Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al/Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E EKZAMINIMIT MJEKO-LIGJOR TË KUFOMËS SË QYTETARIT MEHMET ISMAIL SHEHU, NGA ANA EKSPERTËVE MJEKO-LIGJOR DR. FATOS HARITO DHE DOCENT BASHKIM ÇUBERI
AKT MJEKO-LIGJOR NR. 133
MBI EKZAMINIMIN E KUFOMËS SË QYTETARIT MEHMET SHEHU
K O N K L U Z I O N:
Duke u mbështetur në të dhënat e sipërme, arrijmë këto përfundime:
- Në trupin e kufomës së qytetarit Mehmet Shehu, u konstatua një plagë e tejpërtejme arme zjarri, me vrimë hyrje në pjesën e përparme të majtë të gjoksit dhe me vrimë dalje në pjesën e majtë të shpinës, me karakteristikat e përmendura në pjesën përshkruese të këtij akti.
- Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar nga një qitje e vetme zjarri në distancë me puthitje jo hermetike dhe me trajtim nga përpara prapa, lehtësisht nga e djathta në të majtë.
- Vdekja e qytetarit ka ardhur nga shoku hemorragjik, i shkaktuar me mundësinë më të mëdha si pasojë e çarjes së zemrës, ose të enëve të mëdha të gjakut që dalin prej saj. Vdekja duhet të ketë ndodhur rreth 10-12 orë para momentit të këqyrjes së kufomës që u krye në orën 12.
EKSPERTËT MJEKO-LIGJOR
DR. FATOS HARITO DOC. BASHKIM ÇUBERI
DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN PËR EKSPERTIMIN TEKNIKO-BALISTIK DHE DAKTILOSKOPIK TË PISTOLETËS, GËZHOJAVE DHE PREDHËS QË U GJET NË DHOMËN E GJUMIT TË QYTETARIT MEHMET ISMAIL SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË KOÇO JOSIFI
V E N D I M
MBI EKSPERTIMIN TEKNIKO-BALISTIK DHE DAKTILIOSKOPIK
Në Tiranë më 18.12.1981
Unë Koço Josifi, kryetar i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, mbasi studiova materialet e mbledhura lidhur me çështjen e penale të vetëvrasjes së qytetarit Mehmet Ismail Shehu;
K O N S T A T O V A:
Më datën 18.12.1981, rreth orës 8.00, u gjet i vetëvrarë në dhomën e tij të gjumit të banesës së tij qytetari Mehmet Ismail Shehu. Vetëvrasjen e kishte shkaktuar me armë zjarri, pistoletë RP 2935, prodhim i vitit 1954, kalibër 9 mm., pistoleta u gjet në shtrat në krahun e djathtë të kufomës. Gjithashtu në krahun e majtë në dysheme, u gjet një gëzhojë e kalibrit 9 mm. e përdorur nga pistoletë me numrat 51-86, si dhe një predhë e kalibrit 9 mm. që u gjet në sipërfaqen e dyshekut, të cilat u muarrën nga ana jonë si provë fajësie.
Për të përcaktuar gjendjen e pistoletës, të gëzhojës dhe të predhës, në bazë të nenit 25 të Kodit Procedurës Penal të RPSSH:
V E N D O S A
Për ekzaminim e mësipërm, të caktoj si ekspert kriminalist, shokun Estref Myftari në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës.
Në dispozicion të ekspertit, vë pistoletën BP. 2935, prodhim i vitit 1954, kalibër 9 mm. Një gëzhojë e kalibrit 9 mm., e përdorshme për pistoletë, me numrat 81-86. Një predhë e kalibrit 9 mm. Gjithashtu të dërgohen për krahasim, shenjat e gishtave të qytetarit Mehmet Ismail Shehu.
Para ekspertit shtroj për zgjidhje këto pyetje:
- Pistoleta është përdorur për qitje, është në gjendje të rregullt teknike dhe e përshtatshme për qitje si dhe gëzhoja dhe predha që u dërgojmë, a janë qitur me këtë pistoletë?
- A ka shenja duarsh në sipërfaqen e pistoletës dhe nëse po, a i përkasin ato qytetarit Mehmet Ismail Shehu?
KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË
KOÇO JOSIFI
DOKUMENTI ARKIVOR RAPORTIT TË EKSPERTIMIT TEKNIKO-BALISTIK DHE DAKTILIOSKOPIK TË PISTOLETËS, GËZHOJAVE DHE PREDHËS, QË U GJET NË DHOMËN E GJUMIT TË QYTETARIT MEHMET ISMAIL SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË KOÇO JOSIFI
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
LABORATORI KRIMINALISTIK Tiranë më 18.12.1981
A K T – Nr. 206
Ekspertim tekniko-balistik dhe daktioloskopik
Nga Hetuesia e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, me vendimin e datës 18.12.1981, të hetuesit Koço Josifi, na janë dërguar për ekspertim:
- Pistoleta DP. 29-33, prodhim i vitit 1954, kalibër 9 mm.
- Gëzhoja e kalibrit 9 mm. e përdorur për pistoletë, me numrat 81-66.
- Një predhë e kalibrit 9 mm.
Prova materiale këto të marra në vendin e ngjarjes ku u gjet i vdekur Mehmet Shehu.
Gjithashtu dërgohen për krahasim shenjat e gishtave të këtij personi.
Nga ekspertiza kërkohet të përcaktohet:
Pistoleta është përdor për qitje, është në gjendje të rregullt teknikë dhe e përshtatshme për qitje, si dhe gëzhoja dhe predha a janë qitur me këtë pistoletë?
A ka shenja duarsh në këtë pistoletë dhe nëse po, a i përkasin ato qytetarit Mehmet Ismail Shehu?
EKZAMINIMI KRIMINALISTIK
Pistoleta e dërguar për ekspertim, është një prodhim luftarak i vitit 1954, kalibër 9 mm., është armë e vogël brezi me dorezë fibre, me ngjyrë të kuqe të errët.
U ekzaminua në fillim pistoleta, për të zbuluar nëse në sipërfaqen e saj, ka apo jo gjurmë duarsh, për këtë qëllim ajo u përpunua me pluhur alumini dhe rezultoi se mbi djepin luajtës, nga e djathta, dallohet një gjurmë gishti e tipit rrethor kërmill. Duke gjykuar nga forma dhe pozicioni i kësaj gjurme, rezulton se ajo i është lënë nga gishti i madh i dorës së majtë.
Pas fiksimit të kësaj gjurme, u ekzaminua pistoleta në gjendje të mbërthyer, e më pas të zbërthyer për të përcaktuar gjendjen e saj teknike me përshtatshmërinë për qitje. Nga ky ekzaminim, rezulton se pistoleta i ka të gjitha pjesë dhe mekanizmat përkatës në gjendje shumë të mirë, të pa konsumuara dhe të pandryshuara. Nga provat e bëra, vihet re se të gjitha mekanizmat funksionojnë normalisht për armatimin dhe realizimin e qitjes me këtë pistoletë.
Nga provat e bëra me reaktivët ‘Grise’ dhe ‘Diftinlatinë’, në tytën e pistoletës konstatohet joneve nitrite të baruteve pa tym, gjë që tregon se me ketë pistoletë, është bërë qitje dhe në një kohë të afërt. Duke gjykuar nga intensiteti i ngjyruesit të solucionit të përfituar nga larja e tytës me ujë të distiluar, qitja duhet të jetë bërë brenda ditës, (ekzaminimi u krye në orën 15.00 të datës 18.12.1983).
U realizuan disa qitje eksperimentale me pistoletën e dërguar me fishekë luftarak, predhat dhe gëzhojat e përfituara nga këto qitje, u përdorën për të bërë krahasimin me predhën dhe gëzhojën e gjetur në vënin e ngjarjes.
Nga krahasimi i gëzhojave, konstatohen një sërë shenjash të përbashkëta, në gropën që shkakton maja e gjilpërës, më të shprehura janë këto shenja në fundin e gropës dhe në skarpatin majtas, (kur gëzhojat mbahet me nr. 81 dhe 66, të vendosura vertikalisht ndaj ekzaminuesit).
Po kështu edhe nga ekzaminimi i predhave, në fushat e shkaktuara nga vjaskat e tytës së pistoletës, gjendet një vazhdimësi e vijave të mikrorelievit, gjë që vërteton se ato janë qitur me të njëjtën armë.
Shembjet e gishtave të Mehmet Shehut, na paraqiten të marra me pluhur alumini, në letër gjurme fotokopjuese, pra ato janë në vija të bardha me sfond të zi. Për nevojat e krahasimit të kërkuar, ato janë plotësisht të mjaftueshme.
Nga krahasimi i bërë, rezulton se gjurma e gjetur në sipërfaqen e djepit luajtës, është e njëjtë, tip rrethore, kërmill, me shenjën e gishtit të Mehmet Shehut (dora e majtë, gishti i madh).
Në përfundim të ekzaminimeve të kryera, arrijmë në këto
K o n k l u z i o n e:
- Në pistoletën BP. 28-35, është bërë qitje sot. Ajo është teknikisht e rregull dhe e përshtatshme qitje. Gëzhojat dhe predhat e gjetura në vendin e ngjarjes, janë qitur me këtë pistoletë.
- Gjurma e gishtit në pistoletë, është e njëllojtë me shenjën e gishtit të madh të dorës së majtë të Mehmet Shehut.
EKSPERTI KRIMINALIST
Estref Myftari
V e n d i m
Mbi bashkimin e provave materiale, në çështjen penale Nr. 794
Në Tiranë më 29 Dhjetor 1981. Unë Koço Josifi, hetues i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, mbasi studiova materialet e mbledhura në çështjen penale Nr. 794 lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut.
K O N S T A T O V A
Se në datën 18 dhjetor 1981, janë filluar hetimet për vdekjen e Mehmet Shehut, dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezultoi plotësisht e vërtetuar se vdekja e tij ka ardhur si rezultat i kryerjes së aktit të vetëvrasjes nga armiku Mehmet Shehu.
Përveç të tjerave, akti i vetëvrasjes së Mehmet Shehut, provohet plotësisht edhe nga provat materiale që u gjetën në këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe konkretisht, pistoleta e tipit BP. Nr. 29-35, e kalibrit 9 mm., që e dispononte vetë armiku Mehmet Shehu, gëzhoja e një fisheku revolveri i tipit “Makarov”, që u gjet në afërsi të shtratit ku kishte realizuar vetëvrasjen armiku Mehmet Shehu, predha e fishekut të tipit “Makarov”, që u gjet në sipërfaqen e dyshekut, ku kishte kryer vetëvrasjen armiku Mehmet Shehu, dhe të gjurmëve të gishtërinjve që kishte lënë në sipërfaqen e revolverit të përmendur më sipër, me të cilin kishte kryer vetëvrasjen, armiku Mehmet Shehu.
Meqenëse të gjitha këto ruajnë cilësinë e provës materiale, për çështjen hetimore Nr. 794, në mbështetje të nenit 28 të Kodit të Procedurës Penale, të RPSSH:
V E N D O S A
Që këto prova materiale, t’i bashkoj në çështjen hetimore Nr. 794.
Hetuesi
Koço Josifi
Proçes-verbal
Mbi kryerjen e eksperimentit hetimor.
Tiranë, 29 Dhjetor 1981.
Unë Koço Josifi, hetues i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të ekspertëve Dr. Bashkim Çuberi dhe Kandidati Shkencave Estref Myftari, si dhe dëshmitarëve Lahedin Bardhi, Ali Çeno, Milto Kostaqi, dhe Llesh Rroku, të asistuar dhe nga shokët Xhule Çiraku dhe Elham Gjika, kryen eksperimentin hetimor.
Ky eksperiment u bë, për të sqaruar nëse zhurma e qitjes me pistoletë e tipit “Makarov”, kalibër 9 mm., që ka përdorur armiku Mehmet Shehu për vetëvrasje, me një qitje me puthitje jo të plotë dëgjohej në dhomën e gjumit ku flinte Fiqrete Shehu, në fundin e korridorit të dytë afër shkallëve të hyrjes nga kati i parë në të dytin, në vendin ku qëndronte oficeri i shërbimit, jashtë oborrit të shtëpisë (tek dera në hyrje të oborrit të shtëpisë) dhe në dhomën ku flinin oficerët e shërbimit.
Për realizimin sa më mirë të eksperimentit hetimor, në kushte sa më të përafërta, me ato në të cilat kreu aktiv e vetëvrasjes Mehmet Shehu, u muarrën këto masa: U rindërtua skema e vendit të ngjarjes, duke vendosur mbi krevatin ku flinte Mehmet Shehu, dy dyshekë, çarçafë, në kokën e krevatit në krahun e majtë të tij, një batanije pambuku, e palosur në tetë pjesë, dy jastëkë, dy shtresa mishi me trashësi 12 cm., të paketuara dhe të mbështjella në kanatjeren e këmishën që ju gjet veshur Mehmet Shehut, pas kryerjes së aktit të vetëvrasjes. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016