Nga Msc. Xhorxhina Seferi
Pjesa e parë
-Politika e PPSH-së kundër besimeve fetare: masat me karakter ligjor dhe fushata propagandistike në vitin 1967-
Memorie.al / Menjëherë pas çlirimit nga pushtuesi fashist, në Shqipëri u vendos regjimi komunist, i cili bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Qeveria e drejtuar nga Enver Hoxha, në vitet e para të pasçlirimit u paraqit si qeveri me vizion, e cila kishte hartuar projekte për zhvillimin arsimor, kulturor, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në fillimet e tij shteti komunist, nuk u afirmua në publik si shtet ateist, por si shtet laik. Megjithatë kjo nuk do ta pengonte shtetin që të fillonte luftën për zhdukjen e feve, si ideologji kundërshtare. E zhvilluar në një shoqëri të mbyllur dhe me nivel të ulët kulturor, propaganda komuniste arriti të denigrojë klerikët dhe të cenojë integritetin e shërbesave fetare.
Në vitin 1967, u zhvillua haptazi në mënyrë intensive e të programuar, propaganda kundër besimeve fetare, e cila tregoi nevojën e regjimit për uniformitet politik e social. Në këtë studim rreth politikave të PPSH-së kundër besimeve fetare, jemi ndalur te vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhënia e tij me komunitetet fetare, masat e para kundër besimeve fetare, metodat e përdorura në luftën kundër fesë, fushata propagandistike dhe mjetet kryesore të propagandës, te qëndrimi i klerit e deri te ndalimi i veprimtarisë fetare në vend.
Etapa fillestare e regjimit komunist
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbylli një etapë të rëndësishme historike, gjatë së cilës u arrit të çlirohej vendi nga okupatorët nazifashistë dhe të rivendosej pavarësia e atdheut. Me përfundimin e luftës pritej edhe një zhvillim demokratik i vendit. Mirëpo lufta pati një veçori, që do të ndikonte në zhvillimet pas saj. Organizatat nacionaliste, ‘Balli Kombëtar’ dhe Legaliteti, për shkak të qëndrimit të mbajtur gjatë luftës dhe të largimit jashtë vendit të krerëve të tyre, nuk do të ishin faktorë në zhvillimet pas lufte.
Në pushtet kishin ardhur forcat që bënë luftën, të cilat qenë bashkuar në Frontin Nacionalçlirimtar, ku Partia Komuniste kishte një peshë të rëndësishme. Pas çlirimit nga pushtuesi fashist vendi ka përjetuar një gjendje krize tejet të vështirë. Shqipëria ishte, në çdo aspekt, vendi më i prapambetur në Evropë. Industria kishte pësuar dëme të mëdha, infrastruktura thuajse ishte shkatërruar e gjitha, klasa punëtore ishte e paktë në numër dhe shumica e popullsisë ishte analfabete.
Populli kishte nevojë për strehë, veshmbathje, bukë dhe rreziku i sëmundjeve ishte shumë i lartë. Sipas historiografisë shqiptare, mund të përmenden dy shkaqe kryesore të kësaj gjendjeje krize: Prapambetja e trashëguar nga e kaluara dhe dëmet e mëdha në ekonomi e në njerëz që shkaktoi lufta. Në nivelin ekonomik dhe social, që paraqiste vendi në atë kohë, por edhe sipas doktrinës së Marksit, nuk parashikohej vendosja e regjimit komunist në një vend me nivel kaq të ulët zhvillimi.
Marksi, i cili është themelues i komunizmit shkencor, deklaronte se idetë e tij do të ishin të suksesshme nëse do të viheshin në jetë në vendet e zhvilluara kapitaliste. Pra, për një vend si Shqipëria nuk mendohej vendosja e rendit komunist, por Partia Komuniste për shkak të disa zhvillimeve politike, që ndodhen gjatë Luftës, arriti të vinte e vetme në pushtet. “Duke e filluar veprimin e tij me 1941, me një grumbull ndjekësish të tij dhe me një grusht këshilltarësh jugosllavë, Enver Hoxha kishte vënë duart mbi pushtetin më 1944, duke vënë në jetë mësimet e Stalinit”!
Me 18 mars 1946, Kuvendi Popullor ngarkoi kreun e Partisë Komuniste, Enver Hoxha, që të formonte qeverinë e parë pas lufte. Me 24 mars, Kuvendi miratoi programin dhe Kabinetin qeverisës me përbërjen e mëposhtme: Enver Hoxha kryeministër, ministër i Mbrojtjes Kombëtare dhe ministër i Jashtëm; Koçi Xoxe zëvendës kryeministër dhe ministër i Brendshëm; Haxhi Lleshi e Tuk Jakova, ministra pa portofol; Manol Konomi, ministër i Drejtësisë; Nako Spiru, ministër i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Planit, Spiro Koleka, ministër i Punëve Botore; Ramadan Çitaku, ministër i Financave; Sejfulla Maleshova, ministër i Arsimit; Medar Shylla, ministër i Shëndetësisë.
Karakteristikë e regjimit ishte lufta e ashpër e zhvilluar brenda radhëve të udhëheqjes së lartë të PPSH, me eliminimet dhe dënimet maksimale të kundërshtarëve, sipas modeleve dhe metodave staliniste të kohës. Lufta brenda llojit ishte mjaft e ashpër dhe ajo ka sunduar sidomos pas vitit 1947 e në vazhdim, deri në rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Ligjet ekzistonin, por ato nuk zbatoheshin njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës. Për rrjedhojë kalohej në veprime arbitrare nga njerëzit e pushtetit. Dënimet arbitrare filluan të shtrihen ndaj kujtdo që shfaqte pakënaqësi, ose kundërshtonte hapur një vendim partie.
Masat për rimëkëmbjen e vendit
Menjëherë pas lufte, Partia Komuniste e Shqipërisë përcaktoi si detyrë prioritare ndërtimin e një sistemi politik, që do t’i përshtatej natyrës dhe qëllimeve të saj. Në këtë kuadër, rëndësi të veçantë kishte organizimi i shtetit, që do të përdorej si mjet për kryerjen e reformave që duhet të çonin në normalizimin e shpejtë të jetës dhe në zhvillimin ekonomik, por edhe për të shtypur klasat kundërshtare dhe rezistencën e tyre.
Ndërtimi ekonomik dhe shtypja e klasave kundërshtare përbënin qëllimin kryesor të PKSH-së dhe përmbajtjen e funksioneve të shtetit që po ndërtohej. Në rrethana të tilla, shteti demokratik, që doli nga lufta, dalëngadalë do të merrte tiparet e një diktature të majtë të tipit Stalinist.
Meqenëse vendi ndodhej në kushte shumë të vështira ekonomiko-shoqërore, shteti fillimisht i dha përparësi problemeve më emergjente siç ishin: Rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar, sigurimi i nevojave të domosdoshme për jetesë dhe ndërmarrja e reformave që do të shpejtonin normalizimin e jetës në vend.
Reforma agrare
Ndër reformat e marra nga qeveria ishte edhe reforma agrare. “Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, me 29 gusht 1945, miratoi dhe shpalli ligjin mbi reformën agrare”. Në bazë të ligjit shpronësoheshin çifligjet e shtetit, pronat bujqësore të konfiskuara, çifligjet dhe pronat e mëdha private si dhe ato të enteve fetare. Sipas ligjit pronarëve u mohohej çdo e drejtë mbi pronën përveç së drejtës për ta përdorur atë.
Në pamje të parë shpronësimi nuk dukej si një vepër antifetare, por si domosdoshmëri për zbatimin e ligjit, i cili nuk i shpronësonte të gjitha tokat në pronësi të komuniteteve fetare, por i linte atyre 20 ha. tokë. Në të vërtetë regjimi komunist e shfrytëzoi këtë reformë për të dobësuar komunitetet fetare. Xhamitë, manastiret, teqetë dhe objektet e tjera të komuniteteve fetare siguronin të ardhura nga tokat që zotëronin dhe këto të ardhura përdoreshin nga komunitetet përkatëse. Me miratimin e ligjit për Reformën Agrare, komunitetet fetare pësuan një goditje të rëndë.
Dekret-ligji nr. 253, i 27 majit 1946, që bën disa ndryshime të Ligjit e Shtojcë-Ligjeve të Reformës Agrare, e ul sipërfaqen e pronave të komuniteteve fetare sipas të cilit: “Teqevet, manastirevet dhe komuniteteve fetare të Prefekturave, u lihen gjer në 10 ha. tokë. Dhe, në rastet kur në sipërfaqet që përfitojnë pronarët nga ky dekretligj përfshihen edhe pemishtet, vreshtat dhe ullishtat, sipërfaqja e tokës që jepet zbritet në proporcion me vleftën e kulturave”.
Kjo reformë dhe një sërë masash të tjera në fushën fiskale të shtetëzimeve, e kufizuan shumë bazën ekonomike të fesë. Procesi i kooperimit të mjeteve të punës së prodhimit në bujqësi, sidomos tatimfitimi mbi ndërtesat, që filloi në vitin 1955 me efekte prapavepruese, ishin një goditje tjetër që iu dha më vonë pozitës ekonomike të institucioneve e udhëheqjes fetare.
Reforma arsimore
Pas çlirimit, shteti tregoi një angazhim të veçantë në fushën e arsimit, kjo për arsye se u përball me shumë probleme, ndër të cilat ishte edhe analfabetizmi. Një arsye tjetër pse shteti u angazhua për përmirësimin e arsimit ishte ajo e edukimit me ideologjinë komuniste të brezit të ri. Këshilli i Ministrave hartoi platformën mbi reformën arsimore dhe me 17 gusht 1946 Kuvendi Popullor miratoi ligjin mbi Reformën Arsimore.
Në ligj përcaktohej sistemi arsimor me gjithë strukturën dhe hallkat e tij. Ai përbëhej nga arsimi parashkollor, arsimi i përgjithshëm, ai profesional dhe arsimi për të rritur. Arsimi i përgjithshëm do të ishte 11-vjeçar. Hallkat e tij ishin: Arsimi fillor katërvjeçar, arsimi unik shtatëvjeçar dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm katërvjeçar.
Lëvizja për “emancipimin” e gruas
Një tjetër lëvizje që u ndërmor nga Partia Komuniste ishte edhe lëvizja për emancipimin e gruas. Në themel të kësaj lëvizjeje qëndronin motivet politike e ideologjike. Shtysë për krijimin e kësaj lëvizjeje u bënë normat e vjetra të kanunit që vepronin me forcë në disa zona të vendit dhe e mbanin gruan të shtypur e të diskriminuar. Zakonet e vjetra bënin që ajo të ishte inferiore në raport me burrin.
Kjo pozitë shfaqej në çdo fushë, por ishte akoma më e dukshme në familje, ku ajo ishte e shtypur dhe trajtohej si skllave. Duke marrë shtysë nga realiteti, PPSH-ja organizoi një lëvizje shoqërore në të gjithë vendin. Kjo lëvizje pati qëllim eliminim e normave të kanunit, të praktikave dhe zakoneve të vjetra patriarkale që e diskriminonin gruan dhe që pengonin përfshirjen e saj në jetën shoqërore, politike e kulturore.
Kjo lëvizje filloi të kishte sukses dhe nëpërmjet saj u arrit sensibilizimi i opinionit shoqëror. Pothuajse të gjitha shtresat e shoqërisë filluan të dënojnë mentalitetet dhe zakonet që kishin sjellë diskriminimin e gruas. Lëvizja u përqendrua në luftën kundër mentaliteteve e zakoneve të vjetra dhe në krijimin e kushteve për emancipimin e saj në fusha të ndryshme të jetës.
Aktivë të partisë nëpër rrethe të ndryshme të vendit e përkrahën këtë lëvizje dhe filluan të shprehen se: “Do të ngremë në vende me përgjegjësi gratë, që nga skuadër komandante gjer në kryetarë kooperative”, “Do të prishim fejesat e lidhura në moshë të mitur dhe do të bëjmë luftë të pandërprerë kundër rasteve të tilla”, “Do të ndryshojmë veshjen e grave brenda 6 mujorit të parë të këtij viti dhe do të marrim masa për ndryshimin e marrëdhënieve në familje, sidomos ato ndërmjet burrave dhe grave”.
Një jehonë të veçantë pati protesta e pionierëve të shkollës 8-vjeçare të Progonatit në Kukës, që prishën publikisht fejesat e bëra nga prindërit e tyre në moshë të vogël dhe deklaruan se: “Nuk do të ngrohemi, në qoftë se drutë do t’i bijën në krahë nënat tona dhe nuk do të pimë ujë, në qoftë se do ta sjellin ato në krahë”.
Për drejtuesin e PPSH-së filluan të vinin letra nga mbledhje të aktivit të grave nga konferenca të Bashkimit të Grave të Shqipërisë nga rrethe të ndryshme të vendit. Ato fillimisht shprehnin mirënjohje për të, më pas tregonin shqetësimet e tyre dhe premtonin se do të jepnin kontributin e tyre në ndërtimin e shoqërisë socialiste dhe do të luftonin derisa të arrinin rolin e merituar në familje dhe në shoqëri.
Aktivi i grave të rrethit të Dibrës, në një letër shprehej: “Ne si gra do të përpiqemi me punë konkrete që të sigurojmë rritjen e personalitetit tonë dhe barazi të plotë në shoqëri dhe në familje. Do të ngremë zërin kundër kujtdo që merr nëpërkëmbë të drejtat tona, do të kërkojmë ndihmën e të gjithë komunistëve dhe të organizatës së partisë të katundit, për t’i çue deri në fund porositë tuaja që të djegim me zjarr e t’u këputim kokën të gjithë atyre që marrin nëpërkëmbë këto të drejta”.
Në kuvendet dhe mbledhjet që u zhvilluan, u dënuan praktikat dhe zakonet e vjetra që lejonin keqtrajtimin e gruas dhe nëpërmjet kësaj lëvizje filloi të ndryshojë pozita e gruas, si në familje ashtu edhe në shoqëri. “Për t’i siguruar grave kushte lehtësonjëse u hapën 15 mensa në lagje. 500 gra u ngritën në përgjegjësi që nga kongresi i 5-të i Partisë dhe në vazhdim”.
PPSH-ja gjithashtu kërkonte nga organizatat e partisë, ato të masave dhe organet e pushtetit që: “Të mos lejojnë asnjë lëshim në këtë çështje dhe për këtë qëllim të forcojnë punën edukative e politike duke krijuar kudo një atmosferë mbytëse ndaj këtyre zakoneve që poshtërojnë gruan”. Ishte kjo lëvizje që bëri të mundur “emancipimin” e gruas dhe që i dha shtysë aktivizimit të saj në jetën shoqërore e kulturore të vendit. Sipas PPSH-së zhvillimi i gruas ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e familjes dhe në zhvillimet ekonomike e politike të vendit.
Marrëdhënia e regjimit të ri komunist me komunitetet fetare
Në Shqipëri, megjithëse shumica e popullsisë ishte myslimane, në të jetonin edhe të krishterë. Fillimisht shteti komunist nuk u afirmua në mënyrë të hapur si shtet ateist, por si shtet laik. Rrjedhimisht edhe metodat e luftës kundër fesë ishin jo të drejtpërdrejta. Shteti nuk ndërhyri në përcaktimin e pozitës juridike të komuniteteve fetare, por politikave fetare iu dha mundësia të mbështeteshin në legjislacionin zogist. Statuti themeltar i vitit 1946 dhe Kushtetuta e vitit 1950, sanksiononin lirinë e besimit dhe ndarjen e shtetit nga feja.
Për të arritur qëllimin e tij regjimi veproi me dinakëri, duke mos ndërmarrë masa në mënyrë të hapur kundër besimeve fetare. Shqiptarët e shihnin besimin të ndërthurur ngushtë me vlerat e zakonet familjare dhe shoqërore. Në këto kushte, regjimi komunist vendosi t’i dobësonte në mënyrë graduale institucionet fetare. Ai fillimisht vendosi t’ia nënshtronte këto institucione shtetit, t’i përdorte për aq kohë sa ato përkrahnin programin e qeverisë dhe në fund t’i zhdukte. Këtij plani të PPSH-së, iu deshën 23 vite, që të realizohej plotësisht.
Gjatë Luftës Çlirimtare, regjimi i ardhshëm komunist i kishte zbatuar dhe ruajtur me kujdes planet e tij. Në Kongresin e Përmetit, të mbajtur në maj 1944 për formimin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe për hedhjen e bazave të pushtetit socialist, Enver Hoxha nderoi në mënyrë të veçantë “klerin”, që ndodhej në radhët e delegatëve, partizanëve dhe patriotëve. Më vonë edhe kushtetuta i jepte garanci për të drejtat civile dhe për ushtrimin e lirë të fesë.
Pavarësisht asaj që kishte prezantuar deri tani, regjimi i ri komunist filloi t’i dobësonte institucionet fetare gjatë viteve 1944-1946, duke e përjashtuar nga ligji edukimin fetar dhe duke mbyllur shkollat e mbetura private fetare. Gjithashtu u ndaluan botimet fetare dhe të rinjtë nxiteshin për të mos marrë pjesë në veprimtaritë fetare. Në vitet e para të ndërtimit të shtetit, komunistët nuk caktuan ndonjë dokument ligjor autentik në lidhje me pozitën juridike të fesë në shoqëri. Me këtë veprim, u la të kuptohej se shteti i qëndronte besnik standardeve të njohura në marrëdhëniet e fesë me shtetet demokratike. Por, kur erdhi koha e përshtatshme, ato e zbatuan me përpikëri njërën nga pikat e programit të tyre që ishte lufta kundër fesë.
Dekret-ligji për komunitetet fetare i vitit 1949
Ligjin Zogist për komunitetet fetare shteti komunist e konsideroi të mirëqenë dhe me disa ndryshime të vogla e mbajti në fuqi, deri në fund të vitit 1949. Pas kësaj kohe, me pretekstin se në Shqipëri ishin krijuar realitete të reja politike, ekonomike e sociale, të lindura nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai e abrogoi atë dhe hartoi një kuadër të ri më të plotë ligjor për fenë.
Me 26.11.1949, doli dekret-ligji nr. 743, “Mbi komunitetet fetare”, miratuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Dekret-ligji i Komuniteteve fetare i vitit 1949, i përbërë nga 37 nene dhe formuluar në përputhje me Kushtetutën, sanksiononte ndërhyrjen e shtetit në çështjet e brendshme të komuniteteve fetare. Ky dekret-ligj, në përputhje me nenin 16 të Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë, në nenin nr. 1, parashikonte se të gjithë shtetasve u garantohej liria e ndërgjegjes dhe besimit.
Në nenin nr. 2, deklarohej se; “besimet dhe komunitetet fetare ishin të ndara nga shteti”, ndërkohë që në nenin nr. 6, thuhej se; “komunitetet fetare ishin të lira të organizoheshin dhe të ushtronin shërbimet fetare në bazë të dogmave dhe statuteve të tyre, nëse këto nuk binin në kundërshtim me ligjet e shtetit, me rendin publik dhe zakonet e mira”. Sipas nenit nr. 9, çdo komunitet fetar duhet të kishte një Kryesi, që do të ishte përgjegjëse përpara shtetit dhe lidhjet ndërmjet qeverisë dhe komuniteteve fetare do të bëheshin përmes kryesisë së Këshillit të Ministrisë. Memorie.al
Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti ‘Bedër’
Vijon numrin e ardhshëm