Nga Armand Jonuzi
Pjesa e dytë
Memorie.al / “Në kohën e Zogut, ishte më vështirë të bëheshe diplomat, se sa sot”. Uran Asllani, një nga studiuesit e diplomacisë shqiptare të viteve 1914-1944, si dhe djali i një prej diplomatëve më të shquar shqiptarë të viteve ‘30, tregon se një diplomati në atë periudhë i duhej të kalonte disa “sita” që të emërohej në këtë detyrë. Në një intervistë ekskluzive, ai rrëfen të gjitha kriteret që duhet të përmbushte një person që pretendonte të bëhej diplomat. Gjithashtu ai tregon se kur e ka zanafillën diplomacia shqiptare, me cilat vende vendosëm marrëdhënie diplomatike dhe cili ishte misioni i tyre.
Cilat janë figurat më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare të asaj kohe? Në këtë shkrim po botojmë edhe listën me emrat e diplomatëve që nga viti 1914-1944 dhe në vijim në numrin e ardhshëm, do botojë listën e të gjithë diplomatëve, nga viti 1944 deri në vitin 2007.
Zoti Asllani, çfarë roli kanë luajtur diplomatët shqiptarë në arenën ndërkombëtare në atë periudhë?
Ishte qershor i vitit 1933. Si përfaqësues i Shqipërisë në këtë konferencë, duhet të ishte ministri i Financave, por Zogu caktoi babain tim, ( Fuat Asllani), meqenëse ishte englishman. Si anëtar të delegacionit cakton edhe konsullin e nderit në Vjenë, që ndodhej në Londër. Zhvillohet konferenca dhe në një nga ditët e Konferencës, si zakonisht, delegacionet priteshin për darkë nga korporatat e mëdha për nder të mikpritjes. Në një nga ato darka ishte thirrur edhe babai dhe nja 27 delegacione të tjera, në korporatën e çelikut.
Mirëpo, korporata e çelikut ishte një korporatë që nuk dinte rregullin diplomatik, protokollin e ceremonialet. Në protokollin diplomatik vendosej në vendin e nderit titullari që ka gradën më të lartë diplomatike, pra ambasadori. Në atë kohë ambasada kishin vetëm ish-perandoritë. Të tjerët kishin Ministra Fuqiplotë. Pas ambasadorit vendoset Ministri Fuqiplotë i shkallës së parë, por i shtetit që është më i rëndësishëm.
Ata nuk e dinin këtë punë, por në rendin alfabetik ishte Albania, dhe kështu e vendosën babain ngjitur me presidentin e korporatës. Ngrihet presidenti dhe mban një çerek ore fjalim përshëndetës, me zhargonin arkaik të anglezëve, i nderuar, shumë i nderuar etj. Tani duhej të kthente përshëndetjen një nga delegacionet. Babai ishte ngjitur me presidentin.
Në fund të sallës ishte një armik i Shqipërisë, rrjedhimisht edhe antipatik me babain tim, ministri i Financave të Italisë, Dino Grandi, krahu i djathtë i Musolinit, i cili më vonë e pushkatoi. Në atë kohë ishte edhe ministër i Financave edhe zv. ministër i Punëve të Jashtme. Ai i thotë babait: “Ngrihu dhe jepi përgjigjen ti”, -duke mos ditur se babai e dinte anglishten në mënyrë të shkëlqyer. Babai ngrihet, mban fjalimin me të njëjtin zhargon që përdori edhe presidenti i korporatës. Të nesërmen, 12 gazeta londineze përmendën Shqipërinë për fjalimin.
Sa ministra fuqiplotë ka pasur Shqipëria deri në vitin 1939?
Deri në vitin 1937, ka pasur 8 ministra fuqiplotë të shkallës së parë, 3 ministra fuqiplotë të shkallës së dytë dhe këta ishin: Mehmet Konica, Dhimitër Berati, Xhaferr Vila, Mehdi Frashëri, Fuad Asllani, Raul Fico, Lekë Kurti, Dhimitër Popa. Ky, edhe pse ishte ministër fuqiplotë i shkallës së parë, në atë kohë nuk ishte në Ministrinë e Jashtme, por ishte Ministër Oborri.
Ne kishim legata të përhershme me Ministra Fuqiplotë të rangut të klasit të plotë në Uashington, Londër, Paris, Romë, Berlin, Bukuresht, Tokio, Beograd, Athinë, Ankara, Sofje. Pastaj kishim krye-konsullata në rang shumë të rëndësishëm, që ishin në tre qytete të Gjermanisë: në Nyremberg, Hamburg dhe Shtutgard. Kemi pasur krye-konsullatë në Marsejë, Bruksel, Selanik, Stamboll, Milano, Bari dhe plot konsullata. Në Itali: Torino, Bolonja, Brindizi, Trieste, Manastir, Janinë, Kostanca, Budapest, Nju Jork etj.
Cilët kanë qenë figurat më të shquara të kësaj fushe në ato vite?
Duhet ta fillojmë që nga Raul Fico, i cili ka nderuar veten dhe Shqipërinë. Edhe vlerësimi i diplomatëve të huaj për të, ka qenë i klasit të parë. Së dyti, ka qenë Xhaferr Vila, i cili me qëndrimin e vetë antiitalian u bë edhe shkak i aksidentit që përfundoi me vdekjen e tij. Ai ishte Ministër Fuqiplotë në Romë, ndërkohë që ishte konfliktuar disa herë me Ministrat Fuqiplotë italianë këtu në Shqipëri.
Tjetër diplomat i rëndësishëm i asaj kohe ka qenë edhe Dhimitër Berati. Ndofta edhe babai, (Fuat Asllani), sepse rëndësia është edhe në cilat shtete emërohesh. Gjithashtu edhe Eqerem Libohova, Xhemil Dino etj. Këta ishin përfaqësuesit më të fuqishëm të diplomacisë, për gati 20 vjet. Por diplomatë të një rangu më të ulët, që i kanë shërbyer me devotshmëri diplomacisë shqiptare, ka plot.
LISTA E 80 DIPLOMATEVE SHQIPTARE, NGA VITI 1912 DERI NE 1944
- Jani Armodhi, konsull në Egjipt, në vitin 1922
- Ali Asllani, konsull në Itali, në vitet 1922 -1925; ambasador në Bullgari, në vitet 1925 – 1926 dhe ambasador në Greqi, nga viti 1930 deri në 1932
- Fuad Asllani, ambasador në Angli, në vitet 1934 – 1935
- Reshad Asllani, konsull në Itali, në vitet 1923 -1924; konsull në Manastir, në vitet 1938 -1939
- Rexha Bega, konsull në Turqi, në vitin 1938
- Xhaferr Belegu, kryekonsull në Bari, konsull në Itali në vitet 1938 -1939
- Dhimitër Berati, kryekonsull në Bullgari, në vitin 1924; ambasador në Francë në vitet 1924 -1925
- Haki Blloshmi, konsull në Boston, SHBA, nga viti 1925 deri në vitin 1929
- Selaudin Blloshmi, ambasador në Rumani, në vitet 1926 – 1928
- Kostandin Boshnjaku, ambasador në Turqi, në vitin 1922
- Kostandin Çekrezi, ambasador në SHBA, në vitet 1921 – 1922
- Remzi Çelo, konsull në Selanik, Greqi 1934 – 1939
- Lazër Çeta, konsull në Jugosllavi, në vitin 1925
- Sofokli Çomora, konsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1928 – 1933
- Ferid Dervishi, kryekonsull në Bari, Itali, në vitet 1925 1926; konsull në Selanik, Greqi, në vitet 1932 – 1933; kryekonsull, në Turqi 1934 -1936
- Xhemil Dino, ambasador në Itali, nga viti 1926 deri në 1931, dhe ambasador në Angli, në vitet 1932 – 1933
- Vasil Dogani, kryekonsull në Rumani në vitet 1922 – 1936
- Asdreni, konsull në Rumani në vitet 1921- 1926
- Dervish Duma, konsull në Londër, Angli, në vitet 1936-1939
- Rauf Fico, ambasador në Turqi, në vitet 1926-1928; ambasador në Jugosllavi, në vitet 1928 – 1929 dhe 1932- 1937, ambasador në Greqi në vitet 1937-1938; ambasador në Gjermani, në vitet 1938 -1939
- Mehdi Frashëri, ambasador në OKB, në vitet 1926-1929
- Mit‘hat Frashëri, ambasador në Francë, në vitet 1922 -1923; Greqi në vitet 1923 – 1926
- Qemal Frashëri, konsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1925-1926
- Xhemal Frashëri, konsull në Londër, në vitet 1925-1927; kryekonsull në Manastir në vitet 1935-1938; kryekonsull në Stamboll, Turqi, 1938-1939
- Shemzi Gabrani, konsull në Bari, Itali, në vitin 1925,
- Gjergj Geco, kryekonsull në Egjipt, në vitet 1934-1935; kryekonsull në Janinë, Greqi, në vitet 1935-1936
- Rrok Gera, ambasador në Gjermani, në vitin 1944
- Fahredin Gjata, ambasador në Greqi, në vitet 1926 -1927
- Shaqir Hajrullahu, konsull në Stamboll, Turqi, 1936-1938
- Sabri Hamzaj, konsull në Stamboll, Turqi, në vitin 1926
- Maksud Hulusi, kryekonsull në Janinë Greqi, në vitet 1937-1939
- Remzi Janina, kryekonsull në Janinë, Greqi, në vitet 1926-1931
- Qemal Jusfuti, kryekonsull në Selanik, Greqi në vitet 1934-1935
- Angjelin Kakarriqi, konsull në Korfuz Greqi, në vitet 1938-1939
- Vasil Kalluci, konsull në Korfuz, Greqi, në vitin 1926
- Hamdi Karazi, konsull në Itali, në vitet 1927-1928, kryekonsull në Korfuz Greqi në vitet 1933-1934
- Nikollë Kasneci, konsull në Itali, në vitet 1920-1921
- Ndrio Katundi, konsull në Jugosllavi, në vitet 1922-1924
- Stavri Katundi, konsull në Manastir, në vitet 1938-1939
- Atlante Koçi, konsull në Bullgari, në vitet 1936-1939
- Mark Kodheli, kryekonsull në Bari, konsull Itali, në vitet 1927-1933
- Xhahid Koka, kryekonsull në Selanik, Greqi në vitin 1938
- Faik Konica, ambasador në SHBA, në vitet 1926-1939
- Mehmed Konica, ambasador në Angli, në vitet 1920-1925
- Skënder Konica, konsull në Bullgari, në vitet 1932-1934
- Stelio Kostandini, konsull në Egjipt, në vitet 1923 -1925
- Dhimitër Kosturi, konsull në Francë, në vitet 1928-1932; konsull në Janinë, Greqi, në vitet 1932-1935; kryekonsull në Egjipt, në vitin 1935
- Kostandin Kote, konsull në Itali, në vitet 1922-1923
- Ceno Kryeziu, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1926-1927, ambasador në Çekosllovaki, në vitet 1927-1934
- Lec Kurti, konsull në Bari, Itali në vitet 1921-1922; ambasador në Greqi, nga viti 1925 -1926; ambasador në OKB, në vitet 1930-1935
- Sotir Laci, konsull në Greqi, në vitet 1936 -1937
- Nezir Leskoviku, konsull në Stamboll, 1922-1925; kryekonsull në Bullgari, në vitet 1932-1933; konsull në Greqi në vitet 1936-1938
- Xhavid Leskoviku, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1925-1926; ambasador në Turqi në vitet 1933-1934, ambasador në Greqi në vitet 1934-1936
- Asaf Libohova, konsull në Bari, Itali, në vitin 1939
- Eqerem Libohova, ambasador në Itali, në vitet 1925-1927, ambasador në Francë në vitet 1933-1936
- Maliq Libohova, konsull në Londër, konsull në Angli, në vitet 1926-1927; kryekonsull në bari, Itali, në vitin 1939
- Tefik Mborja, ambasador në Itali, në vitet 1923-1925
- Kosta Meksi, konsull në Manastir, në vitet 1933-1934; kryekonsull në Stamboll, Turqi në vitin 1937
- Qemal Mesarea, ambasador në Greqi, në vitet 1933-1934
- Kostandin Mima, konsull në Trieste, Itali, në vitet 1925-1927
- Gjergj Naçi, konsull në Turqi, në vitin 1937
- Pandeli Nase, kryekonsull në Egjipt, në vitet 1927-1934
- Fan Noli, ambasador në OKB, në vitet 1921-1922
- Gjergj Pekmezi, konsull në Austri, në vitet 1921-1925; konsull në Jugosllavi, në vitet 1925 1926
- Nik Pema, konsull në Hungari, në vitet 1923 -1925
- Dhimitër Popa, ambasador në Bullgari, në vitet 1932-1934
- Nikollë Rrota, kryekonsull në Austri, në vitet 1921-1926
- Çatin Saraçi, kryekonsull në Bari, Itali, në vitin 1925; konsull në Austri, në vitet 1926-1929
- Xhemal Sojli, konsull në Kostancë, Rumani, në vitet 1921-1923
- Rrok Stani, konsull në Rumani, në vitet 1926-1927; kryekonsull në Korfuz, Greqi, në vitet 1937-1939
- Stavro Stavri, ambasador në Jugosllavi, në vitin 1925; ambasador në Greqi, në vitet 1926-1928
- Avdyl Sula, konsull në Nju Jork, SHBA në vitet 1923-1925; kryekonsull në Selanik, Greqi, në vitet 1926-1927; ambasador në Egjipt, në vitet 1938-1939
- Xhelal Shaska, konsull në Bari, Itali, në vitin 1938
- Tahir Shtylla, ambasador në Jugosllavi, në vitet 1927-1929
- Koço Tashko, konsull në Nju Jork, SHBA, në vitet 1922-1924
- Xhaferr Vila, konsull në Francë dhe Angli njëkohësisht, në vitin 1925; ambasador në Jugosllavi në vitet 1929-1932, ambasador në Greqi, në vitet 1932-1933, ambasador në Itali në vitin 1936-1938
- Eqerem Vlora, ambasador në Angli, në vitet 1927-1929, ambasador në Greqi, në vitin 1929
- Iljaz Vrioni, ambasador në Francë, në vitet 1925-1927
- Asaf Xhaxhuli, kryekonsull në Shkup, në vitet 1933-1936; ambasador në Turqi, në vitet 1938-1939
- Zaharia Zamifresku, konsull nderi në Rumani, në vitet 1921-1929 / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm