Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al / Plot 48 vite më parë, më 31 maj të vitit 1977, diku në periferi të Tiranës, në një vend që dhe sot e kësaj dite ka mbetur i pazbuluar ende, një skuadër pushkatimi e ngritur me porosi të veçantë të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiut, ekzekutoi me plumb pas koke, Abdyl Këllezin Koço Theodhosin, dhe Xhavit Sallakun, të cilët ishin arrestuar që në vitin 1975, të akuzuar nga Enver Hoxha, si krerët kryesorë të “Grupit sabotator në Ekonomi”. Bashkë me Këllezin e Theodhosin, ishin dënuar me edhe dy ministrat e tjerë, Kiço Ngjela (ministri i Tregtisë) dhe Vasil Kati, (ministër i Tregtisë së Jashtme), përkatësisht me nga 20 dhe 15 vjet burg politik, e gjithashtu me dënime të rënda edhe disa kuadro të lartë nga dikasteri i Ekonomisë.
Këllëzi dhe Theodhosi, ish-anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, deputetë të Kuvendit Popullor dhe zv. kryeministra e ministra për më shumë se tri dekada me radhë, ishin ndër të pakët nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, që kishin studiuar e ishin diplomuar në Perëndim, që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe po kështu, edhe Ngjela me Vasil Katin, kishin studiuar jashtë dhe ishin kthyer në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia fashite, për t’u rreshtuar në radhët partizane, madje me funksione drejtuese. Me goditjen e këtij të ashtuquajturit “Grupi armiqësor sabotator në Ekonomi”, Enver Hoxha po godiste “trurin e Ekonomisë”, pasi nga mbarimi i luftës e deri në atë kohë, Këllezi, Theodhosi, Ngjela dhe Kati, kishin mbajtur funksionet kyçe të ekonomisë shqiptare.
Ndërsa këto gjëra tashmë janë shumë të njohura, pasi prej më shumë se tre dekadash që nga shembja e regjimit komunist, është folur dhe shkruar shumë, Memorie.al, ka siguruar disa dokumenta që i përkasin fondit të ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullor Socialiste të Shqipërisë, i kryesuar nga Haxhi Lleshi, i cili në atë kohë mori në shqyrtim çështjen e “Grupit sabotator në Ekonomi”, në bazë të relacioneve dhe raport-informacioneve që i kishte dërguar Gjykata e Lartë e kryesuar nga Aranit Çela, e cila zhvilloi dhe procesin gjyqësor ndaj atij “Grupi”.
Përveç sa më sipër, në dokumentet në fjalë, ndodhen edhe kërkesat e Këllezit dhe Theodhosit, (me shkrimin e tyre), dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës, si proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me diskutimet e Enver Hoxhës, (që ka mbajtur edhe raportin në fillim të mbledhjes) Haxhi Lleshit, Spiro Kolekës, Shefqet Peçit (dy nënkryetar të Presidiumit Kuvendit Popullor), Telo Mezinit (sekretar i Presidiumit), Jovan Bardhit, Muharrem Sefës, Nuredin Hoxhës, Pilo Peristerit, Rrapo Dervishit, Spiro Moisiut, Zina Franjës dhe Maliq Sadushit, anatërë të Presidiumit, të cilat do i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
DOKUMENTI ME DEKRETIN E PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, DËRGUAR MINISTRISË SË BRENDSHME DHE PROKURORISË SË PËRGJITHSHME, KU NJOFTOHET SE I ËSHTË REFUZUAR KËRKESA PËR FALJEN E JETËS, ABDYL KËLLEZIT DHE KOÇO THEODHOSIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
Nr.64/13
MINISTRISË SE PUNËVE TE BRENDSHME
(Degës së Zbatimit të Vendimeve Penale)
GJYKATËS SE LARTË TË RPSSH
Për njoftim: PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Bashkëlidhur, iu dërgojmë dekretin nr. 5589 datë 31.5.1977 “Për falje dënimesh”.
Gjithashtu, iu dërgojmë edhe listën e personave të cilëve Presidiumi i Kuvendit Popullor, vendosi të mos u falet mbetja e dënimit.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
Telo Mezini
Konc. B. Mosho
Dakt. B. Mikeli
Kopje 4.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
Nr. 512/
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Drejtorisë së Hetuesisë – PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË
TIRANË
Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 31.5.1977, refuzoj t’u fali jetën:
Abdyl Mehmet Këllezi, datl. 1920, nga Tirana, dënuar me vendimin nr. 4 dat. 17.5.1977, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73, në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
Koço Llambi Theodhosi, dtl. 1913, banues në Tiranë, dënuar me vendimin nr. 4 dt. 17.5.1977, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vdekje (pushkatim) për krimet e parashikuara nga nenet 72 e 73, në kombinim me nenin 76 të Kodit Penal.
Xhavit Imer Sallaku, datl. 1929, lindur në Tiranë dhe banues në Fier, dënuar me vendimin nr. 67, datë 25.3.1977 të Gjykatës të rrethit Fier, me vdekje (pushkatim), për krimin e tradhtisë ndaj Atdheut, sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor.
Shaban Myslim Lika, datl. 1907, lindur dhe banues në fshatin Miras të rrethit Korçë, dënuar me vendimin nr. 65 datë 10.4.1977, të Gjykatës së Rrethit Korçë, me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrarë për shkaqe të dobëta, Zaim Likën dhe ka tentuar te vrasë Peme Likën, si dhe ka kundërshtuar me dhunë përfaqësuesin e pushtetit.
Osman Ymer Zalla, datl. 1938, lindur dhe banues ne fshatin Bruz – Zallë të rrethit Krujë, dënuar me vendimin nr. 26 datë 13.4.1977, të Gjykatës së rrethit Krujë me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim ka vrare për motive të dobëta, Hajdar Shehun; për përvetësim të pasurisë socialiste në bashkëpunim e në përpjesëtime të mëdha; për përvetësim të pasurisë së qytetarëve, për përvetësim të pasurisë së gjetur; për armëmbajtje pa leje dhe për moskallëzimin e një krimi të rëndë.
Vendimet për personat e mësipërm, të ekzekutohen me pushkatim.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
Telo Mezini
RELACIONI SEKRET I MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, KADRIU HAZBIU, DËRGUAR DREJTORISË SË HETUESISË DHE PROKURORISË SË PËRGJITHSHME, PËR PUSHKATIMIN E ABDYL KËLLEZIT DHE KOÇO THEODHOSIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Ekzemplar i vetëm
Nr. 367/1 Prot
Tiranë, më 31.5.1977
LËNDA: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim), të dy të dënuarve.
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË
Për njoftim: PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM TË RPSSH
TIRANË – Në bazë të vendimit nr. 4 datë 17.5.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH, janë dënuar me vdekje (pushkatim), personat e poshtëshënuar:
- Abdyl Këllezi
- Koço Theodhosi.
Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën Nr. 512/1 datë 31.5.1977, njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre;
URDHËROJ:
Që të dënuarit Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar, më datën 31.5.1977, ora 15:00.
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë.
Para se të ekzekutohen, të njoftohen të dënuarit e sipërm, se kërkesa për faljen e jetës së tyre, iu është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë, duhet të mbajë proces-verbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarve.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
KADRI HAZBIU
RELACIONI I IDRIZ SEITIT, KRYETARIT TË DEGËS SË VEÇANTË PRANË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, LIDHUR ME EKZEKUTIMIN ME PUSHKATIM, TË ABDYL KËLLEZIT DHE KOÇO THEODHOSIT
Tepër sekret
Ekzemplar i vetëm
PROCES-VERBAL
Në Tiranë, më 31.5.1977
Në bazë të urdhrit të Ministrit Punëve të Brendshme Nr. 367/1 datë 31.5.1977 ora 15:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit Rrapi Mino dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Idriz Seiti, i ngarkuar i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje (pushkatim), për armiqtë Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi.
Para ekzekutimit, secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzoi kërkesat e tyre për faljen e jetës.
Pas kësaj ata thanë:
- Abdyl Këllezi: Nuk kam gjë për të thënë.
- Koço Theodhosi: S’kam gjë.
Në përfundim, u krye ekzekutimi i tyre nga unë Idriz Seiti dhe u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, i cili konstatoi vdekjen e tyre. Memorie.al
I ngarkuari për ekzekutim:
Idriz Seiti / Prokurori: Rrapi Mino / Mjeku: Nevzat Vigani
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016