Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj
Pjesa e parë
Memorie.al / Pjetër Ndue Ujka Mernjaçaj, ka lindur më 7 tetor 1930, në lagjen “Pshtan” në Selcë të Kelmendit. Familja e tij, ka qenë e mëkuar tradicionalisht me ndjenja dhe frymë të thellë atdhetare gjatë shekujve. Ai fillon dhe mbaron shkollën 8-vjeçare në vendlindje dhe më pas, kur mbush 20 vjeç, shkon në shërbim ushtarak nga viti 1950-1952. Gjatë kohës që Pjetri, po kryente shërbimin ushtarak, ai mëson, se në vitin 1951, vëllain e tij Nikollën e kanë arrestuar dhe fut në burgun famëkeq të Shkodrës, ose sikurse njihet asokohe si Dega e Punëve të Brendshme (sot pronë e Kuvendit Franceskan dhe muze historik me qeli e burgje origjinale të kohës së diktaturës komunisto-ateiste, e cila vizitohet nga breza të ndryshëm, mbas viteve 1990, shënimi im Prof. Gj.F.I.).
Ai aty merret në pyetje nga hetuesit komuniste të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste të antishqiptarit Enver Hoxha. Mbas hetuesisë dhe rrahjeve të rënda në burgun e Shkodrës, ai dërgohet në burgjet e tjera të Shqipërisë, ku kalon vuajtje dhe tmerre të hatashme, për disa dekada me radhë. Sikurse mësojmë nga më të moshuarit, që e kanë njohur nga afër këtë familje me zë, në shumë breza kjo derë e nderuar dhe respektuar e Malësisë, ka qenë në ballë të luftërave dhe përpjekjeve të pareshtura kundër pushtuesve shumëshekullorë turq dhe armiqve të vjetër të kombit tonë, shovinistët serbo-malazias.
Karakteristikë e Marnjaçajve është se ata, gjithnjë kanë qenë dalluar për bujari e shprehur në çdo rast, që njerëzit i kanë kërkuar ndihmë; mikpritje me zemër të pastër shqiptari për të gjithë miqtë, dashamirësit dhe bujtësit e rastit, që kanë qëndruar në konakun e mbushur çdo mbrëmje me malësorë; trimëri e shprehur në çdo luftë dhe përpjekje, për të ruajtur me dashuri trojet e të parëve tanë etj. Historikisht, në çdo kohë dhe rast, brez mbas brezi, familje atdhetare Mernjaçaj, falë traditës së trashëguar në shumë gjenerata, nuk ka kursyer asgjë për të mirën e Atdheut dhe të kombit tonë.
Me fakte konkrete historike, Pjetri, sikurse edhe vëllezërit e tjerë, kanë treguar gjithnjë shembull pozitiv, për të mirën e vendlindjes dhe kombit shqiptar, duke luftuar gjithnjë, për liri dhe demokraci edhe në emigracionin e largët të SHBA-së. Ata nuk i janë trembur dhe nënshtruar asnjëherë regjimit të egër të diktaturës komuniste, që me gjak e lau tokën e pafajshme shqiptare, për shumë dekada të sundimit antishqiptar, prej viteve të errëta 1944-1990.
Për të parë më mirë dhe saktë respektin që kanë gëzuar të gjithë vëllezërit Mernjaçaj në emigracionin e largët në SHBA-ës, po sjellim për ilustrim një shkrim vlerësues, me titull: “Dëshmori i parë i mërgatës shqiptare, në luftë aktive kundër komunizmit”, elegji lexuar para trupit të ndjerë të nipit të tij Nikë Marashi Mernjaçaj, shkruar nga pinjolli i familjes së famshme të Mirakajve, ish -i arratisuri nga ferri komunist i Shqipërisë, poeti dhe publicisti antikomunist, Zef P. Mirakaj:
“E pikëlluemja, por e ndershmja dhe shumë kryenalta Familja Mernjaçaj me t’afërm, kumbarë, miq e dashamirë…! Shum prej nesh, tue çmue dhe admirue vendosmërinë deri në theorizëm të këtij djaloshi, për t’u përpjekë për liri e drejtësi të popullit të vet të shtypun, me lot në sy, me zemër të plasun dhe me buzë tue na u dridhë prej emocionit, pyesim: Pse!?… Nika i respektoi dhe lartësoi shumë heronjtë dhe protagonistët e vendit të tij. Ai i naltësoi e i kujtoi me respekt dhe dashuni.
Fakti e dëshmon se atyne (heronjve të atdheut), u pati ba edhe betimin se rrugën qi kishin përcaktue, përpjekjet për liri politike e kombëtare, do ti vazhdonte deri në vdekje. Dhe ishte pikërisht kjo besë e dhanun dhe e mbajtun, qi e shtyni atë me dalë (me krejt pjesëtarët e familjes) në përkrahje të popullit tonë të përdhunuem politikisht, ekonomikisht, shpirtërisht e fizikisht n’atdhe (ma egërsisht)”!
Atdhetari i palodhur i çështjes shqiptare, malësori sypatrembur e trim Pjetër Mernjaçaj, ka ikur në ish Jugosllavi më 22 tetor të vitit 1958. Ai së bashku me nëntë anëtarë të familjes Mernjaçaj, duke rrezikuar kokën para ushtrisë së armatosur të Sigurimit të Shtetit komunist. Me shumë mundime, ata kanë kaluar nëpër shtigje të vështira malore. Ata natën për 14 orë ecin pa pushim dhe me një kujdes të madh, që të mos zbulohen nga Forcat e Ndjekjes së Kufirit.
Në grupin prej nëntë vetëve ishin: nëna dhe babai, tre vëllezërit Mernjaçaj, dy kunatat me dy fëmijë të vegjël. Mes vështirësive të mëdha të motit dhe terrenit të thyer malor të Alpeve Shqiptare të Veriut, Pjetri me 9 anëtarë të tjerë të familjes së tij, kalojnë kufirin dhe i afrohen katundit Bekaj të Trieshit.
Ashtu sikurse ishin të lodhur dhe rraskapitur mbas atij udhëtimi të vështirë, ata janë ulur të pushojnë pak dhe kanë ndezur një zjarr. Mbas disa orëve një çoban i rastit ka parë tymin dhe më pas është afruar tek njerëzit, që po qëndronin pranë flakës së zjarrit. Çobani i quajtur Tomë Kolë Preka (Gashaj), u afrua e i pyet njerëzit, që po ngroheshin rreth flakës së zjarrit: “Kush jeni ju burra që po ndezin zjarr aty dhe po rrini në këtë mal të ftohtë”!?
Ai kur i ka parë në atë gjendje të lodhur që ishin 9 anëtarët kelmendas e, të ikur nga Shqipëria, sipas traditës së hershme shqiptare, i ka ftuar në shtëpinë e vet, duke i shtruar darkë. Aty ata kanë qëndruar për disa orë deri në orën 11 të mbrëmjes. I zoti i shtëpisë Tomë Kolë Preka (Gashaj), mbasi kanë hëngër pirë dhe pushuar të gjithë, u ka thanë: “Miq të dashur, u kërkoj falje, se është rregull dhe ligj shtetëror, se më duhet të lajmëroj rojën e kufirit, për ardhjen tuaj në shtëpinë time”.
Të porsaardhurit kanë qenë dakord me fjalët e drejta të të zotit të shtëpisë mikpritëse, që të lajmërohen Forcat e Rendit në Podgoricë, për ardhjen e tyre. Mbas dy orëve kanë ardhur makina ushtarake dhe i kanë marrë dhe dërguar në stacionin policor të Podgoricës. Ata janë regjistruar dhe marrë normalisht në pyetje rutine nga forcat e policisë malaziase dhe mbas gjysmë ore, sërish nëna Mrika, babai Nua dhe dy gratë me fëmijët e vegjël të Marashit, i lejuan të rikthehen në Bekaj të Trieshit, tek daja Preloc Marku, kurse tre vëllezërit i nisen në Leshkopole, ku qëndruar për shtatë javë.
Mbas përfundimit të procedurave të pyetjeve të ndryshme, ata i kanë lejuar të lëvizin lirshëm kudo që dëshironin të udhëtonin, punonin dhe jetonin brenda Jugosllavisë. Ata i ndihmuan shqiptarët e ardhur nga Kelmendi i Shqipërisë, duke i dhënë ndihmë financiare prej 40 mijë dinarësh në muaj, si ndihmë që vinte nga e Drejta e Komisionit Internacional. Mbas një ore Marashi e Rroku, shkuan tek daja në Triesh, kurse Pjetri u ndal në Shipshanik të Tuzit.
Ditët kalojnë dhe familja e Mernjaçajve fillon dhe sistemohet, ku njeri pas tjetrit vëllezërit fillojnë punën dhe më pas ata gjetën një shtëpi me qira me Piper, afër Pordgoricës (ish – Titogradi) dhe kështu filloj një jetë normale për të gjithë. Mbas pesë vjetëve ata blejnë një shtëpi në Maslina të Podgoricës, ku qëndruan për shumë vite. Pjetri, duke mos qenë dakord me sistemin komunist jugosllav, ai kishte një plan të caktuar me disa shokë të tij, që të largohen në drejtim të botës së lirë demokratike, të Europës Perëndimore.
Kështu një ditë me 8 qershor të vitit 1966, ata u larguan përfundimisht në Trieste të Italisë, ku aty qëndruan për disa muaj dhe më pas kalojnë në disa kampe të tjera internacionale të emigracionit, si në Pua Cassertta të Italisë, ku aty fituan azilin politik, për të ikur drejt Shteteve të Bekuara të Amerikës, në vitin 1967, ku në fillim si shumë të tjerë shqiptaro-amerikanë, u vendos në Bronx të New York-ut.
Pjetri, mbas disa kohe, gjen punë dhe strehim dhe gradualisht fillon të marrë kontakt me intelektualë dhe njerëz dashamirë të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai kishte mik meshtarin e shquar Dr. Mons Zef Oroshin (1912-1989), me të cilin flisnin shpesh për hallet dhe shqetësimet e popullit shqiptar, që po kalonte natën e zezë të persekutimit komunist në Shqipëri.
Pjetri, ka marrë pjesë në çdo demonstratë antikomuniste që për shumë kohë janë zhvilluar në New York dhe disa shtete të tjera të Amerikës. Ai, ka qenë një aktivist i palodhur edhe në ndihmë të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”) dhe ka bashkëpunuar gjithnjë me klerikët katolikë shqiptarë. Pjetri, e ka mbështetur gjithnjë shtypin e lirë katolik në Amerikë dhe posaçërisht revistën “Jeta Katolike Shqiptare”, e cila fillon të botohet për herë të parë në vitin 1966.
Mbas disa kohe, Pjetri, interesohet për vëllanë e vet Marashin me gruan dhe fëmijët, që si azilantë politikë të vijnë në Amerikë në shtëpinë e tij. Vitet kalojnë dhe Pjetri, një ditë të bukur martohet (më 12 dhjetor 1967) në Bronx, me një vajzë fisnike malësore, Lenen e Zef Dedit Micakaj, prej një shtëpie të ndershme, fisnike, bujare e respektuar dhe nderuar në Bekaj të Trieshit. Kjo shtëpi tipike shqiptare, dallohej gjithnjë për besë, nderë dhe bujari, ku më së shumti dallohen Zef Dedi me vëllezërit e vet, Nikollë Dedi, Palok Dedi, Luc Dedi e Gjokë Dedi.
Kurorën e martesës Pjetri me Lenen e vendosin në Kishën Katolike Monte Karnella në Bronx, New York, me një ceremoni, ku, morën pjesë shumë bashkë atdhetarë nga Kelmendi dhe trojet e tjera shqiptare. Kurorën e martesës ia vendos meshtari i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan, ani-komunisti i vendosur, Dr. Mons. Zef Oroshi.
Gruaja e Pjetër Mernjaçaj, Lena, është një grua fisnike e Malësisë, e cila asnjëherë nuk është lodhur për të mirën e familjes, duke qenë një krah i djathtë i bashkëshortit të vet. Familja e Pjetrit, ishte dhe mbetet edhe sot një shtëpi e madhe bujare, që ka pritur dhe përcjell me mijëra bashkë atdhetarë, ka ndihmuar shumë në çështjen kombëtare me bashkëshorten e vet Lenen, e cila ishte dhe është gruaja dhe nëna më e nderuar dhe respektuar në komunitetin shqiptar.
Krimet e kohës së komunizmit në vendet e Europës Lindore dhe në veçanti në Shqipëri, krahasohen me ato të periudhës së egër naziste, ku, gjermanët zhduken apo vranë mbi 6 milion hebrenj dhe me radhë miliona fëmijë, pleq dhe të rinj nga shumë kombe dhe vende të tjera të botës. Historianët dhe analistët me famë botërore, kanë arritur në konkluzionin e pamohueshëm se nazizmi dhe komunizmi, kanë vrarë dhe persekutuar mbi 157 milionë, dhe nga këto shifra 57 milion, janë vrarë, ekzekutuar barbarisht dhe zhdukur gjatë kohës së Luftës së II Botërore.
Krimet e doktrinës mashtruese komuniste, fillojnë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe mbas saj deri në vitin 1990. Nga analiza e fakteve historike, del se 100 milion njerëz janë vrarë, pushkatuar pa gjyq ose me gjyq fallco të montuar, zhdukur dhe kanë vdekur në kampet e përqendrimit gjatë kohës së sundimit të sistemit komunist në Europën Lindore dhe në shumë shtete të tjera të botës. Po ashtu qeveria e diktatorit kriminel të Enver Hoxhës, arreston të gjithë anëtarët e familjes, si gruan dhe djalin dhe i internojnë në kampin famëkeq në Savër të Lushnjës.
Në këtë kamp mizerje të përqendrimit, kanë lindur shumë fëmijë në kushte mizerabë, kanë vdekur shumë fëmijë për mungesë të ushqimit dhe përkujdesit mjekësor, janë rritur në barakat përdhese, ku shiu dhe balta ishte e pandarë me mijëra të rinj dhe kanë vdekur pa mundur të hapin familje, me qindra prej tyre janë keqtrajtuar dhe kërcënuar me vdekje, me qindra familje të internuara me dënime të përjetshme, duke u bërë kështu Savra e Lushnjës, një burg me famë të keqe në të gjithë Shqipërinë dhe vendet e Kampit Komunist të Europës Lindore…!
Regjimi mizor komunist, i bëri shqiptarët të lënë me dhimbje vatanin, atë gjë nuk ia detyroi asnjë pushtues i huaj. Të rinjtë shqiptarë që merrnin rrugën e arratisjes në kufi, ruheshin mos të merrnin plumbin e pamëshirshëm të “vëllezërve” shqiptarë komunist, që i kishin mbushur armët me fishekë, për të vrarë jo pushtuesit e huaj, por bashkëkombësit e vet dhe në këtë rast Shqipëria, i ngjasonte një burg të madh me tela të rrethuar në 28 kilometra katrorë, aq sa ishte edhe gjatësia e kufirit të saj me shtetet fqinj.
Pjetri, sot e rikujton me detaje momentin kur u largua nga trojet shqiptare, për t’i shpëtuar masakrës kolektive komuniste, për një jetë më të mirë me dinjitet dhe prosperitet, për liri dhe demokraci. Ikja e tij, ishte një lajm i mirë për t’i dhënë zemër edhe të rinjve shqiptarë, që me këtë formë ti bëjnë sfidë sistemit absurd komunist, që vriste dhe gjakoste popullin e vet, në emër të ideologjisë boshe komuniste, të importuar nga Rusia e Leninit dhe Stalinit.
Babai i Pjetrit, Nua Ujka Mernjaçaj, ndërron jetë dhe varroset me ceremoni dhe respekt nga të gjithë të afërmit dhe vendasit, pranë varrezave të Malësisë në fshatin Shishpanik në Tuz. Shumë vite më vonë, më 1984-ën, nëna me djalin e saj Rrokun, erdhën në SHBA-ës dhe u vendosën në New York. Asokohe ishte koha e Presidentit Ford, kur këta emigrant shqiptarë u bënë shtetas amerikanë, duke gëzuar edhe një pension për gjithë jetën. Për herë të parë në jetën e tyre, bashkëkombësit tanë dhe në veçanti familja Mernjaçaj, e përndjekur politikisht nga sistemi komunist, e ndjenë vetën të barabartë, sikurse shtetasit amerikanë të lindur dhe rritur në Amerikë.
Në atë kohë disa gazeta amerikane shkruan për historinë e kësaj familje kelmendase të arratisur ferri i zi komunist i diktatorit të egër antishqiptar Enver Hoxha. Mbas 5 vjet të vendosjes në Amerikë, nëna e Pjetrit vdes. Ajo u varros me ceremoni fetare nga familja, të afërmit dhe shumë miq e shokë bashkë-atdhetarë kelmendas dhe meshtari i shquar shqiptar Dr. Mons Zef Oroshi, i cili, foli fjalët më të mira për këtë fisnike dhe bij të nderuar të Malësisë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













