• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, November 11, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Duke marrë në vështrim gjithë firmatarët e Aktit të Pavarësisë dhe duke njohur edhe kontributin e tyre deri më atë kohë, duket qartë se Gurakuqi…”/ Refleksionet e studiueses dhe gjuhëtares së njohur

“E vërteta e fotos së shpalljes së Pavarësisë, që nuk është e 28 nëntorit 1912 dhe historia e shtëpisë ku Ismail Qemali me…”/ Dëshmitë e panjohura e publicistit nga Vlora
“Kur e pa se trupi i tij po kalbej, ai vetë i kërkoi së ëmës, t’u thoshte që ta vrisnin, se nuk mundej më dhe ajo shkoi te kryetari i Degës, Zoi Themeli, i cili…”/ Historia tronditëse e klerikut të famshëm
“Shoqëroi Ismail Qemalin në Vlorë ku firmosi pavarësinë dhe u emërua kryesekretar i tij dhe ministër i Bujqësisë, por Enveri e shpalli ‘reaksionar’, dhe…”/ Dëshmitë e rralla e nipit të tij
Memorie.al
“Stefan Kaçulini ishte i vetmi durrsak që priti Ismail Qemalin në Durrës dhe si përkrahës i Princ Vidit, Haxhi Qamili me Esat Toptanin, e…”/ Historia e panjohur e familjes së famshme, Kaçulini
“Babai im, priti dhe ndihmoi me para Ismail Qemalin në 1912-ën, strehoi popullsinë çame në 1914-ën, financoi Luftën e Vlorës në ’20-ën dhe vdiq në mjerim …”/ Historia e panjohur pasanikut vlonjat
“Në 1945-ën, Mehmet Shehu thirri vjehrrin tim, Qamil Vlorën, që ishte i biri i Ismail Qemalit dhe i kërkoi…”/ Historia e panjohur e djalit të Plakut të Vlorës, që u burgos nga Enver Hoxha

Nga Ledi Shamku

Memorie.al / Jemi në vigjilje të 28 nëntorit. Vigjiljet e kremteve shpesh bëhen shkak që disa pyetje të thjeshta – e pikërisht se të thjeshta edhe të qenësishme – të dalin vetiu me ngulm në qendër të vëmendjes e të lypin përgjigje. Edhe 28 nëntori ka kohë që zgjon të tilla pyetje; njëra syresh lidhet pikërisht me “Formulën e Pavarësisë” dhe me shkruesin e saj. Kush e shkroi këtë paragraf historik? Kjo pyetje deri më sot është marrë ad literam, pra me ngulmin për të kërkuar dorën që e shkroi, më fort sesa mendjen që e hartoi! Ndaj edhe është menduar që kjo hamendje të kjartësohet njëherë e mirë, duke ndërmarrë ekspertizën shkencore të krahasuar të kaligrafisë së dokumentit – për ruajtjen e të cilit historiografia jonë duhet t’i jetë mirënjohëse njërit prej martirëve të saj, Lef Nosit.

Natyrisht ka rëndësinë e vet edhe detaji i grafisë, por ai nuk mund të jetë parësori po për të njëjtën arsye që nuk cilësohet parësore fotografia e dikujt në raport me praninë. Kështu pyetja; “kush e ka shkruar Formulën e Pavarësisë”? don të thotë më saktësisht: “kush e ka konceptuar atë”? Dhe këtu ekspertiza e grafisë bën mënjanë e hyn në veprim analiza gjuhësore e tekstit të “formulës”, duke ndjekur pakashumë gjurmët e diálektos-it, shqisës së katërt sipas renditjes aristoteliane, e cila na lidh me të tjerët dhe botën përreth më shumë se çdo shqisë tjetër.

Po e sjellim edhe njëherë këtu të transkriptuar formulën tonë: “Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan, që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

Gjithashtu mund të lexoni

“Rreth viteve ’80-të, aktori i njohur me famë botërore, Bud Spencer, ka qëndruar në hotel ‘Adriatik’ në Durrës dhe filmat e tij…”/ Ekspozita e rrallë “Turistët e përgjuar”, e dy vajzave durrsake

“Në raportin e plenumit 9-të të PKSH-së, Enver Hoxha deklaroi: thuhet se Kristo Themelko ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por ata ishin…”/ Ana e errët e “Luftës Nacionalçlirimtare”

Në vështrim të parë, pa hyrë ende në analiza më të hollësishme, bie në sy një kompetencë e lartë gjuhësore e atij që ka hartuar paragrafin e mësipërm, si dhe një njohje mjaft e mirë e stileve të shqipes; kjo pasi fragmenti, gjuhësisht, i përket regjistrit të lartë kancelaresk. Kështu, sa i takon përemrit lidhor, vihet re zëvendësimi i plotë i “që”-së gjysëmformale dhe informale me formën e epërme shkrimore “i cili / e cila”; e po ashtu edhe trajta sintaksore është e rendit klasik ftillues, pa asnjë zhvendosje, pra, që mund të cënonte stilin formal. Por para se të vijojmë me përimtime të tjera, ia vlen gjithashtu që gjuhësisht ta vendosim në kohë këtë formulim në shqipet, pasi sot një kompetencë e tillë, mund të duket vërtet e rëndomtë për shumëkënd.

Qe viti 1912, vetëm 4 vjet pas Kongresit të Manastirit, ku u vendos alfabeti i shqipes, por censura mbi shkrimin dhe mësimin e saj aherë nuk reshti, pasi turqit e rinj e patën mbyllë ‘Normalen’ e Elbasanit, pak kohë pasi u hap. Shqipëria po mundohej të dilte nga terrina osmane e të formonte një shtet, pra edhe një gjuhë të përbashkët, por ‘Komisija Letrare’ (1916) që do të institucionalizonte fillimin e këtij procesi, qe ende katër vjet larg. Për pasojë një njohuri të tillë mbi stilet e regjistrat e shqipes asokohe, pakkush mund ta kishte.

E ky natyrisht nuk mund të ishte Ismail Bej Vlora, i cili qe një politikan-diplomat i Portës së Lartë dhe e kishte kompetencën politike për ta përfunduar tubimin e Vlorës me një formulë të tipit telegrafik, ku lajmoheshin shtetet se Shqipëria shpalli pavarësinë. Vërtet një procedurë e tillë mbulohej nga kompetenca e tij politike, por kësaj kompetence nuk i përgjigjej e njëjta aftësi gjuhësore, e plakut te shquar, me të cilën shohim sot se është hartuar kjo “formulë”. Pra hartuesi nuk mund të ishte Ismail Bej Vlora. Vijojmë më tej.

Më 1912, kish mëse gjysëm shekulli që kish nisur të lavrohej mirë edhe Koineja Toske e gjuhës së shkruar, sidomos në fushë të publicistikës. Kjo na lejon të shtrojmë një pyetje thelbësore, pa të cilën kjo analizë nuk mund të bëhet: si paraqitet raporti i zgjedhjeve gjuhësore në këtë “formulë”?

Le t’i analizojmë e grupojmë formantet e saj (të cilat më lart janë nxjerrë në pah me të zezë). Kësisoj, “fjalëvet”: mbaresa “t” është mbaresë e vjetër e shqipes, e përbashkët për gegnisht e toskërisht, ndaj shohim më tej.

  1. Jemi para grupfjalëshit (sintagmës) “Z. Kryetari”, e cila duke u shkruar gjatë, del “Zotni Kryetari”, pra na shfaqet në koinenë gege dhe këtë ftillim na e përcakton fjala “Kryetari” e cila jepet e shquar. Po të shkruhej në koinenë toske, do ta kishim “Z. Kryetar = Zoti Kryetar”, pra në të pashquarën, pasi do shquhej formula e politesës me “zoti”.
  2. Më pas hasim formën “e math”: kjo afërmendsh është toskë, me shurdhimin karakteristik fundor të dh-së në th.
  3. Po ashtu, ndonëse fjala “ndodhet”, si leksemë i takon edhe gegnishtes edhe toskërishtes, në “formulën” tonë, si stilemë, ajo priret më shumë për nga tipi medio-jugor, pasi Veriu do të kish parapëlqyer në këtë rast stilemën “gjindet”.
  4. Edhe “Shqipëria”, të dyja herët që na shfaqet, del në trajtë toskë, e rotacizuar, pra jo si “Shqipnia”.
  5. “Shqipëria” (për herë të dytë) si më sipër.
  6. Gjithashtu, si element i toskërishtes mund të merret gjithaq prania e madhe e “ë”-ve, edhe aty ku gegnishtja nuk i ka.
  7. Forma “zâ” afërmendsh që është formë gege, me hundoren tipike.
  8. “Venduan”: edhe kjo monemë është gjithashtu gege dhe ftillohet si e tipit vendoj / me vendue / venduen, paçka se gramatikisht jepet në ekuilibër “venduan”, pra me model gegë por me togun toskë “ua”. Po të ishtë mirëfilli toske, do të ftillohej: vendos / vendosën. Kjo monemë mjaft interesante shpreh edhe ato mikroekuilibre gjuhësore brenda një fjale të vetme – pos atyre makro, më të vërejtshëm.
  9. Grupi “me sot” është sintagmë gege, e cila në toskërisht do kishte si përgjegjëse grupin “nga sot”.
  10. Forma “bâhet” shfaqet sërish si formë gege, me hundoren “â”.
  11. Forma “vehte” është formë toske, e cila, siç dihet ka ardhur nga një metatezë e formës së vjetër “vetëhe” e që mandej ka pësuar rrudhjen fonetike.
  12. Formantja “e mosvarme” është morfemë gege, por edhe kjo, si tek pika 8, është e tipit të mesëm.

Kështu pas këtij skanimi gramatikor të tekstit të formulës mund të bëhen dy konstatime të tjera gjuhësore. Së pari që elementet nga Koinetë Gege dhe Toske janë në ekuilibër të plotë mes tyre (6 me 6) dhe së dyti që format e zgjedhura si përfaqësuese janë edhe ato të Tipit të Mesëm.

Duke i përmbledhur rezultatet e kësaj analize gjuhësore të përshkallëzuar, del se individi që konceptoi (“shkroi”) Formulën e Pavarësisë, ka një kompetencë tejet të lartë gjuhësore për kohën; ai është njohës i shkëlqyer i stileve të shqipes, i gramatikës së dy koineve të saj – toskë dhe gegë – si dhe është militant i pajtimit gjuhësor kombëtar, nëpërmjet përdorimit të formave të mesme.

Duke marrë në vështrim gjithë firmatarët e Aktit të Pavarësisë dhe duke njohur edhe kontributin e spikamat e tyre deri më atë kohë, duket qartë se një figurë e tillë, s’mund të ish veçse mentori Luigj Gurakuqi, stilologu më në zë i gjuhës shqipe, për të cilin Justin Rrota do shkruante se; “gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthellë se çdo shqyptar e, s’kish mbledhí e çashtje gjuhe kû të mos gjindej, mos të mirrte pjesë, mos të ngulte mendimi e gjyqi i tij”.

Dhe si për të na e forcuar më fort këtë bindje tonën se jemi bash përpara kësaj figure, Padër Justini shtonte se: “Shkolla ‘Normale’ e Elbasanit, ‘Komisija Letrare e Shkodrës’, janë shkallë ari të nji ngjitjes së madhënueshme kah kreshtët e lavdís së tij”.

Në përmbyllje të kësaj cekase mbi tekstin e Formulës së Pavarësisë, ndofta përfundimi e kapton misionin fillestar të saj. Pra mund të themi me siguri se këtë paragraf, historik për shqiptarët, e ka konceptuar vetë Luigj Gurakuqi. Por mund të themi edhe se ai intelekt i epërm na ka dhënë bashkë me atë “formulë” edhe një leksion demokracie, që sot ende nuk po e shohim – as në fushë të gjuhës./ Memorie.al

Tiranë, 26 Nëntor 2007

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Telegrami i nëndrejtorit të policisë së Korçës, dërguar shefit të tij në Paris, kapiten Votit, e zgjoi delegacionin shqiptar...”/ Historia e kapiten Blloshmit, i cili shpëtoi Korçën nga okupimi grek

Artikuj të ngjashëm

“Rreth viteve ’80-të, aktori i njohur me famë botërore, Bud Spencer, ka qëndruar në hotel ‘Adriatik’ në Durrës dhe filmat e tij…”/ Ekspozita e rrallë “Turistët e përgjuar”, e dy vajzave durrsake
Dossier

“Rreth viteve ’80-të, aktori i njohur me famë botërore, Bud Spencer, ka qëndruar në hotel ‘Adriatik’ në Durrës dhe filmat e tij…”/ Ekspozita e rrallë “Turistët e përgjuar”, e dy vajzave durrsake

November 9, 2025
“Lufta për çlirimin e Tiranës ishte e panevojshme, pasi i kushtoi ushtrisë partizane 127 të vrarë, 290 të plagosur e, dëme materiale, vonoi kryeqytetin 10 ditë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur          
Dossier

“Në raportin e plenumit 9-të të PKSH-së, Enver Hoxha deklaroi: thuhet se Kristo Themelko ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por ata ishin…”/ Ana e errët e “Luftës Nacionalçlirimtare”

November 8, 2025
“Është thënë, se letra i shkoi me vonesë komandantit të Brigadës, Shefqet Peçit, por në të vërtetë, ai e mori…”/ Historia e panjohur e masakrës së Buzë-madhes, ku u vranë 21 burra të pafajshëm, shtator ‘43
Dossier

“Është thënë, se letra i shkoi me vonesë komandantit të Brigadës, Shefqet Peçit, por në të vërtetë, ai e mori…”/ Historia e panjohur e masakrës së Buzë-madhes, ku u vranë 21 burra të pafajshëm, shtator ‘43

November 7, 2025
“Kur ish-ministri Abdurrahman Dibra, mik i ngushtë i Zogut, i kishte thënë atij se; Luigj Gurakuqi po të shan dhe të përflet, Zogu i përgjigj…”/ Refleksionet e publicisti të njohur, ish-ambasador në Vatikan
Dossier

“Kur ish-ministri Abdurrahman Dibra, mik i ngushtë i Zogut, i kishte thënë atij se; Luigj Gurakuqi po të shan dhe të përflet, Zogu i përgjigj…”/ Refleksionet e publicisti të njohur, ish-ambasador në Vatikan

November 7, 2025
“Kur erdhën për ta marrë nga qelia, Xhemili, u tha policëve; s’dua të vdes nga plumbat tuaj dhe pasi ngriti këmishën, me një mjet prerës…”/ Dëshmia rrëqethëse e ish-të dënuarit që vuajti 19 vjet burg
Dossier

“Komisioni vendosi qitjen jashtë Tirane dhe të kihet kujdes që asnjë anëtar i këtyre familjeve…”/ Zbulohet dokumenti me emrat e 500 familjeve “reaksionare” që u përzunë nga Tirana, më 7 nëntor 1946

November 6, 2025
“Kur motoskafi i kontrabandistëve italianë nuk zbatonte urdhrat për të ndaluar, por tentonte të largohej, komandanti i anijes, Aleko K., qëlloi në drejtim të tyre …”/ Dëshmia e rrallë e ish-ushtarakut të Marinës
Dossier

“Kur motoskafi i kontrabandistëve italianë nuk zbatonte urdhrat për të ndaluar, por tentonte të largohej, komandanti i anijes, Aleko K., qëlloi në drejtim të tyre …”/ Dëshmia e rrallë e ish-ushtarakut të Marinës

November 5, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme