Nga Ermira Isufaj
Memorie.al / Mbi 40 vjet punë me filmin dokumentar si regjisor dhe skenarist, ndoshta ai përbën një rekord, me 150 filma të realizuar. Në rininë e tij ishte i dhënë pas gazetarisë, ku gazeta “Zëri i Rinisë” mbetet dashuria e tij e parë, për të cilën desh sakrifikoi dhe shkollën. Ishte Liri Lubonja ajo që ndikoi në kursin e jetës, duke i dhënë një orientim prindëror. Jeta si skenarist dhe regjisor është e mbushur me surpriza, realizime, ankth, gëzime, shërbime, debate, sakrifica, vështirësi, arritje, stepje, por që në fund të fundit, në emër të një diçkaje të shenjtë që mban emrin e pazëvendësueshëm për të, FILM. Në gjithë këto lëvizje dhe realizime ai ka pasur dhe takime spontane me ish udhëheqësit komunist, për të cilët ka dhe përshtypjet e tij.
Në bisedë është objektiv, racional, asnjëherë nuk e mbivlerëson veten, por sigurisht përcjell mesazhe konkrete. Në moshën që është deklaron, se magjia e filmit dokumentar e ka mbërthyer të tërin dhe ai i përulet kësaj magjie, pasi e dashuron marrëzisht dhe nuk do ta ndryshonte me asnjë profesion në botë, sado shuma të mëdha t’i dhuronin. Ky është Kujtim Gjonaj, tepelenasi i shtruar, i cili kur realizon filma dokumentar, kthehet në një “luftëtar heroik” që realizimin profesional, e kthen në detyrë atdhetare.
Zoti Gjonaj, cilat kanë qenë pasionet e viteve të rinisë?
Pasioni im ka qenë gazetaria. Unë kam mbaruar studimet për gjuhë letërsi dhe për gazetari. Në vitin 1968, gazetaria ishte kurs 2-vjeçar, ku merreshin studentë nga degët e tjera që e kishin pasion letërsinë dhe u krijua kursi i gazetarisë. Kam botuar shkrime që në rininë time të hershme, apo në adoleshencë në gazetat e kohës, si: “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, gazeta “Puna” dhe në gazeta të tjera.
Kush ju ka nxitur që të shkruani në atë kohë?
Mund të jetë dëshirë e brendshme, pasi kam qenë me shumë dhunti në hartime qysh në shtatëvjeçare. Kam marrë pjesë në një konkurs për hartimet (isha në klasë të shtatë) me të gjithë shollat e Tiranës, ku unë kam zënë vend të parë. Kam qenë në shkollën 7-vjeçare “Hoxha Tasim”. Kjo ndikoi dhe më stimuloi që të vazhdoja të shkruaja. Ngjarjet e luftës Nacionalçlirimtare, mbeten më të dashurat për mua. Lufta e Mezhgoranit ishte një tregim i babait, tim për “Heroin e popullit” Asim Zeneli, që më ka pëlqyer shumë dhe qysh në atë kohë u ngjiz kjo dashuri për luftën, ku edhe sot unë e vlerësoj shumë, si momentin më të rëndësishëm të këtij vendi. Fakti që partizanët shqiptarë u radhitën në krahun e Frontit Antifashist, është një fat i madh për Shqipërinë dhe për të gjithë brezat që erdhën më pas.
Më vonë shkrimet e para përkojnë në gazetën “Pionieri” në vitet 1964-1965. Nga viti 1966 e mbrapa, jam angazhuar fuqimisht në gazetën “Zëri i Rinisë”, që ishte gazeta më moderne e kohës, ku botoja tregime, reportazhe, skica. Në atë kohë shkonim me shërbim në të gjithë Shqipërinë. Mësuesit e parë të mitë që më kanë ndihmuar në rrugën e bukur të letërsisë, kanë qenë Vath Koreshi, Luan Dibra, Zef Gurakuqi, që më kanë shikuar me një sy miqësor dhe dashamirës. Ata me thjeshtësinë e tyre, me përgatitjen e lartë, më frymëzuan dhe më ngjizën atë dashuri të veçantë për të shkruar.
Po në shkollën e lartë, kush kanë qenë pedagogët e gazetarisë që mbahen me emër sot?
Pedagogët e mia kanë qenë ajka e gazetarisë dhe e poetëve shqiptarë. Këtu mund të përmend; Dritëro Agollin, Vangjush Gambetan, Gëzim Reson, Skënder Begeja. Atëherë ka dalë një brez pedagogësh me shumë, shumë të përgatitur, me shumë bagazh, me shumë dhunti që kanë lënë gjurmë në kulturën e këtij vendi. Ata kanë nxjerrë studentë që më vonë u bënë po me aq emër, si: Faik Ballanca, Zija Çela, Koço Kosta, Petro Lati, Floresha Haxhiu, Rami Memushaj etj. Në fushën e kinematografisë, ka qenë Halil Kamberi, që ka qenë regjisor në Kinostudio dhe më pas kaloi në televizion.
Po nga udhëheqësit e kohës, a kanë ardhur ndonjëherë në shollë ku keni qenë student?
Ahere udhëheqësit vinin shpesh nëpër shkolla. Ndoshta ishte politika e partisë ajo. Mbaj mend se, si nxënës i dalluar në klasën e tretë, kam qenë i ftuar në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Atë ditë në pallat do të vinte vetë Enver Hoxha. Ishte viti 1953. Ne mezi e prisnim. E cili fëmijë nuk do të donte ahere, të shikonte apo të takonte Enver Hoxhën. Ahere për çdo fëmijë, ai ishte një gjeni. Kur erdhi ai, ne shpërthyem në duartrokitje. Gëzonim pa masë. Ishte një ndër ditët më të bukura të mijat, si nxënës i dalluar. Ahere na ndanë dhe nga një pako të vogël. Kur e hapa, brenda pakos gjeta një top llastiku të zi, të vogël. Sa u gëzova. Ku kishte ahere topa në dyqan. Ishin vitet e një skamje të madhe.
Po diplomën me çfarë teme e ke mbrojtur?
Diplomën e kam mbrojtur me temën “Publicistika në ekran”, pra ishin mendime për publicistikën e kranit. Po me këtë temë 2-3 vjet rresht, kam dhënë mësime në Fakultetin e Gazetarisë, mbas përfundimit të fakultetit. Më caktuan ta jepja këtë lëndë si pedagog i jashtëm dhe pastaj si pedagog në kurset pasuniversitare, që organizonte Kinostudio. Këtë lloj mësimdhënie, e kam dhënë për afër 8-9 vjet.
Kur mbaruat fakultetin, kërkuat për të punuar në Kinostudio?
Pasioni im ishte të punoja në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe kur isha në vit të katërt, kryeredaktori gazetës (në atë kohë ka qenë Dhimitër Verli dhe Liri Lubonja, e shoqja e Todi Lubonja). Të gjithë gazetarët e mëvonshëm të gazetave “Zëri i Popullit“, të gazetës “Bashkimi” dhe të “Drita”, kanë kaluar nëpërmjet Spiro Dede, Xhevahir Spahiu dhe shumë të tjerë. Pra unë në atë kohë, kisha lidhje shumë të forta me gazetën “Zëri i Rinisë”. Më propozojnë që të filloj punë në gazetë, kur isha në vitin e katër të Fakultetit. U gëzova pa masë. Ishte një ëndërr e imja. Por Liri Lubonja, një grua zonjë, me vizion, e përgatitur, korrekte, mbajti një qëndrim prej nëne dhe nuk më lejoi të bëja një gabim momental, nisur nga pasioni i çastit, ndërhyrje apo sqarim, që sot e vlerësoj jashtëzakonisht shumë.
Ajo më tha: “vazhdo shkollën, bëje rregullisht, mos e bëj me korrespodencë, se mund të të marrin dhe ushtar. Ke kohë për të punuar dhe në gazetë e gjetiu”. Ato fjalë të thëna me aq dashuri, e ndryshuan mendimin tim. Nuk shkova gazetar tek “Zëri Rinisë”, por vazhdova shkollën. Kur mbarova studimet më kërkuan disa institucione kulturore, si Radio-Tirana, ATSH-ja, Kinostudio, por shteti vendosi që unë të shkoja në Kinostudio. Kjo erdhi si befasi. Nuk doja të rrija në Kinostudio. Doja që të shkoja në gazetë, se atje unë kisha dashuri më të madhe.
Si ka qenë dita e parë e punës në Kinostudio?
Ah…! Një moment i bukur. Ishim disa që sapo kishim mbaruar studimet dhe ishim emëruar në Kinostudio. I pari që na doli përpara, ishte roja i Kinostudios, një polic i armatosur. Ai na priti gjithë seriozitet dhe mbasi na pyeti përse kishim ardhur, fryu gjoksin, kruajti zërin dhe na tha: “Ky është institucion i rëndësishëm. Ka disiplinë. Në punë vihet në orë 7 pa pesë dhe iket në 3 e pesë. Kaq”! – dhe na drejtoi tek Drejtoria e Kuadrit.
Kush ishte ahere drejtor i Kinostudios?
Ishte Vaskë Aristidhi. Një burrë i mirë dhe inteligjent. Ai kishte dëgjuar për dëshirën time, ndaj më mori veç dhe më tha: “Unë e di se ti do të ikësh, po të them me bindje, se ti duhet të rrish këtu. Filmi është diçka e bukur. Qëndro dhe do më kujtosh”. Ndërrova mendje dhe qëndrova. Sot e kësaj dite, atij njeriu të mirë, i jam shumë mirënjohës. Në qoftë se gazetaria është e bukur dhe e magjishme, unë mund të them se, bota e filmit është marramendëse. Emocionet që të jep filmi, janë të pallogaritshme. Ishte krenari që të rrije me figura të shquara si: Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Vath Koreshi, etj..
Mbas 4-5 ditëve që kisha filluar punë, më thonë se duhet të bësh kinoditarin e parë. Kinoditari është një lloj teksti dhe për 7 minuta film, me pjesëza të ndryshme jetësore, ku duhet të bëja një tekst që t’i lidhte të tëra. Bëra një tekst emocional. Doli bukur. Vlerësimin e parë e mora nga Viktor Gjika. Sa u emocionova. Për mua ai ishte një idhull, që dikur ëndërroja ta takoja, ndërsa tashmë thuajse ishim në një zyrë. Ahere ai kishte bërë emër me filmat, si; “Komisari i Dritës”, “Horizontet e hapura” dhe kishte filluar “I teti në bronz”.
Sa skenarë bërë, deri sa arrite si regjisor?
Afërsisht mund të jenë 25 skenarë për filma dokumentarë dhe 4 skenarë për filma artistik. Për filmat artistikë, skenarët ishin tek filmat “Këshilltarët”, “Ata ishin katër”, “Thirrja”, “Cirku në fshat”, dhe katër të tjerë, që nuk mundën të ekranizohen për arsye të ndryshme. Skenarët e filmave të mi, i realizuan regjisorët, Hysen Hakani, Fehmi Oshafi, Esat Mysliu, Xhezair Dafa.
Kur keni filluar punën si regjisor dhe kush është filmi i parë dokumentar si regjisor?
Unë kam filluar të realizoj filma si regjisor shumë shpejt, që në vitin 1974. Filmi i parë si regjisor, ka qenë “U mbushën malet plot me partizanë”, për Brigadën e 22 të Pezës. Në atë vit ishte 30- vjetori i çlirimit dhe u mor një vendim “nga lart”, që për çdo brigadë partizane, të bëhej nga një film dhe unë zgjodha brigadën e Pezës, pasi si skenarist kisha bërë dy brigada të tjera, të VI-tën dhe të VII-tën Sulmuese. Ky film u shfaq në kinematë e Tiranës. Në atë kohë para filmit artistik vendosej filmi dokumentar. Pati sukses.
A pati vlerësim nga udhëheqësit e kohës?
Filmin e ka parë Myslym Peza, por nuk e di nëse ka dhënë prononcim. Vlerësimi ynë ka qenë në kolektiv dhe aty filmi u prit mirë. Gjatë filmit, duhej të filmonim këngën “Ç’u mbushën malet plot me partizanë” dhe unë bëra një prolog të bukur. Dhashë idenë e masivizimit të kësaj lufte. Gjithmonë operoj me mesazhe. Mesazhi ishte se po afrohej fundi i luftës dhe malet me të vërtetë u mbushën me partizanë. Ky film u vlerësua nga analiza vjetore nga shefja e redaksisë të filmit, si filmi më i mirë dokumentar i vitit. Mbas këtij unë bëra 7-8 filma të tjerë, derisa vjen viti 1980, kur unë përfundimisht kaloj në regjisor filmi dokumentar. Nga skenarist i filmit artistik, kaloj në regjisor i filmit dokumentar.
Ndonjë episod me Dhimitër Anagnostin dhe Viktor Gjikën?
Me Dhimitër Anagnostin kemi pasur një sukses në vitin 1973, ku unë kisha 3-4 vjet që kisha filluar punë dhe isha i ri akoma. Ishte një film dokumentar, që pati një jehonë të madhe, filmi me titull “Motive nga dita e diel”, me regjisor Dhimitër Anagnostin dhe unë si skenarist…! Ishte film brenda kontureve të kohës, me vlera të mëdha artistike. Në qendër të filmit, ishte jeta, dinamika, interpretimi i një dite të diel, për një njeri të zakonshëm në Tiranë. Me Viktor Gjikën, kemi bërë disa filma dokumentarë, kryesisht filma politik, si; “Vdekja e Enverit”, “Protesta e 1 Majit”, por edhe për udhëheqës të kohës.
Kur realizonit filma politikë, me cilët udhëheqës të kohës jeni takuar?
Unë dua të sqaroj diçka. Asnjëherë s’kam takuar kokë më kokë ndonjë udhëheqës. I kam takuar në momente pune, në momente kur kam filmuar, apo realizuar filma. Pra, kanë qenë takime të detyruara, takime spontane, takime të rastësishme, apo thjesht për të bërë detyrën. S’mund të them që më kanë thirrur në veçanti, apo më kanë lenë takime speciale. Një ndër takimet e rastësishme, ka qenë me Mehmet Shehun. Po xhironim inaugurimin e busteve të vëllezërve Frashëri. Pritej të vinte Enver Hoxha dhe ne po bënim gati kamerën. Shikonim kabllot, pajisjet dhe nuk shikonim ç’bëhej mbrapa. Ishim fokusuar andej nga do vinte Enver Hoxha.
Kur po vinte Enveri, pas tij ishte Mehmeti, i cili po rregullonte rripin e pantallonave. Ne thuajse ishim disa metra larg tyre. Menjëherë Mehmeti i thotë Enverit: “S’po na lenë të rregullojmë as pantallonat”. Enveri qeshi dhe ja kthen: “Lëri djemtë në punën e tyre. Kanë planin e tyre ata, ashtu si ne kemi planet tona”. Qeshën të dy. Një rast tjetër ka qenë në vitin 1973. Po inaugurohej ekspozita “Shqipëria Sot”. Për atë ekspozitë u bë një propagandë e madhe. Dhe në fakt shumë e mirë ishte. Aty gjeje çdo gjë që prodhohej në Shqipëri dhe arkitektura, ishte shumë e kohës.
Kishte mijëra njerëz në inaugurim, pasi do vinte Enver Hoxha. Vjen momenti që duket makina e tij. Po na shtynin njerëzit. Unë, për t’i hapur rrugë Enver Hoxhës, pa dashur i shkel këmbën Mehmet Shehut. Kameramani filmonte, ndërsa unë po shkruaja në fletore, detaje nga takimi, nga çastet e ardhjes së Enverit. Mehmeti më kap për krahu dhe më thotë, “pse nuk shkruani me konvencione. Nuk e kuptoni që ju lehtëson punën”? Ne ngritëm supet. Vërtetë nuk kishim mësuar të shkruanim me konvencione, që na e lehtësonte punën. – “Mirë, mirë vazhdoni-na tha, – ndiqni Komandantin”.
Takimi me Ramiz Alinë?
Rast tjetër ka qenë kur xhirohej një vizitë e Ramiz Alisë në verilindje të Shqipërisë dhe kam qenë bashkë me Viktor Gjikën. Gjatë takimit, ne ishim në një tavolinë me të. Ai jepte direktiva dhe ne filmonim dhe shkruanim. “Filmoni gjërat më kryesore – na tha, – profesioni juaj është i vështirë, por shumë i mirë”. Ndërsa një rast tjetër, më ka qëlluar me Muho Asllain, kur ka qenë Sekretar i Parë në Shkodër. Unë lëvizja kudo për filmim dhe për shënime. Nuk kapesha. Ai më pa disa herë dhe më tha se; “qenke i shkathët, nesër hajde në Komitetin e Partisë dhe më tako”. Ai mendoi se unë isha ndonjë gazetar i Shkodrës. Duke buzëqeshur i them se; unë jam nga Tirana. – “Ah, ç’më shpëtove”, – më tha. Qeshëm të dy bashkë.
Me Mine Gurin?
Me të jam takuar njëherë kur po shkonim në një Festival Filmi në Zvicër. Ishte viti 1985, kur sapo kishte vdekur Enver Hoxha. Kishte filluar një farë liberalizmi. Dihet që udhëheqësit e kohës, kishin privilegje. Në avion ata kishin vende të caktuara, para. Unë isha bashkë me Gavrosh Haxhihysenin. Minia, sa na pa, na tha: “Hajdeni të rrimë bashkë. Rruga me miq bëhet më e lehtë”. U afruam. Na habiti thjeshtësia e saj. Rruga deri në Zvicër, nuk na u duk fare.
Disa herë ne i etiketonim vetë udhëheqësit, pasi me thënë të drejtën, nuk ishin aq të sertë, aq të egër, sa i diskutojmë. Por sigurisht çdo kohë ka udhëheqësit e vetë, ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne nuk duhet të paragjykojmë askënd n.q.s, s’i takojmë, n.q.s., nuk bisedojmë, n.q.s., nuk ulemi me ta. Jashtë shtetit kam qenë që në vitin 1977. Dëshira ime më e madhe, është për të shëtitur dhe për të parë vende të ndryshme. Edhe sot e kam qejf lëvizjen. Lëvizja më jep jetë, emocion, vizion dhe frymëzim. Memorie.al