘Kanuni’ kje identifikue veç me gjakmarrjen edhe e keqja âsht se edhe sot e kësaj dite, vazhdohet…”/ Refleksionet e studiuesit Mërgim Korça, nga SHBA-ja
Dossier

“Prej vjetit 1944 e, deri në 1990-ën, ‘Kanuni’ kje identifikue veç me gjakmarrjen edhe e keqja âsht se edhe sot e kësaj dite, vazhdohet…”/ Refleksionet e studiuesit Mërgim Korça, nga SHBA-ja

April 1, 2026
“Nuk ju mjaftuene dhetvjeçarë, tue gjykue e predikue n’bazë moralit komunist, po edhe sot vazhdoni e propagandoni, se si Këshillat Nac-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit nga SHBA-ja, për ‘Kanunin’
Dossier

“Nuk ju mjaftuene dhetvjeçarë, tue gjykue e predikue n’bazë moralit komunist, po edhe sot vazhdoni e propagandoni, se si Këshillat Nac-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit nga SHBA-ja, për ‘Kanunin’

April 1, 2026
Next Post
”Kur Princ Widi zbriti nga vaporri në portin mjeran të Durrësit, ’i’u kujtua aristokracia europiane ku burrat mbanin bastun, kurse këtu mbanin…”/ Libri i suedezit për Shqipërinë

“Siç kam marrë vesht, ju keni pritë në mënyrë madhështore të ikurit nga Kosova, por kam merak shumë për fatin e tyre, pasi dua...”/ Letra e panjohur e Princ Widit për Bajram Currin nga Tiroli, gusht 1920

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme