1908 – Themelohet në Detroit nga William C. Durant, Charles Stewart Mott, dhe Frederic L. Smith, kompania më e famshme në botë për prodhimet elektro-mekanike General Motors. General Motors përgjatë 120 vitesh do të zgjerohej në afro 50 vënde të botës. Ajo do të siguronte patentën e prodhimit të makinave Chevrolet, Cadillac, Buick, dhe GMC. Vetëm në vitin 2018, kjo kompani, do të siguronte rreth 150 miliardë dollarë qarkullim në financat e saj.
1920 – Në New York të SHBA-së, ndodh atentati terrorist i njohur ndryshe edhe si Bombardimi i Wall Street-it. Nga ky sulm me bombë, do të humbnin jetën 38 persona si dhe do të plagoseshin 150 të tjerë. Atentati u krye nga anarkistët italianë të udhëhequr nga Luigi Galleani, të cilët kishin pakënaqësitë e tyre rreth shfrytëzimit klasor, të drejtat e mohuara të punëtorëve, si dhe shtypjen e vazhdueshme të sindikatave në këtë vënd.
1956 – Lind në Metuchen të New Jersey, një nga magjistarët dhe iluzionistët më të mëdhenj të botës, David Copperfield. Në karrierën e tij si iluzionist, Copperfield ka fituar plot 11 çmime të Guiness World Records, si psh, iluzionisti me karrierën më të gjatë, interpretimi në shumë show gjatë një viti, arkivi më i madh në botë i magjisë, iluzioni magjik më i madh i bërë ndonjëherë, etj. Ai do të bëhej i njohur edhe me lidhjen e tij me modelen Claudia Schiffer.
1957 – Krijohet Universiteti i parë në Shqipëri. Krijimi i universitetit erdhi si rezultat i bashkimit të instituteve si: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti i Larte Ekonomik dhe Instituti i Larte i Mjekësisë duke formuar Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në fillim i formuar nga dhjetë fakultete, ky Universitet u nda në vitin 1991 kur fakultetet e inxhinierisë u grupuan në Universitetin Politeknik, duke lënë Universitetin e Tiranës me shtatë fakultete të cilat mbulojnë shkencat humane, ekonomike dhe natyrore.
1966 – Inagurohet për herë të parë në New York, Shtëpia e Operas Metropolitane (e njohur ndryshe dhe si qëndra Lincoln). E dizenjuar nga arkitektët Wallace Harrison dhe Max Abramovitz dhe me një kapacitet prej 4000 vëndesh, në Operën Metropolitane do të vihej në skenë kryevepra e kompozitorit Samuel Barber, Anthony dhe Cleopatra. Shtëpia e Operas do të cilësohej si skena me repertorin më të madh muzikor në botë.
1978 – Në rajonin e Tabas-it, në Iranin lindor, do të binte një nga tërmetet më shkatërrimtarë në historinë e këtij vëndi. Me intensitet 7.4 ballë të shkallës Mercali dhe me epiqëndër 85 km në thellësi të tokës, ky tërmet do të shkaktonte afro 25.000 viktima si dhe lëkundjet e tij do të ndiheshin deri në Teheran, 610 km larg epiqëndrës. Të plagosurit do të ishin mbi 50 mijë.
2016 – Shuhte në moshën 95 vjeçare, në Romë një nga politikanët më të njohur të Italisë, Carlo Azgelio Ciampi. Ciampi gjatë karrierës së tij 28 vjeçare do të shërbente si Drejtor i Bankës Kombëtare, Ministër i Ekonomisë, Ministër i Brëndshëm, Kryeministër, dhe së fundi Presidenti i 10-të i Italisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Azeglio Ciampi do të kryente shërbimin e tij ushtarak në Shqipëri.