Nga Mark Brunga
Memorie.al / Zonat bregdetare të Durrësit janë të pasura me rezerva gazi dhe nafte. Në vitet ’80-të në të janë kryer kërkime nga një ndërmarrje shtetërore e specializuar për kërkime nafte, ndërmarrje kjo që ishte instaluar në qytetin e Durrësit me veprimtari në det, me anije të ndërtuar nga Kantieri Detar, ndërsa me administratë ndërmarrja ishte vendosur në zonën e Shkozetit. Në Porto Romano ku ndodhej baza ushtarake e Bisht Pallës, ose e njohur si e Kepit të Palit, në hyrje të sajë gazi shpërthen dhe del i lirë në natyrë. Duke u interesuar për këtë fenomen, në ato vite të shekullit të kaluar, një grup të rinjsh të asaj kohe, kanë realizuar në hyrje të portit një vepër inxhinierike të marrjes se gazit direkt nga fundi i detit ku dilte, për ta përpunuar dhe për ta bërë të efektshme në repartin e marinës ushtarake dhe më vonë ky gaz do të gjente përdorim, deri ne rritjen e gatishmërisë së mjeteve. Dalja e gazit ishte konstatuar në rreth 450 m distancë hyrje të portit në një thellësi prej 8 metrash.
Për ndërtimin e konstruksionit janë përdorur mjete rrethanore, deri te një nga trampolinat e përdorura për hedhje të notarëve në det etj. Me këtë trampolinë u modifikua një tip kambane nënujore, që e zhytur “mbyste” frymëmarrjen e gazit dhe e kanalizonte atë në rezervuarin përkatës. Për këtë u hartuan skicat e projektit dhe pasi u bë montimi i pajisjeve me të gjitha strukturat metalike të nevojshme, u montua impianti me kapacitet 1500 m. kub gaz në ditë.
“Montimi, – kujtojnë konstruktori Thoma Berberi dhe mekaniku i talentuar Agim Mema – pati vështirësi të cilat falë përvojës së grumbulluar u kaluan dhe impianti u vu në punë”. Të gjitha punimet kujtojnë ata, u kryen jashtë orarit zyrtar. Disa vite pas vënies në shfrytëzim, impianti, i cili ndodhet edhe sot në atë vend ku u montua në ato vite, u dëmtua nga punonjës të tjerë të bazës. Lidhur me përpjekjet e realizimit të këtij impianti gaz-mbledhës në det, Berberi dhe Mema, sjellin foto ekskluzive dhe kujtojnë vështirësitë por edhe kënaqësinë që u dha ky realizim i rrallë në vendin tonë për të vënë në përdorim gazin e mbledhur nga fundi i detit.
Thoma Berberi thotë se në atë periudhë të vështirë ekonomike për vendin, problemi i kursimeve të bazës materialo-teknike dhe kursimeve të tjera ishte në rendin e ditës. – “Për këtë duke u nisur nga gazi që dilte ne menduam që ta kanalizonim në një leverdi ekonomike për vetë bazën ushtarake. Për këtë menduam që të realizonim impiantin e grumbullimit të tij dhe me të të mbahej e ngrohur një kaldajë dhe kur të jepej alarm për repartin ushtarak ajo do ndikonte në dërgimin e ujit të nxehtë në motorë për të dalë më shpejt në det.
Duke qenë se ishim pjesë e grupit shkencor, propozuam gaz-mbledhësin. Kaldaja kishte rezervuarin dhe miku im Agim Mema kishte përvojë pasi kishte punuar si specialist në repartin e kaldajave. Uji nga rezervuari i kaldajës do të shkonte me presion në motorët e anijeve luftarake, sidomos të katerave siluruese. Kjo shkurtonte kohën e ngrohjes së motorëve sidomos në raste alarmesh. Uji i ngrohur që shkonte me presion te ato, bënte që nga 20 minuta kohë që kërkonte për tu normalizuar për lundrim, afati të shkonte në 5 minuta. Pra rriste gatishmërinë luftarake me 15 minuta më shpejt”.
Nga projekti paraprak te prodhimi i konstruksionit, Thomai tregon se pasi u konsultua me shokët, përgatiti dhe një projekt të cilin e paraqitën paraprakisht për të parë leverdinë ekonomike që do të sillte kambana nënujore gaz-mbledhëse. “Pasi u muar miratimi, u fillua nga puna. U morën pantonet (pjesë bankinash metalike të lundrueshme, të përdorura që para Luftës së Dytë Botërore) dhe që kishin mbetur tashmë si galixhante lundruese pranë kantierit detar.
Po ashtu u muar edhe një trampolinë që përdorej në plazh nga notarët amatorë për të realizuar hedhje në det gjatë stinës së verës, e cila qe dëmtuar dhe dallgët e kishin nxjerrë në breg. Ato i ngarkuam në mjete transporti të mëdha dhe i çuam në bazën e Bisht Pallës. Aty filluam prerjet me oksigjen dhe saldimet sipas projektit. Patëm punë pasi vetëm trampolina që po modifikohej, peshonte rreth 17 ton.
Agim Mema, specialist i montimit, kishte një përvojë paraprake pasi punonte në Ndërmarrjen e Prodhimit të Kaldajave dhe përvoja e tij shërbeu për modifikimet dhe montimet e valvulave të impiantit, që kërkonin saktësi dhe precizon”. Ai tregon për vështirësitë që u tejkaluan pasi kishin probleme mungesash materiale. Që u përballuan nga ekipi i kompletuar me mekanikë saldatorë etj. Kambana kishte përmasa të mëdha 12 x 20 m. Paraprakisht u sheshua sipërfaqja nënujore e relievit ku do të stabilizohej objekti.
Montimi i kambanës nën ujë dhe peripecitë
Kambana pati disa peripeci deri në montim. Së pari Komanda e Bazës Ushtarake hezitoi të lejonte vendosjen e sajë në hyrje, pasi dyshonte se në se mund të difektohej gjatë vendosjes, ajo mund të bëhej shkak për të bllokuar daljen në det të mjeteve luftarake në raste alarmi. Po pasi u verifikua u lejua montimi. Për transportin e kambanës u muar biga e vogël portit. “Biga filloi të lëkundej nga dallgët dhe impianti nisi të lëkundej si lavjerrës sahati. Rrezikonte të dëmtohej. Madje pati dhe një përplasje në vinçin lundrues.
Atëherë e ulëm në det. Dhe e rimorkiuam me anije. Ajo funksiononte edhe në lundrim sipas parimit të nëndetëses. Hapeshin valvulat, nxirrej ajri jashtë dhe mbushej me ujë. Kur u dërgua në pozicionin ku dilte gazi, u montua dhe u zhyt. Për të realizuar ngjeshjen e objektit me dheun u punua edhe nën ujë me kostumet e zhytjes që u a kishte dhënë Muzeu Arkeologjik i qytetit. Pas montimit u provua presionimi i gazit si dhe ndezja. Ishte realizim i madh në ato kushte për ne “!
Impianti mblidhte çdo ditë rreth 1400 m3 gaz
Ai funksionoi normalisht duke zgjidhur shumë probleme, deri kur u kërkua zhvendosja dhe specialistët e bazës ushtarake kërkuan ta tërheqin me kavo, pasi nuk e dinin se si mund të funksiononin valvulat me anë të të cilave mund t’i shkarkohej uji dhe të dilte në sipërfaqe e të zhvendosej me lundrim. Nga tërheqja me kavo në ujë, u dëmtua dhe doli jashtë përdorimit.
Rrënojat e këtij objekti ndodhen edhe sot nën ujë…! Impianti sipas tyre ka ndenjur në shfrytëzim në Bazën Ushtarako Detare të Bisht Pallës, rreth 4 vite. “Në se do të kërkohej të bëhej një i ri në periudhën e tanishme, në kushtet e ekonomisë së tregut, një impiant i tillë do të kërkonte rreth 500 mije euro investim” -saktësojnë Berberi dhe Mema.
Gazi i bregdetit të Durrësit, në optiken e kompanive të fuqishme botërore
Në vitin 2011, agjencitë ndërkombëtare emetuan lajmin se në Bllokun Durrësi, një anije nis “gjueti” sizmike 3D, për gaz. Oisín Fanning, Kryetar Ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të kompanisë “San Leon Energy, ka deklaruar se: “Shqipëria po ngjall interes të madh ndërkombëtar në këtë kohë dhe jemi të ngazëllyer nga potenciali që shohim”.
Pothuajse të gjithë agjencitë e lajmeve në mbarë botën, dhanë më 18 mars 2011, njoftimin e bërë nga Dublini (Irlandë) se kompania norvegjeze Petroleum Geo-Physical AS (“PGS”) ka filluar të sigurojë të dhëna sizmike në det të hapur në “Bllokun e Durrësit” për llogari të operatorit irlandez “San Leon” dhe partnerit, “Beach Energy”.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, më 12 janar 2011, miratoi liçencën për kërkim-shpim nafte në bllokun “Durrësi” në det, në favor të kompanisë iralndeze “San Leon”, dhe partnerit të saj, kompanisë australiane “Beach Energy”. “San Leon”, zotëronte në atë periudhë, 75 për qind të interesit të pjesëmarrjes në bllok, kurse “Beach Energy” mban të 25 për qind. Pas marrjes së liçencës, “San Leon” kontraktoi kompaninë “Petroleum Geo-Fizike AS” (PGS) për të kryer studimin, duke përdorur anijen sizmike “Ramform Vanguard”, në një sipërfaqe 840 km. katrorë, programi më i madh 3D që është realizuar ndonjëherë në det të hapur, në Shqipëri, thotë “San Leon”.
Programi ishte dizajnuar për të vlerësuar strukturat perspektive, duke përfshirë edhe fushën gazmbajtëse të kondesatit “A4-1X”, përpara shpimit në vitet e ardhshme. Australianët e kompanisë “Beach Energy” kanë rënë dakord të paguajnë gjysmën e shpenzimeve të programit sizmik në këmbim të një opsion për të rritur pjesën e vet në licencë nga 25 në 59 për qind.
PGS-ja ka siguruar një kontratë 50 milionë dollarësh amerikanë, për të kryer punimet sizmike, të cilat do t’i mbulojë me kostot “San Leon”. Blloku i Durrësit, theksohej, përmban një fushë gazmbajtës kondesat të pa vënë në shfrytëzim “A4-1X” e zbuluar në vitin 1993, në një distancë 30 kilometra nga bregdetit jugor i Shqipërisë.
Zbulimi ka treguar një potenciali burimesh me rreth 150 miliardë këmbë kub [1 këmbë = 28,3168466 litra] gaz dhe 38 milionë fuçi kondensat. Oisín Fanning, Kryetar Ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të kompanisë “San Leon Energy”, komentoi: “Ky projekt është katalizator për programin tonë të eksplorimit në Shqipëri. Jemi të gëzuar së tepërmi nga miratimi që bëri Këshilli i Ministrave i Shqipërisë dhe tani mund të përqendrohemi në programin tonë të ardhshëm sizmik 3D (tre-dimensional).
Shohim potencial të madh në Shqipëri, dhe jemi të sigurt për përfundimin me sukses të vlerësimit të ardhshëm dhe ekspertizës së zbulimit të pusit A4-1X. Shqipëria po hyn me shpejtësi në portofolin tonë, ndërkaq ekipi ynë nënujor vazhdon të zhvillojë një inventar mundësish eksplorimi. “Shqipëria po ngjall interes të madh ndërkombëtar në këtë kohë dhe jemi të ngazëllyer nga potenciali që ne shohim në sipërfaqen tonë”, shtoi ai./ Memorie.al











