Nga Arben P. Llalla
Pjesa e tetë
– Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri (1944-1945) E vërteta e bashkëpunimit të çamëve, me gjermanët –
PARATHËNIE
Memorie.al / Periudha që kam nisur për të shkruar librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam patur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke, për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vitesh, e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut.
Masakrat në Çamëri nga EDES
Pas pushtimit fazë-fazë të Epirit të Jugut-Çamërisë nga grekët, që në vitet 1880 dhe deri në fillim të vitit 1913 kur u morë Janina, shqiptarët kanë qenë nën presionin shtetëror grek, për të braktisur trojet e tyre. Ashtu siç e kemi thënë më lartë ndër vite, Greqia me dhunë largoj mijëra familje shqiptare nga Çamëria për në Turqi, Shqipëri dhe gjetkë duke mos u kthyer më kurrë. Por gjenocidi më i egër dhe fatal ishte ai i viteve 1944-1945, ku forcat ushtarake të EDES të udhëhequr nga klerikë orthodoksë grek me veshje ushtarake, kryen masakrat çnjerëzore mbi popullsinë e pambrojtur çame.
Ishte e martë, 27 qershor 1944, ku rreth 2.500 trupa ushtarake të EDES, të udhëhequr nga Napoleon Zerva dhe të shoqëruar nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i cili kishte veshur rrobat ushtarake të EDES, hynë qetësisht në qytetin e Paramithisë. Asnjë kundërshtim me armë nga ana e popullsisë shqiptare, Mitropoliti Dhorotheos nis bisedat me krerët shqiptar, me Myftiun Sali Hafizi, duke ju premtuar se asnjë e keqe nuk do t‟ju ndodhë.
Pas dreke, pas një ngrënie të mirë, filloj masakrimi kudo në çdo vend që gjenin çamër. Masakrimet janë bërë nëpër shtëpi me gra dhe fëmijë. Burrat janë vrarë mizorisht nëpër rrugë dhe hedhur nëpër hendeqe. Numri i të vrarëve gjithsej, 165. Në qarkun e Paramithisë në katundet e quajtura Gardiq, Dragoni, Amini e Karkunar, një ditë më pas u masakruan tmerrësisht 600 punëtorë dhe bujq, 150 plaka, gra dhe vajza.
Më 28 gusht 1944, në Pargë, bandat e Zervës vranë 49 burra dhe 8 gra. Më 14 shtator autoritetet ushtarake zerviste në Filat grumbulluan gjithë burrat e mbetur në qytet, shumica e të cilëve ishin pleq dhe pas një “gjyqi” formal, i dënuan të gjithë me vdekje, me përjashtim të 7 vetëve. Pas tri-katër ditësh u pushkatuan 51 veta të tjerë, afër spitalit të Filatit dhe te Përroi i Shejlës. Kështu numri i të vrarëve dhe i të humburve në qytetin e Filatit, arrinte në 259 vetë.
Në Filat, gjatë periudhës qershor 1944-mars 1945, u masakruan dhe u vranë 1.286 persona, në Gumenicë u vranë 192, në Margëlliç e Pargë 626 persona, etj. U shkatërruan 68 fshatra, u dogjën dhe u rrënuan 5.800 shtëpi, u shkatërruan të gjitha objektet e kultit, si dhe u grabitën pasuritë, pronat e këtyre kulteve (mbi 80 xhami). Sipas një liste, sipas të cilës qenë regjistruar emrat e të vrarëve dhe vendit të tyre të origjinës, më pas se 1200 viktima civile, janë identifikuar për periudhën 1944-1945.
Përfundimi i genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Epirin e Jugut-Çamëri, ishte tragjik. Pothuajse Çamëria u spastrua nga etniteti shqiptar, që i përkiste besimit mysliman. Në fshatrat ku banonin shqiptarët mysliman u vendosën refugjatë grek, të ardhur nga Azia e Vogël dhe grek të ardhur nga pjesët e tjera të Greqisë.
Shumë fshatrave ju ndërruan emrat, u ndërruan toponimet e shumë vendeve për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare në Epirin e Jugut. Nga një popullsi prej 35.000 vetash, që ishte paraluftës, mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Të vrarët dhe të humburit arrijnë shifrën 2.300 vetë. Të vdekurit gjatë emigracionit për mungesë ushqimesh dhe nga sëmundjet e ndryshme, 2.400 vetë.
Nga të dhënat e botuar kohëve të fundit, del se sipas qyteteve janë masakruar në genocidin grek ndaj popullsisë çame, 2.877 shqiptarë. Në Filat dhe rrethinë, numri i të masakruarve është 1.286, Gumenica me rrethinë, 292, Paramithia me rrethinë, 673, në Margëllëç dhe Pargë, 626.
Përveç pjesëmarrësve ushtarak që kishin shërbyer në qeverisjen fashiste të Metaksait, në masakrat kundër çamëve, morën pjesë dhe dhjetëra priftërinj, si Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafim i ardhur nga Athina me porosi të kryepeshkopit të Greqisë, Damaskino. Serafimi do të bëhej më tej Mitropolit i Janinës dhe më vonë kryepeshkop i Greqisë, vëllai i Napoleon Zervës, Aleko Zerva, i cili ishte prift, etj.
Kapiteni Kristos Stavropulos, në rolin e gjykatësit të ushtrisë EDES, nënshkroi ekzekutimet pa gjyq të qindra shqiptarëve në genocidin e viteve 1944-1945 në Çamëri. Në vitin 1953, ushtaraku Kristos Stavropulos, u zgjodh kryetar i Gjykatës së Lartë të Greqisë.
Plani për genocidin e viteve 1944-1945 nga EDES, nuk lindi aty për aty, ai plan për përzënien e shqiptarëve nga Çamëria me masakra, përdhunime, grabitje, etj., ishte planifikuar shumë vite më parë, që kur grekët pushtuan Epirin e Jugut më 1912-1913. Në qeverisjen e Metaksait ishin vrarë 2.300 veta dhe të vdekur në tortura 450. Një shifër e përafërt me masakrat që kryen disa vite më vonë Napoleon Zerva dhe ushtarakët e Metaksait, të grupuar në EDES.
Shteti grek sekuestroj shtëpitë dhe tokat pa të drejtë me ligje dhe gjyqe të montuara, mijëra bagëti u vodhën, ngordhën dhe u dëmtuan. Por tragjedia çame nuk do të përfundonte me largimin nga Greqia dhe ardhjen në Shqipëri. Shqiptarët nga Çamëria u persekutuan nga pushteti komunistë, trajtoheshin me përbuzje si qytetar të dorës së dytë. Shumica e tyre u vendosën në periferitë e qyteteve nëpër baraka dhe jetonin si në geto. Ky ishte një persekutim edhe më i dhimbshëm kur mendon se ata keqtrajtoheshin nga shtetin amë, nga shteti për të cilin kishin sakrifikuar gjithçka për mbijetesën e tij.
I gjithë aparati shtetëror i Greqisë pas vitit 1945, u vunë në lëvizje për ngritjen e historive të gënjeshtrës për bashkëpunimin e popullsisë çame me gjermanët, për të mbuluar masakrat dhe genocidin e kishës greke, pjesëmarrës të trupave ushtarake të EDES. Roli i klerikëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë në masakrat kundër popullsisë shqiptare myslimane në Çamëri, ka qenë i rëndësishëm. Kjo del qartë edhe në letrën-kërkesat e Mitropolitit të Paramithisë, Dhorotheos, dërguar më 18.5.1944, Këshillit të drejtuar nga Mazar Dinos.
Roli i klerikëve ortodoks grek në genocidin e viteve 1944-1945, kundër popullsisë shqiptare në Çamëri
Kisha Autoqefale Orthodokse e Greqisë dhe Patriarkana e Stambollit, Fanari, gjithnjë janë përpjekur për mos ekzistimin e gjuhës shqipe, kombit shqiptar dhe orthodoksisë tradicionale shqiptare. Shqiptarët orthodoksë dhe mysliman, kanë qenë në presionin e Fanarit të Stambollit, për asimilimin e tyre.
Që në shekujt XVIII-XIX-të, misionarë me veshje klerike orthodokse, predikonin për mos ekzistimin e gjuhës shqipe. Njëri nga këta ishte Kozma Etolos, i lindur 1700-1714 (vit dhe datë të saktë nuk ka) në rajonin e Etolisë, në fshatin Mega Dhendron, afër qytetit Thermo. Ai u dorëzua murg në Malin e Agios Oros, ku kreu shkollën Teologjike. Emri i tij i vërtetë ishte Konsta Anifanti dhe prindërit ishin nga Epiri i Jugut-Çamëria.
Familja e Kozmait ishte shumë e varfër, babai i tij mbante çantat e fshatarëve nga fusha për në shtëpitë e tyre, për të siguruar bukën e gojës. Shën Kozmain nëpër trevat e Epirit ku banonin shqiptarët, bënte propagandë kundër gjuhës shqipe: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht, për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë.
Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).
Me këtë teori Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Këtë shpjegim e thonë të gjithë studiuesit grek të biografisë së tij. Por ai nuk ishte vetëm kundër gjuhës shqipe. Shën Kozma Etolos në vitin 1777, qëndroj në fshatin Baieasa ose Vovousa, që banohej nga vllehët afër Janinës, dhe ju tha banorëve: “Gjuha greke është gjuha e Zotit, ndërsa gjuha vllehe është gjuha e Djallit”2. Kozma Etolos, u arrestua në një fshat të Beratit nga turqit dhe u var më 24 Gusht 1779.
Një tjetër klerik orthodoks që ishte kundër gjuhës shqipe, ka qenë Mitropoliti i Kosturit, Fillaretis i cili me origjinë ishte nga Azia e Vogël. Mitropoliti Fillaretis shpërndau një broshurë, ku mallkonte gjuhës shqipe në vitin 1892.
Mitropoliti i Korçës, Foti Kallpidhis me prejardhje nga Azia e Vogël, propagandonte kundër gjuhës shqipe dhe patriotët shqiptar e vranë më 9 Shtator 1906, si hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve, të cilët ishin mësonjës të shkollave shqipe, Theodhos dhe Kristo Harallamo- Negovani, të masakruan nga grekët më 12 Shkurt 1905.
Në shkurt 1914, ushtria greke bashkë me adartët-forca paraushtarake hynë në Shqipëri duke bërë masakra dhe shpallën Autonominë e Veriut të Epirit. Këto forca udhëhiqeshin nga dy Mitropolitë të cilët më tej ishin pjesë të kabinetit të Qeverisë të Autonomisë së Veriut të Epirit të udhëhequr nga Zografo5. Njëri ishte Mitropoliti i Konicës, Spiridon Vllehu i lindur më 1873, me origjinë nga Pogoni.
Mitropoliti i Vellas dhe i Konicës, Spiridon Vllehu më 1913, bashkë me Mitropolitin e Drinopolis dhe Pogonias, Vasileos ishin në krye të ushtrisë greke, kur kjo ushtri hyri në Janinë më 21 shkurt 1913. Ishin po këta dy klerikët e lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë, Mitropoliti Spiridon dhe Mitropoliti Vasileos, pjesë të kabinetit qeveritarë të Gjeorgjio Kristaq Zografos. Sipas të dhënave, Mitropolitit Spiridon Vllehu, shkroi edhe aktin e shpalljes së aneksimit të Jugut të Shqipërisë, Autonomisë së Vorio Epirit.
Mitropoliti tjetër që mori pjesë në nënshkrimin e aneksimit të Jugut të Shqipërisë, ishte edhe ish-Mitropoliti famëkeq i Kosturit, Germanos Karavangjeli, cili ishte transferuar në vitin 1914 në Korçë. Në një fotografi e bërë më 21 shkurt 1914 në Gjirokastër, shihen dy Mitropolitët, Spiridon Vllehu dhe Vasileos, në mesin e ushtarëve dhe adartëve grek, që kishin bërë masakra mbi popullsinë shqiptare. Mitropoliti Germanos Karavangjeli, kur ka shërbyer Mitropolit i Kosturit, mori pjesë direkt në masakrat e ushtrisë greke ndaj popullsisë shqiptare në Kostur, Follorinë dhe fshatrave përreth tyre.
Kur ushtria e Greqisë, pushtoj Shqipërinë gjatë luftës italo-greke nëntor 1940- prill 1941, Mitropoliti i Janinës Spiridon, vizitoj trupat ushtarake greke që ndodheshin në Gjirokastër dhe u bënte presion që të dorëzoheshin pa kushte tek gjermanët. Ditën e shtunë, 19 prill, 1941, Mitropoliti i Janinës Spiridonis, bisedoj me ushtarakët e lartë grek, Çolakoglun, Dhemestihën, Bakon dhe vendosën që të kërkonin armëpushim direkt nga Adolf Hitleri.
Gjithashtu vendosën që të formonin një qeveri të përkohshme me kryeministër Mitropolitin Spiridonin, si dhe bisedimet me përfaqësuesit gjerman t’i bënte gjenerali Çolakoglu, i cili do t‟ju dorëzonte më 20 prill letrën komandantit të trupave SS të Hitlerit, Josef Sepp Dietrich, duke kërkuar një armëpushim. Por, Gjeorgjio Çolakoglu, nuk ua dorëzoj tekstin e shkruar nga Mitropoliti Spiridonas, ku do të ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme, por një letër tjetër ku nuk parashtrohej çështja e qeverisë së përkohshme.
Ndoshta gjeneral Çolakoglu mendonte se përfshirja e Mitropolitit Spiridon, në bisedimet ushtarake midis ushtrisë së Epirit dhe gjermane ishte e tepërt, ose ai vetë ka patur pretendime për postin e kryeministrit të Greqisë. Disa ditë më vonë Gjeorgjio Çolakoglu, u betua si kryeministër i Greqisë.
Më 20 prill, 1941, e Diela e Pashkëve, gjenerali i Korpusit të Parë, Panajot Dhemestihas, gjenerali i Korpusit të Dytë, Gjeorgjio Bako, ish-Mitropoliti i Vellas dhe i Konicës, i zgjedhur në vitin 1916, Mitropolit i Janinës, Spiridon Vllehu, nënshkruan dorëzimin dhe bashkëpunimin e ushtrisë greke të Epirit me gjermanët.
Sipas gazetarit Taso K. Kondojanidhi, gjeneralët ushtarak e zgjodhën Mitropolitin e Janinës, Spiridon, kryeministër i qeverisë së Meçovës. Meçova është qendra e vllehve të Epirit të Jugut. Në 6 korrik 1941, zgjidhet kryepeshkop i Greqisë, Damaskinos. Në meshën e kurorëzimit në Katerdralen e Athinës, morën pjesë kryeministri Kuisling Çolakoglu, ministrat e qeverisë greke, përfaqësuesit e autoriteteve gjermane, italiane, si dhe kryerabini Korec11.
Në prill 1943, Dhorotheos Naskari zgjidhet Mitropolit i Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës. Mitropoliti Dhorotheos lindi në vitin 1905, në fshatin Lelova-Thesprotiko të Prevezës. Emri i tij ishte Dhimitër Naskari, prindërit i vdiqën kur ishte 4 vjeç dhe disa vite qëndroj tek tezja. Pasi mbaroj shkollën fillore, nisi të punojë punëra të rëndomta.
Në vitin 1929, ai u shugurua Dhjak nga Mitropoliti i Korinthit, Damaskinos, i cili më 1941, u zgjodh kryepeshkop i Greqisë. Pas vitit 1931, shërbeu si prift në një nga kishat greke në Stamboll. Në vitin 1942, punonte në sekretariatin i Sinodit të Kishës Autoqefale të Greqisë.
Në verën e vitit 1943, Kryepeshkopi i Greqisë Damaskino, dërgon punonjësin e sekretariatit të Sinodit të Athinës, priftin Serafim, për t‟i dhënë një letër personale Napoleon Zervës. Pas kësaj Serafimi 30 vjeçar, vesh rrobat ushtarake të EDES nën komandën e Zervën.
Prifti Serafim( Visarion Tika), ka lindur më 1913, në fshatin Artesiano të Kardhicës, nga ushtar i EDES të Napoleon Zervës që kryen masakra mbi popullsinë shqiptar të Çamërisë, do të bëhej Mitropolit i Artës më 1949, Mitropolit i Janinës më 1958. Nga viti 1974-1998, do të ishte Kryepeshkop i Greqisë.
Në shtator 1943, pas bisedimesh me drejtuesit e ushtrisë gjermane në Epirin e Jugut-Çamëri, Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu, u bëri thirrje publike të krishterëve për të mos përkrahur guerrilasit (fjala është për grupet e rezistencës), por të qëndrojnë të urtë dhe të bashkëpunojnë me pushtuesit gjermanë, sepse ata kanë marrë përsipër të ruajnë popullsinë besnike dhe të urtë. Kjo thirrje e Mitropolitit të Janinës, Spiridon Vllehu, mban nënshkrimin e tij dhe vulën e Mitropolisë së Janinës, datë 10 shtator, 1943.
Drejtuesi i EDES, Napoleon Zerva, në fillim të shtatorit 1943, ishte takuar me Komandantin e Përgjithshëm gjerman për Greqinë, Hubert Lanz, i cili kishte ardhur për operacionet kundër partizanëve grek ELAS. Pas këtij takimi u ra dakort që gjermanët dhe EDES të kenë një armëpushim 10 ditor. Më tej Zerva sulmoj forcat partizane ELAS dhe liroj robërit gjerman me qëllim që EDES të sigurojë një armëpushim dhe bisedime me gjermanët. Më 24 Shtator në Shkallë të Paramithisë, vriten 6 ushtar gjerman nga forcat e rezistencës.
Në zyrat e gjermanëve në Paramithi, ishin arrestuar ditë më parë se të ndodhte vrasja e 6 ushtarëve gjerman, urdhëri i komandës gjermane ishte se për një gjerman, duhet të pushkatohen dhjetë grek. Gjermanët arrestuan 52 banorë të Paramithisë, për t‟i pushkatuar si hakmarrje dhe më 29 shtator ata pushkatuan 49 qytetarë grek.
Pas vrasjes së 49 grekëve të Paramithisë, të afërmit e tyre kanë ngritur pikëpyetjen se; nëse Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, do të ishte ato ditë në Paramithi dhe jo në Janinë, ndoshta të arrestuarit do t’i kishin shpëtuar ekzekutimit.
Si do që të ketë qenë e vërteta, ka një pjesë të errët për rolin e Mitropolitit Dhorotheos në ngjarjen e pushkatimit të 49 grekëve në Paramithi. Dosja e shënimeve për lëvizjet e Mitropolitit Dhorotheos, nuk ekziston për publikun. Mosprezenca e Mitropolitit Dhorotheos pranë besimtarëve, në ditët e tyre të vështira, na lënë të kuptojmë për rolin e tij të shumëfishtë.
Në fillim të nëntorit 1943, Mitropoliti Dhorotheos ishte në zyrat e gjermanëve në Paramithi dhe më tej e braktisi Mitropolinë e Paramithisë dhe ju bashkua forcave guerrilase të Napoleon Zervës, EDES, duke veshur rrobat ushtarake të këtij grupacioni. Mitropoliti Dhorotheos, u bë krahu i djathtë i Zervës dhe u përfshi në bisedimet e EDES me gjermanët gjatë periudhës dhjetor 1943- tetor 1944.
E premte, 27 qershor, 1944, rreth 2.500 forca të EDES, me në krye Zervën dhe të udhëhequr atë ditë nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i veshur me rroba ushtarake kryen masakra kundër shqiptarëve, duke mos kursyer askënd. Pasi dogjën shtëpitë e shqiptarëve, vranë dhe përzunë ata që kishin shpëtuar, nëpër rrugët me kalldërma të Paramithës, Mitropolitit Dhorotheos, tashmë krah i djathtë i Napoleon Zervës, marshonte me ushtrinë EDES nëpër Paramithi.
Në tetor 1944, Mitropolitit Dhorotheos, përfaqësoj delegacionin e EDES në marrëveshjen me gjermanë për tërheqjen nga ishulli i Korfuzit. Atë ditë Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos mbajti një fjalim në krah të Napoleon Zervës.
Pasi përfundoj lufta dhe spastrimi i Çamërisë nga shqiptarët, dy Mitropolitët që kishin bashkëpunuar me gjermanët, tashmë kërkonin pjesën si shpëtimtar të grekëve në Epirin e Jugut Çamëri, nga çamët mysliman. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, mbeti në këtë detyrë deri në vitin 1952 dhe më tej u dërguan si Mitropolit i Trikkit dhe Stagon, deri sa vdiq në vitin 1959. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm