Nga Bardhyl Berberi
Memorie.al / Kosta Tanellari një burrë i moshuar ish-funksionar para viteve ‘90-të, një buzëmbrëmje më tregoi një dramë greke, të luajtur në një fshat të thellë malor të rrethit të Pogradecit. Ngjarja gati dukej e pabesueshme, por Kosta më propozoi të shkonim vetë pikërisht në fshatin Niçë, të takonim njerëz dhe rrugën për në Niçën e thellë malore, e cila gjendet në krahinën e Gorës, e kemi bërë që nga Qafë–Panja. Kalojmë njëra pas tjetrës lugina të bukura me male alpine të mbuluara me kurora të gjelbra të aheve dhe të pishave. Jemi futur në mbretërinë e pyllit.
Nga larg dëgjohet zhurma e ndonjë motor-sharre dhe të trokiturat ritmike të sëpatës, e cila përzihet me këmborët e tufave të mëdha të bagëtive dhe me këngën e pafund të zogjve. Një simfoni e vërtetë. Shiu që ka rënë e ka harlisur së tepërmi gjelbërimin në këtë pranverë të hershme. Ndalojmë makinën. Burime të pafund me ujëra të kristalta që nuk ndjen të ngopur.
Në pyll fryjnë erëra dhe kornete që vijnë nga larg. “Dikur kjo zonë ka qenë një stabiliment i madh sharrtarësh, ishte një qytezë e vërtetë”, – na thotë Petraq Shkëmbi, një bari nga Niça “me këto pyje dhe këtë blegtori kemi mbajtur familjet, por në vitet e trazicionit ky pyll ka pësuar jo pak dëmtime nga njerëz të papërgjegjshëm, që shfrytëzuan situatën atëherë kur nuk kishte shtet”…
Nga çdo familje ka patur një ose dy shartarë që punonin në shtet…! Papritur lugina me pyje merr fund dhe në këmbët e një masivi të pyjeve, shtrihet hija e tyre drejt një peizazhi të gjelbër me kumbulla të shumta, arra dhe mollë e shtëpi…! Fshati është i ngjeshur dhe shtëpitë qëndrojnë njëra pas tjetrës të ndara nga ndonjë avlli.
Fshati i dikurshëm me 160 shtëpi
Kjo është Niça dikur në vitet 1990 me 160 shtëpi dhe me gati 600 banorë, kurse sot ka vetëm 30 shtëpi, me rreth 100 banorë. Eksodi e ka zënë edhe Niçën…! Në këtë fshat është shumë e lehtë të dallosh ata që kanë ikur. Oxhaqet e tyre jo vetëm që nuk nxjerrin tym, por edhe çatitë e atyre që kanë ikur kanë ngelur ende të mbuluara me plloça guri sipas traditës së ndërtimit në Gorë kurse shtëpitë e atyre që jetojnë aty kanë çatitë e kuqe të mbuluara me çati metalike.
Niçarët mbahen me blegtori dhe me kurbet. Por ne kësaj radhe në Niçë kemi ardhur për diçka krejt tjetër, kemi ardhur për t’u interesuar për jetën e Milto Qefallës, i cili ka ardhur në fshatin e tyre që fëmijë i vogël shtatë vjeç dhe aty u rrit, u burrërua krijoi familjen e tij…! Takojmë Josif Gjinin, plaku më i vjetër i fshatit, i cili i ka kaluar të 85 vitet e jetës…!
Ai është një burrë i shtruar, dhe pasi mendohet disa çaste, na thotë…! – “Dëgjo more djalë, fqinji është si vëllai apo motra, i do ose nuk i do ti ata, i ke aty në çanak, si themi ne nga fshati edhe fqinjin e ke aty për jetë dhe e rëndësishme është që me fqinjin duhet të shkosh mirë, se jeta të sjell lloj-lloj të papriturash dhe duhet t`i gjendesh njëri tjetrit…”!
“Eh, – shton Josifi, – historia e ardhjes së grekëve në fshatin tonë në vitin 1940 dhe historia e Milto Qefallës, duket si një legjendë, por është gjithçka e vërtetë…! Nga dashuria lind jeta, more bir dhe ne duhet ta duam njëri tjetrin, por kohët e reja dhe vrulli që ecim çdo ditë në luftën për mbijetesë, sikur i ka zbehur ato tradita dhe atë dashuri e bujari që kemi pasur për njëri-tjetrin, sikur është zbehur nga këta të rinjtë.
Por le të kalojmë tek Milto Qefalla ose, siç i thoshim kur ishim të vegjël, Milto greku dhe ai na zemërohej dhe thoshte; jo unë jam shqiptar…! Ka qenë viti 1939-1940, kur Greqia atëherë ishte përfshirë në një varfëri të tejskajshme dhe ishte shfaqur kriza e bukës, ku shumë njerëz vdiqën nga uria. Prindërit të paaftë për të mbajtur fëmijët, i nisnin ata në këmbë në drejtim të Shqipërisë.
I tillë ishte edhe rasti i disa djemve të moshës nga 7, 10 apo 15 vjeçare, të cilët nga zonat e thella të Janinës e, sidomos nga Konica, kalojnë malin e Gramozit, futen në Ersekë, më pas në Vithkuq–Voskopojë, kalojnë në zonën e Gorës dhe më pas nga rruga e vjetër ‘Egnatia’, mbijnë këtu në fshatin tonë, që kryesisht banohet nga vlleh. Në shtëpinë e Petro Haliçes (Kutelit) u strehuan tre vëllezër grekë.
Më i vogli i tyre Miltiadhi vetëm shtatë vjeç, shumë i sëmurë nga të paushqyerit, me barkun e fryrë dhe dyllë i verdhë. Destinacioni i vëllezërve grekë, ishte Myzeqeja apo Berati. Gjendja e rënduar nuk e lejonte dhe vëllai i madh i tyre Kostandini, e la Miltiadhin tek familja e Petro Kutelit, pasi qëndroi tre ditë së bashku me vëllain tjetër Dhimitrin, më pas ata të dy u larguan. Pas një muaj Kostandini u kthye në Niçë, ai Miltjadhin e gjeti të tjetërsuar krejt e tepër të kënaqur dhe vetë Miltiadhi nuk pranoi të lëvizte nga Niça, se ishte shumë i kënaqur nga familja e Petros dhe veçanërisht nga gjyshja Maga Kuteli.
Kostandini shkon në Greqi dhe kthehet pas një viti përsëri në Niçë dhe donte t`i bashkonte të dy vëllezërit, që ta çonte Miltiadhin tek Dhimitri në Berat, por ai përsëri nuk pranon dhe kur shkon tek familja ku e kishte lënë në zonën e naftës, siç thotë Kostandini, nuk e gjen të vëllanë. Ai ishte larguar pa adresë, që atje ku e kishte lënë i vëllai. Kjo e pikëllon pamasë Kostandinin”.
Pas luftës Nacional- Çlirimtare
Pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Miltjadhi mbaron në Niçë shkollën fillore, duke qenë një nxënës shembullor. Më pas familja ku banonte Miltjadhi, ajo e Petros, merrej me blegtori, kështu që Miltjadhi fillon të merret më blegtori dhe kishte një tufë të madhe bagëtish, nga më të mirat në Niçë. Miltiadhi kishte shpresa pas Luftës së Dytë Botërore, se një ditë do të hapeshin kufijtë, por ata u mbyllën më keq…!
Shpresat që Miltiadhi do të takonte familjen në Greqi, po veniteshin çdo ditë, madje ai kishte frikë tu shkruante edhe letra se mos i bënte dëm vetes, por edhe familjes së Petros, që e kishte birësuar si djalë. Në vitin 1949, në fshatin Niçë erdhën nga Greqia pas ‘provokacioneve greke’, 40 familje greke, nga lufta civile që zhvillohej në Greqinë e veriut. Në këtë kohë Miltiadhi rifreskoi gjuhën greke me grekët e ardhur dhe u interesua për të mësuar diçka për familjen, por nuk mësoi gjë.
Grekët që kishin ardhur së bashku me tufat e bagëtive pas tre muaj që qëndruan në fshatin tonë u larguan më pas, sepse nuk kishin se me çfarë t`i dimëronin bagëtitë e tyre në dimër…! Por, Miltiadhi jetonte me shpresë. Atëherë kur rrinim bashkë, Miltiadhi na fliste me dashuri për babain e tij Pandelinë, nënën Vasiliqinë, vëllain e madh Kostandinin, motrën e tij Athinanë dhe për Dhimitrin, që i përshkonte të gjithë ashtu siç i kishte lënë.
Miltiadhi burrërohet dhe shkon të kryejë shërbimin ushtarak një pjesë në Tiranë dhe pjesën tjetër në Gjirokastër. U kthye nga ushtria më i pjekur dhe më i burrëruar dhe më pas i lindi dashuria për një vajzë fshati, pikërisht këtu në fshatin Niçë, me emrin Frosina Petro Spirollari. U fejuan dhe pas një viti u bë dasma e djalit të vetëm të Petro Kutelit, Miltiadh Qefallën…!
Në momentin e ceremonisë së dasmës, ai drejtohet të shoqes së Petros: -‘Unë kam një nënë që më ka lindur në Greqi, por ti je nëna që më ke rritur dhe më bërë burrë’. Miltiadhi krijoi familjen e tij dhe shtëpinë e tij të re, duke sjellë në jetë katër fëmijë: Vasilikën, Kozetën, Kristaqin dhe Piron. Në këtë kohë Miltiadhi punon si gjeolog në fshatin Petrushë të Pogradecit, pranë minierës së qymyrgurit.
Në këtë kohë malli për familjen e gërryente çdo ditë dhe pasi konsultohet me Kosta Tanellarin, në atë kohë me një funksion të rëndësishëm partiak, të cilin e njihte nga fëmijëria, vendos t’i shkruajë rreth vitit 1970, letër familjes. Letrën e shkroi në shqip dhe më pas e përktheu në greqisht, një zonjë e martuar nga Dropulli në Pogradec. E nisën në Greqi letrën. Midis të tjerave Miltiadhi i kërkon familjes në Greqi edhe adresën e Dhimitrit që ndodhej në Shqipëri, që ai kishte shkëputur lidhjet nga viti 1940…!
Kërkimi i vëllait 40 vjet pa e parë
Mbas dy muajsh vjen përgjigjja dhe i shkruajnë se Dhimitri është në një qytet të Shqipërisë, ku nxirret naftë. Tashmë filloi kërkimi i vëllait të tij Dhimitrit, që kishte 40 vjet pa e parë dhe që ndodhej në Shqipëri. Atëherë Miltiadhi së bashku me Kosta Tanellarin, i nisin letra qyteteve shqiptare ku nxirrej naftë, si Fier, Ballsh, Patos, Kuçovë dhe Cërrik.
Dhe pas pak muajsh vjen një përgjigje se Dhimitër Qefalla nga Pikalla e Greqisë, banonte në Kuçovë, ishte i martuar e me katër fëmijë, madje jepej edhe adresa e tij në Kuçovë. Ky ishte kulmi i lumturisë. Pas 40 vjetësh, ai do të takonte vëllain. “U nisën së bashku – tregon Kosta Tanellari – në drejtim të Kuçovës, por më përpara ishte përgatitur takimi nga drejtuesit e Kuçovës të asaj kohe, sepse nga gëzimi dhe emocionet e mëdha, mund të ndodhte diçka”.
Dhimitri punonte në ujësjellësin e Kuçovës dhe drejtoresha e ndërmarrjes së ujësjellësit, pasi kishte mbërritur Miltiadhi në zyrën e saj, e njofton që ai të vinte sa më parë në zyrë, se një qytetar kishte vërejtë, pasi i ishin dëmtuar tubacionet e ujit të pijshëm. Pas pak minutash mbërrin në zyrën e drejtoreshës Dhimitri. Aty ndodhej Miltiadhi së bashku me Kostën, që e shoqëronte atë.
Sapo futet në derë, Dhimitri pa në zyrë dy zotërinjtë dhe drejtoreshën. Ai qëndroi një çast dhe iu drejtua drejtoreshës; “Kush është ai qytetari që ka vrejtje”?! – “Ja ky shoku”, – tha ajo…! Ata u panë sy më sy për disa sekonda dhe në çast Dhimitri klithi; “Po ky është vëllai im moj drejtoreshë”! “Skena ishte e paparë. – tregon Kosta Tanellari, – u përqafuan dhe u puthën për disa minuta. Ishin ndarë fëmijë dhe takoheshin burra pas 40 e ca vjetësh…”!
Të dyja familjet e festuan me madhështi këtë ngjarje, madje familja e Dhimitrit erdhi edhe në Niçë, për të vizituar vëllain. Vendosën që të bashkohen të dy vëllezërit dhe të jetonin në Kuçovë. Miltiadhi të vinte pranë Dhimitrit, por pengesat burokratike, nuk ia lejuan pasaportizimin pranë të vëllait në Kuçovë.
Dhimitri, vetëm një vit pas bashkimit të dy vëllezërve, vdes papritur. Gëzimi i bashkimit të tyre, nuk qe e thënë të zgjaste. Më vonë pas ardhjes së demokracisë, Miltiadhi shkon së bashku me të shoqen në Greqi, tek dy djemtë e tij dhe kemi marrë vesh se edhe ai para pak kohësh ka ndërruar jetë. Kjo ishte drama e jashtëzakonshme e vëllezërve Miltiadh dhe Dhimitër Qefalla. / Memorie.al














