Nga Dr. Uran Butka
Memorie.al / Ushtritë gjermane, që kishin marrë goditjet përfundimtare në frontin e Lindjes dhe të Perëndimit nga Aleatët, po tërhiqeshin të mundura drejt Berlinit. Me 3 tetor 1944, ishte dhënë urdhri nga Vermahti, për t’u tërhequr nga Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia. (Arkivi i Forcave të Armatosura, dokumente gjermane). Më 2.11.1944, ushtritë gjermane u larguan nga Greqia. Në rrugën drejt veriut, Tirana përbënte për ushtrinë gjermane, një nyje të rëndësishme të tërheqjes së tyre nga Ballkani. Sipas dokumenteve gjermane, evakuimi nga Tirana u bë me 10 ditë vonesë nga planifikimi, për shkak të bllokimit dhe të luftës nga forcat e brigadave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Gjatë kësaj lufte luftuan dhe dhanë jetën, 124 dëshmorë partizanë. Por, kjo luftë, që vonoi lirimin e kryeqytetit për 10 ditë, si edhe shkaktoi rënien e këtyre dëshmorëve dhe qindra viktimave të tjera, të cilat mund të shmangeshin, ishte e panevojshme, përderisa ushtria gjermane po tërhiqej, sipas një plani të shpallur. Natyrisht që vriteshin partizanët e thjeshtë, bijtë e popullit që luftonin për lirinë dhe asnjë nga udhëheqësit komunistë. Kjo është njëra anë e medaljes, marrja sa më parë dhe me çdo çmim e pushtetit nga ana e tyre. “Kush merr kryeqytetin, merr pushtetin”- udhëzonte Enver Hoxha.
Ana tjetër, ishte ajo e luftës për asgjësimin e “reaksionit”, e kundërshtarit real, apo të mundshëm politik, që i shkaktoi Tiranës masakra dhe vrasje të paligjshme, masive e të shëmtuara…! “Terrorizmi në parti, në popull, në ushtri, – dëshmon Sejfulla Malëshova, – tregon së pari dobësinë e vijës sonë politike; e dyta, mosbesimi që kemi në popull; e treta që nuk kemi lidhje me masat. Me terror i zgjidhnim të gjitha. Nuk u çudita kur më thanë se sa më terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte. Kështu duken simptomat e degjenerimit, nga një parti politike, në një bandë kriminelësh”! (AQSH, Fondi 14, D.2/a, Viti 1944)
“Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj…! Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit”, thotë Tuk Jakova. (AQSH, Fondi 14/AP d.2/a Viti 1944)
…Një nga ithtarët dhe organizatorët më të egër të këtij gjenocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste, ka lindur si vijë…! Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…! Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit…! Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”! (AQSH, Fondi 14, D. 2/Av. Viti 1944)
Natyrisht, ky gjenocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga krye-terroristi Enver Hoxha. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohonte Kristo Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë”! (AQSH, Fondi 14 Dosja 2/a, Viti 1944)
Për masakrat, pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të Partisë Komuniste të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar Enver Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona, janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata, nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”! (AQSH, Fondi 14, Dosja. 2/a Viti 1944)
…Sipari i masakrës masive, hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste që qëndronin në ilegalitet, apo që kishin penetruar ato ditë në Tiranë, në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin qytetarët, që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë tek shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. “Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë.
Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga gjenocidi serbo-maqedonas, u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojës së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj., gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill 1939, luftoi tok me Abaz Kupin e Myftar Jegenin e, mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare, kundër agresionit italian.
Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte, nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Akili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me Enver Hoxhën, Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha, i futi shokët e liceut, në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje patologjike dhe pa asnjë shenjë pendese edhe pas disa dekadash, në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë.
“Pak para plenumit më vjen Sejfulla Malëshova gjithë ‘alarm’! – Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zemërim.– Terror? –e pyeta i habitur. – Ku?– Në Tiranë, – më përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh”?!
Çfarë hipokrizie?! Dihet që në plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të Partisë Komuniste Jugosllave, Velimir Stoiniç, Enver Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit” (AQSH. Plenumi i Beratit, nëntor 1944)
Një nga ata ushtarakë të zhdukur, jo të dorës së dytë, siç thotë Enver Hoxha, por ushtarakë të kalibrit të lartë, si Rakip Kalenja, nga Mallakastra, qe i lauruar shkëlqyeshëm në Akademinë Ushtarake të Torinos, dega e xhenios. Ai ndihmoi në ndërtimin e rrugëve dhe të veprave të tjera të rëndësishme. Oficer nacionalist, i priti me pushkë pushtuesit italianë në Durrës. Në nëntor të 1944, pas thirrjes që u ishte drejtuar gjithë ushtarakëve, ai shkoi të bashkohej me forcat partizane të Brigadës së Parë Sulmuese, por u tradhtua nga besëprerët dhe u pushkatua.
Nata e 28 tetorit, ishte caktuar nga Qarkori i Partisë Komuniste për Tiranën, si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë ushtarake ne Stamboll, oficer i xhandarmërisë të shtetit shqiptar, deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore…! Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë, që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake te kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin, nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vienë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe që shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, oficerë në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë, që nuk u dihen as varret.
Një nga ata duzina të zhdukur është edhe major Muharrem Liku, bir i devotshëm i Tiranës. I shkolluar në Stamboll dhe i frymëzuar nga rilindësit, sidomos nga i kunati, Halit Bej Bërzeshta, ushtarak i shtetit shqiptar, ai i shërbeu atdheut dhe Mbretit Zog me besnikëri. Ndaj u fut në listat e vdekjes. Më datën 1 nëntor 1944, në orën 3 të mëngjesit, trokitën në portën e shtëpisë. Vrasësit kërkonin Muharremin. Ai doli nga shtëpia sepse e ndiente veten të pafajshëm. Te porta pa njerëz të armatosur dhe oficerin tjetër të Ushtrisë Kombëtare, që kishte studiuar në Europë, Abdulla Saraçin, të arrestuar.
Të dy i shoqëruan për diku, ndoshta as gjëkundi. S’kaluan veçse disa minuta në rrugë e sipër, kur krisi automatiku. Më parë ra Abdullai, pas tij plumbat përshkuan Muharremin. Kufomat i futën në një karrocë akulloreje. Kalimtarët e rrallë panë në atë gdhirje një karrocë, nga e cila varej një dorë e përgjakur. Mandej edhe dy duar të tjera. Pra ishin dy kufoma. Familjarët i gjetën, i nxorën trupat e tyre të prishur dhe i varrosën te Varri i Bamit. Njëri gisht i dorës së Abdullait, ishte i prerë bashkë me unazën e florinjtë.
Po atë natë, terroristët arrestuan dhe vranë ushtarakun me gradën kapiten, Anton Fekeçi, lindur në Graz të Austrisë, por që banonte e shërbente në Shqipëri, nga që e ëma, Gjystina, ishte shkodrane nga familja e dëgjuar, Bumçi. Antoni ishte një oficer model me formim perëndimor dhe shumë i aftë profesionalisht. Ai ndihmoi në modernizimin e ushtrisë shqiptare. Në mesnatën e 30 tetorit 1944, e thirrën në shtëpi dhe e pushkatuan 100 metra larg saj. Pastaj u kthyen përsëri, e nxorën familjen në rrugë, se shtëpia u duhej, ashtu si u duheshin edhe orenditë, makina e shkrimit etj.
Gjenocidi për motive politike vazhdoi me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944, forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës, tre Deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup Deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit, të dy bij të një familjeje të madhe. Babai, Dalip Deliallisi ka qenë komandanti i parë i xhandarmërisë shqiptare fill pas shpalljes së Pavarësisë, dhjetor 1912, ndërsa i vëllai, Masari ka shoqëruar Ismail Qemalin në Vlorë, kur u ngrit flamuri dhe më pas, komandant i gjindërmarisë shqiptare. Bashkë me ta, u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur, Ymer Deliallisit. Shefqeti, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetë-largua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi, Deliallisët e Shijakut.
Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ç’kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në Shqipëri, për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare, në çështjet politike.
Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua, pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça. Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez, tok me dy vëllezërit e tij, Rustem e Ramë, pjesëtarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë.
Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri, për t’u bërë pre e terrorit komunist. Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brarit, oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e Topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se; ishte arratisur nga Shqipëria.
Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është, quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënim dhe vrasje kolektive pa gjyq, e 11 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.
Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar antifashist, një demokrat i vendosur, një burrë i mençur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, në Kuvendin e Mukjes dhe në luftën kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit ,u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin”!
Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre, Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq.
Po atë ditë, terroristët komunistë pushkatuan e dhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar…dhe autor i veprës së njohur; “Njimendësia shqiptare”, që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elite, vrau komunizmi.
Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi, e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalionit “Besnik Çano”, që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj.
Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij. Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la atë të vdekur e, të mbuluar me gjak.
Familja tjetër e njohur tiranase që u godit, ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar, si; Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Merr pjesë në protestat dhe demonstratat anti-italiane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942, në Organizatën e ‘Ballit Kombëtar’ dhe në vitin 1943, u caktua komandant i Rinisë së ‘Ballit’ të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!
“Gjahut” të tyre, nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme të 12 nëntorit. Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e, të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën Teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me nisiativë private, hapi një punishte të vogël, të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i niciativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes.
Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. Terroristët me në krye sekretarin e celulës komuniste R. Dobrolishti, e morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq, në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur. Epilogu i këtij terrori fondamentalist ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t’i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit.
Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve, i hedhur në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj, vazhdoi rrugën e nacionalizmit të lidhur ngushtë me liderin e arsimit shqiptar dhe të shqiptarizmës, prof. Vasil Andonin. Jorgji u vu në krye të “Ballit Kombëtar” të Elbasanit dhe luftoi kundër italianëve dhe gjermanëve, por iu kundërvu edhe komunizmit që po pushtonte Shqipërinë. Prandaj ndiqej këmba-këmbës, deri sa e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor 1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës “Kristoforidhi”. Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle, martirin Jorgji Mema.
Kështu u mbyll kjo masakër, që përgjaku Tiranën, më tutje edhe masakrat e tjera të përgjakshme në Shqipërinë e Veriut, që i hapën rrugën pushtetit komunist që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë. Memorie.al