Nga Skënder Tufa
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Pas amnistisë së vitit ‘82 dhe pas vrasjes së Rexhep Gecit, gjendja u rëndua më shumë në burgun e Spaçit, ku policia nisi të shtrëngojë masat e regjimit të brendshëm me oraret, radhët e ushqimit e zgjatjen e kohës së pritjes në tarracë për apel. Në fund-janarin e vitit ‘83, na njoftojnë se një pjesë e burgut të Spaçit, do të transferohej. Ishte hapur një burg i ri pranë malit Munellë të Pukës, që quhej Qafë-Bari dhe duheshin krahë pune, për shfrytëzim. Punëtorët e fortë dhe problematikët, u futën në listën që do të nisej për në minierën e Pukës. Transferimi i rreth 200 të burgosurve, ishte mundim i madh për ta, pasi duhej të bëheshin dorëzimet e batanijeve, çarçafëve, dyshekëve dhe enëve, si; tas, lugë e pagure, duhej të mirrje sendet e tua personale nga depot e, t’i bëje gati për kontroll.
Më 22 maj 1984, aty ndodhi një ngjarje me rëndësi historike, (Revolta e Qafë-Barit), e cila mendoj se duhet të përcillet me dëshmitë e drejtpërdrejta të pjesëmarrësve në të, për ta sjellë atë sa më të plotë e, më pranë reales. Duke i mbledhur copat e fakteve të shprehura nga protagonistët, mundë të krijohet një vizion më i plotë, që do t’i ngjante restaurimit të një mozaiku.
Revolta dytë e të burgosurve politik
Në ka revoltë antikomuniste në Shqipëri, është revolta e Spaçit që ngriti flamurin pa simbolet komuniste, që unë e krahasoj me rebelimin e Imre Nagit, me “Pranverën e Pragës” dhe me të Les Valesës në Gdabsk të Polonisë. Të burgosurit politik, kanë qenë aktiv dhe unë nuk i kam quajtur viktima dhe nuk e pranoj atë opinion që të quhen viktima, të komunizmit.
Pale sa gjëra interesante i kish sajuar Sigurimi, që është për t’u habitur, sikur aty do të vinin desantë rusë, të na merrnin ne, të na çonin ne Bashkimin Sovjetik, të na përgatisnin, të na hidhnin në Sheshin “Skënderbej”, do rrëzonim qeverinë e, ku ta di unë. Absurditete të tilla që shkonin deri në çmenduri! Me thirrjen që bëri Llazi Koçi – “poshtë komunizmi” -, revolta e Qaf-Barit u identifikua si politikë.
Çajup Bejko për fundin e Sandër Sokolit shprehet; – “Gjatë udhës në makinë ku ne ishim të bërë petë, një uniformë-zi me radio në dorë, e ngacmon Sandrin që ishte i shtrirë bashkë me ne dhe ky reagoi. Rrobeziu komunikon në radio dhe pas pak makina ndalon, mushamaja mbrapa hapet dhe Lek Ymeri, urdhëron të zbritet në tokë Sandër Sokoli, të cilin nuk e kthyen më.
DALIP ZHABOLLI
Më marrin në raport për të shpjeguar se si ndodhi ngjarja e kush ishte përgjegjës. Unë me argumente e shkarkoj përgjegjësinë te policia. Më marrin dhe më kalojnë në një dhomë tjetër. Vërej se aty ishte Dr. Drago Vujosheviç dhe Sandër Sokoli. Na torturuan çnjerëzisht, humbnim ndjenjat, na hidhnin ujë e nisnin prapë, deri në mëngjes. Mua dhe Dragon na hipën në një “ARO”, ishim të pa vetëdijshëm. Me pas kam parë Sandrin, e lanë pak kohë me ne. Sandri u këput në “ARO”, aty ka qenë vdekja e tij
KONKLUZIONI IM PËR FUNDIN E SANDER SOKOLIT
Sandër Sokoli nuk është eliminuar brenda institucioneve si burgu Qaf-Barit, apo birucat e Pukësë.
– Vrasja e tij ka qenë e planifikuar dhe e detajuar.
– Policët që e provokuan, kanë qenë pjesë e planit.
– Ndalimi i autokolonës, ishte veprim i pa ndodhur herë të tjera, pasi cënonte sigurinë e lëvizjes së sajë.
– Ulja e një të burgosuri politik në mes të udhës, në gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën zhvilloheshin ngjarjet, ishte e pa imagjinueshme.
– Edhe moskthimi përsëri tek të burgosurit e tjerë, është fakt që vërteton veprimet e kryera mbi trupin e tij.
– Dr. Drago Vujosheviç ka pohuar se: – “E suallën në ‘ARO’-n ku isha unë dhe Dalip Zhabolli. Sandri ka vjedhur të bardhë.
– Nuredin Skrapari pohon: – “Drago më tha se Sandrin e kishin goditur mbas koke, në ‘bulbin radikjal’, pas një incidenti me policët që e kishin provokuar gjatë rrugës. Kishte vjedhur të bardhë”.
– Çajup Bejko pohon: – “Një rrobe-zi me radio në dorë, ngacmon Sandrin që ishte i shtrirë e i lidhur bashkë me ne në makinë, ky i përgjigjet dhe rrobe-ziu komunikon me radio, makinat ndalojnë. Lek Ymeri hapi mushamanë që mbulonte nga mbrapa makinën dhe urdhëron të zbresin poshtë Sadri Sokolin. E muarën dhe nuk e kthyen më”!
Dalip Zhaboli pohon: – “Mua me Dragon na hipin në një ‘ARO’, ishim të pavetëdijshëm. Më pas pashë Sandrin, e lanë pak kohë me ne. Sandri u këput në ‘ARO’. Aty ka qenë vdekja e tij. Gjykoj se – vendi ku është ulur Sadri Sokoli nga makina, ka qenë i planifikuar e i kontrolluar. Goditja është bërë e shpejtë, ajo ka qenë e qëllimisht vdekjeprurëse. Mos ekzaminimi i kolonës vertebrale nga autopsia e bërë ne trupin e Sadri Sokolit, na lë të dyshojmë në dëmtimin e sajë.
AGRON HOXHA
Ne që nuk na kish fokusuar shumë syri vigjilent, na muarën të nesërmen. Ishim të ulur të gjithë te sheshi para mensës, kur me thirrën emrin, nuk më lanë as të ngrihem vetë, por m’u sulën disa policë që ishin vënë në pozicion si “qen gjuetie”, me kthejnë duart e m’i lidhin dhe më drejtojnë nga biruca. Unë nuk e mora vesh se si arrita deri ke biruca, shqelma, grushte, zorra e gomës turinjve, sytë xixa.
Me të mbërritur atje, veç korridorit me policë e sampista që ishte shtrirë përgjatë rrugës që të çonte lart, te birucat kishte grupe të tjerë që ishin të ndarë në dhomat e izolimit e në korridor dhe të rrihnin pa mëshirë. Mu duk vetja se po shikoja një film të llahtarshëm me horror.
Nga mesdita e datës 23, deri në mëngjesin e datës 24 maj, nuk ka pushuar druri. Më sjellin në dhomë Nuredin Skraparin, ishte gjysëm i vdekur, e kishin masakruar çnjerëzisht dhe po mos ta kisha mbajtur unë, ai me siguri do të kishte vdekur.
Kur na nxuarrën për veprime, (sa herë na nxirrnin, na rrihnin), laga me ujë një shami që kisha me vete dhe me të i kam lagur buzët tërë natën. Të nesërmen në mëngjes na kanë shtrire tek karroceria e një “IFA” dhe tërë rrugës na godisnin me shkelma e shkopinj, nuk e di se si kemi mbërritur deri në Zejmen të Lezhës. Atje takoj një shokun tim me të cilin kisha ngrënë bukë në Spaç. Met Pojani quhet.
Ai më pyet se çfarë ka ndodhur. – “Rri o Met, më mirë mos ta dish”, i them unë. – “Hë se e kam marrë vesh – më thotë, – po shkoj të bëj diçka për të ngrënë”. U shtriva tek krevati i Metit dhe nuk kalojë as një çerek ore, kur vijnë dy policë të cilët pasi më pyesin kush jam, më thotë; “eja me ne, se kemi një sqarim”. Me ironi më pyesin; -“hë mo, si nuk e përmbysët, se edhe ne na ka plasur shpirti”?!
Kur më fusin te birucat, mu duk si thertore, ujë dhe gjak ngado, mure të spërkatura dhe në dysheme, gjak. Të dukej sikur gjendeshe në një thertore. Na rrihnin tre herë në ditë. Një herë m‘u mërzit aq shumë shpirti, sa desha të vdisja vërtetë, nuk duroja dot më.
HAJREDIN FRATARI
Zejmeni ishte i përgatitur për këto kriminelë, të cilët vinin tre herë në ditë e, na torturonin te birucat e burgut, sa herë ndërroheshin kapterrat. Nuk na njihnin, vetëm se ju kishin thënë; janë armiq të rrezikshëm.
EPILOGU I REVOLTËS
Këto grimca të mbledhura drejtpërdrejt nga ata që u përballën me terrorin shtetëror, duke e mundur në një betejë atë, na hedhin dritë mbi ngjarjen e përgjakshme të revoltës se majit ‘84 në burgun e Qaf-Barit, duke na sqaruar se si u provokua, nga kush, dhe si përfundojë ajo dhe cilat ishin arsyet e vërteta të kësaj ngjarjeje!
Kjo revoltë e cila ishte shpërthimi i papërmbajtshëm i atyre heronjve që shkruan me gjak një nga ngjarjet e rëndësishme anti-diktaturë, ka qenë nxitur nga Sigurimi i Shteti i cili, shfrytëzoj edhe urrejtjen e grumbulluar tek të burgosurit nga keqtrajtimet e policisë.
Nuredin Skrapari pohon:- “Sigurimi kishte sajuar se do të vinin desantë rusë të na merrnin ne e të na çonin në Bashkimin Sovjetik, të na përgatisnin e të na hidhnin në Sheshin “Skënderbej”, për të rrëzuar qeverinë! Haxhi Baxhinovski ka pohuar: -“Në hetuesi na pyesnin; – Si do ta merrnit pushtetin? Si do të arratiseshit”?
Operativi Sigurimit i burgut, Miti, ka përgatitur dosjen me 35 bashkëpunëtorët e Sigurimit. Shefi i Policisë së burgut 311 Qaf-Bari, Edmond Caja, është zbatuesi i skenarit të parapërgatitur. Lekë Ymeri është i ekzekutuesi i Sadri Soklit, “kokës” së supozuar të një kundërrevolucioni, që paramendohej se mund të merrte pushtetin. Memorie.al