Nga Njazi Xh. Nelaj
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirë-menaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Autori
Kush ishte Niko Selman Hoxha?
Niko Hoxha u lind në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, në vitin 1926, nga dy prindër nga ai vend. Familja e Selman Hoxhës dhe e nënë Havasë, në Tragjas, ishte nga familjet më të kamura e më me influencë, në fshat e në rrethina. Babai i Nikos, Selman Hoxha, ishte nacionalist dhe patriot i njohur. Shtëpia ku u lind e kaloi fëmijërinë Niko Hoxha, ishte një godinë e madhe, dykatëshe, me avlli të lartë e me një portë me harqe, me dy sofatë të mëdhenj, e cila ndodhej midis Orikumit të sotëm dhe fshatit Tragjas.
Shtëpia e Selman Hoxhës ishte më e dukshmja në fshat dhe njihej si “Derë e Madhe”. Në atë familje gjenin strehë dhe miqësi, hynin e dilnin shumë shokë, miq e dashamirë, nga e gjithë treva. Selmani, babai i Nikos, ishte burrë i zgjuar, i mençur e mjaft autoritar. Fjala dhe mendimi i Selman Hoxhës, dëgjohej e çmohej mjaft në kuvendin e burrave. Niko Hoxha, u rrit në një familje të kamur, me pekule. Që në fëmijërinë e hershme të tij, spikati zgjuarsia dhe shkathtësia e tij, e pazakontë.
Me trupin që u lidh mirë e me atë shtat të hedhur, Niko, që kur ishte i vogël, shquhej, për zgjuarsi e shkathtësi në lojërat fëmijërore që organizonin moshatarët e tij. Mes të mirave që gëzonte në familje, u formua e u kalit shpirtmirësia e tij dhe sedra pa teka, e heroit tonë të ardhshëm. Nënë Havaja e la të parritur të birin dhe Selmani u martua me një grua tjetër. Kushtet, në atë familje, për Nikon, akoma të pa rritur dhe për dy motrat e tij, Merjemen dhe Burbuqen, si dhe për vëllanë e sëmurë, Ilminë, u vështirësuan shumë.
Ilmiu ishte i sëmurë nga veremi e, u nda shpejt nga jeta. Pas tij u mbyt në det e motra, Merjemja, e cila ishte epileptike. Niko ishte fëmija i madh i familjes dhe tashmë i mbeti barra të kujdesej dhe për të motrën me aftësi të kufizuara, Burbuqen. I dalluar në mësime dhe i shëndetshëm, Niko u sistemua në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit kurse motrën, Burbuqen, që të mos ia linte barrë njerkës, e çoi në azile.
Në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit, Niko Hoxha nuk banonte në konvikt si nxënësit e tjerë, por me shpenzimet e familjes kishte zënë një shtëpi me qira. “Xhepi” i Selman Hoxhës, e mbante qiranë e shtëpisë së të birit. Në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit, Niko Hoxha hodhi shtat, u forcua e u burrërua dhe u formua me një edukatë të shëndoshë e me kulturë të gjerë, të cilat i manifestoi kudo e kurdoherë. Personaliteti i spikatur i tij, u formësua e u shfaq pikërisht aty, në ‘Normalen’ e Elbasanit. Qysh në rininë e hershme të Nikos si student, u duk qartë pozicionimi politik i tij.
I mbrujtur si atdhetar i flaktë që nga “rrënja”, Niko Hoxha, si mjaft moshatarë të tij, u prek e u fye rëndë nga pushtimi fashist i vendit. Ai shumë shpejt ra në kontakt me idetë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte pjesëmarrës aktiv në rrethet studentore, përparimtare të kohës, duke u bërë promotori i Lëvizjes Antifashiste të studentëve të shkollës ‘Normale’.
Siç më tha piloti veteran, Gezdar Riza Veipi, i cili e ka dashur dhe e ka respektuar shumë Niko Hoxhën: “Niko Hoxha ishte ‘ujk’ i lëvizjes studentore në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit. Ai ishte agjitator i mirë e vihej në krye të protestave të studentëve kundër pushtimit fashist. Veprimtaria antifashiste e Niko Hoxhës shpejt ra në sy të pushtuesve e, për atë u bë i pamundur qëndrimi i mëtejshëm në atë shkollë.
Në rastin më të përshtatshëm, Niko, me shokë e shoqe, si ai, doli partizan e u rreshtua në Brigadën e V-të Sulmuese, ku u caktua përgjegjës rinie. Në aksionet luftarake të njësiteve ku mori pjesë, tek Niko Hoxha, i ri, spikati trimëria, guximi dhe pa përmbajtja. Urrejtja që ushqente për pushtuesit dhe vala e luftës që e rrëmbeu, e bënë atë një luftëtar të paepur dhe të gatshëm për të bërë sakrificën më sublime për çlirimin e atdheut”.
Nëse në drejtim të tij bëhej ndonjë kritikë nga bashkëluftëtarët, ajo kishte të bënte me papërnbajtjen e tij në aksione. Niko Hoxha luftonte në këmbë dhe e priste plumbin e armikut në ballë. Shokët dhe komandantët e tij i rekomandonin, që kur hidhej në sulm, të përdorte manovra, si shokët, jo të shkonte përpara, drejt e në këmbë. Pas çlirimit të vendit, një pjesë e luftëtarëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u dërguan për të studiuar në shkolla të ndryshme ushtarake, në Jugosllavi e në Bashkimin Sovjetik.
Ish-partizanët që e kishin shkelur territorin e vendit, me një pushkë në krah, duke ndjekur okupatorin dhe veglat e tij, këmba këmbës, tani që Atdheu ishte i çliruar, duhet të merrnin në duar topa, aeroplanë, tanke, anije e mjete të tjera luftarake, të kohës. Ishte koha kur Ushtria Popullore, e dalë nga lufta partizane, duhej riorganizuar e pajisur me teknikë luftarake që tu përgjigjej situatave dhe detyrave të reja.
Djemtë e popullit, edhe pse të pashkolluar ose me pak shkollë, por të vendosur e me zemër të zjarrtë, shprehën dëshirën dhe u ulën në bankat e auditorëve të huaj, me vendosmërinë për të përvetësuar shkencën dhe teknikën ushtarake, e cila deri atëherë nuk u kishte shkuar as në mendje. Me ndjenjën e përgjegjësisë për detyrat dhe me bekimin e familjeve të tyre, adoleshentët të dalë nga lufta si fitimtare, iu përveshën punës për të përvetësuar dijet e përparuara shkencore të kohës.
Djemtë më të shkolluar, më të zhvilluarit fizikisht e ata me intelekt më të dukshëm, u nisën udhëve të vështira të qiellit. Kjo ishte një fushë e vështirë dhe e panjohur deri atëherë në vendin tonë. Doemos, të parët që u futën në këto shtigje të panjohura ishin ‘normalistët’ e Elbasanit dhe vërsnikët e tyre. Kuptohet, teknika e përparuar kërkonte dhe dije më shumë e përkushtim më të madh. Mes tyre u shquan djemtë azganë të ‘Normales’ së Elbasanit, si: Niko Hoxha, Edip Ohri, Fari Bubësi etj., dhe trimi i çartur nga Armeni i Vlorës, Babaçe Imeri (Faiku).
Në udhën e qiellit u nisën dhe djem të tjerë, ish-partizanë, të cilët edhe pse nuk e kishin nivelin arsimor të shokëve, ishin të provuar në sheshin e luftës, për guxim e trimëri dhe e kishin syrin “me çika”. Se pilot nuk bëhesh dot, po të mos jesh trim. Guximi dhe trimëria janë bashkudhëtarë të pilotit. Nuk është vendi, as koha për të bërë evidencë, as klasifikime vlerash, veç një gjë e dua ta theksoj, madje me forcë të madhe. Djali “si shqiponjë”, nga Tragjasi i Vlorës, Niko Selman Hoxha, qysh në fillim u shqua për nivele mbi ata të shokëve të grupit, në të gjithë drejtimet.
Grupin e djemve që do të studionin për aviatorë, mes të cilëve ishte dhe Niko, i dërguan në shkollën e aviacionit të Pançevos, në Jugosllavi. Në shkollë, Niko Hoxha dhe kolegët e tij, përvetësuan teorinë e fluturimit dhe teknikën e pilotimit në aeroplanë me helikë të Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të shkollës, në aerodromin e Pançevos, Niko Hoxha u titullua oficer dhe u pajis me diplomën e pilotit.
Pas prishjes së marrëdhënieve midis vendit tonë dhe Jugosllavisë, në vitin 1948, Niko Hoxha dhe shokët e tij u shpërngulën, për t’u kualifikuar në shkolla ushtarake dhe aeroplanë të tjerë, në Bashkimin Sovjetik. Nikos i takoi të shkonte në Shkollën e Aviacionit të qytetit të “Engelsit”, ku do të fluturonte në aeroplanët bombardues, me helikë ‘PE’-2. Më 12 mars të vitit 1948, Niko Hoxha, me gradën e kapitenit të dytë, ndodhej në qytetin “Engels”, ku nisi programin e kualifikimit. Bashkëkohësi i Nikos, piloti në pension, Bajram Hitaj, nga Kuçi i Kurveleshit, e kujton kështu atë kohë:
“Niko na u bë, brenda një kohe të shkurtër, shok, vëlla, prind dhe mësues. Na rrinte afër, na mësonte dhe na edukonte për jetën; se ne nuk dinim shumë gjëra. Na ndihmonte në mësime, se nuk dinim asnjë fjalë rusisht dhe na mësonte edhe si të silleshim. Qëndruam së bashku një vit. Ai u kthye në Shqipëri e më vonë vajti në Akademinë e Aviacionit, në Moskë, e cila ishte shkollë ku përgatiteshin drejtuesit e armëve e shërbimeve të ushtrisë”.
Gjatë vitit 1951, Niko Hoxha dhe kolegu i tij, Edip Ohri, studionin në Akademinë e drejtimit të Aviacionit, në Moskë. Duke ndjekur studimet akademike, në Moskë, të dy shkuan në aerodromin e qytetit të Novosibirskut (ish-Bashkimi Svjetik), ku bënë kalimin në aeroplanët gjuajtës, me helikë ‘JAK’-9 P, me të cilët do të furnizohej, së shpejti, Aviacioni Luftarak Shqiptar. Në dallim nga kolegu i tij, Niko Hoxha ishte mjaft i pasionuar pas mësimeve teorike dhe fluturimeve praktike. Ai përpiqej të mësonte sa më shumë gjëra dhe në detaje. Kur ishte fjala për të mësuar teorinë dhe praktikën, Niko Hoxhën e dalloje menjëherë, nga përkushtimi, serioziteti dhe ekzigjenca që tregonte.
Bajram Hitaj, njëri nga pilotët shqiptarë, i cili, aso kohe studionte në qytetin e Novosibirskut dhe fluturonte në aerodromin e atij qyteti, e kujton kështu vajtjen e Niko Hoxhës, në aerodromin e tyre, për të kaluar në aeroplanin JAK-9P: “Kur erdhi tek ne, kërkonte të mësonte sa më shumë nga eksperienca jonë. Na pyeste për çdo gjë që dinim ne. Niko na thoshte: ‘më mësoni, amani”! I tillë ishte Niko Hoxha, ekzigjent dhe modest. Deri atëherë Niko kishte fluturuar në aeroplanët PE-2, UTB-2 dhe në TU-2. Do të përvetësonte edhe aeroplanin tekanjoz, JAK-9P.
Para se të dërgohej në Akademinë Komanduese, në Moskë, Niko Hoxha ishte emëruar komandant i skuadriljes me helikë, në aerodromin e Laprakës në Tiranë. Me shumë dëshirë e aftësi, ai grumbulloi pilotët dhe aeroplanët që kishin ardhur nga vende e shkolla të ndryshme dhe me ta organizoi një skuadrilje. Lexuesit të më falin për krahasimin, por mund të them se ky konglomerat avionësh e njerëzish, ngjante me një thes me miell, të cilin mullisi e ka mbushur nga barrë të ndryshme. Me cilësitë individuale të tij, Niko Hoxha ia doli e fitoi edhe këtë sfidë të kohës. Përpjekjet e Niko Hoxhës e të kolegëve të tij, u kurorëzuan me sukses, me ngritjen mbi qiellin e Tiranës, të aeroplanit të parë luftarak të aviacionit shqiptar, të pilotuar nga piloti i talentuar, me shumë kulturë, Peço Polena, nga Korça.
Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Komandimit, në Moskë, në vitin 1952, Niko Hoxha u emërua komandant i skuadriljes të vetme në vendin tonë, të pajisur me aeroplanë gjuajtës, me helikë, të tipit JAK-9P. Në atë kohë, Niko Hoxha mbante gradën e kapitenit të parë; shpejt u gradua major. Komisar i skuadriljes u caktua kolegu i Nikos – piloti Edip Ohri. Zëvendëskomandant u emërua labi trim, me trup shtatshkurtër por i ngjeshur, Babaçe Faiku dhe shef shtabi, përmetari nga Bubësi, piloti i talentuar, Fari Bubësi.
Një zgjedhje e gjetur, Tre ish-‘normalistë’, u ngarkuan për të drejtuar aviacionin e sapoformuar të Shqipërisë. Detyrat e rritjes ishin sa të vështira aq të panjohura. Niko Hoxha i përballoi ato me përkushtim, kompetencë, iniciativë e guxim. Trimërinë, ai burrë e kishte bashkëshoqëruese, në çdo rast e në çdo situatë. Lidhur me kë, Batja, i cili e ka njohur Niko Hoxhën për një kohë të gjatë, më tregonte: “Niko Hoxha ishte edukator e pedagog i shkëlqyer, në tokë. Në ajër ishte instruktor i mirë dhe ta diktonte mësimin e avionit me moton: hajde ta bëjmë bashkë e bëje vetë. Ai të korrigjonte me kompetencë”.
Viti 1954 solli edhe në Shqipëri “erën” e aviacionit reaktiv. Pilotët më me përvojë por dhe më me perspektivë, u dërguan në aerodromin e Groznit, në Bashkimin Sovjetik, për të përvetësuar avionin luftarak, MIG-15 BIS, i cili ishte i pajisur me një motor reaktiv. Po dilte në skenë një teknikë e re ajrore, aeroplanë me një teknologji më të avancuar, e cila mund të shfrytëzohej me kompetencë vetëm nga njerëz kompetentë, të pajisur me njohuri shkencore.
Në grupin e pilotëve që u dërguan në Grozni, për kualifikim, nuk mund të mos ishte piloti guximtar e me njohuri shkencore, Niko Selman Hoxha. Ai dhe kolegët e tij: Edip Ohri, Fari Bubësi, Peço Polena, Haki Jupasi, Vasil Trasha e Masar Aga, studiuan dhe fluturuan plot 9 muaj, në aerodromin e Groznit (Bashkimi Sovjetik), deri sa përvetësuan tipin e ri të avionit, ‘Migun’ 15 BIS.
Kontingjenti i parë i avionëve të këtij tipi erdhi në vendin tonë, në muajin shkurt të vitit 1955, me anijen sovjetike “Obi”. Aeroplanët u montuan në aerodromin e Laprakës, në Tiranë, nga teknikë sovjetikë të uzinës që i kishte prodhuar dhe u transportuan, me anë të ajrit, të pilotuar nga pilotë sovjetikë, në aerodromin e sapondërtuar të “Qytetit Stalin”. Më pas erdhën, me të njëjtën anije, aeroplanët e skuadriljes së dytë.
Këta u montuan në aerodromin e Laprakës dhe u ri bazuan në aerodromin e “Qytetit Stalin”, nga pilotët shqiptarë që studiuan në Grozni. Ribazimi u krye më 16 qershor 1955. Atë vit, Niko Hoxha u emërua komandant i Regjimentit të parë të aviacionit gjuajtës-bombardues, të “Qytetit Stalin”, i cili sapo u pajis me aeroplanët reaktivë, MIG-15BIS.
Me talentin si organizator, me iniciativën dhe kurajën që e karakterizonin, Niko Hoxha përballoi me guxim e trimëri, dhe me mençuri vështirësitë e rritjes, duke kompaktësuar e drejtuar një regjiment, të paparë në lartësi, që erdhën në ngjitje të vazhdueshme. Meritë e pakontestueshme për të, ishte përfshirja në programin e fluturimeve e disa pilotëve, të cilët nuk kishin mundur, për arsye të ndryshme, kryesisht të karakterit subjektiv, të përvetësonin aeroplanin me helikë JAK-9P.
Disa syresh, si; Goxho Kondi, Petrit Malindi, Zebo Durmishi e, ndonjë tjetër, edhe pse u ndihmuan e u përkrahën fuqimisht nga komandanti, nuk mundën të ecin me hapin e shokëve dhe praktika e fluturimit i nxori jashtë rreshtit të pilotëve reaktivë. Të tjerë pilotë, si; Koço Andoni, Tomor Avdia, Lulo Musai e Kosta Dede, të cilët u përkushtuan më tepër dhe treguan aftësi të mira fluturimi, e kapërcyen “barrierën” e vështirësive dhe u ngjitën nga tipi në tip avioni, në aeroplanët me të sofistikuar të kohës e, u bënë kuadro drejtues me emër, në reparte të ndryshëm të Aviacionit Luftarak Shqiptar.
Shpejt erdhi viti 1958. Aviacionit të ri shqiptar i nevojiteshin aeroplanë të sofistikuar luftarakë të përafërt, në mos më të avancuar, nga avionët që dispononin fqinjët tanë, jo dashamirë. Një grup pilotësh, nga regjimenti i aviacionit të “Qytetit Stalin”, të cilët, deri atëherë fluturonin në avionët MIG-15BIS, u dërguan në stepat e Rusisë, për të përvetësuar MiG-19PM, i cili ishte nga teknikat më të përparuara ajrore të kohës.
U desh të vihej në provë edhe një herë iniciativa dhe guximi i Niko Hoxhës, për të përzgjedhur pilotët që do të bënin kalimin në këta avionë. Përzgjedhja ishte e vështirë për faktin se, në atë kohë, asnjëri nga pilotët tanë, që do të shkonin për të fluturuar në avionët MIG-19 PM, të deklinacionit gjuajtës-kapës, i pajisur me lokatorë e i armatosur me raketa ajër-ajër të drejtuara, nuk i plotësonin testet që kërkoheshin për këtë tip avioni.
Koloneli, me përgjegjësi përzgjodhi pilotët më të përparuar të regjimentit, me qëllim që në shkollën ku do të shkonin, djemtë tanë të mos ndiheshin keq dhe prestigji i ushtrisë e i vendit tonë, të mos ulej në sytë e kolegëve të tyre, nga vende të tjerë të Lindjes. Në fakt, pilotët shqiptarë të grupit të kalimit në avionët super zanorë MIG-19 PM, treguesve kualitativë që kishin kolegët e tyre, u kundërvunë vlerat individuale dhe kolektive të njerëzve të guximshëm e kurajozë dhe ia dolën në disa drejtime, të paraqiteshin më mirë nga kolegët e tyre.
Gjatë kohës që një pjesë e pilotëve të Regjimentit të aviacionit të “Qytetit Stalin”, ishin duke fluturuar mbi stepat e Rusisë, Niko Hoxhës i duhej që në Shqipëri ku terreni dhe kushtet e motit ishin jo si në hapësirat e pamata të Rusisë, t’i përvishej një pune “titanike”, në mënyrë që pilotët e mbetur në regjiment, të përgatiteshin në nivele të atillë, që t’u përgjigjeshin detyrave të kohës, duke fluturuar në aeroplanët gjuajtës-bombardues, MIG-15 BIS. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm