• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Wednesday, November 5, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Në Liceun ‘Atë Gjergj Fishta’ kisha shokë klase Androkli Kostallarin, Vasil Katin etj., të lidhur me grupin komunist, kurse Injac Toni e Hamdi Sokoli me ‘Ballin Kombëtar’…”/ Dëshmia e rrallë e Sami Repishtit

“Disa polic në kampin e Bedenit, i vunë një të burgosuri në kurriz, një karrocë plot me dhé, e kur u rrëzue, i ranë me shqelma. Ai ishte profesori…”/ Dëshmia rrëqethëse e intelektualit të njohur nga SHBA-ës
“Komunizmi vret e masakron elitën e një kombi, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorët e mediokrit, pasi…”/ Refleksione të studiuesit të njohur nga SHBA-ja
“Disa polic në kampin e Bedenit, i vunë një të burgosuri në kurriz, një karrocë plot me dhé, e kur u rrëzue, i ranë me shqelma. Ai ishte profesori…”/ Dëshmia rrëqethëse e intelektualit të njohur nga SHBA-ës
“Lutjeve të nanës që pyeste ata Sigurimit, se; ku e kam djalin, i përgjigjeshin me tallje; nuk është larg, ti e di se ku janë varrezat…”?! / Kujtimet e Sami Repishtit, i arratisur nga Shqipëria, në 1959-ën
“Hetuesi mori nji thikë e me tehun e saj, më preu mishin në rranzë të kofshës dhe kur gjaku filloi me rrjedhë, ai mori krypën nga tryeza…”/ Dëshmia tronditëse e ish-të dënuarit politik nga SHBA-ja
“Bishat mishngranëse të Sigurimit të Shtetit, u banë vullnetarisht kriminelë ordinerë, që nji fat i egër i vuni në shërbim të ‘Partisë’ e të ‘Shtetit’…”/ Kujtimet e ish të dënuarit politik nga SHBA-ës

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

                         (Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar, Profesor Sami Repishtit)

Memorie.al / Sami Repishti është një nga ata të përvuajtur, të cilët pasi duruan torturat në hetuesi, vuajtjet e burgut, rrezikun e arratisjes dhe punën këmbëngulëse për t’u kualifikuar e shërbyer atdheut si kundër-komunistë, meritojnë të quhen që më të gjallë, heronj të botës shqiptare. Ai bashkë me Arshi Pipën e Martin Camajn, përbëjnë një treshe elitare shkodranësh, të cilët me jetën dhe veprën e tyre e shpunë më tej misionin atdhetar dhe intelektual të Rilindjes Kombëtare dhe të atdhetarëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pas saj. Profesor Repishti ka më shumë se gjysmë shekulli që me punën e tij të shumanshme në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë, me memorandumet, artikujt politikë, analizat, esetë, krijimet letrare, fjalimet nëpër konferenca, intervistat në Radio “Zëri i Amerikës” (VOA), me punën si bashkëthemelues i disa organizatave e shoqatave atdhetare, si dhe me veprimet konkrete në atdhe dhe në Kosovë, për të ndihmuar nga afër proceset e demokratizimit dhe të krijimit të shtetit ligjor, meriton të quhet Institucion i mëvetësishëm.

Për të hartuar këtë portret nuk u nisa nga mendimi se kam për të thënë mendime e vlerësime të pathëna për të, sepse në këtë drejtim mund të ndihmoj shumë pak. Them shumë pak, sepse vlerat e tij të shumanshme, i vunë në dukje intelektualë të mirë formuar si; Agron Alibali, Anton Çefa, Prof. Asc. Dr. Eleni Karamitri, Ph. D. Elez Biberaj, Fotaq Andrea, Frank Gj. Shkreli, Ph.D. Grid Rroji, Dr. Lumira Rroji, Ph.D. Niko Qafoku, Ramadan Gashi etj., gjatë Simpoziumit të organizuar, më 18 korrik 2015, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, në International House, NY.

Gjithashtu mund të lexoni

“Babai i tij, ish-oficer i Mbretit Zog dhe komandant i xhandarëve ballistë gjatë luftës, ka luftuar kundër partizanëve dhe pas çlirimit, si kriminel lufte, është vrarë nga…”/ Historia e panjohur e Musa Sinës

“Fishta dhe Gjeçovi, ishin dy nga majat e elitës françeskane që krijuan kulmet e korpusit kulturologjik, me ‘Kanunin e Lekës’ dhe ‘Lahutën e Malcis’, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

Prof. Peter Prifti para tyre pati shkruar: Prof. Dr. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindësve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta. Shtysa kryesore për ta shkruar këtë portret-biografi, ka qenë dëshira ime që, për të tillë njerëz me vlera të veçanta duhet shkruar vazhdimisht, derisa vlerat e tyre të përvetësohen nga shumë e shumë shqiptarë kudo ku jetojnë, që të arrijmë edhe ne të krijojmë një shoqëri të iluminuar si e kanë vendet e Bashkimit Europian, ku synojmë të arrijmë…!

Njohja nga afër me Profesor Repishtin dhe takimi i parë

Leximi i disa shkrimeve të Profesor Repishtit nëpër gazeta, më ngjalli një ndjenjë respekti të thellë për këtë analist që shquhej për thellësi mendimi, kritika konstruktive ndaj regjimit komunist dhe qeverive të tranzicionit, si dhe për gjuhën e kulturuar e dinjitoze, pa sharje e fyerje ndaj kundërshtarëve të ideve të tij. Të tilla tipare më sollën në mendje Vaclav Havel-in (1936 – 2011) dhe Karl Popper-in (1902 – 1994). Mora kurajë dhe iu luta të më dërgonte dy librat e tij letrarë “Pika Loti” dhe “Nën hijen e Rozafës”.

Mbas leximit të tyre shkrova artikullin vlerësues “Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorët”, të cilin e botova në “Dielli” New York, 21 mars 2013. Nuk e kisha parë asnjëherë nga afër. Njohja e jetës së tij përmes leximit të këtyre veprave më shtyu, që ta takoja e njihja personalisht këtë veprimtar të përkorë të kombit tonë. Në maj të atij viti, iu luta të më jepte rastin për t’u takuar diku. Ai e la takimin tek sheshi para Public Library, tek 42-nd Street, New York. Unë nuk mund të orientohesha në New York-un e madh, prandaj shkova një ditë më parë mysafir tek kushëriri im, Mondi Thimio, që jetonte në Ridgewood Queens NY. Ai më shpuri te vendi i takimit, ku u ulëm në karriget e një tavoline dhe pritëm ardhjen e profesorit. Pasi u takuam e u prezantuam, Mondi u largua.

Profesor Samiun e kishte shpënë me makinë vajza e tij, nga shtëpia ku jetonte deri tek stacioni më i afërt i trenit e pastaj ai kishte udhëtuar me tren e kishte dalë pranë librarisë (Bibliotekës). Prej aty ai kishte ardhur në këmbë. Kishte veshur një kostum të errët, këmishë të bardhë, por pa kravatë. Kishte një trup elegant dhe të drejtë, si malësorët e Alpeve tona. Ishte më i gjatë se unë, nuk kishte thinja, flokët, ndonëse të rralluar ishin ngjyrë gështenje.

Në fotot e tij që kisha parë në shtyp, më kishte rënë në sy fytyra e tij ovale, balli i madh dhe një ëmbëlsi karakteristike e intelektualëve zemërmirë. Këto tipare më kujtonin portretin e profesorit tim të latinishtes, të të paharrueshmit Henrik Lacaj (1909 – 1991). Gjatë pirjes së kafes, më dukej sikur isha në takim me Henrikun dhe Samiun, dy shkodranët që admiroja, njëri katolik e tjetri mysliman, të dy e kishin pamjen e qeshur dhe flisnin një shkodranishte të ëmbël.

Ishin formuar në shkolla jashtë Shqipërisë. Kultura e tyre binte në sy në të folur, në të shkruar dhe në mirëmbajtjen e trupit të tyre prej atleti edhe mbas të tetëdhjetave. Biseda u zhvillua për gjëra të zakonshme pa ndonjë rëndësi, pastaj profesori më ftoi të shkonim për drekë tek restoranti TONY’S DI NAPOLI, ku e kishte zakon të drekonte kur ishte në New York. Pronari ishte një dibran, mik i tij. Deri aty ecëm në këmbë nja 300 metra. Pronari u ndodh aty dhe na priti me respekt e dashuri. Pas pak, ai kërkoi një nga kamerierët dhe i bëri me shenjë që të na bënte një foto të treve.

U renditëm të tre duke vendosur profesorin në mes. M’u kujtua përvoja e z. Antony Athanas, i cili gjatë pritjeve në Restorantin “Pier 4”, Boston MA, nuk linte personalitet e mik të tij pa e fotografuar, gjë që ka qenë dhe natyrisht është një pasuri e madhe e komunitetit tonë, por nuk e di a e ruajnë djemtë e tij këtë pasuri? Do të ishte mirë që shumica e atyre fotografive të botoheshin në disa albume shoqëruar me emrat e personave, datat e momentit të fiksuar dhe disa shënime sqaruese…!

Pasi u ulëm në një nga tavolinat anësore, profesori tha: “Sot je i ftuem prej meje”! I thashë se të dy jemi larg shtëpive tona dhe, meqenëse ftesën për takim e bëra unë, mua më binte të paguaj. Mirëpo ai ma preu, duke theksuar se nuk mund ta thyente rregullin e tij, sipas të cilit në takimin e parë me një mik, nuk lejonte të paguante askush veç tij.

Pasi hëngrëm ushqimin, profesori më lexoi një artikull të ri që kishte shkruar ato ditë. Nuk e kishte dërguar ende për botim. Më ra në sy forca e mendimit dhe pasuria e ideve, merakosja e tij për ecurinë e demokracisë në Shqipëri. Qëllime e qëndrime përparimtare, humane e demokratike. Forca e shprehjes, gjallëria e mendimeve dhe gjuha e këndshme më krijuan idenë se autori ishte shumë i ri në moshë e, jo një afër të 90-tave.

Thashë me vete: Ja një mendje që nuk plaket. Pikërisht rininë e të menduarit të Profesor Repishtit e vuri në dukje studiuesi Fotaq Andrea, në kumtesën e tij që u lexua në Simpoziumin e 90-vjetorit: Rinia e mendimit tek Prof. Repishti nuk ka moshë në tërë atë udhë të gjatë jete plot mund, përpjekje, paepuri e përkushtim, kur vuajtjet e shpirtit për dinjitet njerëzor në botën e errësirës dhe të diktatit ia kalitën që herët karakterin e lartë, shndërruar në rrjedhë të kohës në personalitet shqiptar me peshë, tek kuptoi mes krimit, vrasjeve dhe torturave çnjerëzore, çdo të thotë Liri, Vlerë njerëzore, Humanizëm e Tolerancë.

Tek Prof. Repishti mishërohet në një të vetme viktima e pafajshme dhe fitimtari, demokrati dhe atdhetari, humanisti dhe intelektuali vizionar, plot urtësi të përkorë, ndershmëri e guxim, si bir i denjë i Kombit Kastriot, si bir i denjë i Shkodrës Loce…!

Takimi i dytë

Në fillim të pranverës 2018, dy vëllezërit Sergio dhe John Bytici, më kërkuan që t’u redaktoja librin e tyre biografik “SHKOJMË TE BYTYÇËT – Jeta dhe aktiviteti i familjes Bytyçi / Bitici”. Gjatë leximit dhe sidomos gjatë redaktimit të këtij libri, u njoha nga afër me veprimtarinë e shoqërisë “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë” (RShKBL). Kjo shoqëri gjatë viteve 1968 – 1992 dhe më vonë, derisa u shpall Kosova shtet i pavarur, luajti rol të madh në luftën për njohjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Kosovë dhe për nevojën e lirisë së shqiptarëve.

Vëllezërit Bitici para se ta botojnë këtë libër, po i bëjnë dhe disa përmirësime e shtesa. Unë me nisiativën time shkrova një portret për ta, për ta bërë të njohur, si ndihmën financiare bujare e shumëvjeçare të këtyre vëllezërve dhe veprimtarinë e tyre si restoratorë (pronarë restorantesh), në shërbim të çështjes sonë kombëtare dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York.

Këtë portret e botova në librin tim të ri, “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”. ‘KUMI’- 2018, në faqet 337–352. Mirëpo ideja se vlerësimi i punës së shoqërisë RSHKBL, meriton edhe shumë shkrime të tjerë vlerësues, për ta sensibilizuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që ta vlerësojnë si duhet veprimtarinë e kësaj shoqërie, e cila u bë nismëtare e arritjes madhore – krijimit të shtetit shqiptar të pavarur të Kosovës. Kjo ide më bën të ndjehem i detyruar për të shkruar edhe më për këtë shoqëri ende pak të njohur dhe pak të vlerësuar.

Për të mësuar më shumë rreth aktivitetit të kësaj shoqërie, ishte e nevojshme që ta dëgjoja dhe Profesor Repishtin, veprimtarin më aktiv të kësaj shoqërie. U lidha me e-mail dhe i propozova që të organizonim këtu në Worcester MA, një takim me disa intelektualë, ku ai të na fliste për jetën e tij dhe shoqërinë RShKBL. Ai më shkroi se nuk delte më nga shtëpia, dhe se mund të më priste te apartamenti i tij në Ridgefield CT. Me makinën time të vjetër, nuk guxoja të shkoja vetë në një distancë aq të gjatë, prandaj u lidha me z. John Lito, kryetar i degës së Federatës “Vatra” Worcestër MA.

Ky më kishte thënë dikur se kishte qejf të dëgjonte prej Profesor Repishtit, ndonjë kujtim nga koha kur ai dhe babai i tij, Milto Lito, kishin qenë të dënuar në kampet e punës gjatë viteve 1950-të. U morëm vesh që, më 3 nëntor 2018, unë me z. John Lito të shkonim tek apartamenti Repishti në ora 1:00 PM. U thamë se do të rrinim vetëm dy- tre orë dhe që të mos humbnim kohë me ngrënie dreke, ne do ta kishim ngrënë drekën rrugës.

Dita e udhëtimit ishte e bukur me diell, prandaj mbërritëm 20 minuta para parashikimit. Ndalëm te një klub prej ku lajmëruam se jemi 10 minuta larg. Pastaj shkuam e trokitëm te dera. Derën na e hapi zonja Diana, bashkëshortja e Profesorit, një grua elegante me pamje të ëmbël e fytyrë-bukur, pa asnjë rrudhë. Ishte bijë e familjes Çipi, emigrantë gjinokastritë. Ajo kishte lindur në Amerikë, por shqipen e fliste rrjedhshëm. Bashkëshorti i saj, Profesori, u ngrit nga kolltuku dhe na u afrua duke u mbështetur në bastun. Ishte po ashtu i gjatë, i pakërrusur dhe elegant, por hapësira pa flokë e kokës i ishte zmadhuar, dhe m’u duk se kishte humbur mjaft peshë…!

Mbasi u përshëndetëm, zonja e shtëpisë na tregoi një divan nga e majta, ku ishte livingroom-i. Na ra në sy lartësia e tavanit dhe dritaret e mëdha prej nga vinte drita e diellit. Te divani u ulëm unë me Johnin, kurse Profesori u ul karshi nesh në një kolltuk. Midis nesh ishte tavolina e mesit, ku zonja Repishti pas pak vendosi tre gota të vogla, një shishe me raki dhe një enë kristali me disa çokollata. Ajo mbushi gotat me raki dhe na zgjati çokollatat dhe gotat e rakisë. Pas urimeve, ne burrat u ulëm, kurse zonja e shtëpisë u tërhoq dhe kaloi në ambientet e kuzhinës. Në fillim iu lutëm profesorit të na tregonte diçka për familjen e tij dhe arratisjen nga Shqipëria.

Mësuam se familja Repishti ishte vendosur në qytetin e Shkodrës nga katundi Repisht i Malësisë së Madhe, që në vitet 1750-të; se kishte jetuar në shtëpinë e vet që nga viti 1803; se gjyshi i tij, Jusuf Repishti, kishte qenë ndër veprimtarët më aktivë të Lidhjes së Prizrenit dega e Shkodrës; se ai kishte firmosur Memorandumin e Qershorit 1878, drejtuar kryeministrit të Anglisë, Lord Dizraeli, për të mbrojtur tërësinë e tokave shqiptare në Kongresin e Berlinit; se babai i tij, Hafëz Ibrahim Repishti, ishte diplomuar në Universitetin e Stambollit më 1912, për teologji islame dhe drejtësi.

Se kishte luftuar me forcat shqiptare vullnetare kundër ushtrisë së Malit të Zi gjatë rrethimit të Shkodrës, nga nëntori 1912 deri në mars 1913; se po ky intelektual kishte marrë pjesë në lëvizjen politike të viteve 1921–1924 si pjesëtar i grupit politik “Ora e Maleve” të Atë Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit etj., se ishte zgjedhur deputet i Shkodrës në vitet 1923–1924 dhe se në janar 1925 kaloi në ilegalitet, sepse si fanolist u dënua me vdekje prej Ahmet Zogut, të sapoardhur në pushtet.

U kthye në shtëpi në nëntor të atij viti, sepse u përfshi në listën e të falurve nga amnistia që shpalli presidenti Zog. Hafëz Ibrahimi vdiq nga keqtrajtimi i policisë fashiste italiane, në shtator 1943, duke lënë të ve bashkëshorten, Havanë, bijën e fisit Bushati, të rrethuar nga gjashtë fëmijë jetimë. Djali i madh, Samiu, sa i kishte mbushur të 18-at, i cili sapo kishte ndërprerë studimet universitare që ndiqte në Firence për histori bashkëkohore.

“Këtu filloi lufta ime me sigurue bukën e gojës për vete e familjen, – vijoi Samiu të rrëfente me zërin e tij të ulët e me një shprehje dhimbsurie në fytyrë e mandej rifilloi: Në Liceun ‘Atë Gjergj Fishta’ kisha pasë shokë klase Androkli Kostallarin, Vasil Katin, Jorgji Sota, Koli Bozo, Rako Naço etj, të cilët ishin lidhur me Grupin Komunist të Partisë Komuniste Shqiptare, kurse Injac Toni, Luigj Toni, Hamdi Sokoli etj., ishin lidhur me ‘Ballin Kombëtar’.

Unë me Eqrem Rusin merrnim pjesë në aktivitetet antifashiste pa qenë të lidhun me asnjë grup partiak. Mbas janarit 1945, sapo u formue Drejtoria e Punëve Botore në Shkodër, u punësova aty deri më 22 tetor 1946, kur më arrestuan ‘për veprimtari kundër pushtetit’. Quajtën veprimtari kundër pushtetit kërkesën që bana me disa shokë bashkëmoshatarë që votimet të ishin të lira e shumëpartiake. Në qelitë e Hetuesisë së Shkodrës m’u banë tortura çnjerëzore. Harrojsha gjithë njerëzit dhe nga dhimbjet e shumta i lutesha Zotit të ma merrte shpirtin për me shpëtue.

Mbas 14 muaj torturash u dërgova në burg. Vitet e burgut i kalova në kampet e punëve të detyrueme, në Beden, Maliq, Myzeqe, aeroporti pranë Urës Vajgurore dhe aeroporti i Rinasit. Në prill të vitit 1949, internuen nanën, motrën 14 vjeç dhe vëllain 11 vjeç në Berat e, ma tej i çuen në kampin famëkeq Veliqot, Tepelenë. Të tilla rrethana familjare shumë shqetësuese më shkaktonin dhimbje dhe mërzi të madhe. Dita më dukej e gjatë sa nji javë e java sa nji muej e mueji sa nji vit. Kësaj radhe, si viktimë e diktaturës komuniste, vuejta shumë ma tepër sesa kisha vuejt ma parë si viktimë e diktaturës fashiste edhe sesa vojta më vonë në Jugosllavinë titiste”.

John-i e pyeti se si mundi të largohej nga Jugosllavia për në Perëndim, kur midis shtetit shqiptar e atij jugosllav zbatohej marrëveshja për dorëzimin e të arratisurve?! Samiu sqaroi se gjatë kohës që ishte në burgun incommunicado në Jugosllavi, dëgjoi se e kthyen në Shqipëri një të dënuar, i cili kur u pyet pse ishte arratisur nga Shqipëria, kishte thënë se ishte arratisë sepse donte të shkonte në Amerikë.

Kur e kishin marrë Samiun në pyetje disa herë, ai gjithnjë kishte ngulur këmbë dhe u kishte thënë se ishte arratisur mbasi donte të vazhdonte studimet e larta në Zagreb. I thanë se mund ta dërgonin për të vijuar studimet në Beograd, por ai u thoshte se në Zgreb gjuha serbo-kroate mësohet me alfabetin latin dhe se ai e kishte vështirë të mësonte alfabetin cirilik, që zbatohej në Serbi. Kështu, mbas një viti e dërguan në Zagreb për të vijuar studimet. Këtu vijoi një kurs për mësimin e gjuhës dhe më tej gjeti mundësinë të arratisej në Itali ku jetoi në disa kampe refugjatësh derisa fitoi të drejtën për të shkuar në SHBA-ës si refugjat politik. / Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Babai i tij, ish-oficer i Mbretit Zog dhe komandant i xhandarëve ballistë gjatë luftës, ka luftuar kundër partizanëve dhe pas çlirimit, si kriminel lufte, është vrarë nga...”/ Historia e panjohur e Musa Sinës

Artikuj të ngjashëm

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Personazh

“Babai i tij, ish-oficer i Mbretit Zog dhe komandant i xhandarëve ballistë gjatë luftës, ka luftuar kundër partizanëve dhe pas çlirimit, si kriminel lufte, është vrarë nga…”/ Historia e panjohur e Musa Sinës

November 4, 2025
“Fishta dhe Gjeçovi, ishin dy nga majat e elitës françeskane që krijuan kulmet e korpusit kulturologjik, me ‘Kanunin e Lekës’ dhe ‘Lahutën e Malcis’, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur
Personazh

“Fishta dhe Gjeçovi, ishin dy nga majat e elitës françeskane që krijuan kulmet e korpusit kulturologjik, me ‘Kanunin e Lekës’ dhe ‘Lahutën e Malcis’, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur

November 3, 2025
“Duke folur për fillesat e fotografisë në Shqipëri, Qerim Vrioni shkruan se; fotografët me intuitë, e kuptuan se arti i tyre komunikonte me…”/ Refleksione rreth librit “Shkrepje të rralla fotografike”
Personazh

“Duke folur për fillesat e fotografisë në Shqipëri, Qerim Vrioni shkruan se; fotografët me intuitë, e kuptuan se arti i tyre komunikonte me…”/ Refleksione rreth librit “Shkrepje të rralla fotografike”

November 3, 2025
“Karrocieri se dëgjoi lutjen tonë që të ecte më ngadalë, të mos tronditej babai dhe kur shkuam në shtëpi, ai vdiq, për ta varrosur shitëm orën e tij të xhepit…”/ Dëshmia e trishtë e motrës së Arshi Pipës
Personazh

“Karrocieri se dëgjoi lutjen tonë që të ecte më ngadalë, të mos tronditej babai dhe kur shkuam në shtëpi, ai vdiq, për ta varrosur shitëm orën e tij të xhepit…”/ Dëshmia e trishtë e motrës së Arshi Pipës

November 2, 2025
“Mikun gjerman e gostitëm me verë, raki  ‘Moskat’ që pinte Enveri, por në vilën e tij, ai më tha; Ore Belul, kush të tha ta shoqëroje Shtrausin…”?! / Dëshmia e rrallë e ish-kryetarit të Komitetit të Pogradecit
Personazh

“Mikun gjerman e gostitëm me verë, raki ‘Moskat’ që pinte Enveri, por në vilën e tij, ai më tha; Ore Belul, kush të tha ta shoqëroje Shtrausin…”?! / Dëshmia e rrallë e ish-kryetarit të Komitetit të Pogradecit

November 1, 2025
“Kur Dhimitri u fut në zyrën e drejtoreshës së ujësjellësit të Kuçovës, ku ndodhej dhe i vëllai i tij, Miltiadhi, me të cilin s’njihej fare, ai…”/Historia e trishtë e dy vëllezërve grekë, që kishin 40 vite pa u takuar!
Personazh

“Kur Dhimitri u fut në zyrën e drejtoreshës së ujësjellësit të Kuçovës, ku ndodhej dhe i vëllai i tij, Miltiadhi, me të cilin s’njihej fare, ai…”/Historia e trishtë e dy vëllezërve grekë, që kishin 40 vite pa u takuar!

October 28, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme