Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË TË KRYESUAR NGA ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR DËNIMIN E “GRUPIT ARMIQËSOR” NË SEKTORIN E NAFTËS, ME NË KRYE FILIP NASHI, BEQIR ALIJA, KOÇO PLAKU, MILTO GJIKOPULLI, ETJ.
RELACION
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 21.6.1976
GJYKATA E LARTË
Nr.381
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTE
Nr.12. Regj. Themeltarë
Nr.13 i vendimit
VENDIM
NE EMËR TE POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, e përbërë prej:
Kryetares së seancës: Eleni Selenica Z. Kryetare Gjykatës Lartë
Nd. Gjyqtar së seancës: Mitat Goskova
Nd. Gjyqtar së seancës: Fehmi Legreta
T’asistuar prej sekretarit Sadik Mema, me pjesëmarrjen e Prokurorit Sotiraq Samara ZV. Prokuror’i Përgjithshëm, nga data 11-17.6.1976 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.12 që ju përket të pandehurve:
Ky fakt u vërtetua me thëniet e dëshmitarëve të pyetur në seancë gjyqësore dhe me pohimet e të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli e Jani Konomi, të cilët deklaruan se të udhëhequr nga pikëpamjet antimarksiste, se organizatat bazë nuk mund të merren me problemet e shpimit, të kërkimit të rezervave dhe prodhimit të naftës, por me çështje të dorës së dytë, siç janë edukimi e disiplina, i kanë mënjanuar ato nga problemet themelore të zhvillimit të industrisë së Naftës, duke krijuar kështu terren të përshtatshëm për zgjerimin e veprimtarisë së tyre.
Pikëpamje të tilla armiqësore se për problemet kryesore të Naftës “organizatat e Partisë, nuk mund të japin”; se punët i “zgjidhin kuadrot”; se ato “ju takojnë specialistëve”, etj., u pohuan nga vetë të pandehurit e sipërm dhe të nisur nga këto pikëpamje ata i kanë shpëtuar edhe dhënies llogari para Partisë.
Veç sa sipër të pandehurit gjatë gjithë veprimtarisë së tyre kriminale sabotuese kanë shkelur në mënyrë flagrante parimin e mbështetjes tek masat, e dëgjimit të zërit të tyre, e konsultimit me to, e dhënies llogari para tyre. Edhe kur punëtorët kanë kërkuar që të pandehurit të shkonin në brigada për të dhënë llogari për “mossukseset”, ata kanë refuzuar sepse i janë trembur ballafaqimit, pasi punëtorët do të zbulonin veprimtarinë e tyre sabotuese. Edhe ky fakt u vërtetua gjatë proçesit gjyqësor, në thëniet e dëshmitarëve dhe pohimet e vetë te pandehurve.
Të përkrahur nga armiku Pirro Gusho, me qëllim për të qenë të sigurt dhe për zgjeruar veprimtarinë sabotuese, të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija, grumbulluan e vendosën në vende kyçe në industrinë e Naftës, elementë të deklasuar e me përbërje të keqe politike. Edhe kur organizatat bazë të Partisë muarrën vendime për të larguar nga Instituti disa elementë të tillë, te inkurajuar nga armiku Pirro Gusho, të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija, si armiq që ishin, jo vetëm nuk i zbatuan këto vendime, por kërkuan që organizatat bazë të Partisë; “të mos merren me këto punë”, kurse i pandehuri Koço Plaku, duke qenë edhe vetë në pozita armiqësore, jo vetëm ka marrë në mbrojtje specialistët me përbërje të keqe politike, por në mbledhjen e organizatës bazë, ishte shprehur se; “me cilët do të punoj, kur komunistët e shokët e tjerë me përbërje të mirë politike, janë të pa aftë, të mefshët..”.
Sigurisht Koço Plakut i duheshin elementët e tillë, si Dhimitër Stefa, Nuredin Skrapari etj., sepse bashkë me ta ai zhvillonte veprimtarinë sabotuese në dëm të ekonomisë sonë popullore. Të gjithë veprimtarinë e tyre sabotuese në industrinë e Naftës dhe Gazit, që ka sjellë një dëm të madh politik dhe sidomos ekonomik prej 891.876.800 lekë, të pandehurit mundën ta fshehin për një kohë, edhe për shkak të gënjeshtrave, mashtrimeve dhe euforinë të pabazuara, që përdorën në raportimet e tyre para organeve të Partisë dhe Qeverisë.
Të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa dhe Jani Konomi, kanë kryer edhe krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, me qëllim minimin e dobësimin të tij. Duke qenë në pozita armiqësore me pushtetin popullor, të helmatisur nga propaganda e huaj borgjezo-revizioniste, kurse të pandehurit Milto Gjikopulli e Koço Plaku, duke qenë edhe agjentë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, i kanë pas vënë vetes për qëllim, që me pikëpamjet e tyre armiqësore të helmatisnin edhe persona të tjerë. Për këtë qëllim, të pandehurit përdorën rrugë e mjete nga më të ndryshmet.
Kështu të pandehurit Filip Nashi e Beqir Alija, duke shkelur me dashje e me qëllim armiqësor vendimin e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, Nr.37, datë 20.1.1962 dhe Urdhëresën e Këshillit të Ministrave, Nr. 1282, datë 20.6.1973, “Mbi disiplinimin e porosive, ardhjen dhe administrimin e literaturës së huaj”, kanë futur në bibliotekat e sistemit të Naftës literatura të huaj me përmbajtje borgjezo-revizioniste e armiqësore, në një pjesë prej të cilave flitet hapur kundër Partisë Punës së Shqipërisë e Republikës Popullore të Shqipërisë, kundër Partisë Komuniste të Kinës dhe Republikës Popullore të Kinës, kundër forcave marksiste-leniniste e përparimtare në botë. Në këto biblioteka janë gjendur revista e libra me përmbajtje të theksuar pornografike, në të cilat i bëhet thirrje rinisë, që të merret me veprime anormale, me degjenerim.
Kjo literatura është lënë në përdorim të lirë dhe është lexuar nga një numër i madh lexuesish, duke i bërë kështu një koncesion të hapët ideologjisë borgjezo-revizioniste, që të na luftojë haptazi në terrenin tonë. Gjithashtu të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, e Milto Gjikopulli, kanë përkthyer e përhapur nëpërmjet “Buletinit informativ”, disa artikuj të autorëve revizionistë sovjetikë me përmbajtje armiqësore, siç janë artikujt e Zhabrjevit dhe Bajbakovit, (ky i fundit zv. Kryeministër), duke rekomanduar edhe vënien në jetë në vendin tonë, të orientimeve sovjetike në fushën e kërkimit të naftës.
Artikulli i një autori italian; “Kërkimet italiane të hidrokarbureve në vendet e huaja”, ku midis të tjerave flitet edhe për punimet italiane në Shqipëri, ka përmbajtje fashiste. Në të, sabotatori italian Taraskoni, etj., konsiderohen; “si dëshmorë të qytetërimit” dhe autori thekson se; “hakmarrja për martirët italianë, është në veprim”. Edhe ky artikull gjendet në bibliotekë në përdorim të lirë. Të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati e Milto Gjikopulli, herë së toku e herë veças, kanë shkruar e botuar në revistën “Nafta e Gazi”, artikuj të ndryshëm, ku dalin qartë pikëpamjet e tyre që vijnë në kundërshtim të hapët me politikën e Shtetit tonë.
Në mënyrë të përmbledhur theksojmë që në artikujt e shkruar nga të pandehurit e sipërm, nuk propagandohet politika e Shtetit tonë për Naftën, mohohet lufta e Partisë sonë kundër revizionistëve jugosllavë e sovjetik, si dhe armiqve të brendshëm, që kanë sabotuar rëndë industrinë tonë të Naftës, fshihen ose merren në mbrojtje veprimet sabotuese të revizionistëve sovjetikë, në industrinë e Naftës në vendin tonë, nuk flitet hapët për sabotim por po të ashtuquajtura koncepte antishkencore, që i “diskredituan ata si specialistë”, kur dihet se ata sabotuan dhe shteti ynë i ka deklaruar hapët si sabotatorë.
Një mbrojtje e tillë u bëhet sabotatorëve revizionistë sovjetikë edhe në “Metodikën e punimeve të kërkim – zbulimit për naftë e gaz për; periudhën 1961-1972”, ku jo vetëm nuk flitet për veprimtarinë sabotuese të specialistëve sovjetikë për kërkimet e naftës në gëlqerorët, por faji i tyre gjendet në idetë “pseudoshkencore” në koncepte të “gabuara” dhe largimi i tyre trajtohet si një fakt që ka dëmtuar kërkimet e naftës në vendin tonë. Në disa nga këto shkrime, parimi marksist-leninist i mbështetjes në forcat e veta, trajtohet si një parullë që ishte vënë në zbatim nga Partia jonë pas vitit 1960, d.m.th., pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me revizionistët sovjetikë, ç’ka tregon se sukseset tona gjer në vitin 1960, u dedikohen jo popullit tonë, por faktorit të jashtëm.
Veç sa sipër, të pandehurit Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa e Jani Konomi, kanë zhvilluar edhe biseda me karakter armiqësor kundër pushtetit popullor. I pandehuri Filip Nashi duke dëgjuar radiostacione të huaja, si “Moskën” e “Italinë”, me Pirro Gushon e persona të tjerë, i ka komentuar lajmet e tyre në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë, ka reduktuar veprimtarinë armiqësore të përbashkët me komplotistët në Ushtri, vetëm në drekat e darkat e ngrëna së bashku me Beqir Ballukun, ka marrë në mbrojtje veprimet armiqësore të Pirro Gushos, në dëm të kooperativistëve të Gërcallisë.
Të pandehurit Dhimitër Stefa e Jani Konomi, ashtu sikurse deklaruan edhe vetë, pas dëgjimit të radiostacioneve të shumta, si; “Zëri i Amerikës”, “Europa e Lirë”, “Radio Londra”, “Moska”, “Beogradi”, “Prishtina”, etj., i kanë komentuar lajmet e tyre në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë. I pandehuri Dhimitër Stefa në biseda me persona të ndryshëm, e ka paraqitur nivelin e jetesës së vendit tonë të ulët, duke e krahasuar atë me qëllim armiqësor, me nivelin e jetesës së vendeve kapitalisto -revizionistë, luftën që zhvillon Partia e jonë kundër armikut të klasës, e ka paraqitur të padrejtë.
I pandehuri Jani Konomi, përveç që e ka paraqitur nivelin e jetesës së punonjësve tanë të ulët, duke lavdëruar atë të vendeve kapitalisto-revizioniste, por me qëllim armiqësor, ka folur se shtypi ynë nuk shkruan të vërtetën dhe se e ardhmja e këtij pushteti nuk dihet, pra ai ka dëshiruar përmbysjen e pushtetit popullor, për të cilin qëllim edhe sabotoi.
Kurse i pandehuri Milto Gjikopulli gjithashtu, duke biseduar me persona të ndryshëm, ka thënë; “se pa miqësinë me Bashkimin Sovjetik, ne s’kemi, ekzistencë; se nuk veprohet drejt duke mos vendosur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, se revizionizmi është pashmangësi, është sëmundje e pjekurisë së socializmit dhe ai do të zërë vend edhe në vendin tonë, se tek ne në disa momente lufta e klasave acarohet artificialisht, etj.”!
Një agjitacion e propagandë të shfrenuar e thellësisht reaksionare kundër pushtetit popullor, ka zhvilluar i pandehuri Koço Plaku. Ai në biseda me persona të ndryshëm, ka konsideruar fajtore Partinë tonë, për prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, se pa Bashkimin Sovjetik populli jonë nuk mund të rrojë. Plenumin e 4-ët të Komitetit Qendror të Partisë, e ka konsideruan si një valë të re të luftës së klasave, e cila vepron si një forcë e verbër, duke dëmtuar rëndë gjithë jetën e vendit, se vendimet e këtij plenumi janë një regres në art e kulturë, mbytja e lirisë së mendimit, forcim të diktaturës personale, mbyllja në guaskën nacionale, që të çon në shtimin e reprezaljeve kundër njerëzve.
Ai e ka quajtur të pa drejtë dënimin e elementëve antiparti e armiq, ka kërkuar ndryshimin e situatës me grusht shteti, e ka paraqitur vendin tonë si kamp përqendrimi. Fajësia e gjithë të pandehurve për krimin e agjitacionit e propagandës, u vërtetua në artikujt e shkruar prej tyre, me ato të autorëve të huaj revizionistë të përkthyer në gjuhën Shqipe, në konkluzionet e aktit të ekspertizës për gjithë atë literaturë të huaj me përmbajtje armiqësore ndaj vendit tonë, që ndodhet në bibliotekat e sistemit të Naftës, në thëniet, e mjaft dëshmitarëve, si dhe me pohimet e vet të pandehurve.
Të pandehuri Milto Gjikopulli e Koço Plaku, ashtu sikurse rezultoi gjatë gjykimit, kanë kryer edhe krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, në formën e spiunazhit, duke u vënë në shërbim të zbulimit sovjetik. Kështu i pandehuri Milto Gjikopulli, qysh në kohën që ishte student në Universitet, në vitin 1959, është rekrutuar agjent i zbulimit sovjetik nga “pedagogu” Pjetër Leontioviç Çervinaiçi, të cilit i ka lëshuar edhe deklaratë se do të jetë përherë besnikë dhe do t’i shërbejë Bashkimit Sovjetik, duke kryer në të ardhmen shërbime, qoftë dhe sikur ato të jenë në dëm të Shqipërisë.
Duke zbatuar porositë e zbulimit sovjetik i pandehuri Milto Gjikopulli largohet nga Universiteti, ku pas përfundimit të studimeve punonte, me pretekst për tu lidhur me bazën dhe në Shtator 1961 vendoset në Byronë gjeologjike të drejtorisë kërkimeve të “Qytetit Stalin”. Ai mori porosi nga agjentura sovjetike që të punojë për të fituar lavdi dhe pastaj të sabotojë në kërkimet e naftës, porosi të cilën i pandehuri e realizoi gjer na kohën e arrestimit të tij.
Gjithashtu nëpërmjet kunatës së tij Elvira Babiçenko, agjente e zbulimit sovjetik, në vitin 1966 i pandehuri Milto Gjikopulli, është falënderuar për “shërbimet” e kryera, d.m.th. për sabotimet, dhe mori porosi që jo vetëm të intensifikojë veprimtarinë sabotuese në projektim e nxitje të projekteve të pabazuara, por të bashkëpunojë edhe me të pandehurin Koço Plaku, pa iu shfaqur atij, të krijojë me të edhe debate në diskutime, përveç kësaj i pandehuri Milto u porosit që të bëjë përçapje, për tu futur në Parti, me qëllim që të afirmohej edhe në aspektin politik. / Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016