Nga Enver Lepenica
Pjesa e dytë
Memorie.al / Veledin Bilbili e la me gisht në gojë Sigurimin e Shtetit në vitin 1948, ndërsa kishte vajtur ta arrestonte në shtëpinë e tij në Dukat. Ai doli nga një derë e fshehtë e shtëpisë dhe u arratis. Në prill të vitit 1949, zbarkoi nga një nëndetëse në Karaburun dhe mori 9 shokë ideali antikomunist, ndërmjet tyre edhe babanë e gjeneralit famëkeq, Halim Xhelo, që kishte vajtur në Dukat të arrestonte të atin. Kjo ikje e tërboi Sigurimin e Shtetit dhe nisur nga kjo ushtroi reprezalje çnjerëzore mbi familjet dhe bazat e të arratisurve…!
Herën e parë Veledin Bilbilin e arrestuan më 1945, për vrasjen e një partizani dhe për arrestimin e Ramadan Alushit. Për 45 ditë rresht u torturua në hetuesi, por ai u lirua për mungesë provash. Herën e dytë e arrestuan në shtator 1948 në Himarë, ku Veledini kish vajtur për të biseduar me miqtë e tij, për t’u arratisur në Greqi. Këtë herë ai u ndihmua nga Izeir Nuhu, çam, oficer Sigurimi, por që kish ndenjur në Dukat e qe ndihmuar prej familjes së Veledinit.
Kështu vazhduan ta arrestonin Veledin Bilbilin. Herën e katërt që vanë për ta arrestuar, Sigurimi e gjeti Veledinin majë çatisë, duke rregulluar tjegullat. -“Hyni brenda, – u tha Veledini – se po zbres”! Në fakt Veledini zbriti dhe kaloi nga dera e pasme e shtëpisë dhe nga ai moment u hodh në arrati, i ndjekur kudo këmba këmbës, prej forcave të Sigurimit të Shtetit dhe spiunëve të tyre. Në vitin 1949, ai u dënua me vdekje në mungesë dhe në vitin 1959, ai nuk u fal prej amnistisë që nxori qeveria shqiptare.
Në arrati në tokën mëmë!
Veledini flinte me net të tëra jashtë. Në netët e ftohta gdhihej në kasollet e bagëtive në mal, që ishin bosh. Kur vinte darka bashkë me errësirën, e shoqja Velideja bashkë me të birin Idain, vinin përpara një ka të cilit i kishin lidhur poshtë barkut një trastë me ushqime dhe ia shpinin Veledinit. Po të takonin njeri rrugës, do të thoshin se po ja çojnë të zotit, Musa Goxhos. Dhe nëse do ta takonin kur të ktheheshin, do të thoshin se na pati ikur kau dhe e gjetëm këtej nga Goxhajt! Kështu ngryseshin dhe gdhiheshin netë të tëra.
Veledini sipas sinjalit që merrte nga e shoqja dhe i biri, vinte edhe në shtëpi, për t’u ndërruar. Ata ishin marre vesh për këtë sinjal: E shoqja dhe i biri kontrollonin territorin dhe nëse nuk do të shihnin ndonjë gjë të dyshimtë, do të hidhnin në mur një qilim të kuq. Një ditë në të errur Veledini pa qilimin e kuq dhe mbërriti në shtëpi, me shpejtësi të madhe. Nuk kaluan as pesë minuta dhe trokiti porta. Ishte hera e parë që Veledini nuk e mendoi të keqen dhe doli vetë e hapi derën. Kur ç’të shoh forcat e ndjekjes të armatosur.
– “Erdha, – u tha Veledini, – sa të marr kapelën”! Ai u fut brenda dhe me shkathtësinë që e karakterizonte iku nga dera e pasme e shtëpisë, duke kaluar mure e gjerdhe. Kjo ishte hera e pestë që ai u shpëtonte forcave komuniste dhe dita e fundit në shtëpinë e tij, prej asaj dite ai nuk u kthye më kurrë në shtëpi dhe nuk i pa as gruan, as të dashurit e tij dhe as shtëpitë dhe pronat e tij të shumta që i kish ngritur me aq punë e djersë. Sigurimi i Shtetit e ndiqte tashmë këmba-këmbës. Ai ku gdhihej një natë, nuk gdhihej një natë tjetër. Sa merrte vesh Sigurimi se ku gjendej, ai kishte ikur që andej.
Nder dhe respekt gjithë familjeve dukatase që e mbajtën e fshehën dhe e strehuan birin e tyre, ashtu si shumë bij të tjerë të tyre. Pas vitit 1990, në liri, këto familje trime e fisnike, tregojnë për Veledinin se ai e kalonte natën më shumë në këmbë, se sa shtrirë në ato krevate dërrase që i ofronte fshatari i varfër por i ndershëm dhe që priste orën katër të mëngjesit, që të mund të largohej e, të mos e gjenin aty hijet e zeza të Sigurimit.
Fadili, djali i Veledinit shkruan në kujtimet e tij: “Babai iku, por si iku, shpirti i tij e di?! Si u shkëput nga ajo shtëpi me dhimbje e mall, për gruan që e la vetëm në moshë të re, me dhimbje për 6 fëmijët e tij të dashur, që po i linte prapa. Po linte prapa gjithë djersën e tij, gjakun e tij. Punën që e kish kthyer në kapital, por koka vlente më shumë se gjithë kapitali etj.
Gruaja nuk do të shihte më burrin, strehën e shtëpisë që për pak vite që jetuan bashkë, kaluan një jetë të mirë. Fëmijët do qajnë dhe s’do u thotë më goja baba. Nuk do të bëjë më hije në atë vend ku kish jetuar, punuar e luftuar për 45 vjet me radhë. Fëmijëve ju mbetej vetëm çiftja e varur në mur. Këtë armë nuk do ta prekte më dora e atij burri trim, hije rëndë dhe mendjemprehtë”.
Fadili vazhdon më poshtë: “Por që tragjedia familjare të quhej e plotë dhe që të kënaqte bishat komuniste, duhej që bashkë me arratisjen e babait, të internohej edhe nëna. Një nënë shqiptare e re në moshë, duhej të largohej me dhunë nga çerdhja e saj familjare edhe pse ishte e pastër e ndershme dhe pa asnjë faj. Ajo çerdhe e porsa krijuar me ‘dallëndyshe të vogla’ duhej të prishej. Edhe pse ‘dallëndyshet e vogla’ sapo kishin filluar të cicëronin. Ende nuk kishin lëshuar krahë për të fluturuar. Edhe më të mëdhenjtë që mendonin se kishin krahë, ua preu komunizmi dhe i la cung”.
Kuçedra e kuqe qe vërsulur me egërsi, si e tërbuar mbi një grua me një foshnjë dy muaj në gji dhe 5 fëmijë të mitur, njerëz të pafajshëm, por Sigurimi Shtetit duhej të realizonte qëllimet e tij makabre. Kështu gruaja e Veledin Bilbilit, me një foshnjë në gji dhe me dy djemtë e mëdhenj, u internuan në disa kampe. Tre fëmijët e tjerë të mitur, mbetën vetëm në mes të katër rrugëve.
Siç ka treguar në emigracion, Veledini, diku i fshehur e kishte parë nga larg me hidhërim këtë skenë tragjike të internimit të gruas dhe fëmijëve të tij të mitur.
Para kësaj skene, Veledini mendoi se s’kishte ç’të bënte më në Dukat. Iku në Dhërmi tek miqtë e tij, Thanas Dallfa, për ta ndihmuar që të arratisej në Greqi. Miku i besës shpejt i gjeti një anije greke dhe nga Spileja e Himarës, Veledini u gdhi të nesërmen në Greqi. Ishte 15 nëntor 1948.
Në emigracion dhe desant në Shqipëri
Jetën e vështirë të emigracionit, Veledini e nisi në një kamp refugjatësh në Greqi e Itali. Por ai nuk hoqi dorë asnjëherë dhe deri në fund të jetës, nga lufta kundër komunizmit. Janë këto arsyet që ai tre-katër here, ai ka ardhur si desant në Shqipëri. Në Greqi ai bije në kontradiktë me disa shqiptarë për bindje politike dhe jep dorëheqje përfundimisht prej “Ballit Kombëtar” dhe kalon në Partinë e Legalitetit. Në dasmën e Leka Zogut, ai ka shpurë si dhuratë një mijë dollarë, shumë e cila tërhoqi vëmendjen e trashëgimtarit të fronit dhe prej atij momenti ata mbeten miq deri në fund të jetës.
Më vonë kushëriri i tij i parë Shaqir Bejo, e tërhoqi atë në Kanada, së bashku me Cane Dervishin dhe djalin e tij, pas ca kohe shkoi në Çikago dhe së fundi jetoi në Detroit, së bashku me kunatin e tij Jaup Xhezo, nga Tragjasi. Veledin Bilbili e mbylli jetën në korrik të vitit 1981, nga një aksident automobilistik në Detroit të SHBA-së, zemërdjegur që nuk i pa asnjëherë as fëmijët dhe as Shqipërinë, për të cilën luftoi tërë jetën. Dy vjet pas tij ndërroi jetë edhe Velideja, bashkëshortja e tij besnike.
Takimi i Fadilit me nënën pas 12 vjet ndarje!
Mbasi u arratis Veledini, komunistët internuan gruan e tij. Këtë grua fisnike dhe besnike ndaj të shoqit dhe Shqipërisë, fillimisht e çuan në Tepelenë, pastaj në Lozhan të Korçës, Valias të Tiranës, Cërrik të Elbasanit dhe së fundi në Plug dhe Saver të Lushnjës. Po vazhdojmë tregimin, tashmë sipas kujtimeve të djalit të Veledinit, Fadilit:
“Nënën na e rrëmbyen në vjeshtë të vitit 1948, me një vajzë dy muajsh në gji dhe dy djem mbi 14 vjeç. Tre fëmijë të tjerë të Veledinit, më i madhi 7 vjeç, mbeten në fshat, në mes të katër rrugëve. Zoti vetë ndërhyri dhe i tha një njeriu të mirë, të merrte tre fëmijët e Veledinit e, t’i mbante në prehrin e tij, së bashku me fëmijët e tij.
Zoti i dha atij njeriu të mirë forcën e mendjes, për të ndriçuar udhën e mirësisë. Ashtu bëri një njeri i mirë Gani Çapaj. Në atë kohë të trazuar ku njeriu vuante nga uria, po më shumë nga dhuna e Sigurimit të Shtetit, një veprim i tillë është më shumë se heroizëm. Gani Çapaj kish kurajën, trimërinë, zgjuarsinë, shpirtin e bukur dhe zemrën e madhe. E kjo barrë e rëndë që mori përsipër, nuk ishte kohë e shkurtër, por plot 12 vjet, që nga 1948, deri më 1960-ën.
Kështu tre fëmijët e Veledinit, u rritën së bashku me pesë fëmijët e Ganiut. Ja çfarë bëri një njeri i ushqyer me ndjenjat e larta të dashurisë ndaj atdheut, me besimin tek Zoti, me mirësinë e shpirtit, ai u dha jetë krahas pesë fëmijëve të tij, edhe tre fëmijëve të vegjël të Veledin Bilbilit ,të mbetur në rrugë.
Na e morën nënën. Kurrë nuk mund ta harroj atë skenë të dhimbshme edhe vdekja do të ishte më e lehtë. Na e morën nënën bashkë me dy vëllezër dhe një foshnjë. Përse na e morën nënën, çfarë kish bërë ajo? Çfarë mund të bëj një foshnjë e porsa lindur, që ia prishën çerdhen ku po flinte! Motra dy muajsh kish si burim ushqimi gjirin e nënës. Po nëna e shkretë ku do të gjente pakë bukë, që të mbante gjallë veten dhe foshnjën e sajë?
Ne të tre e kishim një çerdhe ku mblidheshim, shtëpinë e xha Ganiut. Nga ne më e madhja ishte motra 7 vjeçe. Ajo zëvendësoi nënën që na e morën bishat e kuqe. Motra e mjerë ngrihej natën dhe na mbulonte. Na pyeste shpesh a kishim uri, sa për ta ditur sepse dhe ajo s’kish ku të gjente asnjë kafshët bukë.
Xha Ganiu na dërgoi dhe në shkollë. Unë mësoja shumë. Kur vija nga shkolla, veja më dhen. Por ngado që veja, mendjen nuk e hiqja nga nëna. Ah! Mendoja të kisha nënën, do më thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë, e cila do ma ngrohte trupin e sfilitur, dhe fjala e ngrohtë është e nënës, është melhem!…
Kisha 12 vjet që isha ndarë me nënën dhe nuk e kisha parë asnjëherë. Më kishte lënë 8 vjeç më 1948-tën kur u ndamë dhe tani më 1960, unë isha 20 vjeç. Edhe nëna kishte 12 vjet të kaluar në vuajte e mjerim, pa bukë e pa ujë, pa dashuri, pa familje, e ndarë për së gjalli me njerëzit dhe me fëmijët e saj. E kishin plakur shumë, por nuk ja kishin prishur shpirtin e saj të bukur…!
Kështu pas 12 vjetësh xha Ganiut në Dukat, i erdhi një letër nga nëna, e që morëm vesh se ajo ishte internuar në Savër të Lushnjës. Ajo shkruante: “I dashur vëlla Gani! Të lutem me përgjërim, m’i sill një herë të tre fëmijët, t’i shoh dhe le të vdes”. Burri fisnik na veshi e na ngjeshi me ato që kish dhe me të u nisëm për të takuar nënën, pas 12 vjetëve pa e parë. Në Plug të Lushnjës, mbërritën pas mesdite. Në arat e pafundme të Lushnjës, shumë gra ishin duke prashitur.
Mua më dërgoi xha Ganiu të pyesja për nënën:
– “Ku është Velide Çapaj”? – pyeta gratë e para që takova.
– “Çfarë e ke”? – më pyetën ato.
– “Nënë”! – u thash unë.
– “Është në fund të arës, – më thanë ato gra të lodhura dhe të drobitura, – ajo me atë fëmijën pranë”.
Pasi mbërrita në fund të arës, ju drejtova gruas që prashiste dhe që kish pranë një vajzë rreth 10-12 vjeçe.
– “O shoqe, – i thashë asaj gruaje, – a e njihni Valide Çapajn”?
– “E ç’e do a të keqen nëna”? – më tha ajo.
– “E kërkojnë në xhade”, – i thashë unë.
Gruaja e vuajtur mi nguli sytë mirë, filloi të marrë frymë si me zor dhe më pyeti:
– “Po ti i kujt je dhe nga je mor bir”?
– “Jam nga Dukati, i biri i Gani Çapaj”, e gënjeva unë.
Gruaja mu qas pranë dhe po më vështronte nga lart poshtë, po ashtu bëri dhe vajza e saj, të dyja më vunë në mes dhe po më shikonin si të shastisura. Mua filloi të më rrihte zemra fort.
– “Mos më gënje, të keqen nëna, më tha ajo. Gani Çapaj nuk ka djalë të madh, mos je ti Fadil”? – më pyeti me zë të dridhur.
– “Po”, i thashë unë.
Nëna e mjera ra përdhe, ndërsa vajza e saj mu hodh në qafë duke më puthur.
– “Të keqen motra, të keqen motra”!
Ajo plakë që nuk e njoha, ishte nëna ime, ajo vajzë që nuk e njoha, ishte motra ime. Ishim ndarë me të kur ishte 2 muajsh dhe tani po e shihja 12 vjeçe. Kjo është drama ime, po sa drama të tilla ka në Shqipëri shkaktuar prej komunistëve barbarë.
Hodha sytë nga fusha dhe pyeta veten; mos vallë edhe fëmijët e këtyre grave të mjera, nuk i njohin nënat e tyre kështu si dhe unë? Prej atij moment edhe ne të tre fëmijët e mbetur jetim me nënë dhe babë gjallë, u bashkuam me nënën pas 12 vjetësh dhe jetuam në Savër të Lushnjës”! / Memorie.al