Nga Prof. Dr. Ardian Ndreca
Pjesa e dytë
– Ndjesia historike e shqiptarëve –
Memorie.al / Nuk âsht fort e lehtë, sot, kur në Shqipní hapen vorre e groposen kujtime, me paraqitë nji figurë aq të “përfolun” si atë të Mustafa Krujës. Ai bân pjesë në atë rradhë burrash, si Lef Nosi, Dom Lazër Shantoja, Kol Tromara, Mark Gjomarkaj për të cilët nuk flitet gati aspak, edhe pse zânë nji vend nderit në altarin e kombit tonë. Sot në Shqipní zotnon prirja me rehabilitue ata figura të cilat deri dje regjimi komunist i kishte dënue. Shumë e drejtë. Por mâ të parët qi po na dalin atdhetarë e patriotë të përndjekun, janë taman ata qi u eliminuen në luftën e mbrendshme midis rrymave komuniste në fuqí. E shkrivanat e sotshëm përpiqen me ngjallë keqardhje në public, tue tregue shortin e padrejtë qi i tokoi për hise Koçi Xoxeve e Mehmet Shehave, tue hesht qëllimshëm faktin se me mija e mija vorre njerzish të vlerët e të pafajshëm, u mbollën në çdo kând të vendit shì prej dorës së tyne.
Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t’u shprehte kështu: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush, mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare.
Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
Opinioni i hierarkisë fashiste për Mustafa Krujën
Gjermanët, siç ka dalë prej dokumentave të botuem (shih librin e historianit R. Morozzo della Rocca), e konsiderojshin P. Anton Harapin, si filo-anglez, kurse Lef Nosi ishte i njohtun për idenë e afrimit me Mbretnín e Bashkueme. Po për Mustafën çka mendojshin në Palazzo Venezia, në Romë?
Së pari duhet thanë se ai nuk ishte nji fashist në kuptimin e vërtetë të termit. Dihet se fashizmi lind historikisht prej gjinit të socializmit, për të kundërshtue liberalizmin individualist, për të vû në rend të parë interesat e përgjithshme të shoqnís, kundrejt atyne të individit.
Mussolini vetë në riní âsht kenë socialist militant e si i tillë ka ardhë tue përforcue gjithnji bindjen, se shteti âsht njisía mâ e randësishme e jetës shoqnore, i denjë për t’u vû mbi vlerat e lirisë e të demokracisë. Në nji intervistë të 1932-shit, dhânun biografit të tij, Emil Ludwig, për të përkohshmen “Candide”, Benito Mussolini pohon se kur ishte i ri, mbante gjithnji me vete si talisman, nji medaljon me figuren e Karl Marx-it.
Tashti, Mustafa nuk ka asnji gja të përbashkët me idetë socialiste e, për të, vlera absolute nuk âsht shteti por atdheu, qi përfshin: etnín, gjuhën, kulturën materiale e shpirtnore e besimin. Në 1941, si pasojë e sulmit gjerman kundër Bashkimit Sovjetik, komunistat në Shqipní, të frymzuem prej të huejve, nisin me lëvizë. E gjithë kjo bâhej për me krijue anarkí në vend.
Qeverija e Shefqet Verlacit rrëzohet e në dhetuer të 1941-shit Mustafa Kruja, ngarkohet me formue qeverin e ré. Ministri i jashtëm i Italisë, Galeazzo Ciano, shënon në ditarin e vet qi; vûmja e Krujës në postin e kryeministrit, “i përgjegjë nji lëshimi të mâtejshëm ndaj ekstremistave të nacionalizmit shqiptar”. Ndërsa në datën 23 dhetuer, Ciano shkruen qi Vërlaci urren Krujen, por s’ka argumenta te forta kundër tij, kufizohet tue thanë se s’mund të qeverisë vendin, djali i nji sherbtorit.
Qysh të parën herë qi Mustafa vjen në Romë si kryeministër, në shkurt të 1942, siç dishmon Ciano në ‘Ditarin’ e vet, fillon tue i kërkue italianëve “ndreqje të vogla të kufijve kah Mali i Zi e, rishikjimin e flamurit. Nuk e duen, – vazhdon Ciano, tue folë për nacionalistat e Tiranës, – shqipen e “burgosun” midis fashiove e nejeve të Savojës. Çashtja âsht delikate e, nuk mund të mos pranohet a priori”. Emnimi i Mustafës kryeministër, shkruen konti Ciano, pat bâ bujë, “ndër italianë pse ai âsht shumë nacionalist, ndër shqiptarë pse rrjedh prej nji familje të përvûjtë”.
Nji tjetër hierark i fashizmit, Mëkambësi i Mbretit, F. Jacomoni, në kujtimet e tija, tue analizue figurën e Mustafës vëren: “nacionalist qi nuk lëshonte pê kur bâhej fjalë për interesat e vendit të vet, por qi inteligjenca e çilun e kultura e shëndosht perëndimore, e bâjshin me vlerësue, në tanë plleshmëninë e saj, idenë konfederale e cila duhet të kryesonte atë qi vetvetiu u quente Bashkësía e Romës”.
Nji tjetër gazetar e shkrimtar italian, Indro Montanelli në nji artikull të botuem në ‘Corriere della Sera’ në 1942, shkruente për ministrat e qeverisë Kruja: “Ministrat shqiptarë ngjasin njeni me tjetrin. Janë tanë të rinj, jo me vjetë, por si përvojë. Të gjithë veshen thjesht, janë pak të ashpër, por të pregatitun mirë teorikisht. E kaluemja e tyne âsht njilloj: kanë vuejt për vendin e tyne. Idetë e tyne janë të lidhuna me disa dogma themelore: njisía territoriale e Shqipnís, autonomia e mbrendshme, mbrojtja e racës dhe e pasunís kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave e detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të vorfën. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.
Me ndêjt shtrembët e me folë drejtë, këto janë fjalë qi cilido kryetar qeverije do të donte me ndigjue për ministrat e vet, aq mâ tepër prej nji të hueji. Ndërsa për Mustafën, Jacomoni thotë se ai, si njerí i sinqertë qi ishte, nuk ja pritonte me shprehë, kur e donte puna, edhe të vërtetat mâ të idhta. Por, për Mustafën, përveç shumë idhnimeve, në vjetët e qeverisjes së tij, nuk i munguen sukseset. Nji ndër këto ishte edhe bashkimi i Plavës e i Gucisë me tokë amtare. Janë çasa, qi Nebil Çika, në nji artikull të vetin, përshkruen të jetueme me entuziazmin e birit të dênjë të Rilindjes, i cili mâ në fund jeton shuemjen e nji padrejtësie të madhe historike.
“Me 23 prill 1942, – shenon Ciano-ja në Ditar, – u rivendos flamuri shqiptar në formën e vet origjinale, pra pa fashiot e Liktorit e pa stemën e Savojës”. Kurse Jacomoni dishmon qi Mussolini, kur i u paraqit promemoria për ketë shndrrim, tue u sjellë kah Ciano-ja, ka thanë: “Kush më ka shtý me gabue me ndërrue simbolin kombtar të Shqipnís”? Ndërkaq qi nacionalistat shqiptar festojshin flamurin e tyne në sheshin e Mëkambësis, italianët pranojshin gabimin e randë qi kishin bâ.
Nji tjetër sukses i politikës shqiptare ishte edhe fakti qi ligja italiane në lidhje me racën, e cila prekte drejtpërdrejt hebrejt, megjithë kâmbënguljen e Romës, nuk u aplikue në Shqipní. Kjo gja do të bânte të mundun strehimin e pajisjen e shumë familjeve hebrejsh të persekutuem, me pasaporta shqiptare. Ndër të tjera u mendue edhe nji plan me tërhjekë mshehtas në Shqipní, tue e pajisë me pasaportë shqiptare, albanologun e famshëm austriak me origjinë izraelite, Norbert Jokl, i cili fatkeqsisht përfundoi në mënyrë tragjike, pa mundun të përfitojë prej ndihmës së miqve të tij shqiptarë.
“Nji dishmí prej anës së Mustafa Krujës, – shkruen Jacomoni në kujtimet e tija, – të asaj qi ishte ‘burrnía’ e tij, domethânë aftësia me përballue me guxim e shpirtmadhsí krajatat, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë në dorë Kryesinë e Këshillit të Ministrave. Kishte shkue te ai konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë e, i kishte paraqitë nji notë verbale me të cilën qeverija naziste kërkonte dorëzimin e mâ se treqind hebrejve, të cilët, të ikun prej Jugosllavijet, kishin gjetë strehë në Shqipní.
Komanda ushtarake gjermane e Beogradit kishte dhânë lajme të sakta rreth emnave e vendeve ku këta ishin strehue në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja, erdhi e më kërkoi lejen me i lanë me ndéjt të qetë në Shqipní. Në Shqipní nuk kishte trupa gjermane, qi të mund t’identifikojshin hebrejt. Gjithsesi u vendos qi refugjatët hebrej, të çvendoseshin në zonën e Gjirokastrës, e cila ishte në kufî me zonën greke, të pushtueme prej trupave italiane.
Ata do të pajiseshin me pasaporta shqiptare me emën të rremë, e po t’a lypte nevoja, do të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do të bâjshin të mundun qi Mustafa Kruja, t’i përgjegjej mbas pak ditësh, konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, qi të gjitha kërkimet e bâme në Kosovë, në lidhje me personat në fjalë s’kishin pasë sukses”.
“Edhe ata qi nuk e dojshin Mustafën, – shkruen Jacomoni, – tue pasë parasysh pikësëpari feudalët shqiptarë me në krye Shefqet Vërlacin, nuk i mohojshin dy gjana: dashunín për atdheun e vlerat e tija të nalta morale”. Në nji artikull të botuem në ‘Corriere della Sera’, Indro Montanelli shkruen:
“Nuk e shihshe Merlika-Krujën tash dhetë vjet, e, kam pá qi kishte ndryshue fort pak. Suksesi e nderimet nuk kanë mundun me shndrrue natyrën e sjelljen e jashtme të këtij burri. Âsht i veshun pak a shumë si u veshte para dhetë vjetësh e, nuk i jep rândësí vetes me poza e me fjalë të mëdhaja. Vazhdon me folë me matunî e të jep përshtypjen se thotë të vërtetën”.
E mâ tutje artikullshkruesi shkruen qi jeta e tij ngjet me atë të Mazzini-t e, programi i tij âsht ky: “due nji Shqipní të bashkueme në kufijtë e vet natyrorë. Due qi kjo Shqipní e bashkueme të zhvillojë jetën e saj në paqen e sigurueme prej Romës”.
Edhe Erenest Koliqi e krahason Mustafën me Mazzini-n: “ideolog i shkëlqyem, por politikan qi nuk pati sukses”. “Gjithsesi, -shkruen shkrimtari shkodran, – bâhet fjalë për nji ças në të cilin ngjarjet u bânë mâ të medhaja se njerzit. Faji i kohnave nuk âsht e arsyeshme t’i veshet e t’i ngarkohet njerzve”.
E ngjarjet nuk pasuen ashtu siç dëshironin Mustafa me shokët e vet, italianët nuk ishin të nji mendje në luftë kundër terroristave, bile prej anës së tyne, kishte shpesh edhe sabotime në këtë drejtim. Pamundësia me pá të realizueme politikën e vet, e shtyu Mustafën, siç e dishmon ai vetë te Exposé personnel të botueme te ‘Hylli i Dritës’, me dhânë dorëhjekjen.
Pakënaqësí në qarqet fashiste kishte shkaktue gjithashtu edhe fjalimi i tij i mbajtun me 22 nanduer 1942, në Teatro “Savoia” në Romë. Kuptohet haptas prej këtij fjalimi, qi ai nuk âsht nji kukull në duert e kërkuj. N’at rasë, ai nënvizon se Italia e kupton qi vetëm tue respektue pamvârësinë e plotë të Shqipnisë, do të mund të gjejë te shqiptarët mikun e vëllanë e saj për jetë e për vdekë e, shton oratori, edhe Shqipnija, shtet i vogël, duhet të ketë sekretet e veta e shtatmadhorinë e vet, qi don me thânë nji qeverí të fortë.
Ajo çka shtyu përfundimisht Mustafën me dhânë dorëhjekjen, ishte vrasja e Qazim Koculit, autoritet i naltë qeveritar në Vlonë. Ishte nji vrasje me natyrë politike e në të njejten kohë edhe hakmarrje. Por kryesisht, Qazimi, patriot e aktivist i Luftë së Vlorës, emigrant politik me Mustafën e, njeri i afërt i politikës popullore të këtij të fundit, ishte viktimë e luftës qi Mustafa kishte zhvillue si kundër politikës së bejlerëve e, si kundër anarkistave e komunistave. Pamundësia me reague në mënyrën e duhun, bânte qi Mustafa të ndihej përgjegjës për vrasjen e mikut të vet.
Qe, si përgjegjet Mustafa, thirrjeve mos me dhânë dorëhjekjen:
“Disá shqiptarë, po kërkojnë prej meje, aq sá s’mund të bâj; ndërsá, do tjerë, po më pengojnë. Un, çdo gjâ nuk kam në dorë. N’anë tjetër, Qazim Koculin e pata çuem vetë në Vlonë. E, për dersá urdhënat e mijë nuk më zbatohen për kapjen e dënimin e shkaktarëve të vrasës së Koculit, o më duhet me e pranuem se e kam vramë un, ose më duhet me dhânun dorëhjekjen…! Un, nuk mund të çvéshem nga vehtja e eme”.
Në janar të vitit 1943, Mustafa lén qeverinë në duert e Ekrem bej Libohovës. Edhe pse i kthyem në jetën private, tue u marrë me Fjalorin e tij, Mustafa âsht halë në sy për anmiqt e Shqipnís. Kështu, me 12 tetor 1943, në mes të Tiranës, ai pështon për mrekullí, tue u plagosë lehtë, prej nji atentati të pabesë. Janë provat e përgjithshme të strategjisë të terrorit të kuq.
Nji vit mâ vonë, me 15 prill 1944, në Firence, po me atentat, do të vritej prej grupeve komuniste nji prej filozofëve mâ të mëdhaj të shekullit, Giovanni Gentile, e nji tjetër pendë e filozofisë evropiane, antifashist i bindun, Benedetto Croce, tue marrë lajmin e kësaj vrasje të shëmtueme do të shprehej: “Tashti vrasin edhe filozofët”.
“Sá shkrimtarë, – pyet Martin Camaj, – u pushkatuen apo u dënuen për jetë gjatë periudhës së Koliqit si ministër Arsimit, e i Krujës si kryeministër? Ju lutem na i tregoni, sepse un si Kosovar, nuk kam lexue njikso gjâje. E sa në kohën e Enverit, “birit më të dashur të popullit shqiptar”? Këté na e rrëfejnë e përshkruejnë mâ qartë se çdo tjetër emigrant arsimtarët e vlefshëm, vllaznit Pipa po në fletoren “Shqiptari i Lirë” të New York-ut.
Mbarimi i luftës do t’a tregojë se terrori i kuq nuk mund t’i durojë intelektualët e vërtetë, për ata ka vetëm vrasje e burgime; intelektualët besník të kohës së komunizmit do të formohen me nji shqisë të ré, me mungesën e karakterit./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















