Nga Ilirjan Gjika
Persekutimi i njerëzve të Kishës Ortodokse/Dëshmi dhe fakte të një ditari burgu
Memorie.al / Fieri është një nga qytetet, historisë të së cilit nuk i mungojnë faktet dhe dëshmitë e persekutimit gjatë viteve të komunizmit. Ngjarje të tilla nisën menjëherë pas vendosjes së këtij regjimi, kur nën akuza absurde, dënimet dhe persekutimet morën forma të ndryshme. Një fat të tillë patën edhe shumë prej njerëzve që kishin shërbyer në strukturat e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, faji i vetëm i të cilëve ishte se nuk ishin të përshtatshëm për regjimin e ri. Në Fier mund të përmendim rastet e Sotir Bitrit apo Vangjel Lules, emra të njohur të këtij qyteti, jeta e të cilëve ndoqi fate të ndryshme.
“Sado që shoqëria në burg asht e vlefshme, por ky libër këtu u bë tepër i ngushëllueshëm dhe shok i pandarë ndërmjet brengave të mbëdha dhe kufizimit të liris”, – shkruante Vangjel Lulja në shënimet e tij të mbajtura në burgun e Fierit, të datës 1 qershor 1949.
Të shkruara me laps plumbi në disa fletë të shpërndara të një libri me himne kishtare, ky ditar i shkurtër, na informon drejtpërdrejt për persekutimin e këtyre njerëzve, të cilët kishin luajtur një rol aktiv në zhvillimet demokratike dhe shoqërore të vendit.
I tillë ishte edhe Sotir Bitri, farmacisti i parë i qytetit, një person i njohur dhe me reputacion në Fier, Berat dhe më gjerë. Janë një sërë dokumentesh të Arkivit Qendror të Shtetit që dëshmojnë aktivitetin dhe pjesëmarrjen e tij në institucionet vendore, sipërmarrjet private dhe entet e ndryshme shtetërore, gjatë periudhës së pavarësisë.
Përveç detyrës së farmacistit të cilën e kishte kryer shume vite me korrektësi dhe profesionalizëm, Sotir Bitri, do të shërbente në vitet 1920-1922, edhe si kryetar i Bashkisë së Fierit.
Ndërsa në zgjedhjet vendore të vitit 1922, ai do të ishte një prej anëtarëve të këshillit bashkiak që do të merrte më shumë vota. Ndërkohë në vitin 1929, Bitrin e ndeshim si një prej anëtarëve të këshillit drejtues të Odës së Tregtisë Fier.
Po kështu, në dokumentin e dt. 6 shtator 1937, emri i Sotir Bitrit del si një ndër anëtarët e Komisionit Iniciator të Shoqnisë për “Vaditjen e Fushave të Myzeqesë”, një shoqatë sipërmarrësish private, që merrej me vaditjen e tokave bujqësore.
Ndërkohë që si shumë të tjerë edhe ai do të ishte një nga pjesëmarrësit e Kryengritjes së Fierit të 14 gushtit 1935. Së bashku me Dr. Kostandin Kallogjerin, Dr. Musa Delvinën, Ramiz Omarin, Idriz Bylon, Taqi Bozon dhe Duran Qadhimin, Bitri, do të ishte pjesë e Komisionit Administrativ, organ që do të merrte në dorë drejtimin qytetit të Fierit
Për pjesëmarrjen në këtë ngjarje ai do të dënohej nga Gjyqi i Posaçëm për Faje Politike, me vendimin e dt. 9 shtator 1935, me 101 vjet burg, masë që do të amnistohej më vonë nga Mbreti Zog. Por Sotir Bitri ishte edhe një ndër personalitetet përfaqësuese të Kishës Orthodokse.
Sipas Librit të Vendimeve të Komisionit të Kishës së “Shën Gjergjit”, i cili ruhet në Fondin e Dokumenteve të Muzeut Historik Fier, atë e ndeshim jo vetëm si anëtar të Pleqësisë Kishtare (Dhimogjirondisë), por njëkohësisht edhe si Zv/Mitropolit të Zëvendësisë Orthodokse së Fierit, në vitet 1929-1942.
Në këtë kontekst edhe shkrimtari Jakov Xoxa, i cili pjesën më të rëndësishme e veprës të tij ja kushtoi historisë së Fierit dhe Myzeqesë, e vendos Sotir Bitrin si personazh të shkrimeve të tij. Pikërisht në novelën, “Tre Pleqtë dhe Mihali katër”, botuar në vitin 1958, Xoxa e etiketon atë jo vetëm si spicer (farmacist) në profesion, por edhe si epitrop (kujdestar) të kishës.
“Atë vit kryqi s’po hidhej as në të butë e, as në të brymët. Gjermanët ishin mbufatur te shkolla e çupave, në barakat e mullirit e ishin përhapur përpjetë sheshit të kishës. Ura përmbi lumë, nga ku kryqi çdo vit hidhej në ujë, ishte bërë grazhd, dhe në parmakët e saj ishin lidhur gjë e gjallë, zbritur si plaçkë nga mali.
Graria s’guxonte të shkonte në kishë nëpër këmbët e fashistëve dhe prifti me epitropin dhanë e morën t’ia gjejnë ilaçin. E ndonëse epitropi pat ndodhur spicer, ilaçi s’iu gjend dhe atij moti ishte e thënë që kryqi të mbetej varur më kraharor të dhespotit, pa puthur ujë”,- shkruan midis të tjerave ai.
Ndërkohë, Sotir Bitri do të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike në burgun e Fierit në vitin 1949. Një fakt të tillë e gjejmë në ditarin e sipërpërmendur të Vangjel Lules, në shënimin e datës 15 mars 1949.
Pikërisht këtu, midis të rreshtave të shkruara, lexojmë se: “I ndjeri Sotir Bitri vdiq në datë 15 mars 1949, tue gdhirë e martë, si i burgosur për tatim fitimet e jashtëzakonshme. Perëndia e ndjeftë dhe ardhtë dheu i lehtë. Amin”!
Ndërkohë që Sotir Bitrit nuk do ti shkonte asnjëherë ndër mënd, se në librin e dhuruar më 5 shkurt 1942, mikut Vangjel Lule, do të regjistrohej vdekja tragjike e tij. Por një gjë të tillë nuk e kishte menduar as ky i fundit, për këto shënime që do të dorëzoheshin më vonë së bashku me libra të tjerë, Muzeut Historik Fier!
Por cili ishte patrioti dhe veprimtari i shquar, Vangjel Lule, mbajtësi i këtyre shënimeve autobiograke? I lindur në Fier në 1 Mars 1892, ai, njihej në opinionin publik si mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, aktivist i Federatës “Vatra”, pjesëmarrës nē Luftën e Vlorës, anëtar i Shoqërisë “Bashkimi”, etj.
Gjatë viteve të emigracionit në SHBA-ës (1910-1920), përveç aktivitetit si psalt në kishën e “Shën Gjergjit” në Boston, Vangjel Lule, do të botonte edhe librin “Vajtimet e përmbivarrëshme të zotit tonë Jezu Krisht”, përkthyer në shqip prej Fan Nolit.
Pas kthimit në atdhe në vitin 1920, ai do të shërbente si psalt në kishën e “Shën Gjergjit” në Fier, si sekretar-llogaritar dhe Zv/Mitropolit në Zëvendësinë Orthodokse të Fierit. Prej tij kemi edhe një sërë dëshmish të memories historike, përfshirë edhe ngjarje të Luftës II-të Botërore dhe të çlirimit të Fierit.
Vangjel Lule do të ndërronte jetë më 19 nëntor 1965, ndërkohë që në shenjë nderimi një prej shesheve të qytetit të Fierit mban sot emrin e tij. Pikërisht në ditarin në fjalë, Vangjel Lule, tregon edhe rastin e tij të dhimbshëm.
“Më futën në burg në datë 23.8.1948 dhe dolla në 4.9.’48, mbasi shita gjithçka kisha, më vunë prapë në burg më datë 16.10.1948, për tatime të jashtëzakonshme të dyta, që nuk ja detyroja shtetit dhe që nuk posedoja. Fier, burg, e mërkur 1.6.’49.
Zoti më shpëtoftë nga kjo skëterrë”, – shkruan në një pasazh tjetër ai. Gjithsesi ky patriot dhe veprimtar i shquar do të dilte nga burgu dhe do të integrohej përsëri në jetën e përditshme, ku do të kryente shërbime të vlefshme ndaj shtetit, kishës dhe shoqërisë.
Ai do të kujdesej personalisht dhe do të dorëzonte në Mitropolinë e Beratit në vitin 1957, Kodikun e Manastirit të Shën Kozmait. I njohur ndryshe edhe si Kodiku i Fierit, ky dorëshkrim me vlera historike dhe etnografike për krahinën e Myzeqesë, ruhet sot në Fondin 488 të Arkivit Qendror Shtetëror, pjesë e koleksionit të Kodikëve të Shqipërisë.
Ndërkohë, përveç ditarit në fjalë, Vangjel Lule, ka lënë edhe shënime të tjera në libra, që i përkisnin dikur kishës së “Shën Gjergjit”.
Sot, ato shërbejnë si dokumente me vlera të mëdha rreth zhvillimeve historike të Kishës Orthodokse, njerëzve të saj dhe Fierit. Të tilla mund të veçojmë përshkrimet rreth qytetit, pushtimin e 7 prillit 1939, bombardimin nga anglezët, çlirimin e tij më 15 tetor 1944, etj.
Si pjesë e Fondit të Dokumenteve të Muzeut Historik Fier, këto shënime, janë tashmë të hapura për studiuesit e fushës dhe publikun, duke dëshmuar kështu një pjesë të historisë dhe memories kolektive. / Memorie.al












