Pjesa e dytë
Memorie.al / “Ditari im shqiptar” i famullitarit austriak, Fabian Barcata, botohet për herë të parë në shqip nga Shtëpia Botuese “Mirdita”, në njëqindvjetorin e tij. Ai u shkrua në vitin 1905 – 1906, në Kryezez (Rubik) dhe u botua njëzet vjet më vonë, në revistën françeskane “Franzisziglöcklein”, Austri, në vitet 1926 – 1927. Ky është i pari ditar i mirëfilltë i një prifti të huaj për Shqipërinë. Emri i Fabian Barcatës, këtij austriaku mistik të fillim-shekullit të kaluar, është thuajse i panjohur për lexuesin e sotëm. Kështu ka qenë edhe shtatëdhjetë vjet më parë, deri kur u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij “Lule”, falë kujdesit të profesor Karl Gurakuqit, një ndër emrat pikantë të letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili vdiq në Romë si emigrant politik, në vitin 1971.
Një figurë si Barcata i bën nder edhe vetë Austrisë
“DITARI IM SHQIPTAR”
(Pjesë nga ditari…)
Nga Padër Fabian Barcata
MALARJA
Në Kryezez, për t’u shëruar nga ethet e malaries
30 prill 1905
Sot jam kthyer me gjithë çfarë kisha nga Alessio (Lezha). Ethet e malaries më kishin lodhur shumë kohët e fundit. Gjatë rrugës m’u desh të ndalesha dhe të pushoja dy herë dhe kur arrita këtu dridhesha aq shumë, saqë nuk e kontrolloja dot veten. Pritje festive! Nga lart, ku ndodhej kisha dhe famullia, dëgjoheshin të shtënat me pushkë. Ndërmjet të shtënave dëgjohej dhe zëri i ëmbël i kambanave të kishës. Të gjithë njerëzit që takoja gjatë rrugës, më përshëndetnin me respekt.
Para dyerve të shtëpive dhe kasolleve qëndronin gratë, ndërsa para tyre vraponin fëmijët, disi të trembur, që më vrojtonin me gisht në gojë. Një grua e re me një fëmijë në krah, e cila gjatë rrugës qëndronte pranë meje, më tha me zë të lartë: “Zotëri, rri te ne, ajri i Kriezezit do t’ua largojë ethet e sëmundjes”. Edhe unë e besoja këtë. Arqipeshkvi më kishte dërguar këtu për t’u shëruar.
VARFËRIA
Duke fjetur nën shi
4 maj 1905
Sa e varfër është famullia. Sigurisht që as Lezha nuk më ka përkëdhelur, madje edhe komforti më i vogël që më kanë dhënë atje, këtu më mungon tërësisht. Gjatë natës së sotme ka rënë shi dhe mua m’u desh ta ndërroja katër herë vendin e fjetjes, pasi pikonte në të gjithë dhomën time.
Më në fund, nuk më mbeti asgjë tjetër, veçse të mbështillesha në mushamanë time. Kështu më zuri gjumi dhe kur u çova, isha tërësisht i lagur. Gjëja më e këndshme është zjarri që ndodhet në kuzhinë dhe që mbahet ndezur gjatë gjithë kohës. Afër zjarrit ulem me orë të tëra në një poltron, veçanërisht kur më kapin ethet e malaries.
KISHA
Një panoramë e zymtë
5 maj 1905
Dje u ankova për kushtet në banesën time dhe kjo nuk është aspak e drejtë, pasi Zoti nuk ka falur në Kryezez diçka më të mirë. Sa e varfër është kisha këtu! Katër mure të vjetra dhe mbi to një çati e keqe e papërfunduar me pllaka guri dhe përveç kësaj, mungon edhe tavani. Altari është si një kub muri, ku për të hipur tek ai, duhet të kalosh mbi dy shkallë, të murosura dhe këto.
Mbi altar, në mur, është varur një pamje e mjerë, e pikturuar në dru. Ka vetëm dy mbajtëse qirinjsh prej druri, të cilave u mungojnë dhe këmbët. Në vend të këmbëve i kanë vënë gozhda për t’i mbajtur. Qirinjtë e tjerë mbahen në shishe boshe.
Të vetmet stoli në kishë janë dy tufa të vjetra me lule letre, të cilat dhe këto kanë humbur formën e tyre. Si mbajtëse vere shërbejnë dy shishe të vogla të bëra nga kungulli. Kur po thoja për herë të parë meshën e shenjtë, më ka shtrënguar zemra. E ndieja se duhej të ndryshoja diçka.
Menjëherë kam shkruajtur për ca mbajtëse të reja qirinjsh prej metali dhe u kam kërkuar murgeshave në Kallmet, të më bëjnë 4 buqeta të reja lulesh. Kisha ka nevojë edhe për t’u lyer me gëlqere, gjë që do ta bëj vetë. Përse e kam bërë shkollën e pikturës?
MALËSORI
“Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”
15 maj 1905
Sot kam bërë vizitën time të parë pranë një të sëmuri. Më thirrën te një burrë i vjetër që po vdiste. Shkova me kalë deri te kasollja. Aty ma mori kalin një burrë. Përmes një dere të ulët hyra në dhomën e vetme të kasolles. Në dhomë ishte vetëm një burrë i vjetër, i mbështetur me shpinë për muri, i cili thithte me qetësi një cigare. Hodha sytë përreth për të gjetur të sëmurin, për të cilin isha thirrur, por nuk e pashë.
Plaku kishte vërejtur në heshtje vështrimin tim kërkues. Më në fund më tha: “Unë jam i sëmuri”! Isha pothuajse i nevrikosur, pasi kur më thirrën për të vizituar të sëmurin, ndodhesha në krevat i shtrirë dhe i lodhur nga ethet. Kisha ecur me kalë për rreth dy orë, i prekur nga ethet dhe vij të vizitoj një burrë, i cili ishte më shëndosh se unë. A thua burri po e kuptonte nevrikosjen time? Më duket se po.
Ai më ftoi të ulesha pranë tij, ma mori dorën dhe pasi e vendosi te goja dhe mbi ballë, filloi të më fliste dhe zëri i tij u bë i ëmbël, sikur fshihte në të një lutje të brendshme: “O Zot, unë e shoh që edhe ti je i sëmurë dhe po më dhemb shpirti që të kam thirrur. Por mos u pendo për ardhjen tënde, pasi ajo nuk ka qenë kot. Unë jam duke vdekur dhe dua ta paguaj llogarinë që kam të hapur me Zotin. A e di ti që unë jam një mëkatar i madh dhe kur të vijë koha që unë të dal përpara Zotit, nuk e di se çfarë do më shpëtojë përveç se zemërgjerësisë suaj”.
Unë e dëgjova rrëfimin e tij dhe m’u duk sikur kësaj here kisha bërë mjaft. Ai donte që unë t’i bëja dhe vajimin e fundit. E kundërshtova me vendosmëri, pasi ky sakrament bëhej vetëm për njerëzit që ishin duke vdekur. “Zotëri, më beso, do të vdes së shpejti”. Gjatë kësaj kohe erdhën në dhomë dhe të afërmit e burrit, të cilët iu bashkuan lutjes së tij. Edhe ato mendonin se ai do vdiste së shpejti. Nuk isha i bindur, por i shtyrë nga lutjet e njerëzve, i bëra këtij burri vajimin e fundit. Pas ceremonisë më përgatiten kafe dhe unë qëndrova ca kohë duke biseduar me këtë burrë.
Ai më tregoi për kohët e shkuara dhe më dukej se i kishte vënë qëllim vetes, të më tregonte vetëm gjërat negative që kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij. Por qëllimi që i kishte vënë vetes, nuk pati sukses. Pas çdo fjalie që ai thoshte, fshihej një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar. Pasi folëm rreth një gjysmë ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq.
VENDIMI
“Në dhomën e të vdekurit, mora vendimin…që të bëhesha vetë mjek”
26 maj 1905
Ai djali i ri, tek i cili kam qenë dje për vizitë, ka vdekur. Oh, sa më dhemb shpirti, kur shoh se si vdes një gjak i ri. Sigurisht që ai do të kishte shpëtuar, po të kishte pasur mjek dhe ilaçe. Në dhomën e të vdekurit, mora vendimin që të zëvendësoja atë që mungonte dhe të bëhesha vetë mjek. Sikur këto letra të bien një ditë në duar të huaja, do të qesheshin për optimizmin me të cilin po shkruaj, në lidhje me këtë qëllim që i kam vënë vetes.
Të bëhem mjek, kur nuk kam as shkollë, as dije, as përvojë. Nuk do të guxoj të shëroj sëmundjet e komplikuara, por sëmundjet e zakonshme që shërohen me mjete të thjeshta. Këtë do ta bëj. Uroj që për mjetet që na mungojnë, të na japë Zoti i madh, bekimin e tij. Ajo çka forcon bindjen time, është besimi që kanë kur vijnë e më pyesin herë pas here për sëmundjet që kanë.
SHËRIMI
“Unë jam bërë me të vërtetë mjek”!
5 shtator 1905
Unë jam bërë më të vërtetë mjek. Para një muaji erdhi një grua, një vejushë e mjerë, të cilës ia kishin vrarë burrin për gjakmarrje. Ajo kishte gjashtë fëmijë dhe më i madhi ishte 14 vjeç. Më vete solli fëmijën më të vogël. Kjo krijesë e gjorë ishte 4 vjeç, por nuk mund të ecte. Trupi ishte shumë i ënjtur dhe i fortë për t’u prekur, gjymtyrët s’ishin aspak rezistente dhe krejt të pafuqishme. Më duhej ta ndihmoja, por si?
E ndjeva që s’mund të bëja ndonjë gjë, kështu që e luta gruan të qëndronte në famulli dhe të flinte aty dhe pastaj e dërgova me kalin tim, të shoqëruar nga një shërbëtor, për në Kallmet, aty ku ishin murgeshat, të cilat punonin si mjeke. Në darkë u kthye përsëri shumë e gëzuar dhe e qetësuar, me dy shishe ilaçe që i kishte marrë atje.
Pas një jave erdhi përsëri së bashku me fëmijët, por kësaj here tepër e mërzitur. “Fëmija nuk është aspak më mirë”! dhe m’u lut e më zuri be, që ta ndihmoja. Dhe ashtu bëra. Ato çfarë i dhashë asaj ishin disa medikamente të lehta për shkarkimin e ujërave. Të them të vërtetën nuk kisha shumë besim te veprimi i këtij ilaçi. Por ç’ndodhi? Tre javë më vonë erdhi ajo grua tek unë dhe më tregoi me sy që shkëlqenin, që fëmija ishte shumë më mirë.
Trupi ishte zvogëluar dhe tashmë fëmija kishte filluar të ecte. Ajo m’u lut t’i jepja përsëri medikamente. Dje shkova në kasollën e kësaj gruaje të ve. Në hyrje të kasolles qëndronte drejt në këmbë pacienti im i vogël dhe pa e ndihmuar askush, bëri hapa drejt meje. Nxora nga xhepi një copë të vogël sheqeri. Pastaj i dhashë një qese me fasule dhe një me sheqer për të ëmën.
Duhej pasur kujdes me rregullat, që të mos turpëroheshin njerëzit e varfër. Nëse vinte në shtëpi ndonjë mik, duhej të lutej me kafe, madje dhe në kasollet më të varfra. Kështu është tradita e shenjtë. Është turp nëse nuk ndodh kështu. Unë duhej ta merrja me mend, që këtu mungonte gjëja më elementare.
MJERIMI
Të korra të pakta, nga thatësira e madhe
20 shtator 1905
Të korrat kanë qenë tepër të pakta. Fajtor i këtij fakti ka qenë thatësira e madhe. Me se do të jetojnë këtë vit njerëzit e mjerë? Me të drejtë ankohen kësaj here. Mbi to zotëron një akses i madh. Shumica janë të zhytur në borxhe, huazuesit e tyre janë tregtarët e Lezhës dhe këto nuk njohin aspak mëshirë. Çmimi i misrit, i cili deri në atë kohë ishte shumë poshtë, tani është dyfish më shumë. / Memorie.al
Përgatiti: Gjergj Marku
Vijon numrin e ardhshëm