Nga Ermira Isufaj
Memorie.al / Bashkëshortja e Kujtimit, djalit të vëllait të ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu, tregon jetën e saj si nuse në derën e Shehëve. Marrëdhënia që ajo ka pasur me djemtë e Mehmetit, fundi tragjik i vjehrrit të saj, Arshiut, të cilin pas ngjarjes së bujshme të dhjetorit të ’81- ishit Sigurimi i Shtetit e detyroi të kryente vetëvrasje, duke e hedhur nga një urë në një fshat të Fierit, si dhe dasma e saj e paharrueshme, ku fisi Shehu u ri takua pas vitesh të tëra ndarjeje… pas, kur e gjithë familja e të shoqit kishte paguar haraçet e sistemit komunist, vjehrri i “vetëvrarë”, dy kunata të ndara nga burrat, për shkak të ngjarjes së dhjetorit ’81, i shoqi me punë gjysmake dhe merita profesionale, që kurrë nuk i mori vetëm për shkak të xhaxhait të tij, Mehmet Shehut, Teuta mendoi se “gjakrat” do të ishin shuar dhe gjithçka brenda marrëdhënieve të atij fisi, do t’i ishte kthyer normalitetit.
Aq sa ishte frikë për t’u përzier me Shehët, aq kishte edhe kuriozitet që e grishte nga brenda për të njohur më nga afër një prej familjeve për të cilat ishte folur më shumë gjatë sistemit komunist, sigurisht pas Enver Hoxhës. Atmosfera që gjeti në familjen e të shoqit, nipit të ish-kryeministrit, ia përmbysi të gjitha parashikimet. Në fillim çdo komunikim i ngjante atij të shurdhmemecëve, vetëm me gjeste e shenja, sepse familja përgjohej.
Teuta mirëfilli kuptoi që jeta e saj nuk do të ishte e lehtë (jo se nuk e kishte çuar nëpër mend më herët), por fillimi i një epoke të re politike, siç ishte prag demokracia, e kishin përmendur pozitivisht, duke e ndërgjegjësuar se periudha diktatoriale kishte sosur…! Martesa e saj me Kujtimin dhe momentet e dasmës mbeten të paharrueshme për të.
Më shumë lot gëzimi, prekje me duar të fytyrave e trupave për të konstatuar se sa shumë ishin transformuar, habi, dhembje, një ri takim i fisit Shehu si kurrë më parë, e, për më tepër, gjithçka përkoi me daljen nga burgu edhe të dy djemve të Mehmetit, Skënderit e Bashkimit. Për Teutën, kapitulli i jetës që erdhi më pas, si pjesë e familjes së nipit të Mehmet Shehut, nuk ishte kaq mbresëlënës sa ai i dasmës…!
Znj. Teuta, prej vitesh është folur gjatë në media për Mehmet Shehun. Pas 100-vjetorit përkujtimor të lindjes e intervistës së të birit, Skënderit, ju si nusja e nipit të ish-kryeministrit komunist, si e keni vlerësuar këtë ringjallje të interesit mediatik karshi figurës së tij?
I kam ndjekur me kuriozitet. Në ditëlindjen e tij më bëri shumë përshtypje mungesa e pranisë së mediave, të shkruara dhe ato vizive. E them me bindje, duke qenë edhe në dijeni të faktit se të gjitha mediat në vend ishin lajmëruar pa përjashtim, për këtë ngjarje përkujtimore, ndërsa distancimi i tyre më ka bërë përshtypje.
Nuk do ta konsideroja neglizhencë, se sa frikë në radhët e atyre që tentojë të merren sërish me figurën e Mehmet Shehut. E konstatova edhe në ambientet e Muzeut Kombëtar, kur po zhvillohej ngjarja përkujtimore e ditëlindjes së tij. Shumëkush nga personat që ishin jashtë më tërhiqnin nga xhaketa, duke më thënë se ç’më duhej të merrja pjesë, më mirë të qëndroja jashtë si ata…!
Mendoj se gjithçka që është thënë apo aluduar mbi të vërtetën e (vet)vrasjes së tij, janë vetëm thashetheme. Ne si familje, bashkë me tim shoq, Kujtimin, që është nipi i Mehmet Shehut, i jemi shmangur problemit dhe tentativës për t’u marrë me figurën e tij.
Bashkëshorti juaj është djali i Arshiut, vëllait të dytë të Mehmet Shehut. Si jeni njohur me Kujtimin dhe si vendosët të bëheshit nuse në derën e Shehëve?
Njohja jonë nuk ishte vetëm fat. Cila ishte ajo familje që merrte për dhëndër nipin e “kriminelit” Mehmet Shehu, siç edhe cilësohej në ato vite?! Njohja jonë u bë në kushtet kur të dyja familjet ishim me damkë, ishim të deklasuar; unë nga ana e prindërve të mi dhe Kujtimi, pa dyshim, nga e vetja.
Por, sebepi i njohjes u bë një kushërira ime, e cila mendimin e parë në kokë përpara se të ma prezantonte Kujtimin gjatë kohës që ai punonte si inxhinier mekanik në Fier, kish pasur faktin se në kushtet ku gjendeshim, vetëm një familje me damkë mund të përshtatej.Ndërsa unë punoja si mësuese e ciklit të ulët në fshatin Mokër të Pogradecit. Isha e ndërgjegjshme që në kushte të tjera mbase mund të kisha bërë një zgjedhje tjetër.
Por i besova edhe këmbënguljes së tim ati, të cilit takimi i parë me Kujtimin i kishte dhënë shumë nota besueshmërie. Ndërsa në fisin tim, ishin të gjithë kundër kësaj martese. Ata ishin të trembur, sepse ne gri e kishim biografinë, tani do ta bënim të zezë fare. Shumë kushërinj më thanë në sy: “Teuta, nuk duhet ta marrësh për burrë Kujtimin”!
A patët droje përpara se të pranonit propozimin për martesë nga ana e Kujtimit?
Natyrisht. Kisha frikë, sepse Mehmet Shehu konsiderohej si “kriminel” dhe diheshin pasojat për personat që përziheshin me familjen e tij. Ama, kisha edhe kuriozitet për ta njohur më nga afër këtë familje të lidhur me pushtetin, për të cilën ishte folur aq shumë.
Thatë që edhe familja, nga ana e prindërve tuaj, ishte një prej të goditurave nga regjimi komunist. Cila është historia?
Im gjysh, Qani Sulstarova, ka qenë një nga njerëzit më të pasur të Pogradecit, ndaj dha babai im, ishte një prej bejlerëve të qytetit. Të qenit “kulak”, ishte arsyeja e parë pse ne u goditëm nga sistemi komunist dhe morëm emrin “të deklasuar”.
Një pjesë e konsiderueshme e pasurisë u konfiskua, ndërsa disa prej kushërinjve të babait, djem xhaxhallarësh, ishin aktivizuar me ‘Ballin Kombëtar’, dhe duke i quajtur eksponentë të ‘Ballit’, detyrimisht që pasojat ishin të pashmangshme.
Nga mamaja jam me mbiemrin Hysenbegasi, edhe këta familje kulakësh, por tejet të persekutuar nga regjimi komunist. Këto ishin arsyet që Brigada e Parë Sulmuese, me në krye komandant Mehmet Shehun, dy herë na ka djegur shtëpinë tonë në Pogradec. Normalisht, ne duhet të ishim në hasmëri me Shehët pas gjithë atyre gjërave që na kishin ndodhur. Por, në ’90-ën gjithë ai inat u kthye në një bashkim gjaku, sepse martesa ime me Kujtimin, i ndryshoi shumë gjërat. Thuhej asokohe që; “u bashkua familja e kriminelit Mehmet Shehu me gjakun e bejlerëve të Pogradecit, Sulstarova”.
Dita e dasmës për çdo femër mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës. Ç’kujtoni?
Dasma jonë u bë në maj të vitit 1991, ndërsa djemtë e Mehmetit, Skënderi dhe Bashkimi, në mars ishin liruar nga burgu. Gjatë muajve të fejesës jetoja me shqetësimin e familjarëve të tim shoqi se ku gjendeshin, në cilat burgje vuanin dënimin kushërinjtë e Kujtimit, djemtë e Mehmetit, sepse familjarët përgjatë viteve nuk kishin pasur asnjë informacion për vendin se ku e kryenin dënimin ata.
Madje, ndokush që tentonte të pyeste për ndonjë detaj më shumë, të nesërmen thirrej urgjent në Degën e Brendshme për të dhënë sqarime mbi kërkesën. Ndaj dhe mbrëmja e dasmës sime me Kujtimin ishte një ri takim i jashtëzakonshëm mes fisit të Shehëve, të cilët pak kohë më parë kujtonin se ishin zhdukur të gjithë. Kam parë dhimbje të madhe tek ata njerëz.
Për 10 vite, në fisin Shehu nuk kishte lindur një fëmijë i vogël, nuk ishte dëgjuar një e qarë bebeje. Gjatë mbrëmjes shihja djemtë duke qarë, të cilët takoheshin me njëri-tjetrin teksa shprehnin habinë, se si ishin ende gjallë. Djemtë e Mehmetit ishin gjithashtu të emocionuar.
Dëgjoja ulërima mes njerëzve, ngashërime në të qara ndërsa preknin fytyrat e njëri-tjetrit me dorë dhe kuptonin sa shumë ishin transformuar. Për mua ishin çaste shumë të vështira. Por, njëkohësisht, ekzistonte edhe frika se midis dasmorëve, mund të kishte edhe nga ata që përgjonin, ose njerëz të Sigurimit, që mund të na hapnin probleme.
Kishin kaluar 10 vite nga ngjarja e dhjetorit të vitit 1981, por cila ishte atmosfera që gjetët në familjen e Kujtimit?
Gjithçka ishte kaq e paparashikuar. Ishin njerëz të trembur në palcë. Unë isha vajzë e re, që sapo isha shkëputur nga familja e doja të shprehesha, të komunikoja, por në familjen e burrit tim, prej ditës që u konstatua se përgjohej, flitej vetëm me shenja. Asnjë fjalë, asnjë zë. Një ditë, ime vjehërr kishte shkuar te komshiu një kat më poshtë për të kërkuar kos dhe ishte tmerruar kur në cepat e korridorit, kishte parë disa tela dhe aparatura. Ngjitet sipër dhe i thotë menjëherë tim shoqi, që ata përgjoheshin.
Kjo bëri që Kujtimi, si inxhinier që ishte, të krijonte një aparaturë që i nxirrte jashtë funksionit valët e përgjuesve. Atmosfera në familje ishte shumë e nderë. Në shtëpi gjeta dy kunata të ndara nga burrat, divorce që kishin ardhur menjëherë pas (vet)vrasjes së Mehmet Shehut.
E vetmja që nuk u braktis nga bashkëshorti, ishte Shqiponja. Pirro Stefani, bashkëshorti i saj, mbeti për shumë kohë dhëndri i preferuar i Shehëve, sepse nuk pranoi të bënte divorcin nga e shoqja. Shkoi për vite të tëra në internim dhe nga Shqiponja nuk u nda.
Kunata juaj, Shqiponja, është vajza që e ka rritur vetë Mehmet Shehu?
Po, e vërtetë. Ky akt i tij e zbut pak mitin e njeriut të ashpër dhe të egër. Di që Mehmeti vendosi ta rriste si vajzën e tij Shqiponjën, jo vetëm për faktin se kishte vetëm tre djem, por sepse vjehrri im, kishte shumë fëmijë, kushtet ekonomike nuk ishin aq të përshtatshme, ndaj, për të ndihmuar Arshiun, të vëllanë, ai vendosi që të merrte Shqiponjën e ta mbante në shtëpinë e tij. Unë e kam parë thjesht si një gjest humanizmi.
Po vjehrri juaj, Arshiu, ç’natyrë kishte, a ngjante me Mehmetin?
Ngjanin si dy pika uji. Jo vetëm në pamjen e jashtme, që ishin gati identikë, por edhe në tipologjitë e karaktereve kish ngjashmëri. Korrektë, autoritarë. Arshiu për shumë vite ka vuajtur nga një dhimbje e madhe koke, pas humbjes së një fëmije. Kjo histori tragjike, kur gjatë strehimit në malet e Tepelenës në kohën e pushtimit gjerman, vitet 1943-1944, foshnja gjashtë muajsh e tyre po qante me të madhe, ndërsa ngjitur ishte spitali partizan.
U konstatua që gjermanët po afroheshin e të qarat e foshnjës mund të bëheshin shkaku që partizanët dhe e gjithë baza aty të zbulohej. Ndaj, një nga rojet ia merr foshnjën sime vjehrre Semines, nga dora dhe ia hedh nga shkëmbi poshtë. Vdekja tragjike e fëmijës, bëri që ata të dy të pësonin traumë, ndërsa vjehrri im për shumë vite, vuajti nga dhimbja e kokës. Nuk gjeti shërim, edhe pse i vëllai, Mehmeti, e dërgoi për vizita mjekësore në Austri, Zvicër.
Fundi i tij tragjik mbetet ende një enigmë, apo jo?
Besoj që po. Edhe pse dhimbja e madhe e kokës nuk e lejonte të bënte një jetë të qetë, ky nuk ishte faktor që mund ta shtynte drejt vetëvrasjes. Pas ngjarjes së ’81-shit, vjehrrin tim e kanë nxitur të bënte vetëvrasje, me idenë që Shehët kështu e kanë… vrasin veten.
Kështu ndodhi edhe me Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit. E llogaritën gjithçka që të quhej si vetëvrasje, njësoj si edhe në rastin e vjehrrit tim…! Thuhet që njerëz të Sigurimit, e kanë nxitur të hidhej nga një urë në një fshat të Fierit, ku edhe punonte në SMT-në e këtij qyteti.
Çfarë marrëdhënie keni me kushërinjtë e bashkëshortit tuaj, djemtë e Mehmet Shehut?
Me djemtë e Mehmetit kemi marrëdhënie korrekte. Të jem e sinqertë, fillimisht takimet tona ishin më të dendura, sidomos pas daljes nga burgu, ata kishin nevojë për njerëz, për mbështetje. Më vonë ata u larguan jashtë shtetit, e normalisht komunikimi u rrallua.
Por njeriu gjithmonë ka nevojë për gjakun e vet, për njeriun e vet, ndaj edhe kur Bashkimi u martua për herë të dytë, im shoq ishte mbështetja e tij, sepse ai erdhi ta takonte në shtëpi, biseduan të dy. Më shumë detaje nuk mund të jap.
Gjatë gjithë bisedës, e keni shmangur vazhdimisht temën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Përse?
Nuk mund të flas për këtë çështje, sepse unë jam nuse te Shehët, dhe nga ky pozicion, nuk mund të jap deklarata. Ngjarjen e vitit 1981, e kam dëgjuar si gjithë të tjerët, në televizor, se Mehmet Shehu vrau veten!
Më vonë, kur u bëra pjesë e familjes, mësova që përreth kishte një rrjetë hermetike, as duhet të flisnim, as duhet të përziheshim me emrin e tij. Mbaj mend, para disa vitesh, u ndodha rastësisht me tim shoq gjatë punimeve të bustit të Mehmetit, që do të vendosej në Mallakastër.
Aty ndodhej edhe Fatos Klosi, shefi i SHISH-it. Bashkëshorti im e paralajmëroi Fatosin, që të mos merrej me Mehmetin, se do ta pësonte…! Nuk vonoi shumë dhe atë e hoqën nga detyra. Ndoshta motivet mund të kenë qenë të tjera, ndoshta ishte rastësi, por ky episod më bëri të kuptoj, se vërtet nuk duhet të merresh me figurën e Mehmet Shehut.
Ju cilin skenar besoni, atë të vrasjes, apo vetëvrasjes së tij?
Mehmet Shehu në çdo kohë ka bërë detyrën si Kryeministër i vendit, edhe pse ndonjëherë ka pasur impulsivitetet e veta. Ne si familje, nuk e përkrahim veprën apo krimet e ndryshme që janë servirur nga shkrimet apo nga mediat në lidhje me të. Nga ana tjetër, besoj që gjithçka ishte një skemë që duhej zbatuar, ashtu si shumë të tjerë duheshin internuar, burgosur apo zhdukur.
Pas Mehmetit, Vladimirit dhe vjehrrit tim, te ky i fundit ngjarja është përcjellë si vetëvrasje me qëllimin e vazhdimësisë, që këta të gjithë e kanë në gjak, vrasin veten… Unë si nuse e nipit të Mehmet Shehut them dhe njëherësh besoj që, duke i njohur nga afër e duke jetuar me ta, nuk ka Sheh të vrasë veten!
Si e kujtoni gjetjen e shtrave të Mehmet Shehut dhe rivarrimin e tyre në varrezat e Sharrës në Tiranë?
Rivarrimi i eshtrave të Mehmet Shehut, ishte një moment solemn për të gjithë familjen. Pas daljes nga burgu, në mars të vitit 1991, dy djemtë e Mehmetit, Skënderi dhe Bashkimi, vendosën të merren me gjetjen e eshtrav të të atit.
E kam të fiksuar në kujtesë atë ditë të nxehtë korriku të vitit 2001, lu ithtarë të Mehmet Shehut, të afërm, mallakastriotë e shumë njerëz të tjerë ishin mbledhur bashkë në varrezat e Sharrës së Tiranës, për të rivarrosur eshtrat e Mehmetit, pas kërkimit disavjeçar dhe gjetjes së tyre nga ana e dy djemve. / Memorie.al