Memorie.al / Arqile Moisiu, djali i komandantit të parë të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, gjeneral-majorit Spiro Moisiu, si dhe vëllai i ish- Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, aktualisht në pension, ka zbardhur disa detaje të veprimtarisë së babait të tij gjatë periudhës së Luftës dhe më pas. Gjatë një interviste të dhënë kohë më parë për gazetarin Gerti Shella, Arqile Moisiu ka dhënë detajet për marrëdhëniet e babait të tij me Enver Hoxhën, si dhe përplasjet që ai ka pasur me të.
Z. Moisiu, a mund të kujtojmë ato momente të para kur babai juaj mori vendimin për t’u rreshtuar me forcat antifashiste?
Në kohën e fillimit të Luftës II-të Botërore, babai ishte larguar nga ushtria e Zogut. Kur ka filluar lufta italo-greke, ai ka qenë në batalionin “Tomorri”, i cili dezertoi nga fronti luftës, pasi nuk pranoi që të luftonte kundër grekëve. Është dënuar me varje, por më pas është falur nga Duçja, bashkë me një grup oficerësh. Në këtë kohë ai kthehet familjarisht dhe jeton në Lushnje, së bashku me vëllain e tij.
Këtu ka rënë në kontakt me Lëvizjen e parë Nacional-Çlirimtare. Karabinierët erdhën për ta arrestuar, por nuk mundën dhe pas kësaj, ka jetuar ilegal. Ai u zgjodh kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të zonës së Myzeqesë dhe komandant i çetës partizane të Myzeqesë. Që nga kjo kohë u thirr në konferencën e Labinotit në vitin 1943, ku u propozua të ishte Komandant i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Si e priti këtë propozim të bërë në atë kohë?
Në fillimi ai nuk deshi që ta pranonte një detyrë të tillë, pasi iu duk një barrë e rëndë për të drejtuat një ushtri që ishte në formim e sipër dhe në zgjerim dhe e cila nuk ishte e ndërtuar mbi principe ushtarake.
Thuhet se Enver Hoxha ka ndikuar që babai juaj të drejtonte këtë ushtri…?
Në fakt atje kishte shumë anëtarë pro tij, pasi ai kishte një karrierë të pasur ushtarake dhe vlera të cilat ai i kishte demonstruar. Ai e pranoi këtë detyrë për hir të nacionalizmit dhe patriotizmit që ai kishte në karakterin e tij. Ai e ndjente veten të përgatitur dhe se mund ta bënte këtë detyrë që po i ngarkohej.
A mbani mend sfidat profesionale të tij të kuptimit, në mobilizimin e luftës dhe në kuptimin e drejtimit të saj?
Në atë kohë, megjithëse kishte shumë çeta partizane, nuk kishte një lidhje të plotë mes tyre dhe ishin të paorganizuara, dhe kjo ishte një nga detyrat më të vështira për t’u realizuar, pasi ushtria nuk ishte organizuar në mënyrë shkencore.
Në Kongresin e Përmetit, major Spiro Moisiu, nga Komandant i Përgjithshëm, emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm. Si është përjetuar nga babai juaj ky ndryshim?
Unë nuk e di me saktësi nëse ai ka pasur ndonjë keqardhje për këtë vendim, por ju them me bindje, se ai nuk shfaqi asnjë gjë të tillë. Pra nuk shfaqi asnjë keqardhje.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet mes babait tuaj dhe Enver Hoxhës, pasi ky i fundit mori postin e komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë?
Këto marrëdhënie kanë pasur mes tyre pikëpamjet politike, pasi im atë nuk ka qenë anëtar i Partisë Komuniste, kur u fut në luftë. Ai është bërë anëtar i Partisë Komuniste në 1943-in. Pra, lufta e bërë prej tij ishte si një patriot dhe marrëdhëniet përcaktoheshin nga kjo gjë. Enver Hoxha mbante qëndrim si një sekretar partie politike, ndërsa im atë mbante një qëndrim si patriot, që kërkonte që të çlirohej vendi nga pushtuese.
Në foto gjeneral Moisiu është gjithnjë një hap prapa Hoxhës. Është ky një tregues, apo ishte një tipar i babait tuaj modestia …?
Së pari, unë do të thosha se është një tregues i marrëdhënieve mes tyre dhe më pas vjen edhe modestia. Sepse ai bëri shumë emër në luftën e tij. Mbaj mend që njëherë ne kemi takuar një familje dhe i zoti i shtëpisë na ka treguar, se si kur kishte hyrë në kasolle major “Kavaja”, të gjithë e njihnin, kurse Enver Hoxha nuk e njihte dhe qoshen ia lanë atij.
Gjatë vitit 1940-‘44, ju keni jetuar në ilegalitet, besoj se e keni parë shumë rrallë babanë tuaj…?
Shumë pak jemi parë, dhe unë në ilegalitet kam qenë me një emër tjetër, Agim, po kështu edhe vëllai, motrat, edhe nëna. Ne kemi pasur pasaporta false, dhe përsëri kemi qenë në ndjekje të vazhdueshme dhe kemi qenë në lëvizje, në Tiranë, Shijak Kavaje, për t’u fshehur
Mbani mend ndonjë episod ku ju dhe familja juaj i ka shpëtuar arrestimit…?
Ka pasur një rast të tillë, kur ne kemi qenë në Shijak, ku ne ishin të strehuar tek një familje bejlerësh, të cilat në atë kohë njiheshin si familje që mbështesnin pushtuesin dhe që nuk prekeshin nga okupatori. Gjermanët bëjnë kontroll nëpër shtëpitë dhe kur vijnë tek shtëpia jonë nuk bënë kontroll dhe shpëtuam.
A ka pasur bashkëpunëtorë shqiptarë me fashizmin në atë kohë?
Po ka pasur, të armatosur, që punonin kundër Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
A jeni ndjerë ndonjëherë të kërcënuar për shkak të bashkëpunëtorëve?
Po, sigurisht, sidomos në Tiranë, ne kemi qenë në një shtëpi tek rruga e ambasadave, aty ne kemi ndjerë persekucionin që po na bëhej nga shqiptarët dhe më vonë na ndiqnin edhe çetat, çeta e njërit që nuk më kujtohet, por mbaj mend që ka qenë nga rrethi i Tiranës.
Marrëdhëniet e pas luftës e Spiro Mosiut me Enver Hoxhën. Si kanë qenë ato?
Ato kanë qenë marrëdhënie që ndikoheshim nga koncepti që kishin për ushtrinë. Unë mbaj mend nga im atë që përplasja e parë me Enver Hoxhën, ka qenë për çështjen e këshilltarëve jugosllave, për riorganizimin e ushtrisë pas çlirimit. Im atë ka kundërshtuar këtë kërkesë, pasi mendonte se oficerët jugosllave kanë ardhur njëlloj nga lufta, ashtu si edhe partizanët tanë, pra ata ishin të të njëjtin stad ashtu si edhe ne. Pra ai mendonte se përvoja e tyre nuk ishte më e madhe se sa përvoja që kishin partizanët tanë. Atëherë u aludua se Spiro Moisiu, ishte pro rus.
Kjo ka qenë periudha kur pati një përplasje me Koci Xoxen. A mbani mend ndonjë detaj lidhur me këtë ngjarje?
Në atë kohë, megjithëse unë isha në një moshë të vogël, mu duk e pazakonshme, pasi unë e dija që im atë kishte qenë partizan dhe ne kishim jetuar në ilegalitet, dhe një ditë të bukur babai vjen në shtëpi dhe thotë se ishte liruar nga detyra.
Ç’moshë ka qenë gjeneral Moisiu në këtë kohë?
Ai ka qenë 48 vjeç. Pra në kulmin e karrierës. Dhe aty ai ndjeu persekucionin që po i bënte Koci Xoxe. Madje unë mbaj mend se në atë kohe, kemi qenë në rrugën “Fortuzi”, ka qenë një vilë atëherë që ishte e sekuestruar dhe ruheshim nga dy-tre oficerë të Ministrisë së Brendshme civilë, që na ruanin dhe shihnin të gjitha lëvizjet e tim eti. Ai gjithmonë na porosiste që ne të mos tregonim se ku ishte duke shkuar, sepse ai e dinte se në çdo kohë atë e kishin nën vëzhgim dhe se kërkonin ta arrestonin.
Çfarë ndodhi pas arrestimit të Koci Xoxes?
Pas arrestimit të Xoxes, tim atë e rikthyen në Ushtri. Ai u vesh sërish oficer, pavarësisht se detyra që i dha, ishte pa ndonjë farë rëndësie. Ai ishte drejtues i një shoqate jo politike që quhej SHNUM, (Shoqata në Ndihmë të Ushtrisë dhe Mbrojtjes). Kjo ishte një aktivitet, që ai e mori përsipër me shumë kënaqësi, dhe ka nxjerrë shumë kuadro.
Çfarë grade mbante babai juaj në këtë kohë?
Ai ishte Gjeneral-Major, më vonë një vit para se të dilte në pension, ai u bë Gjeneral-Lejtnant dhe me këtë gradë doli në pension. Ai ishte mjaft vital, dhe deshën që ta mbanin në Ministrinë e Mbrojtjes si Inspektor në Ushtri, por ai nuk pranoi një detyrë të tillë. Kishte edhe ai sedrën e vet ushtarake.
Në familjen Moisiu, si festohet 29 nëntori?
Ne e kemi traditë familjare festimin e 29 nëntorit, në respekt jo vetëm të luftës së bëri babai, por edhe në respekt të shqiptarëve që morën pjesë dhe që dhanë jetën në luftën për çlirimin e vendit, pra është një festë që përkujtohet në mënyrë të thjeshtë.
Djemtë e gjeneral Moisiut, a janë dakord që 28 nëntori mund të shërbejë si një datë e vetme, për të përkujtuar edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe fitoren e luftës?
Unë nuk jam dakord.
Pse?
Argumentet janë me shumicë si për variantin, por ashtu edhe për kundër kësaj çështjeje, por për atë shkollë që kemi bërë dhe me atë përgatitje që kemi marrë, ne e dimë që lufta ka mbaruar në 29 nëntor dhe çlirimi i Shkodrës është bërë në 29 nëntor, dhe nuk ka të bëjë fare me faktin, se në këtë datë është çliruar edhe Jugosllavia, dhe mua nuk më duket fare argument shkencor.
Nëse ju do të ishit në postin e vëllait tuaj, Alfred Moisiu, si mendoni, a do të ishte kjo një detyrë e vështirë për t’u kryer, për të mbajtur një balancë mes ballistëve dhe partizanëve?
Në postin që kishte ai, kjo është një detyrë parësore, sepse ai përfaqëson të gjithë kombin, por mendoj se është e vështirë. Sepse tek ne janë të thella këto lloj konceptesh, mes familjeve balliste dhe atyre partizane. / Memorie.al
Intervistoi Gerti Shella