• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, February 7, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Art & Kulture

“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar

“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar
“Kur Zajmi i dërgoi një kartolinë me një riprodhim të tij, titulluar ‘Diga e Drinit’, ku dukeshin disa punëtorë të hidrocentralit, Ibrahim Kodra iu përgjigj…”/ Historia e panjohur e piktorit të famshëm shqiptar

Nga Agim Janina

Pjesa e parë

Memorie.al / Njohja me Ibrahim Kodrën erdhi si me çdo artist. Fillimisht qëllon të dëgjosh për të e veprën dhe më pas të jepet rasti ta takosh. Artisti jetonte në Itali dhe lajmet për të mungonin, por në takimet me piktorë bashkëkohës me të qëllonte rrallë t’i përmendej emri. Punët nuk i njiheshin. Flitej nën zë se ishin moderne. Në Galerinë e Arteve kishte një peizazh nga Tirana, që pakkush e kishte parë. Zulma e emrit të piktorit vinte turbullt e pleksej me legjenda e të vërteta. Dihej që ishte nga Ishmi, (disa mendojnë se do të thotë “i hijshëm”), ku ishte kaluar fëmijërinë, ndërsa rininë e hershme në Tiranë. I larguar në Itali ishte i munguar i madh. Duke hulumtuar për Shkollën e Vizatimit, emri i tij ishte i pranishëm në çdo bisedë që bëhej me bashkëkohësit.

“Skulptori i Popullit” Odise Paskali, një nga themeluesit e shkollës tregonte se, Ibrahim Kodra në fillim ka qenë në Shkollën Teknike dhe kishte qejf të bëhej piktor. E përjashtuan nga Shkolla Teknike. Shkova në Ministri të Arsimit dhe iu luta që ta merrja në Shkollën e Vizatimit. – ‘Çuditemi me ju Paskali – më thanë. – Ne e përzëmë nga shkolla si element i padëshiruar e, ju doni ta merrni në shkollën tuaj’?!

Gjithashtu mund të lexoni

“I sapoardhur në Shqipëri e në Vlorë dhe nuk dija asnjë fjalë shqip, ishte Dionisi që pati durimin të merrej me mua, si vëllai im i madh…”/ Dëshmia e rrallë e Timo Fllokos, për shkrimtarin që u shua dje në Athinë

“Në njëvjetorin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës ‘Shkëndija’ më 1941, Koliqi boton syzimin, ‘Fishta interpret i shpirtit shqiptar’, ku ai shprehet…”/ Refleksionet e studiueses së njohur

‘Ibrahimi nuk do të bëhet mekanik. Ai ka shpirt artisti, pikturon reklamat e kinemasë. Mirëpo reklamat i shikon populli dhe Ibrahimi i drejtohet popullit me to, drejton shijen e tij. Në se do të vijë në Shkollën e Vizatimit, ai do të pikturojë më mirë dhe do t’i bëjë më të bukura reklamat e kinemasë’. Nuk u bindën dhe nuk ma lanë ta merrja si nxënës të rregullt në shkollë. Megjithatë ai vinte shpesh dhe pikturonte”.

Hasan Reçi, Sadik Kaceli, Foto Stamo, Nexhmedin Zajmi, Qamil Grezda, Kel Kodheli etj., kishin qenë bashkënxënës dhe më pas ishin ndarë në shkolla të ndryshme në Itali. Ata në Akademinë e Romës dhe Kodra në Akademinë e Brerës, ç’ka do të përcaktonte edhe fatin e rrugën e tyre artistike, krejt të ndryshme: të parët realistë të thekur, u kthyen në Shqipëri dhe iu nënshtruan rrymës së Realizmit Socialist.

Kodra ndoqi rrymat moderne të kohës, duke ekspozuar në galeri të famshme në Itali e jashtë saj. Në një këmbim letrash midis tij dhe Zajmit, kur ky i fundit i kishte dërguar si kartolinë një riprodhim të tij, titulluar “Diga e Drinit”, ku paraqiteshin disa punëtorë në ndërtimin e hidrocentralit të Drinit, Kodra i kthen përgjigje, “Kërkova në të gjithë Romën, por punëtorë të tillë nuk gjeta dot”!

Zajmi i kishte shkruajtur se këta janë punëtorët, ky është arti, kështu pikturohet në Shqipëri. Ardhja e parë e piktorit në vendin e tij u krye në vitin 1973 dhe njerëzit që e takuan ishin të ndrojtur dhe ndonëse u shëtit kudo nuk ekspozoi asnjë punë dhe nuk dha asnjë intervistë e nuk foli për artin e tij.

Rasti do t’i vinte pas ardhjes së demokracisë, ku takoi lirshëm kolegë, miq e shokë si dhe shumë dashamirës të artit, duke bërë edhe ekspozitë vetjake. Nuk është se pati një dashamirësi nga të gjithë artistët shqiptarë, ç’ka e lëndoi, por kërshëria për ta njohur ishte e madhe. Në njërën prej takimeve me të, nga arkivi vetjak, po nxjerrim bisedën e mëposhtme, të zhvilluar në muajin korrik të vitit 2003.

Një buzëmbrëmje u takuam me artistin Ibrahim Kodra pranë Galerisë së Arteve, në pritje të hapjes së ekspozitës vetjake. Në lulishten para saj është ngritur një bufe e vogël, ku në disa tryeza të vendosura përqark, shërbehet kafe e ndonjë pije. Bashkë me piktorin u mblodhëm disa artistë e punonjës të Galerisë.

Brenda po vendosen punimet e piktorit dhe ky hynte e dilte herë pas here. Mjeshtri shoqërohet nga Renzo Calzavara, piktor dhe mik i tij i afërt. Ndërkohë gjatë bisedës afrohen edhe shikues e dashamirës të artit, për të dëgjuar artistin e madh.

Kodra ka ngjeshur në kokë kasketën karakteristike, këtë herë në ngjyrë të bardhë, me disa kuadrate të hollë, në gojë i endet një buzëqeshje, ndërsa sytë në fytyrën e rrudhur i shkëlqejnë nga mirësia. Ndonëse në moshë të thyer, në bisedë tregon gjallëri, por shpesh duhet t’ia përsëritësh pyetjet nga se ka filluar të mos dëgjojë mirë. Përgjigjet ngadalë me zërin pak të ngjirur e, sikur flet me hundë. Gjatë bisedës shpesh përdor edhe fjalë në italisht apo në frëngjisht.

Sapo erdhi u zhyt me trupin e bëshëm në karrigen prej kauçuku. Në duart e bëshme i bien në sy disa unaza që shkëlqejnë fort në gishtërinjtë e trashë. Gojën e mban pak të hapur e buza e poshtme sikur i varet poshtë, duke i zbuluar dhëmbët e vënë. Nga pas kasketës i dalin disa fije floku të lyera në ngjyrë të kuqe në bojëkafe.

Në rini ka qenë një djalë i fuqishëm me një trup të lidhur prej atleti dhe ishte shpallur kampion e hedhjes së shtizës. Disa foto të kësaj kohë e tregonin bukur, por një aksident më pas kur kishte rënë nga kali, kishte bërë që kur ecte, e hiqte pak zvarrë njërën këmbë. Dukej që ndihej mirë në freskinë e mbrëmjes, gjë që e shfaqte në ngazëllimin në fytyrë.

– “T’i japin dorën piktorit që vjen erë Shqipërie”,- fola.

Më dha dorën, por nuk lëvizi sikur prania ime të mos t’i kishte bërë përshtypje. Dikush i kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ai zuri të kujtojë kur së bashku me Kacelin, Stamon, Zajmin, Grezdën etj., hidhnin rravgimet e para në pëlhurë dhe kur pasditeve shkonin e laheshin tek Ura e Brarit. Befas përmendi edhe vizitën që tre skulptorët shqiptarë Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri, i kishin bërë në Milano, gjatë ndalimit në rrugën për Paris. “Nuk mund të shkonim në Paris pa takuar mjeshtrin e madh Kodra”, do të kujtonte piktori fjalët e Kristaq Ramës.

Me emocion kujtoi një “ndodhi” në një restaurant në Milano, kur si shqiptarë, pasi kishin ngrënë, po “ziheshin” se kush ta paguante. Kodra me shpirtin të madh dhe me butësinë që e karakterizon, do të thoshte; “Heshtni se dreka është e paguar. Pronarëve të lokalit u kam dhënë një pikturë dhe kam të drejtë të ha 1000 dreka”! – heshti si i mallëngjyer e vijoi si i përhumbur në kujtime:

– “Nëna më ka lënë tre vjeç. Babai u martua për me më rritur. Njerka lindi një djalë. Qamil e quajtëm. Kur vdiq baba, mbas gjashtë muajsh, njerka u martua përsëri. Nuk mund të vi me ty, do të rri me vëllanë tim!, -i tha Qamili. Më ka dashur shumë. Kishte mbaruar Bujqësoren në Kavajë. E kanë vra të shkretin. Shtëpia ishte e bukur me oborr, me kopsht të madh edhe me pus me ujë të farfullum. Jam rritur me pus. Kishim gjithë llojin e fiqve, të mollëve, të dardhave, ullinj shekullorë.

– Në Ishëm filluat të vizatonit?

– “Babai më pruri një bllok me letra dhe më mësoi të shkruaja emrin në turqisht. Duke luajtur e mbusha bllokun. Dhe kështu të vjen vetvetiu që të vizatosh shtëpinë, detin, malin… dhe kështu dal-ngadalë frymëzimi vjen, shtohet…”!

– “Keni shkruar edhe poezi”, – u hodh e pyeti një studente e re që sapo u ul pranë nesh e po dëgjonte gjithë kureshtje.

– “Kam bërë njëzet poezi. Poezia e parë që kam shkruajtur dhe u përhap gjithandej, është poezia e nënës. Kur e lexoja qanin të gjithë. E kam recituar shumë herë.

Mbas mbarimit të shkollës fillore në Ishëm, erdha në Tiranë në Shkollën Teknike të Harri Fulcit, ku më ka dhënë mësim Daniel Ndreka, por ishte dhe profesor Dajçi. Piktura ka qenë mjet pune. Jam frymëzuar gjithmonë prej popullit tim, se kam dalë i vogël prej Ishmi”.

Piktori bën pauza e ndalon të rrëfyeri e duhet ta nxitësh të flasë. Për ta ngarë bisedën i bëjmë ndonjë pyetje mbi kujtimet e fëmijërisë apo rinisë.

– “Lasgush Poradecin, e mbani mend të jepte mësim në Shkollën e Vizatimit”?

– “Po besa, – gjallërohet e shton, por… janë emra që i kam të largët…kujtoj Odise Paskalin, Abdurrahim Buzën e ndonjë tjetër. Në Shkollën Teknike ishte një degë klasike dhe një degë shentifike (shkencore). Atje mora shkollën e artit. Nëna Mbretëreshë me Princin, më kanë afruar dhe më strehuan në konviktin ‘Naim Frashëri’. Pranë konviktit, Odise Paskali ngriti Shkollën e Vizatimit, si shkollë mbrëmjeje.

Në të mësonin Kaceli, Zajmi, Grezda etj. Unë shkoja pasi mbaroja mësimet, natën, në orët e mbrëmjes nga ora tetë me dhjetë. Odise Paskali, kur e pa emrin e tij në katalogun tim në Francë, ju bë qejfi se ka menduar që në se Kodra e ka vënë emrin tim si mësuesi i parë, d.m.th., nuk e ka harruar Shqipërinë.

Buza ishte profesor i mirë. Më kujtohet kur bëra një punë ‘Kafe Durrësi’ në Tiranë. Ishte kafe për të pasurit. Aty shkonin njerëzit pasanikë se brenda lokalit, bënin valle ciganet. Ato kërcenin duke mbajtur një napolon mbi ballë dhe nuk duhej ta përmbysnin duke kërcyer. Në se nuk e përmbysnin e fitonin. Buza ishte në komision dhe pikturën e pëlqyen dhe më dhanë edhe një shpërblim.

Shkrimtari Haki Stërmilli botoi librin ‘Sikur të isha djalë’. Gocat ishin të mbyllura, merreshin me shtëpinë, familjen, ndërsa djemtë kuptohet ishin të lirë. Libri u drejtohej gocave që ishin të mbyllura, që duhet të ishin edhe ato të lira. Bëra vizatimin për kopertinën, ku paraqita një gocë të mbyllur brenda dritares.

Haki Stërmilli punonte karshi librarisë së ‘Lumo Skëndos’, një librari e madhe, që kishte ‘Larousse’, stofra dhe shumë gjëra të tjera. Ishte dyqan luksi. Shqipëria atëhere jetonte mirë. Ishte Monarkia. Fëmijët ishin të veshur mirë. Vajzat rrinin bashkë. Më kujtohen Nermin Vlora, Vera Blloshmi… vajza të bukura shumë. Në qendër ishte ‘Vllazën Kaceli’, të cilët kishin një dyqan kinkaleri, librari, ku blinim lapsa me ngjyra e fletore.

Me mbarimin e Shkollës së Vizatimit, po prisja të merrja ndonjë bursë. Mbretëresha Gerarldina ma kishte premtuar dhe në verë me thërret; ‘Do të dërgojmë në Itali, për Artet e Bukura’, – më tha. Ndërkohë që po prisja bursën e studimit për të shkuar në Itali, më takon një gazetar me mbiemrin Shundi. –‘Ibrahim, aktorja e madhe italiane, Maria Denis, ka ardhur në Tiranë bashkë me një grup turistësh, për të qenë e pranishme në shfaqjen e filmit ‘Dy jetimët’, ku ajo luan. A nuk do të ishte mirë, që t’i bëjmë një portret me veshje shqiptare’?

‘Posi, ia ktheva. Ma jepni fotografinë’. Të nesërmen gazetari ishte pjek me aktoren italiane në hotel ‘Kontinental’, në Bulevardin ‘Musolini’. E bëra portretin dhe shkuam së bashku për t’ia dhënë. Ishte bashë me konsullin e Italisë, Attoma Lorusso. Erdhi. Goca ishte shumë e bukur, si Brixhit Bardo, me famë të madhe. – ‘Sa bukur, ia bëri kur pa vizatimin, po më përngjan, më pëlqen shumë. Qenke shumë i zoti. Pse nuk vini në Itali të studioni për pikturë’?

Fjalët e saj kishin rëndësi të madhe. Konsulli pas dy ditësh, më dërgoi një letër, ku më ishte dhënë bursa e studimit, për në Itali. Kështu që kisha dy bursa: një prej shtëpisë reale (Mbretërore), e tjetra prej Italisë”.

Piktori u mbush me frymë dhe si hodhi një gllënjkë ujë zuri të priste ndonjë pyetje tjetër. Nuk nxitohet dhe qëndron i palëvizur. Mbushet me frymë si me vështirësi.

– “Kur e keni bërë ekspozimin e parë”?

– “Në Itali më kanë pritur shumë mirë dhe vepra e parë që kam bërë, është ‘Sindakati’ (Bashkia). Më kanë ftuar dhe më ka dhënë një shpërblim 250 mijë lira të kohës, si dhe çmimin e parë. Ç’është ky çmim?! Pse ma jep, – e pyeta. ‘Ta dhamë, më thanë, – sepse Kodra ka rezultuar djali më i mençur, më i mirë i Brerës”. (qesh)

-“Pas tre vjetëve, pa mbaruar studimet, Shteti italian disa studentë, na solli në Shqipëri për të parë italianët, a po bënin keq apo mirë. Pamë që kishin bërë Ministritë, Hotel ‘Dajtin’, kishin filluar rrugën e hekurit, kishin bërë shumë gjëra, kënetën e Durrësit që sillte ethe, malarie, e kishin tharë. Thonin që Shqipëria është një vend shumë i pasur, sa edhe sot flitet në Itali, që Shqipëria është toka që na dha bukën e botës dhe ka jo vetëm vajguri, por ata nuk e dinë, por po thonë inxhinierët për pasurinë e madhe që ka nëntoka.

Kanë dërguar dhe fjala është që kanë dërguar 150 sipërmarrës që po punojnë me e lartësuar Shqipërinë në pikëpamjen turistike, për ta bërë vendin më të bukur, me u bërë vendi turistik i Evropës, me rëndësi të madhe”.

Kujtova që Kodra ekspozitën e fundit të përbashkët me ish studentë shqiptarë që studionin në Akademinë e Romës, ishte bërë bërë në 1940 në Bari dhe prej asaj kohe ai nuk kishte ekspozuar më me ta.

Piktori shtoi, se; “ata kanë mbetë, kurse unë e vazhdova, pata interes. Kam lidhur kontrata, merrja dhjetë milionë në muaj dhe 100 pikë. Me pika është mënyra franceze e vlerësimit të pikturës. Në Zvicër kam punuar mirë dhe kam bërë ekspozita kudo. Aty kam 1000 piktura. Besoj e kam bërë më tepër se 6000, 7000 piktura, në të gjithë botën.

Fillimi në Itali ishte i vështirë,- vijon Kodra, – por pastaj u hap fjala; Ky piktori shqiptar, qenka i mirë’! – këtej – andej dhe erdhën të huajt prej Parisit, Gjermanisë. Agjentët e mi bënë ekspozita kudo, që nga Tokio, Kanada, Londër, Paris etj. Të gjithë për mua kanë shkuajtur fjalët më të bukura. I ruaj në arkiv, që është muze në shtëpi, libra, gazeta, revista, artikuj të shumtë, por besoj se kanë gjetur fjalët më të bukura, për me zhvillue punën time.

Në vitet e para bëja vizatime nga lufta, të cilat publikoheshin gjithmonë. Ndërkohë komunistët ftuan poetin e madh Pol Elyar. E ftoi Giancarlo Vigorelli, un grande scritore (një shkrimtar i madh). Ngritëm një komision dhe më kërkoi t’i bëja një vizatim Pol Eluarit. E bëra dhe ai e vuri në revistën e tij ‘Merkurio’. Eluari ka bërë poezinë e fundit. Ai nuk mund të dilte nga shtëpia, se ishin ata guardia tedeske (rojet gjemane). Ishte koha e ‘Via Mazhino’ (Fortifikimi i famshëm që mbronte Francën nga gjermanët). Ai hyri në shtëpi dhe bëri këtë poezi:

Que voulez – vous la porte etait gardèe
Que voulez – vous nous etions enfermes
Que voulez – vous la rue etait barrèe
Que voulez – vous la ville ete mateè
Que voules vous elle etait affamèe…”!

Zëri i ngjirur i Kodrës kumboi dhe vargjet piktori i risolli nga poezia titulluar “Poezia dhe e Vërteta”, me një recitim gjithë pasion, në një frëngjishte të bukur duke u përhapur në qetësinë e mbrëmjes tiranase.

“Eluari, -vijoi Kodra,- i shoqëruar me shkrimtarin Beniamino Jopolo dhe një gazetar i gazetës ‘Unita’, ardhën për të vizituar studion time. Duke parë disa punë poeti u shpreh; Kodra është primitivi i një civilizimi të ri’! Fjala doli dhe e botoi gazeta. Gjithnjë e kanë marrë për qortim këtë thënie… por në pikturën time, këto figura me kuadrate e gjeometrike ç’janë?! E kam thënë gjithmonë, është sot portreti i juaj, portreti i gjithë njerëzimit, jemi sot në civilizimin e konsumit, d.m.th., njeriu e ka humbur çiltërsinë.

Ne jemi të mbyllur. E shkruajta atëhere, e kanë pëlqyer dhe u hap fjala, këto figurat që bëj, kanë bërë hapësirë të madhe, janë pëlqyer… civilizimin e konsumit, e kësaj kohe politike sot. Këtë thënie të Elyarit, e kanë marrë dhe e kanë zhvilluar kritikët më të mëdhenj, kanë gjetur fjalët më të bukura për të shkruajtur për pikturën time. Në atë kohë artistët Breton, Aragon, Pol Eluar ishin shumë të famshëm”.

– “Si jeni njohur me Pikason”?

– “Në Milano, – u përgjigj Kodra, – rrinim bashkë piktorët e quajtur të Nëntëqindës, Carlo Carra, Mario Sironi, Francesco Messina, skulptor i madh, Carlo Riccardi, Achille Funi afreskisti më i madh i botës. Ai mësonte afreske. Shokët e mi kanë qenë Ennio Morlotti, Sasçinari, Gianni Dova, Roberto Crippa, Renato Guttuzo, të cilin e kisha shumë mik.

Renato ishte i lidhur mbas Rezistencës. Uno grande scritore (një shkrimtar i madh) Davide Lajolo shok i imi, kishim simpati për njeri – tjetrin dhe në mbrëmje të gjithë shikonim bashkë për të ngrënë darkë.

Më donin ata. Poeti Salvadore Quasimodo rrinte gjithmonë aty, sepse e kishte shtëpinë afër Brerës, ‘Via Garibaldi’ nr. 16, kam qenë shoku i tij. Ai gjithmonë vinte të më shikonte. Te ‘Biancheria’ që ishte përballë, vinin më të mëdhenjtë e botës. Ajo ishte shumë e famshme atëbotë. E quanin ‘Quartier Latin’, ku vinin njerëzit më të mëdhenj.

Më 1948, Italia ishte në dorën e komunistëve, në pikëpamje kulturore, sepse pas Rezistencës ishte e programuar, që Italia do të bëhej komuniste. Shumë hierarkë fashistë u shndërruan në komunistë dhe punuan që në vend që Kongresi i Paqes të bëhej në Paris, u bë në Romë. Pastaj arti dhe Rezistenca, në vend që ta bënin në Paris e bënë në Bolonja…

Picasson ma prezantoi Guttuzo. Menjëherë u bë shumë shok me mua, më ka ftuar katër herë në Kanë, në Port Azurra; ‘Mon ami peintre Kodra’! (Miku im piktori Kodra) – do të thoshte gjithmonë Pikaso kur më takonte”. / Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 07 Shkurt 2026

Next Post

“Në gusht 1914, rebelët, nën drejtimin e Haxhi Demirit dhe shehut të Çorushit, pasi dogjën pallatin e Aziz Vrionit në Berat e, dëbuan gratë nga shtëpitë...”/ Historia e panjohur e pashait të famshëm nga Berati

Artikuj të ngjashëm

“I sapoardhur në Shqipëri e në Vlorë dhe nuk dija asnjë fjalë shqip, ishte Dionisi që pati durimin të merrej me mua, si vëllai im i madh…”/ Dëshmia e rrallë e Timo Fllokos, për shkrimtarin që u shua dje në Athinë
Art & Kulture

“I sapoardhur në Shqipëri e në Vlorë dhe nuk dija asnjë fjalë shqip, ishte Dionisi që pati durimin të merrej me mua, si vëllai im i madh…”/ Dëshmia e rrallë e Timo Fllokos, për shkrimtarin që u shua dje në Athinë

February 4, 2026
“Në njëvjetorin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës ‘Shkëndija’ më 1941, Koliqi boton syzimin, ‘Fishta interpret i shpirtit shqiptar’, ku ai shprehet…”/ Refleksionet e studiueses së njohur
Art & Kulture

“Në njëvjetorin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës ‘Shkëndija’ më 1941, Koliqi boton syzimin, ‘Fishta interpret i shpirtit shqiptar’, ku ai shprehet…”/ Refleksionet e studiueses së njohur

February 4, 2026
“Na, arsimtarët e Kurveleshit, të mbledhur në Kuç, shfaqim urrejtjen më të madhe dhe kërkojmë ndëshkimin gjer në vdekje, të këtyre spiunëve të poshtër…”/ Zbulohen letrat për “Gjyqin e deputetëve, tetor 1947
Art & Kulture

“Ata njerëz të mirë, tani rrinin pas dyerve të gjyqeve, dhe nën zë thuhej: Vlora e mençur ishte zhdukur nga faqja e dheut, kishte mbetur vetëm ajo e marra, pasi…”/ Refleksione për librin e Ani Wilms

February 1, 2026
“Libri i ‘Akuza që ulërijnë’, i cili përmban protestën ndaj Evropës, që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të tyre, ndodhet në…”/ “Golgotha Shqiptare, si u gjet libri i holokaustit?
Art & Kulture

“Libri i ‘Akuza që ulërijnë’, i cili përmban protestën ndaj Evropës, që nuk reagoi në mbrojtje të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të tyre, ndodhet në…”/ “Golgotha Shqiptare, si u gjet libri i holokaustit?

February 2, 2026
“Nga sekretar i Akademisë, në ‘vullnetar’ në bazë: Profili i panjohur i Prof. Bedri Dedjes dhe ‘ravat’ e jetës së tij.”
Art & Kulture

“Nga sekretar i Akademisë, në ‘vullnetar’ në bazë: Profili i panjohur i Prof. Bedri Dedjes dhe ‘ravat’ e jetës së tij.”

January 30, 2026
“Kur disa miq i thanë se po arrestoheshin njerëz, ai u tremb e i theu të gjitha nudot, por duhet thënë, se ai u eliminua nga nxënësit e tij, pasi…”/ Historia e trishtë e mjeshtrit të skulpturës, Janaq Paço
Art & Kulture

“Kur disa miq i thanë se po arrestoheshin njerëz, ai u tremb e i theu të gjitha nudot, por duhet thënë, se ai u eliminua nga nxënësit e tij, pasi…”/ Historia e trishtë e mjeshtrit të skulpturës, Janaq Paço

January 27, 2026
Next Post
“Në gusht 1914, rebelët, nën drejtimin e Haxhi Demirit dhe shehut të Çorushit, pasi dogjën pallatin e Aziz Vrionit në Berat e, dëbuan gratë nga shtëpitë…”/ Historia e panjohur e pashait të famshëm nga Berati

“Në gusht 1914, rebelët, nën drejtimin e Haxhi Demirit dhe shehut të Çorushit, pasi dogjën pallatin e Aziz Vrionit në Berat e, dëbuan gratë nga shtëpitë...”/ Historia e panjohur e pashait të famshëm nga Berati

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme