Nga GJON KAÇAJ
Memorie.al / Ish-të përndjekurit dhe burgosurit politik të Shqipërisë, kanë një etalon përfaqësimi, Simon Mirakën. Shëndet-pakët energjik, i vuajtur, tolerant, por gjithmonë i vendosur dhe plot besim se do ta fitojë betejën me kuçedrën e kuqe, falë guximit, ndershmërisë, intelektit e traditës familjare të një breznie e një geni të pastër me moralin e fisnikërisë, që s’arritën ta manipulojnë kurrë zullumqarët partiakë. Djaloshi 15 vjeçar, më i vogli i familjes Mirakaj, në internim i përgjigjej çdo 12 orë gardianit në apel: Këtu jam! Dhe kjo u përsërit për 45 vjet. Madje edhe në qershor të vitit 1989, atij ia përsëritën dënimin edhe 5 vjeçarin pasardhës – pesë vite të tjera internim, paçka se u mbeti vendimi në letër Komisionit të Dëbim – Internimeve, sepse u përmbys e theu qafën diktatura komuniste.
Po përse u dënua ky fëmijë, që u burrërua kampeve të internimit? Sepse dyshohej se 10 vite të shkuara, pra kur ishte vetëm 5 vjeç, kishte propaganduar për prishjen e marrëdhënieve Sovjeto -Shqiptare, ndërkohë, që ato marrëdhënie kishte kohë që ishin çarë dhe propaganda e kuqe, dhe vetë anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe të Byrosë Politike, i shanin dhe i akuzonin botërisht.
Eh! Ata “burrat” me pantallona të shkurtra vuanin në kampet e internimeve në Gjazë, Plug, Çermë, Grabian, Savër, e Gradishtë të Lushnjes, dhe në mesin e tyre zgjidheshin e arrestoheshin, si të rrezikshëm, djemtë e nacionalizmit shqiptar.
Kur mendoj për ish të përndjekurit, ndalem dhe veçoj bashkëvuajtësin Simon Mirakaj, gjithmonë stabil e i pa manipulueshëm nga intrigantët politik që s’arritën ta “triblojnë” politikisht, mbase mund të shprehem lirshëm si ish koleg pune mbas viteve 1990 edhe si të vetëm të pa infiltruar në drejtimin e institucioneve të ish-të përndjekurëve politik. Figura e tij më shëmbëllen si drague në përballje me kuçedrën, ashtu si e përshkruan Fishta në kangën e 16-të, Kuçedra.
Populli shqiptar duhet të mos harrojë, por të kujtojë krimet e komunizmit. Sa shqiptarë u vranë në kufi në kërkim të lirisë? Qeveria komuniste ngrinte edhe kurthe e mashtronte si Amnistia e vitit 1987, që gjoja u riktheu lirinë, por kjo ishte tjetër gënjeshtër mashtruese – kishin ngritë një kurth tjetër, – kishin prodhuar ne makinën e tyre të propagandës mashtruese, një dekret special për ndalimin e vrasjeve në kufi, duke e etikitue ikjen si kalim të paligjshëm të kufinit e, jo tradhti kombëtare, duke parashikuar një dënim deri me 5000 lekë gjobë! Sa u mashtruan nga ky dekret?!
Të shumtë ishin ata që u besuan edhe… e pësuan! Kush ka pasë fatin të lexoi librin: “Unë vij nga Shkodra”, shkruar nga shkodrani Luigj Çekaj, me banim në Nju-Jork, do t’më kuptojë lehtësisht përse shkrova diçka për nënat shami zeza. Në atë libër gjenë shumë tragjedi që u ndodhën nga kalimet në kufi. Ngushëllime të gjithë nënave që humbën djemtë në kufi, të tradhtuem nga dekreti për ndalimin e vrasjeve në kufi të firmosur nga pasardhësi i diktatorit Enver Hoxha, Ramiz Alia.
Mbas amnistisë në vitin 1987, shtatë djem tiranas të liruem nga Spaçi e Qafë Bari, udhtuen me tren nga Tirana në Elbasan dhe pastaj me autobusë në Prrenjas, drejt kufinit në Rrajcë-Skenderbe, me qëllim të kalonin kufirin nga piramida nr.40, të ndarë në dy grupe.
Kujtim Xhaja dhe Ilir Serjani të parët dhe pesë të tjerët, mbasi do kalonin të parët, të cilin mbasi thyen klonin mbas mesnate duke u zvarris barkas e kame-dorë, takuen pa dije telin ngjyrë bari të alarmit që sinjalizonte grupet e gatshme kufitare. Njësiti i parë me qenin e kufinit ndaluen në errësirë Ilir Serianin.
Sapo i vunë tytën e automatikut të skuqun nga të shtënat në ajër i dhanë dy mundësi. Do vdiste nga plumbat apo donte të vdiste nga qeni. – “E due vdekjen nga qeni”,- thirri Iliri, me qellim që shokët të fitonin kohë për të shpëtue.
Përzierja e copave të mishit me zhelet e shkyeme të njoma me gjak, shtonin ulërima me nji tërbim të pa imagjinuar arrinin deri në qiell. Kujtim Xhaja, i strukun në errësirë, me nji thikë të vogël lëshohet me dhimbje në shpirt mbi qenin, që hakërrohej mbi shokune tij të shtrirë për vdekje. Edhe atë e coptuen breshëritë, pa i kursye plumbat.
Zëri i nënave ka mbetë i murosun në gjokset e secilës. Ato kanë përjetuar tek shuhej për jetë shpresa, se nji ditë do të bëheshin fatlume. Nga 15 gushti 1989, deri me 16 shtator 1990-të, në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe po luhej tragjedia makabre e instaluar nga profesionistë me përvojë 45 vjeçare të Sigurimit të Shtetit dhe të diktatorit të kamufluar, Ramiz Alia.
Si në të gjitha zonat kufitare të Shqipërisë, në bregun e Bunës ekzekutuan Dodë Franin, 24 vjeç e, Gjon Kumbullakun 26 vjeç! Kryefjala ishte çasti kur dy kufomat e copëtuara u ekspozuan para maternitetit në Shkodër, sikur paralajmëronin nënat se fëmijët që do lindni do të kenë këtë fat.
Tregojnë se nga tmerri që u panë sytë, njëra nga nënat e humbi fëminë e saj! Ndue Narkaj 23 vjeç, mbasi kalon kufirin në Starë, e qëllojnë me breshëri kufitarët, dhe mbasi e tërheqin kufomën nga andej kufinit, e zhveshin dhe i heqin orën e dorës, pastaj i vënë zjarrin pyllit, duke djegë një hektar dhe si “humanist”, familjes i dorëzojnë orën e dorës dhe xhaketën.
Mas dy vitesh, nji km. larg pyllit të djegur në mes dy shkëmbinjsh, disa barinj gjejnë të mbështjellë me plastikë gjysmën e kufomës së djegur, mbasi familjarët i kishin informue se djali i tyre jetonte në diasporë.
Po Pllumb Pllumbaj 19 vjeç, i larguar nga internimi, vritet në mes klonit dhe brezit të butë afër postës kufitare në Hot dhe mbahet tre ditë i lidhur me tela me gjemba në nji pusete të hidrovori në ujë, me urdhër të komandantit të postës kufitare, i cili më pas u shpërblye me detyrën e shefit të emergjencave të Shqipërisë, ashtu si arriti në qeverisjen tjetër, shefi i sigurisë në Presidencë!
Sokol Vreshti 21 vjeç, mbasi e plagosin në tentativë për të kaluar kufirin, dorëzohet, por e ekzekutojnë. Autori emërohet kryetar Dege në vitin 2014! Sa pa kujtesë jemi ne shqiptarët?! Cili shtet i botës apo gjykatë, mundë të barazojë viktimën me kriminelin?! Po në cilin shtet të botës krimineli lartësohet dhe viktima përçmohet?
Kjo nuk duhet të ndodhë në Shqipërinë demokratike, si aleate e SHBA-së, e inkuadruar në NATO, e me ngut për tu anëtarësua në Bashkimin Europian. Jo, të paktën dëgjoni zërin e poetit Havzi Nela. Nuke ndjeni rënkimin?:
“Kur të mësoni se kam vdekë
Kurë të thoni; Ndjesë pasë,
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë poeti zemerzjarrtë…
…..Thoni, dritë ai kërkoi
E vetë dritë nuk pa me sy….”
Ja çfarë përjetonte zëvendësprokurori F.D., malësori trim, kur i uruam emërimin z.v. Prokuror i përgjithshëm: – “E pranova emërimin me dhimbje, ashtu si përjetova degradimin si kryeprokuror në Kukës, mbasi gjykuam dhe dënuam me tetë vite heqje lirie, poetin Havzi Nela.
Jam ndier i fyer kur i dhamë një dënim të pa merituar, pa mbështetje ligjore. Mbas analizës mujore më dhanë largimin dhe fletë emërimin zv/komandant toge në postën kufitare në Pulaj të Velipojës. S’më erdhi keq për zbritjen nga detyra, sa u indinjova mbasi u rigjykua poeti. Dënimi vdekje me varje në litarë, i nxituar……”!
A thue prokurori në fjalë, mbasi varja në litarë ishte publike dhe varrosja në nji shpatë mali i dhuroi kënaqësinë kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, shokut Fehmi Avdiu, të firmosë shfuqizimin e ligjit për dënime me vdekje, ndonëse të detyruam nga ndërkombëtarët?!
A thue do t’u rrëfente ndërkombëtarëve për të gjithë opozitarët që në vitin 1997 u bën thirrje të varfërve të djegin Shqipërinë për fajdet, mbasi ata personalisht financuan të parët, duke tërheq mbas një muaj trefishi e shumës që kishin dorëzua tek fajdet?!
Ata sot janë të gjithë të pushtetshëm, kanë prona, gazeta, kanale televizivë etj….! Sot flitet për hapjen e dosjeve, të cilat dihet se janë manipuluar. Përse të hapen dosje të montueme fakirësh kur dosierët janë të montuar në pushtet./ Memorie.al
*Autori është ish – i bugosur politik, Ish – Nënkryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politik të Shqipërisë, sot anëtar i degës së “Vatrës” në Detroit.













