Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të poetit dhe piktorit të njohur, Sadri Ahmeti me origjinë nga treva shqiptare e Vuthajt nën Malin e Zi, ish-nxënës i Dushan Mugoshës në shkollën e mesme të Pejës, i cili në vitin 1957, së bashku me tre vëllezërit e tjerë, Ramën, Mustafën dhe Selimin, mundën të arratiseshin nga Jugosllavia dhe erdhën në Shqipëri, ku pasi i mbajtën disa kohë në burgun e Tiranës, duke i akuzuar si “agjentë të poshtër të UDB-së” i dërguan në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 persona, shumica e të cilëve, emigrantë kosovarë. Shkollimi i Sadriut në Bujqësoren e Kamzës ku u diplomua si agronom dhe u sistemua me punë në rrethin e Beratit, ishte si i internuar, pasi nuk kishte të drejtë të lëvizte pa leje me shkrim nga Dega e Punëve të Brendshme dhe rikthimi të pasionit të tij të fëmijërisë, poezisë, duke arritur të botonte edhe ciklet e para me poezi në disa gazeta e revista letrare të asaj kohe, si “Nëntori”, “Drita” etj. Transferimi i tij në Ndërmarrjen Artistike të Krujës, si piktor dhe e drejta që të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për pikturë, ku në vitin 1970, pas presioneve të shumta të Sigurimit të Shtetit, që i kërkonin të dëshmonte me shkrim kundër disa shokëve të tij dhe bashkatdhetarëve nga Kosova, Kapllan Resuli e Myrteza Bajraktari, ai u arrestua dhe vuajti katër vjet në kampin e Spaçit, pasi ishte akuzuar për “agjitacion e propagandë dhe agjent i UDB-së”. Lirimi i Sadriut nga burgu duke u dërguar në punë të rënda në guroren e Fabrikës së Çimentos së Elbasanit, ku në vitin 1982, mezi i shpëtoi arrestimit pasi i bëri një letër të gjatë Ramiz Alisë.
Familja Ahmeti nga Mali i Zi
Sadriu u lind në 23 mars të vitit 1939, në trevën shqiptare të Vuthajt nën Malin e Zi, prej nga është edhe origjina e familjes së tij. Sadriu ishte fëmija i tretë nga gjashtë djemtë dhe dy vajzat që kishte familja e Ali Himës, i konsideruar si një prej burrave më të pashëm e fisnik të asaj zone. Mësimet e para Sadriu i mori në Guci dhe në Pejë. Që në moshë fare të re, ai shfaqi prirje dhe talent për letërsi e pikture, duke arritur të botojë poezitë e para në shtypin periodik të Kosovës. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte: ”Gjatë viteve të shkollës së mesme kur isha në gjimnazin e përzier të Pejës, aty në rrethin letrarë të shkollës ku bëja pjesë edhe unë, vinte shpesh për të na kontrolluar, Dushan Mugosha, i cili mbante postet më të larta partiake e shtetërore në udhëheqjen e Kosovës. Ai kontrollonte poezitë tona, duke parë se mos aty ne bënim thirrje për lirinë e Kosovës dhe shfaqnim ndjenjat irredentiste, siç shprehej ai. Ato rrethe letrare unë i ndoqa për shumë kohë së bashku me shokun tim Qerim Ujkani, që më pas u bë një nga poetët më të njohur të Kosovës”.
Arratisja me vëllezërit në Shqipëri
Kur ishte në vitin e dytë në gjimnazin e Pejës, Sadriu filloi t’i kuptonte më mire, jo vetëm problemet e shkollës, familjes e letërsisë, por edhe ato politike, si shtypjen dhe metodat diskriminuese që përdorte e ndiqte regjimi i Beogradit dhe kreu i saj, Josiph Broz Tito, ndaj shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi. Rreth këtyre problemeve diskutohej shpesh, në familjen e Ali Himës dhe një ditë vere të vitit 1957, Sadriu me tre vëllezërit e tjerë, Ramën, Mustafën e Selimin, vendosën të arratiseshin nga Jugosllavia, për të ardhur në Shqipëri. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte:”Shpesh herë jo vetëm me shokët e shkollës, por edhe në familje, me vëllezërit dhe motrat, bisedonim për Shqipërinë, për të cilën kishim një adhurim të madh. Ne e kishim ëndërr ta shikonim atdheun tonë, ose vendin amë. Kështu më 23 tetot të vitit 1957, u nisëm të katër vëllezërit në drejtim të kufirit shtetëror dhe kaluam nëpërmjet shkrepave, midis zonës së Plavës dhe Valbonës së Tropojës. Rojet kufitare shqiptare pasi na kapën, na përcollën për në postë dhe që aty na nisën për në Tiranë, ku na futën në qelitë e burgut, duke na marrë në pyetje dhe na bënin presione nga më të ndryshmet. Ata na thonin se: ne ishim agjentë të poshtër të UDB-së Jugosllave, e cila na kishte nisur me mision të posaçëm në Shqipëri. Në atë burg na mbajtën të izoluar për një muaj, që ne të pranonim se ishim agjent të UDB-së. Mbas një muaji, kur ata u bindën që në atë aventurë, ne na kishin shtyrë dëshirat dhe pasionet e moshës, dashuria për atdheun dhe urrejtja për serbët, na morën të katër vëllezërit dhe na çuan në fshatin Llakatund të Vlorës. Ai ishte një kamp internimi që ruhej me polic, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 vetë dhe shumica prej të cilëve ishin emigrantë kosovarë si dhe ne. Aty na bënin apelin tre herë në ditë dhe në ato kushte tepër të vështira, ne qëndruam për një vit, derisa kundër dëshirës time, më caktuan të vazhdoja Shkollën Bujqësore dy vjeçare në Kamëz të Tiranës”.
Agronom, boton poezitë e para
Pas mbarimit të Shkollës Bujqësore në Kamëz, Sadriun e caktuan të punonte në Berat. Po kështu dhe tre vëllezërit e tij u arsimuan në shkolla bujqësore dhe dolën agronomë. Në rrethin e Beratit, Sadriu ishte në kushte internimi, pasi nuk kishte asnjë të drejtë të lëvizte nga qyteti dhe për çdo gjë ai duhet të merrte leje nga Dega e Brendshme. Në ato kushte ai i kthehet pasionit të parë të fëmijërisë, duke shkruar poezi. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte:”Në periferi të Beratit, ku unë banoja i vetëm në një karakatinë e quajtur ‘banesë’ fillova të shkruaj dhe përfundova poemën, ‘Kanë ftohtë kasollet’. Ajo poemë fillimisht u pëlqye dhe një pjesë e saj u botua në gazetën letrare “Drita”. Më pas kjo poemë u ndalua dhe u hoq e drejta e ribotimit, për arsye se unë konsiderohesha i dyshimtë dhe për më tepër, se nuk kisha nënshtetësinë shqiptare. Pas kësaj, shkrova poezinë tjetër “Midis meje dhe Diellit”, të cilën e dërgova në një konkurs kombëtar. Gjë e cila nuk u pranua në konkurrim, pasi aty lejohej të merrnin pjesë vetëm ata me nënshtetësinë shqiptare, “status” të cilin unë ende nuk e gëzoja. Nuk u dekurajova aspak, nga këto privime që më bëheshin dhe vazhdoja të shkruaja, duke arritur të botoja, disa cikle me poezi në gazetat dhe revistat letrare, jo me emrin tim, por me pseudonimin “ASSA”. Në vitin 1964, më larguan nga Berati dhe më çuan si agronom, në një fermë afër qytetit të Krujës, ku në vitin 1966, më caktuan si piktor në Ndërmarrjen e Artizanatit në Krujë. Aty punova deri në vitin 1970, kur më dhanë të drejtën që të vazhdoja Institutin e Lartë të Arteve, në degën e Pikturës”.
Student i pikturës dhe arrestimi
Ëndrra e Sadriut për t’u shkolluar në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e pikturës, nuk ishte e thënë që të bëhej realitet, sepse ajo do të shuhej shumë shpejt, pasi ndaj tij do të fillonin probleme të tjera. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Ato dy muaj që isha student i pikturës, rashë në kthetrat e Sigurimit të Shtetit, që më thërriste shpesh për të dëshmuar me shkrim, për disa persona që thuhej se bënin agjitacion e propagandë. Sigurimi më vuri kusht, në rast se unë nuk do të deponoja me shkrim 70 faqe, për të gjithë shokët me të cilët unë kisha qëndruar nëpër tavolina, nuk do të më lejonin që të vazhdoja shkollën. Pas këtij ultimatumi, kur ata erdhën për të marrë “porosinë” që më kishin lënë, unë ju dhashë 70 faqe letër të bardhë. Ata u tërbuan nga kjo dhe si shenjë hakmarrjeje, më arrestuan në konviktin e qytetit “Studenti”. Në hetuesinë e Tiranës më mbajtën 300 ditë dhe akuza ndaj meje ishte, për “agjitacion e propagandë, e agjent i UDB-së”. Pak përpara se të arrestohesha unë, Sigurimi i Shtetit kishte arrestuar dhe dy shokët e mi emigrantë kosovar, Kapllan Resulin dhe Myrteza Bajraktarin. Qëllimi i Sigurimit të Shtetit ishte që ne të tre të na shpallnin si grup agjenturorë i UDB-së Jugosllave. Që në fillim të hetimeve, mua më kërkuan që të deponoja me shkrim kundër Myrtezait dhe unë ju thashë se atë njeri e njihja shumë mirë. Ata më dhanë një laps dhe letrat e bardha, të cilat i mbusha me lavdërime për Myrtezain. Hetuesit kur e panë që unë po shkruaja, në fillim u gëzuan, por kur ua dorëzova letrat në dorë, ata u bënë si të çmendur. Njëri prej tyre më tha: ‘Mor maskara, ne nuk duam ta bëjmë deputet Myrteza Bajraktarin’! Pas kësaj, kurrizi im pati pasoja fizike, për shumë kohë. Po kështu pas kësaj më kërkuan të dëshmoja edhe kundër Kapllan Resulit, të cilin përsëri e mbrojta dhe them se nga kjo ai shpëtoi nga pushkatimi”.
Gjyqi: 4 vite burg
Pas 300 ditëve në hetuesi, në korrikun e vitit 1970, Sadriu doli në gjyq para një kolegji ushtarak të Tiranës. Arsyeja që ai ju dha për gjykim Gjykatës Ushtarake, ishte një manovër e Sigurimit të Shtetit, për ta paraqitur atë si një person të rrezikshëm dhe agjent të UDB-së. Lidhur me këtë Sadriu kujtonte: ”Gjatë seancave të gjyqit më kërkuan të jepja shpjegime, sepse kisha thënë që ‘Enver Hoxha në bashkëpunim me Titon, kishin firmosur për vrasjen e pesë mijë nacionalistëve shqiptar, që u ekzekutuan në Masakrën e Tivarit’. Kryetari i gjyqit më tha se atë e kishte bërë Koçi Xoxe dhe unë nuk duhet të përmendja emër tjetër, përveç tij. Unë ju përgjigja, se nuk kisha asnjë dijeni për atë gjë, por meqenëse po e mësoja aty, isha plotësisht dakord me trupin gjykues, se ajo ishte vepër e Koçi Xoxes. Gjatë procesit gjyqësor nuk pranova asnjë nga akuzat që më bëheshin dhe në përfundim, Gjykata Ushtarake e Tiranës, më dënoi me katër vite burg politik. Të katër këto vite i vuajta në kampin e Spaçit në Mirditë, duke punuar nën tokë në minierë, për nxjerrjen e mineraleve të bakrit e piritit. Nga ai burg u lirova ne vitin 1974 dhe menjëherë më dërguan të internuar në Balëz të Elbasanit, ku më caktuan të punoja si minator duke nxjerrë gurë në guroren e lëndës së parë të Fabrikës së Çimentos”.
I shkruan Ramiz Alisë
Pas disa kohësh qëndrimi në guroren e Balzës, Sadriun e lëvizën nga aty, duke e çuar në shumë kantiere ndërtimi në rrethe të ndryshme të vendit, ku ai vazhdimisht ishte nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Në ato vite unë arrita të takohem dhe të krijoj miqësi me Mysine Kokolarin, të cilën ma prezantuan dy shokë të mi, Luan Maluka dhe Mehmet Isai, që më pas edhe ata përfunduan në burgun e Spaçit. Në ato vite edhe pse e dija që nuk më botonin, përsëri vazhdoja të shkruaja dhe në vitin 1982, arrita të botoj një cikël me poezi në revistën “Nëntori”. Kjo bëri një jehonë të madhe dhe në atë kohë, u bënë shumë letra anonime kundër meje, nga disa poet mediokër. Kjo ishte me pasoja për mua, pasi Sigurimi i Shtetit po më bënte gati dosjen për të më ri dënuar. Ajo u duk qartë pasi u fillua me një demaskim, aty ku punoja në guroren e Balzës, pasi më kishte denoncuar një inxhinier, të cilit unë i kisha thënë: ‘Byroja Politike me Byronë Teknike, nuk kanë ndonjë ndryshim të madh, pasi ato i ndan vetëm një gërmë. Byroja Teknike shpik, kurse Byroja Politike shpif’. Në ato kushte, duke e ndierë se arrestimi im ishte çështje ditësh, u detyrova dhe i shkrova një letër të gjatë prej 44 faqesh, Ramiz Alisë, duke i kërkuar që të respektoheshin të drejtat e emigrantëve kosovarë në Shqipëri. Në atë letër, në mes të tjerash i shkruaja se ne emigrantët kosovar, trajtoheshim si mysafir në atdheun amë dhe i përmendja me emra, shumë prej të cilëve ishin në burgje dhe internime. Duke përfituar nga rasti, që Enver Hoxha pas dënimit të grupit të Kadri Hazbiut e kishte quajtur Ministrinë e Brendshme një fole gjarpërinjsh, në fund të letrës unë shkruaja: ‘Të shkulet me themel godina e Ministrisë të Brendshme dhe tullat e saj të hidhen në detin Adriatik, se akoma përbëjnë rrezikshmëri’. Përgjigja e Ramiz Alisë, më erdhi nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv dhe aty thuhej se unë do të trajtohesha si të gjithë qytetarët e tjerë, me të drejta të barabarta, gjë e cila mbylli edhe dosjen e Sigurimit të Shtetit, që po përgatitej të më arrestonte”.
55 vjeç diplomohet për pikturë
Nga letra që Sadriu i bëri Ramiz Alisë, përfitoi vetëm heqjen e survejimit që i bënte Sigurimi i Shtetit, sepse ai ngeli po aty, si punëtor në Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Vetëm pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1991, Sadriu mundi të kthehej në Tiranë dhe të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua për pikturë në vitin 1993-‘94. Që nga ajo kohë ai vazhdonte të shkruante dhe arriti të botojë 10 libra me poezi dhe prozë. Po kështu Sadriu mori pjesë në disa ekspozita pikture, duke arritur të hapë edhe katër ekspozita vetjake në Shqipëri, dhe katër të tjera jashtë vendit, si Itali, Zvicër, Gjermani e Kosovë. Me humorin që e karakterizonte, gjë pa të cilën ishte e vështirë ta përfytyroje Sadriun, ai shpesh herë shprehej “Shyqyr që erdhi kjo kohë të gëzojmë e të qeshim, se edhe këtë na e kishin ndaluar në atë kohë, kur kishe shumë për të qeshur”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016