Nga Agron Alibali
Pjesa e parë
Memorie.al / Mbrëmjen e 15 dhjetorit 1942, në ora 19:30, në zyrën e shefit të FBI-së, z. J.Edgar Hoover në Washington DC, mbërriti një telefonatë krejt e papritur. Thirrësi, një individ me shumë tituj, identiteti i të cilit mbahet ende i fshehtë në arkivat amerikane, informonte se Faik Konica atë ditë ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan. Informatori, më tej deklaronte se “kishte marrë informacion se disa persona të panjohur po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia pa kryer formalitetet e duhura”. Ai tha se ishte munduar të kontaktonte Departamentin e Shtetit, por përpjekjet e tij “nuk kishin pasur sukses”. Për këtë arsye, ai kërkonte nga FBI-ja që “të ndërhynte për të ndaluar këto veprime”. Zyrtari që priti telefonatën dhe mbajti shënim kërkesën e veçantë, u përgjigj me mirësjellje se “Byroja nuk kishte juridiksion në çështje të tilla”.
Ishte mbyllur mbrëmjen e 14 dhjetorit ose mëngjesin e 15 dhjetorit 1942 jeta e Faik Konicës, e njërit prej rilindësve të kombit e themeluesve të shtetit modern shqiptar, e një personaliteti me dije dhe kulturë të jashtëzakonshme, e gjuhëtarit dhe letrarit të rrallë, e njërit ndër diplomatët më të shquar që patën punuar ndonjëherë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e njërit prej udhëheqësve më të mëdhenj të diasporave shqiptare në Evropë e SHBA – themelues i VATRA-s dhe kryeredaktor i “Diellit”, e botuesit dhe redaktorit të revistës së famshme “Albania” etj.
Vdekja e Faik Konicës ndodhte pikërisht katër ditë pas deklaratës historike të 10 dhjetorit 1942 të Sekretarit amerikan të Shtetit, Cordel Hull, në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë së çliruar. Sikurse do të rrëfehet nga dokumentet e paraqitura më poshtë, një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë deklaratë do të jepnin vetë Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët kishin qenë në kontakte të vazhdueshme dhe bashkëpunim të ngushtë me qeverinë amerikane në lidhje me çështjet shqiptare.
Mirëpo, sikurse do të shpjegohet një herë tjetër, vdekja e Faikut do të shënonte edhe mbylljen e dosjes hetimore ndaj tij, të hapur rreth dy vjet më parë, nga një krah tjetër i administratës amerikane, më saktë nga FBI-ja.
Nga kjo dosje, edhe pse e hollë, mësojmë të dhëna të tjera për dy vitet e fundit të jetës së burrit të shtetit dhe diplomatit të shquar shqiptar. Dhe së fundi, vdekja e papritur e Konicës do të hapte një plagë ende sot të pambyllur të trashëgimisë historike e kulturore të kombit shqiptar – atë të amanetit të papërmbushur të Faik Konicës, që biblioteka dhe letrat e tij, t’i mbeteshin në trashëgim e ruajtje Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
Konica u largua kur çështja shqiptare ndodhej midis njërit prej udhëkryqeve të veta më të vështira. E pushtuar nga Italia fashiste, Shqipëria kishte humbur sovranitetin dhe personalitetin e vet juridik si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Lufta italo-greke papritmas e kishte vënë edhe më shumë në rrezik tërësinë tokësore të vendit, duke ringjallur pretendimet absurde territoriale të fqinjëve, të mbështetura edhe nga Anglia.
Ditët e fundit të jetës së Konicës ishin kësisoj ditë me intensitet të jashtëzakonshëm. Me një energji, këmbëngulje dhe qartësi të rrallë, Konica me Nolin po luftonin sërish, si dikur në Boston më 1912-ën, kur themeluan “VATREN”, për të shpëtuar atdheun në rrezik.
Sipas tyre (I) Shqipëria ishte sërish në rrezik copëtimi për shkak të intrigave të fqinjëve të saj, ku kësaj radhe po përfshihej edhe Londra; (II) rreziku shtohej nga mungesa e përfaqësimit dhe nga përçarja midis vedit; dhe (III) sikurse më 1919-ën, në kohën e Presidentit Wilson shqiptarët, kudo ku ishin, shpresën e mbanin tek qëndrimi i Shteteve të Bashkuara.
Në kushte tejet të koklavitura të fundit të vitit 1942, kur gjendja në Shqipëri ishte krejt e paqartë, patriotët shqiptarë – përfshirë Nolin dhe Konicën – panë shpresën tek mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse në lidhje me vazhdimësinë juridike të shtetit shqiptar, tek personaliteti dhe figura e Mbretit Zog.
Ata kësisoj u bashkuan pa ngurrim pas Zogut, pavarësisht nga rezervat, kontradiktat dhe përplasjet e jashtëzakonshme që kishin pasur me të më përpara. Mirëpo qëndrimi i pjekur i këtyre dy hommes d’etat, të cilët vinin mbi gjithçka interesat e Shqipërisë, ishte ballafaquar me kundërshtarë të rreptë të Mbretit Zog, në krye të të cilëve ishte vënë Kostandin Çekrezi, dikur mik dhe bashkëpunëtor i Nolit dhe Konicës, i cili, sikurse edhe ata, kishte studiuar në Universitetin e Harvardit dhe më 1942-in ishte kryetar i shoqatës së porsa-formuar në Amerikë “Shqipëria e Lirë”.
Shtetet e Bashkuara hynë zyrtarisht në Luftën e Dytë Botërore pas sulmit të Pearl Harbor-it më 7 dhjetor 1941. Kjo solli ndryshime të mëdha në administratën amerikane. Një prej tyre ishte ngritja e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), pararendëse e CIA-s, e cila pati dy qëllime kryesore: (I) mbledhjen e informacionit të saktë; dhe (II) nxitjen e lëvizjeve çlirimtare klandestine në Evropën e pushtuar, ku përfshihej angazhimi i amerikanëve me prejardhje nga ato vende.
Ndërkohë që ngjarjet në Evropë po rrokulliseshin me shpejtësi, qeveria amerikane ndiqte me vëmendje zhvillimet në të gjitha teatrot e luftës, përfshirë Ballkanin me Shqipërinë. Një ndër zhvillimet më interesante lidhur me Shqipërinë ishte përpjekja e OSS për të bashkuar diasporën shqiptare dhe për t’i dhënë mbështetje morale e ndihmë ushtarake forcave guerilase në terren.
Kështu, “me 18 nëntor 1942 OSS ftoi përfaqësuesit e Vatra-s dhe Çekrezin për të diskutuar mënyrat për konsolidimin e aktivitetit të grupeve rivale në një këshill të përbashkët”. Edhe 27 ditë. Në fakt, takimi u krye me 19 nëntor 1942 – d.m.th. njëzeteshtatë dit para vdekjes së Faikut – midis Faik Konicës e Fan Nolit nga një anë dhe Earl Brennan-it nga ana tjetër.
Për Brennan nuk dihet shumë, përveçse ai, bashkë me njëfarë Philip Adams, ishin ndër zyrtarët e parë që u morën me çështje shqiptare tek OSS-it. Hollësitë e takimit na i jep vetë Konica në një letër dërguar Sekretarit Hull.
Shkruan Faiku:
1530 Sixteenth Street
Washington, D.C.
21 Nëntor 1943
Zotëri:
Peshkop Noli nga Bostoni, dikur kryetar i qeverisë së Shqipërisë, dhe unë u ftuam nga z. Earl Brennan i Zyrës së Shërbimeve Strategjike, për një shkëmbim pikëpamjesh për gjendjen në Shqipëri. Në fund ne i dorëzuam z. Brennan një deklaratë, dy kopje të së cilës ndodhen bashkëngjitur për dijeninë tuaj.
Përfitoj nga rasti, Zotëri, t’ju përsëris siguritë e konsideratës time më të lartë.
Nënshkruar
Faik Konitza
Ish-Ministër i Shqipërisë
Shumë të përndershmit Cordell Hull
Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara
Letra e Konicës, edhe pse e shkurtër, është model i komunikimit diplomatik. Aty ndjehet pesha e momentit historik, fryma e autoritetit – e shprehur nga citimi i funksioneve shtetërore të Nolit dhe të atij vetë; nevoja e unitetit:
Konica e kishte kritikuar pafund qeverisjen e Nolit më 1924 dhe shpesh atë të Zogut më pas; e pra, tash, kur atdheu ishte në rrezik, ai ishte bashkuar sërish me mikun dhe bashkëluftëtarin e vet të kohës së Harvardit dhe të “Vatrës”, si dhe me vetë Ahmet Zogun, të cilin e njihte mjaft mirë.
Në këtë linjë është edhe Deklarata Noli-Konica, bashkëngjitur:
“Ne, të nënshkruarit, u ftuam prej njërës nga zyrat e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Washington, për shkëmbim pikëpamjesh lidhur me mënyrën më të mirë për organizimin e një qeverie shqiptare në mërgim.
Gjatë bisedës ne theksuam këto pika:
- Vetëm një front i bashkuar shqiptar që do të përfshinte të gjitha personalitetet e mundshme shqiptare do të kishte shans që të tërhiqte nga pas të gjithë popullin shqiptar dhe të ishte i dobishëm për Kombet e Bashkuara;
- Mbreti Zog mbetet personaliteti shqiptar më i shquar që është gjallë (the foremost living Albanian personality), dhe përjashtimi i tij do t’a xhvishte lëvizjen e propozuar nga fuqia e saj;
- Asnjë pjestar i këtij fronti të bashkuar nuk duhet të detyrohet të heqë dorë nga ideologjia e vet politike, por do të bashkëpunojë derisa integriteti territorial dhe pavarësia e Shqipërisë të sigurohen në Konferencën e Paqes; paskëtaj secili do të rifitojë lirinë e vet të veprimit;
- “Qeveri të përkohshme” si ajo e propozuar nga z. Çekrezi dhe shokët e tij do të ishin jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme (worse than useless); ato nuk do të ndihmonin as Shqipërinë dhe as Kombet e Bashkuara, madje do të nxisnin më tej planet e atyre fqinjëve që kanë deklaruar zyrtarisht se duan copëtimin e Shqipërisë; dhe Ne mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë me gjithë zemër dhe në çdo kohë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara.
Faik Konitza
† F. S. Noli
Washington, 19 nëntor 1942.
Ky dokument i rrallë tregon edhe njëherë thelbin e botëkuptimit politik të të dy gjigantëve të Rilindjes së kombit dhe shtetit shqiptar: Për ta, pavarësia e Shqipërisë, ruajtja e integritetit të saj territorial dhe mirëqenia e kombit, ishin mbi gjithçka.
Deri tash nuk e kemi në dorë raportin e Brennanit për takimin e 19 nëntorit. Gjithsesi, kontaktin me të Konica nuk e la me aq. Më 28 nëntor 1942, Sekretari i Shtetit, Cordell Hull, bëri komentin e parë për Shqipërinë në një konferencë të zakonshme shtypi.
Duke iu referuar “disa miqve të Shqipërisë në SHBA-ës, që ishin të shqetësuar për të ardhmen e vendit”, një gazetar e pyeti Sekretarin e Shtetit, nëse kishte ndonjë koment për të bërë dhe sidomos; “nëse ai e konsideronte Shqipërinë si një ndër vendet që do të çliroheshin nga forcat aleate”.
Në një përgjigje të shpejtë (offhand), Sekretari tha se; “të gjithë e mbajmë mend se si populli i pafajshëm dhe paqësor (non-offending) i Shqipërisë u pushtua dhe u zu (seized) nga ushtritë italiane në befasi dhe pa pretekstin më të vogël (remotest) dhe se njëfarë qeverie u vendos aty nga autoritetet italiane.
Në këto rrethana mbetet detyra e lartë e çdo shqiptari dhe çdo qytetari tjetër të ndershëm që të qëllojë (shoot at sight) kundër çdo ushtari Italian që do të hasë në vendin e vet dhe që i mohon atij populli të drejtat dhe liritë që meriton (just rights an liberties)”.
Sigurisht Konica ishte mjaft i njohur në qarqet diplomatike dhe gazetareske të Washington-it, ku kishte shërbyer kaq vjet dhe ku kishte lidhur aleanca e miqësira të vërteta. Nuk e dimë nëse pyetja ishte deridiku e porositur, por ajo çka mund të themi me siguri ishte se ai dhe Noli nuk mbetën krejt të kënaqur nga deklarata e Sekretarit Hull./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm















