Nga Çelo Hoxha
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në mars 1945, në Shqipëri erdhi një trupë teatrore jugosllave me një dramë të titulluar ‘Pushtimi’. Ajo u përcoll të luhej në rrethe – si Elbasan, Korçë, etj, – por jo në kryeqytet. Kinema ‘Kosova’, e vetmja në Tiranë që kishte skenë të përshtatshme për teatër, ishte e zënë. Aty zhvillohej ‘Gjyqi Special’. Ajo që u luajt në atë skenë nuk ishte dramë, por tragjedi e vërtetë, në fund të së cilës u ekzekutuan 17 persona dhe përfunduan në burgime të gjata, 39 persona të tjerë. Për regjimin, Gjyqi ishte festë linçimi publik i 60 njerëzve të pafajshëm, pjesa më e madhe personalitete me kontribute të dobishme në historinë e Shqipërisë.
I vetmi kualifikim që kërkohej për hetuesit ishte; “të gëzonin besimin e popullit”. Një cilësi e paverifikueshme, e papërcaktueshme, e pamatshme. Logjikisht mund të thuhet se njerëz të emëruar nga dikush që nuk i përkiste popullit, nuk mund të gëzonin besimin e popullit, përderisa nuk ishin të zgjedhurit e tij. Pëlqimi i popullit mund të merrej vetëm me një mënyrë, dhe kjo ishte votimi.
Në qarkore u përcillej njësive lokale dhe përkufizimi i kriminelëve të luftës, me 11 pika. Ky përkufizim përbën bazën e dy neneve të Ligjit 41 (14, 15), për kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit.[10]
Udhëzuesi më i mirë për zbulimin e krimeve, sipas qarkores, do të ishte dhe; “opinioni i përgjithshëm i popullit”. Më shkoqur: thashethemet. Në rastet kur nuk ishte e mundur “marrja e provave të faktuara, do të mjaftohet me deponimet e disa personave të ndershëm, për të bërë të besueshme [jo për të vërtetuar] fajet që ngarkohen të pandehurve”.
Një mënyrë tjetër për “zbulimin” e krimeve, ishte pyetja e të pandehurve për persona të caktuar dhe arrestimi i tyre, në bazë të këtyre deponimeve. Informacion të vlefshëm, sipas qarkores, mund të jepnin personat që kishin punuar në zyra, si përkthyes, sekretarë, etj.
Komisioni thërriste si dëshmitarë banorët e fshatrave ku ishin bërë vrasje gjatë kohës së luftës, si burimi kryesor për vërtetimin e krimeve, por, sipas një qarkoreje të datës 27 dhjetor 1944, nuk ishte e nevojshme që personat që dëshmonin t’i kishin parë me sytë e tyre faktet që raportonin. Ishte e mjaftueshme që të kishin dëgjuar të flitej për këto krime, nga populli.
Nga ana tjetër, kjo qarkore theksonte: “Dëshmitë e lëshuara nga persona të ndryshëm për sjelljet e mira të tradhtarëve që ndodhen të arrestuar, jo vetëm që nuk merren parasysh, po për t’i prerë hovin këtyre manovrave dhe për të drejtësisë, të merren masa kundër çdo personi që në të ardhmen do të japë firmën e tija, për të shfajësuar kriminalitetet që kanë shkaktuar një mjerim në vendin tonë”. Pra, krimet ishin kryer, fajtorët ishin përcaktuar, dhe komisioneve hetimore u mbetej vetëm të gjenin njerëz që të “dëshmonin” lidhjen e fajtorëve me krimin!
Drejtësia, pavarësisht sa herë mund të përmendet në dokumente, s’kishte lidhje fare me ‘Gjyqin Special’ dhe gjithë gjyqet ushtarake kundër të ashtuquajturve “kriminelë lufte e, armiq të popullit”. Këtë e ka artikuluar qartë ministri i Drejtësisë së kohës dhe kryetar i Komisionit Qendror për Krimet dhe Kriminelët e Luftës, Manol Konomi: “Procesi gjyqësor i tyre do të ketë rëndësi për luftën t’onë Nacionalçlirimtare. Dhe do të jetë një vepër politike e madhe”, shkruan ai në qarkoren e 22 dhjetorit.
‘Gjyqi Special’ dhe ‘Gjyqi i Nurembergut’
Vendi përgjegjës për Luftën e Dytë Botërore ishte Gjermania. Autorët kryesorë të krimeve të luftës që ajo bëri, u dënuan në Gjyqin e Nurembergut (nëntor 1945-tetor 1946). Ky gjyq gjykoi 24 persona, njëri u deklarua mendërisht i paaftë për t’u gjykuar, njëri vrau veten para dhënies së dënimit, 12 u dënuan me vdekje, njëri në mungesë, të tjerët u dënuan me burgime të ndryshme.
Kurse ,Gjyqi Special, shqiptar gjykoi 60 persona, 17 i dënoi me vdekje, 39 me burgime të ndryshme, 2 me kusht. Nurembergu shpalli të pafajshëm 3 prej të akuzuarve, ‘Gjyqi Special’ 2. Sipas statistikave, Shqipëria, e cila ishte viktimë në Luftën e Dytë Botërore, rezulton të ketë pasur kriminelë lufte më shumë se Gjermania naziste.
Për organizmin e gjyqeve speciale ka shumë rëndësi legjitimiteti organizatorëve të tyre. Gjyqin e Nurembergut e organizuan qeveritë legjitime të aleatëve (me përjashtim të Bashkimit Sovjetik, qeverinë e të cilit e mbanin me dhunë komunistët që nga 1917, por, sidoqoftë, ishte ndërkombëtarisht e njohur). ‘Gjyqin Special’ në Tiranë e organizoi një qeveri e ardhur në pushtet me dhunë, përmes një lufte civile. Dhe Gjyqi, sipas ministrit të Drejtësisë, ishte vazhdim i kësaj lufte.
Një tjetër dallim themelor mes dy gjyqeve, ishte përbërja e trupit të akuzës dhe gjykimit. Prokurorët e gjyqit të Nurembergut ishin figurat më të larta të prokurorisë në vendet pjesëmarrëse: Bashkimi Sovjetik merrte pjesë me Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan me një anëtar të Gjykatës e Lartë, Britania e Madhe u përfaqësua me Prokurorin e Përgjithshëm, Franca me Ministrin e Drejtësisë, që më vonë u bë Prokuror i Përgjithshëm i Francës.
Edhe gjykata përbëhej nga gjyqtarë me përvojë në vendet e origjinës. Kryetari Gjyqit u caktua një gjyqtar britanik, anëtar i Gjykatës së Apelit për Anglinë dhe Uellsin (zëvendësi i tij nga Britania e Madhe, ishte anëtar i Gjykatës së Lartë të Anglisë dhe Uellsit). Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan me ish-Prokurorin e Përgjithshëm dhe një kandidat për në Gjykatën e Lartë të SHBA-ës.
Akuza në ‘Gjyqin Special’ përfaqësohej nga një person, Bedri Spahiu, pa formimin juridik më minimal. Ai ishte një ish-ushtarak, i cili as për këtë profesion, nuk kishte kualifikim universitar. Kurse Gjykata, e përbërë nga 9 anëtarë, kishte vetëm gjyqtarë. Kryetari i Gjykatës ishte Koçi Xoxe, me arsim fillor, e teneqexhi në profesion. Në grupin e të akuzuarve kishte më shumë juristë, 7 gjithsej, 5 të diplomuar në Itali, 1 në Francë dhe 1 në Jugosllavi.
Në vendimin e Gjyqit të Nurembergut, thuhet: “Një pjesë e madhe e provave që iu paraqitën Gjykatës nga ana e Akuzës, ishin dokumente e dëshmi, të kapura nga ushtritë aleate në shtabet e Armatës Gjermane, në godinat qeveritare dhe në vende të tjera. Disa nga dokumentet u gjetën në kripore, të groposura në tokë, të fshehura në pseudo-muret dhe në vende të tjera që quheshin të pamundur në pikëpamjen e gjetjes së këtyre dokumenteve. Në këtë mënyrë, akuza kundër të pandehurve mbështetet në shkallën më të madhe në dokumentet e hartuara nga ata vetë, autenticiteti i të cilave nuk diskutohet, me përjashtim të një ose dy rasteve”. Kurse Gjykata Speciale e Tiranës, siç e përmenda më sipër, u mbështet në dëshmitë gojore të veglave të komunistëve.
Kriminelët e vërtetë të luftës
Në Kinema “Kosova”, gjatë kohës që u zhvillua “Gjyqi Special”, kishte dhe kriminelë lufte, krimet e të cilëve ishin të lehta për t’u vërtetuar, por ata ishin pjesë e akuzës dhe gjykatës. Dokumentet që dëshmojnë krimet e tyre gjenden në AQSH.
Bedri Spahiu, prokurori, është përgjegjës për shumë krime të kryera nga qarkori i Partisë Komuniste Shqiptare në Gjirokastër, anëtar i të cilit ai ishte. Në një raport për Komitetin Qendror Provizor të PKSH-së, përgatitur nga Qarkori, komunistët e Gjirokastrës pranojnë që kanë vrarë 11 persona, 10 prej tyre shqiptarë, mes tyre nënprefekti i Kurveleshit, Novruz Taçi, me qëllim “për të dominuar krahinën”.
Si anëtar i Shtabit të Zonës I-rë Operative, si anëtar i KANÇ-it, si anëtar i Komitetit Qendror të PKSH-së, Bedri Spahiu është përgjegjës për shumë krime të tjera. Por, në mënyrën më cinike, gjatë kohës që Terenc Toçi gjendej në burg, dhe Bedri Saphiu e dënoi me vdekje, të afërmit e Spahiut i kishin zaptuar shtëpinë!
Koçi Xoxe, si anëtar i Komitetit Qendror të PKSH-së dhe i KANÇ-it, është përgjegjës për një numër krimesh. Më 11 nëntor 1943, Koçi Xoxe ka firmosur një qarkore të Komitetit Qendror të PKSH-së, drejtuar gjithë qarkorëve, ku i vë në dijeni për vrasjen e Zef Ndojës me vendim të Komitetit Qendror të PKSH-së. Ai ka qenë në dijeni, në mos e ka urdhëruar, vrasjen e 6 ballistëve në Devoll, të cilët, në letrën e tij drejtuar Enver Hoxhës, ai i quan; “gjithë shtabi i Ballit në Devoll”.
Hysni Kapo, anëtar i Gjykatës Speciale, mund të dënohej si kriminel lufte, për një radhë krimesh lehtësisht të vërtetueshme, si zv/komisar i Zonës I-rë Operative, apo si komisar i Brigadës V-të. Mund të përmendim: për pushkatimin e dy xhandarëve në Shpat (zona e Tomoricës); pushkatimi i partizanit Imer Romësi, si dezertor; grabitje pasurie në Balbardh (Berat); për pushkatimin e një ballisti në Pajun (Kërrabë e Madhe); për rekrutim me forcë të popullsisë; për vrasjet në Kurdari të Matit, për djegien e fshatit Sinë në Dibër, etj.
Në Plenumin e Beratit, 23-27 nëntor 1944, ai u tregua qejfmbetur që Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, nuk ia kishin ngarkuar atij vrasjen e Sadik Premtes, sepse ai mund ta bënte më mirë se Mehmet Shehu, i cili dështoi.
Beqir Balluku, anëtar i Gjykatës Speciale, si komandant i Brigadës së Dytë, mund të dënohej si kriminel lufte, për grabitjen e pasurisë së Mazllëm Skënderit, Hodo Skënderit, Seid Skënderit, në Frashër të Përmetit; për djegien e shtëpisë dhe grabitjen e pasurisë së Izet Hysniut nga Zavalani i Kolonjës; për djegien e shtëpisë së Sabri Nuredinit nga Piskali i Dangëllisë dhe për grabitjen e 5 deleve të Shaqir Myslimit; për djegien e shtëpisë, grabitjen e pasurisë dhe marrjen peng të djalit të Qazim Goblarës nga Bablazi i Dangëllisë; për grabitjen e pasurisë së Avni Radovickës nga Radovicka e Dangëllisë; për grabitjen e pasurisë së Nexhi Mustafait dhe Fadil Abdurrahmanit nga Miçani i Dangëllisë. Të gjitha këto krime janë kryer me urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe implikojnë në krim dhe urdhëruesit.
Të gjitha këto krime të tyre janë të dokumentuara. Një pjesë janë botuar disa herë, një pjesë i kam botuar unë në librin “Krimet e komunistëve gjatë luftës” (2014), dhe të gjithë dokumentet origjinale gjenden në AQSH.
Anëtarët e tjerë të Gjykatës Speciale kanë qenë anonimë gjatë luftës dhe mund të jetë e vështirë t’i akuzosh nominalisht. Por ka me qindra dokumente që dëshmojnë krimet e luftës të kryer nga krerët e lartë të regjimit komunist, të atyre që kishin urdhëruar krijimin Gjykatës Speciale.
Përfundime
‘Gjyqi Special’ ishte vazhdim i luftës civile, në një formë tjetër. Në thelb, ai ishte një instrument në duart e komunistëve për zhdukjen e kundërshtarëve politikë. Projektimi i ‘Gjyqit Special’ si një vepër e madhe politike, siç e quajti ministri i Drejtësisë Manol Konomi, që ekzekutoi 17 vetë dhe ndëshkoi me burgime të gjata 41 persona të tjerë, e klasifikon atë automatikisht si një vepër terroriste. Ky është terrorizmi: përdorimi i dhunës për të realizuar qëllime politike./ Memorie.al












