Nga Dalip Greca
Memorie.al / Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit, që mbeti në Shqipëri, nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit. Aktin e të atit, atë 7 prill ’39, e përjetoi me krenari. Por sa herë “trokiste” 7 prilli, brenda vetes ndjente dhimbjen që i shkaktonte pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë nuk ligështohem, nuk pendohem për vuajtjet gjatë 45 viteve nëpër burgjet komuniste e, kampet e internimit. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije, se ia vlente të vuaje për një babë –hero. – Do të doja t’i thosha edhe një gjë tjetër: Baba, e mbajta besën që ju dhashë kur u ndamë….”! Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, e takova kohë më parë. E kishim lënë takimin tek restoranti “Dani’s House of Pizza”, që ndodhet në Keë Gardens në Queens.
Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fund-jetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi. Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peizazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik. – “Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës”, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji….! Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim, ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin.
Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë, ku përzihen krenaria dhe dhimbja e pengut. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska (ndjese pastë), solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mirë për të atin. Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një; “Joooo”, të zgjatur. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi: – “Të lutem, mos e bëj më këtë kërkesë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti pushtuesit fashistë me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin”. I bindem vendimit të tij.
Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëve!
Në tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e britanikut Peter Kemp “No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit. Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit, mbajtjen e peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve.
Britaniku përdor tamam fjalën “luan”, për të përshkruar mënyrën e luftimit të Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, krye-mbrojtësin e Krujës, por ai qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij?
Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve, heroit të 7 prillit, sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se “Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë”. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall “armik” nga komunistët dhe ia mohuan luftën!
Abaz Kupi, shtyllë e luftës
Abaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri, por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin armikut. Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e, rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin e 6 prillit 1939, kur mori urdhrin, për t’i dalë ball për ballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë, me të dyja këmbët. Përballë dhjetëra mijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër, veçse ithtarë të tij.
Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, “Gjenerali Abaz Kupi”, ndërsa anglezët, “heroi shqiptar”. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery, tek “Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e tij “No colour or Crest”. Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës, ministrit të Jashtëm britanik, Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri, ai e përshkruan kështu:
“Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër, që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit, kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim.
Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me ç’rast armiku humbi aty shumë të vrarë. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”. Abaz Kupi nuk do t’i reshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941, së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun dhe Abaz Kupi e çeta e tij, ri hynë nga Jugosllavia në Shqipëri, për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër.
Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë, bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë, për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë. Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel.
Rrethimi ishte një darë e shtrënguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit. Fashistët lanë në këtë rrethim shumë të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarve, lanë pas shumë të vrarë e të plagosur. Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës, 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën shumë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.
Kur kronikat e betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë, mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve. Më pas në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies, bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët, për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols, do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë agjendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët.
Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës, në shtabin e Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të, Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerilje, në një front të gjerë nga Kosova në Pogradec. Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi.
Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë, ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti me para dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorët Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin, e lë për të pasur në kujdes familjen e mbetur.
Besa dhe pengu i të birit, Bardhit
Fatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi, shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur; “po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë…”! Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura: – “Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë, sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nënshkruante aty një deklaratë bese, se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat.
Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar, ia kthen: – “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë, se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”. Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit. Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol. Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi:
“Nuk largohem nga familja, pa më lajmëruar baba”….! Poshtë firma. Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët. Kjo e kishte ligështuar Bardhin. Ajo copëz letër e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet, gjatë kohëve të vështira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes, apo gjatë vuajtjeve të pafundme nëpër kampet e internimit.
Kur Bardhin e provokonin për të atin?
Kur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje. Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu: Abaz Kupi ishte bërë vëllam, me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut, e ka mbajt Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të VI-të partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës: – “Bardhin po e marr me vete, se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djalë i ri. Kam frikë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin”.
Dhe Bardhi hyri në rreshtat e Divizionit partizan, duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit, kolonel Gjin Markut. Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se; “Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd”, ose; “do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur”, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: “Po ti, çdo të bësh kur ta vrasim babën”? Ai u përgjigjej me guximin e një adoleshenti- “Po vratë babën tim, unë, o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras”! Duket si kokë-krisje…, por i tillë ishte reagimi i një 18 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.
Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve!
Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu kufirin e shkoi deri në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë, u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjekësor për paaftësi shëndetësore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun. Pa firmën e tyre, s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij. Lufta i përzjeu njerëzit…! Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, komandanti Shefqet Peçi e provokon për babain, duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe… debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi, duke i bërtitur fort: “Hajt ik në shtëpi tani”!– “Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte gjaknxehtë dhe gjakësor”, e kujton atë incident të kohës së largët Bardhi.
9 qershor 1945 – arrestohet si “armik i popullit”!
Fatbardh Kupi, është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. – “Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën”, – thotë Bardhi, tek më sheh në sy me vështrim krejt të kthjellët. Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz Kupit. Fillimisht në Kalanë e Porto Palermos në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbëzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë. Po si erdhi arrestimi i parë? Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë.
Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba, sa i gjithë qyteti tronditej nga shpërthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin në shenjë. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë.
Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta. Ai që i dha pushkën thirri fort – “S’do mend mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin”! Kjo di-kënd xhelozoi e spiunoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave. Prokurori në akt-akuzë, e akuzoi se; kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e Ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit.
E dënoi Petrit Hakani
Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës. Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin, e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajsh kthehet edhe ai në kampin famëkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit. Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit, shqipton vetëm një fjali: “Kur merrnim tasin me supë, pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej”. Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.
Pas Tepelenës, Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar, në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër. Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë. Pas heqjes së kampeve me tela, i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektori i ri internimit në Gradishtë, e internuan atje familjen. Më vonë internuan atje dhe Bardhin. Për herë të dytë u arrestua me 1981. Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se; “Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqve të Shqipërisë”.
Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu, të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë. Si prove, ishte bashkëngjitur edhe një ekspertizë për hartimin e shkruar prej tij, teksa vazhdonte gjimnazin natën. Gjyqi ishte një farsë. Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G. V., i tha se; poshtërsia më e madhe në jetën e tij, ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj.
Me kujtimet për të atin, takimi me Patër Anton Arapin në burg
Edhe në çastet më të vështira të jetës, Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg, më thërret Patër Anton Harapi; Eja ti djali i Bazit… luajmë një lojë shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf. Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë: Nuk të kam thirr për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them, se ke pasë një babë trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash! Kujdes, ruaje veten”.
Atëherë Bardhi, e pyet:- “E keni njohur babain tim”? Ai i qe përgjigjur: “Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët, që thjeshtë hedhin një pushkë në krah dhe dinë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur, me zgjuarsi natyrale. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë”! Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi, ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit, se të njëjtin mendim Pater Harapi ia kishte shfaqë në një letër edhe Lef Nosit. Bardhi sërish u ndje mirë sepse këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.
Ish-shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku, e portretizojnë Bardhin të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës. – “Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturuesve të pashpirt”,- thotë Lek Mirakaj. – “Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin”! I ndjeri Bardh Kupi ndërroi jetë me 23 shkurt 2016, në North Shore Hospital – Long Island, New York dhe u përcoll me nderime nga komuniteti shqiptar me 27 shkurt në varrezën ku pushon edhe Ati, Heroi i 7 prillit, në Kew Gardens Road Kew Gardens Queens, New York. Memorie.al
*(Marrë nga libri: “’Armiqtë’ që donin Kombin”).