Nga Eugen SHEHU
Memorie.al / Historitë e kombeve, janë në vetvete historitë e njerëzve të shquar të tij. Këto histori mbeten të pavdekshme, pothuajse të përjetshme duke u përcjellë nga brezi në brez, pikërisht sepse mbrohen me jetën, mendimin dhe veprën e burrave të shquar të vet. Në këto histori plazmohen, jo vetëm të vërtetat e mëdha por edhe dramat dhe emocionet e mëdha, nluftërat dhe përpjekjet, klithmat e nëntokës dhe gjurmë te vetëtimave në qiej. Një dimension i tillë do të përcillte të 90-të vitet e Abaz Ermenjit, deri para pak viteve, kur ai do të mbyllte sytë përgjithmonë. Jeta mendimi dhe vepra e tij, gjithsesi do të mbeten të shenjta për të gjithë ne, pasi ato nën simbiozën e një bashkimi organic iu blatuan kurdoherë ardhmërisë shqiptare. Një jetë e jetuar vetëm me dashurinë e madhe për kombin, është e denjë të vendoset në piedestalet e nderit të këtij kombi.
Abaz Ermenji lindi më 24 dhjetor 1913, në fshatin e vogël e të largët të shtetit amë, në Gërmenj, midis maleve e krojeve të Skraparit e Gramshit. Midis atyre pyjeve e legjendave të kaçakëve shqiptarë, Abazi i vogël do të hidhte shtat me të vetmen ëndërr të bëhej kaçak, të hidhte pushkën në krah e, të luftonte çdo këmbë të huaji në viset etnike shqiptare. Prindëri u kujdesën që djali i tyre të shkonte në shkollë dhe ai mësimet e para, do t’i merrte në shkollën pranë fshatit, në vitin 1920. Qielli shqiptar flakëronte prej vetëtimave. Duhej shporrur italianin nga Vlora. Me qindra ishin edhe burrat nga Skrapari, të cilët rrëmbyen armët dhe zunë kodrat e Vlorës.
Kështu ndërsa mendimtarët shqiptarë përpiqeshin në Paris e gjetkë, për t’u mbushur mendjen Fuqive të Mëdha të Evropës, se kufijtë shqiptarë nuk mund të cënohen më tej, trimat në shtetin amë kanë rrëmbyer armët. Së toku me burrat e Ermenjit të largët, ka qenë edhe i ati i Abazit të vogël. Kur ai u kthye fitimtarë nga Vlora, e mori Abazin dhe e ngjiti lartë në Teqenë e famshme të Kulmakut, në atë strehë trimash e burrash të vërtetë, Babai i Teqesë bektashiane, duke parë se si ndriçonin sytë e djaloshit 8 vjeçar nga Ermenji, e mori pranë vetes, duke pyetur; “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh”? – “Kaçak”!- “Po pse nuk bëhesh mësues”? –“Se dua të çliroj Atdhenë”!
Burrat nuk kishin qeshur. Burrat ndjenin dhimbje për Kosovën, Çamërinë dhe Maqedoninë Shqiptare, ndaj u vinte mirë që kjo dashuri e shenjtë, përcillej nga gjenerata në gjeneratë. Abaz Ermenji i qe lutur të atit, që nëse do të shkonte sërish në Vlorë, ta merrte me vete dhe atë. Ndërsa vite më vonë, lidhur me këtë luftë, penda e mençur e tij, do të shkruante: “Pasi krisi topi i Italisë, shqipot u hodhën në sulm më 5 qershor, të rreptë si breshëri, dhe i kapën një nga një postëkomandant dhe pozicionet e jashtme të italianëve. Por këta u mbyllën brenda vijave të fortifikuara, duke u mbrojtur me anë të mjeteve dhe të armatimit të rëndë.
Morali i tyre u trondit që në fillim, sepse shqiptarët sulmuan befas dhe nga të gjitha anët, me një guxim të atillë që italianëve s’iu kishte vajtur nëpërmend. Luftime heroike u zhvilluan në Kotë, ku fshatarët trima të komanduar prej Ahmet Lepenicës, u hodhën mbi tela, duke vënë guna përsipër dhe iu hynë kazermavet brenda. Po në atë mënyrë, u muarrën të gjitha pozicionet e forta të italianëve, Gjormi, Llogaraja, Tepelena, Drashovica. Në Tepelenë lufta vazhdoi e rreptë gjatë pesë ditëve, por me fuqitë që erdhën prej krahinave rreth e qark dhe disa qindra burra që komandonte Ali Këlcya, u lirua më në fund edhe qyteti i Ali Pashës.
Komisioni ushtarak shqiptar, ngrehu qendrën e tij në Drashovicë. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, i kërkoi edhe një herë gjeneral Piacentinit, dorëzimin e Vlorës. Mbasi ky nuk dëgjoi, u vendos që të sulmohej qyteti. Natën duke u gdhirë 12 qershori, u hodhën si shqiponja mbi bregoret e Babicës, në qafën e Koçiut, në fortesën e Kaninës dhe fitorja e tyre u vulos në ullishtat e Vlorës, me gjakun Selam Musajt” (Abaz Ermenji “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë” botim i Komitetit “Shqipëria e Lirë” në mërgim, viti 1968, faqe 377)
Në fillim të viteve ‘20-të në shekullin që lamë pas, Abaz Ermenji vazhdon mësimet në gjimnazin e qytetit të Shkodrës, ku për hirë të së vërtetës, duhet thënë se gjimnazi në fjalë, ishte shndërruar në vatër të lëvizjes kombëtare shqiptare. Idetë që shpalosnin aty mësuesit shqiptarë, për t’i përcjellë tek gjeneratat e reja, përpiqen të artikulonin zgjimin e një fryme demokracie e prosperiteti, në vetëdijen nacionale.
Reformat arsimore të udhëhequra mençurisht prej ministrit të atëhershëm Mirash Ivanaj, synonin të edukonin breznitë, së pari me dashurinë e shenjtë të trojeve etnikë shqiptarë. Abaz Ermenji do të edukohej e mëkohej pikërisht me këtë dashuri, duke qenë i bindur se vetëm bashkimi i tokave të ndara shqiptare, do të ishte ardhmëria e lume e kombit tonë. Në të njëjtën kohë rezultatet e larta të Ermenjit në gjimnazin e Shkodrës. e detyruan shtetin shqiptarë të asaj kohe, t’i akordonte djaloshit nga Ermenji i largët, bursë për të vazhduar studimet e larta në Francë.
Në Sorbonë, Ermenji nis studimet në fakultetin e letërsisë. Studimet do ta tërhiqnin së tepërmi dhe do të fitonte shumë shpejt admirimin dhe simpatinë e profesorëve francezë. Por sa më shumë mrekullohej prej historisë së letrave frënge, aq më shumë ideja kombëtare. shndërrohej në forcë lëvizëse brenda tij. Në vitin 1933, i takon të njihet rastësisht me atdhetarin e shquar Mehdi Frashëri.
Ky, duke qenë ekspert i shkëlqyer në fushën e të drejtave ndërkombëtare, ishte dërguar aty, nga vetë Mbreti Zog, për të marrë pjesë në debatin me përfaqësuesit e qeverisë greke, lidhur me dëbimin e shqiptarëve etnikë nga Çamëria, për në Anadoll. Studenti Ermenji, do të mësonte nga goja e Mehdi Frashërit, jo vetëm tragjedinë e dhimbshme të banorëve të Çamërisë, por edhe të kaluarën e lavdishme të arvanitasve të djeshëm, të cilët i patën falur pavarësisë së Greqisë, dhjetëra mijra zemra shqiptare, ndërsa tani nëpërkëmbeshin për turp.
Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri shkruan se; i vetmi student shqiptari cili ishte i pranishëm në bisedimet e replikat e ashpra tonat me grekët, ishte Abaz Ermenji. Pavarësisht se protokolli i bisedimeve e ndalonte studentin e letërsisë të fliste, unë e shihja në ndonjë rast, se si i ndizeshin sytë nga zemërimi e urrejtja. Mbas mbarimit të studimeve në Sorbonë, Abaz Ermenji merr titullin “Akademik licencie as lettres” dhe dërgohet në Liceun francez të Korçës, për të dhënë mësim. Nxënësit shqiptarë të këtij liceu, mbajnë mend mirë mësuesin e rreptë të letërsisë franceze, i cili dinte mjaft mirë dhe fliste rrjedhshëm edhe për letërsinë dhe sidomos historinë e Shqipërisë. Por këta nxënës, nuk do të harrojnë kurrë profesorin e tyre, Ermenjin, në demostratën e organizuar në Korçë, më 28 nëndor të vitit 1939, i cili me flamurin kombëtar në
duar, u printe nxënësve të vet duke kënduar vargjet e famshëm të këngës “Për Mëmëdhenë”!
Ka qenë kjo arsyeja që vetëm katër ditë pas kësaj demonstrate, autoritetet italiane të pushtimit, e arrestojnë Abaz Ermenjin dhe së bashku me Safet Butkën, Stavro Skëndin, Llazar Fundon, Selman Rizën, Fazlli Frashëri etj., i dërgojnë në burgun e Barit. Disa muaj më pas, duke i paraparë si element turbullues të regjimit të vendosur, gjykatat italine i internojnë këta burra në ishullin famëkeq të Ventotenës. Por vuajtjet aty nuk mundën ta ligështonin shpirtin e paepur të nacionalistit të madh.
Prej Ventotene, Ermenji ndjek me vëmendje ngjarjet e trazuara në Evropë dhe parasheh në krejt këto trazime lëvizjet e mundshme të shqiptarëve drejt lirisë dhe prosperitetit të tyre.
Në vjeshtën e vitit 1941, ka qenë Mustafa Kruja, e cili ka detyruar palën italiane, të çojë në Shqipëri dhjetëra nacionalistë të ndershëm ,të cilët kishin mbushur burgjet italiane. Abaz Ermenji shkon së pari për t’u çmallur me prindërit dhe dy javë më pas, në nëndorin e vitit 1941, takohet me Skënder Muçon, Hysni Lepenicën dhe Safet Butkën.
Midis këtyre burrave të shquar të Shqipërisë së Jugut, lidhet besa për të organizuar popullin e për t’u hedhur në veprime luftarake konkrete, kundër pushtuesve italianë. Në pranverën e vitit 1942, Ermenji thirret në Tiranë, nga kreu i nacionalistëve shqiptarë, Mid‘hat Frashëri dhe së bashku me Skënder Muçon e Zef Palin, përcaktojnë në mënyrë përfundimtare, veprimet luftarake e politikë, sipas ‘Dekalogut’ të ‘Ballit Kombëtar’.
Ky ‘Dekalog’ do të mbetet për patriotin nga Ermenji, “Bibla” e përjetshme, deri në çastet e mbramë. Një prej pikave të këtij ‘Dekalogu’, parashihte çlirimin e trojeve shqiptare etnike, nga thundra e huaj dhe vet-vendosja sipas parimeve të Kartës të Gjenevës. Në këtë pikë, po realizohej profecia e tij, kur në moshën 7 vjeçare i thoshte babait të Teqesë së Kulmakut, se; “do të çliroj Kosovën”!
Abaz Ermenji, 30 vjeçar i doktoruar në Sorbonë në fushën e letrave, i apasionuar pas letërsisë dhe historisë shqiptare, tani do të kalërojë nëpër Jugun e Shqipërisë dhe së bashku me Muharrem Kapllanin, Tefik Cfirin, Maliq Dusharin, Pasho Kolanecin dhe Nezir Muzhaqin, në dimrin e vitit 1942-1943, do të ndërmarrin një varg luftimesh kundër forcave italiane. Pushka e nacionalistëve të Shqipërisë së Jugut, do të shkrepte për lirinë e shenjtë, në; Vlorë, Mallakastër, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Kolonjë e Starovë.
Profesori i dikurshëm i liceut të Korçës, ishte vënë tani me radhët e para të këtyre formacioneve luftarake. Atdheu mbrohej me pushkë dhe pendë. Trimi i bën të dyja, edhe pushkën edhe pendën. Një varg dokumentesh italianë, na bëjnë me dije rreth luftimeve të ashpra të forcave të tyre me ato nacionaliste, të komanduara prej Ermenjit, sidomos në vitin 1943. Këto beteja do të mbeteshin shembuj të shkëlqyer të historizmit në historinë e luftërave të kombit tonë. I orientuar drejt një civilizimi Perëndimor, Abaz Ermenji do të bënte çmos të ndalonte gjakderdhjen e kotë midis shqiptarëve, sidomos midis nacionalistëve dhe komunistëve.
Ai do të dinte të falte kurdoherë, kur fjala ishte për realizimin e ëndrrës së kahershme Shqipërisë Etnike. Rreth kësaj tragjedie, më vonë ai do të kumtonte: “Balli Kombëtar ishte ndën kryesinë e Mid‘hat Frashërit, udhëheqës i provuar që përfaqësonte traditën e vërtetë nacionaliste dhe aspiratat e drejta të kombit shqiptar. Balli Kombëtar, mundohej t‘i tregonte popullit, se si qëndronte e vërteta, se si paraqiteshin problemet dhe mundësitë e tij dhe si parashihej e ardhmja e Shqipërisë.
Kurse partia komuniste i tregonte ëndrra fantastike, përralla fëmijësh, dhe gënjente në mënyrën më të paturpshme, duke i thënë së bardhës “e zezë” dhe së zezës “e bardhë”. Balli Kombëtar, që mundohej të ruante kasollen e bujkut dhe të kursente deri pikën e gjakut shqiptar, prandaj e godiste armikun nëpër vende, ku s‘mund të dëmtoheshin shtëpia dhe popullsia civile, ishte gjithmonë në kundërshtim me taktikën e komunistëve, të cilët quanin “luftë”, disa pushkë që hidhnin mbi forcat fashiste nëpër qendrat e populluara, me qëllim që armiku të bënte për hakmarrje, djegien e vrasjen në masë mbi popullin rreth e qark, se ashtu mund të shtohej numri i “proletarëve”, i të arratisurve, që do të shumonte radhët komuniste.
Një tjetër problem që e vinte Ballim Kombëtar, në kundërshtim të papajtueshëm me Partinë Komuniste, ishte çështja e Shqipërisë Etnike. Dihet se Kosova dhe Çamëria, kishin qenë shkëputur nga zgjedhja Jugosllave e greke, prej fuqive të Boshtit, dhe se bashkimi i tyre me Shqipërinë, nuk mund të quhej çështje e rregulluar. Balli Kombëtar, ishte i pari që e kuptonte atë punë, dhe çlirimin e këtyre krahinave, nuk e lidhte me rrethanën e një fitoreje të përkohshme të Gjermanisë naziste, por me të drejtën e vet vendosjes së popujve, që mbahej si parimi themelor i Kartës së Atlantikut, shpallur prej Rosvelt-it dhe Churchillit, më 14 Gusht 1941.
Që popullsia e Kosovës edhe e Çamërisë, të ishin në gjendje për ta kërkuar dhe për ta mbrojtur atë të drejtë, duheshin organizuar dhe ndihmuar prej vëllezërve të tyre të Shqipërisë politike. Nëpër këtë rrugë e kuptonte Balli Kombëtar, çlirimin e atyre krahinave dhe kjo ishte lufta që ky desh të bënte për Shqipërinë Etnike”. (Abaz Ermenji “Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, botim i Komitetit “Shqipëria e lirë” në mërgim, viti 1968, faqe 463-164).
Kapitullimi i ushtrisë italiane, në shtatorin e vitit 1943, u duk se do të ndryshonte fatet e shqiptarëve, të lidhur luftërash të pandërprera. Por në horizontet shqiptare, u dukën ushtritë gjermane, të cilat ndonëse në qëllimet strategjike, nuk përfshinin pushtimin e shtetit amë shqiptar, sidoqoftë nuk mund të mos kishin pasoja në trazirat ballkanike dhe ato evropiane. Pikërisht, në atë shtjellë të fuqishme ngjarjesh, do të shfaqej dimensioni atdhetar i Abaz Ermenjit i cili, do të prirej kurdoherë nga shqiptarizma.
Në momentin kur klika komuniste e Tiranës, e udhëhequr nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, urdhëroi të hapej zjarr i fuqishëm, kundër nacionalistëve shqiptarë, të cilët kërkonin Kosovën, Abaz Ermenji duke ruajtur formacionet e veta, iu shmang sa më shumë kësaj lufte. Në ndikimin e drejtpërdrejt dhe të mëdha të Mid‘hat Frashërit, patrioti i shquar nga Ermenji, do të mund të ndalte flakën e luftës vëllavrasëse në Shqipëri, aq sa mundte për të përcjellë në rreshtat e luftëtarëve nacionalistë, mesazhin e madh, se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e ortodoksëve serbo-sllav, apo grekë.
Dhe kur lufta kundër gjermanëve, po përfshinte shumë vise të Shqipërisë, duke i dhënë Evropës të kujtohej se nacionalizmi i kulluar shqiptar, nuk kishte asgjë të përbashkët me nacional-socializmin e Hitlerit, Abaz Ermenji ndërmerr një varg aksionesh kundër forcave gjermane, sidomos në Shqipërinë e Mesme. Pavarësisht se historiografia shqiptare e ideologjizuar, e ka lënë qëllimisht në harresë kët fakt, kjo nuk parakupton në asnjë moment parullën famëkeqe sipas së cilës; “Ermenji ka bashkëpunuar me armikun”!
Unë do të doja t‘iu sillja lexuesve, vetëm një pasazh të shkurtër të librit të Julian Amery, të këtij misionari britanik i cili, ka jetuar në vitet 1943-1944, në Shqipëri. Pos të tjerave, autori shkruan: “Me shpirt reformator, Abaz Ermenji gjente një farë shpëtimi në luftë, kundër komunizmi dhe pikërisht, për faktin që Balli Kombëtari ofronte një alternativë të tillë, Ermenji nuk e kursente as veten as njerëzit e tij.
Mid‘hati dhe Abas Ermenji kishin ardhur si delegatë politik dhe ushtarak të Ballit Kombëtar për të na informuar zyrtarisht se gjithë Komiteti i tyre Qendror ndodhej tani në mal dhe se kishin vendosur të fillonin operacionet kundër gjermanëve, qysh ditën e nesërme. Abaz Ermenji përgatitej të fillonte betejën në një pritë në rrugën Tiranë-Shkodër ndaj, kërkoi që t‘i jepnin një oficerë britanik, për të parë qëndrimin e njerëzve të tij dhe për të vërtetuar rezultatet e aksionit.
Ne pranuam përnjëherësh kërkesën e tij dhe Mereti u zgjodh si oficer ynë ndërlidhës, pranë forcave të Ballit Kombëtar. Ditën e nesërme, Abaz Ermenji zuri pritë ashtu siç ishte vendosur dhe, me një forcë prej dyqind burrash, sulmuan papritmas një autokolonë gjermane, të përbërë prej dyzetë kamionësh. Mereti na lajmëroi pastaj, se tre kamionë ishin djegur, tetëmbëdhjetë plaçkitur dhe dëmtuar, tetë motoçikleta u shkatërruan dhe më tepër se tridhjetë gjermanë, kishin mbetur të vrarë”. (Julian Amery “Bijtë e Shqipes”, Shtëpia Botuese “Lumo Skëndo” Tiranë 2002, faqe 329-330)
Në nëntorin e vitit 1944, atëherë kur në Shqipëri vendosej pushteti i bolshevikëve ortodoks rusë, Abaz Ermenji do të shpallte përpara prijësve të nacionalizmit shqiptarë, kredon e tij: “Pushkën nuk do t‘a lëshojmë, kush të dojë le të ndjekë”! Ç‘prej atij momenti e, deri në vitin 1946, plot dy vjet me radhë, në bashkëpunim të ngushtë me vëllezërit Kazazi, Abaz Ermenji do t‘i bashkëngjitej lëvizjes antikomuniste shqiptare, duke u shndërruar në interpret të aspiratave kulmore të popullit të vet, për liri e demokraci.
Luftimet në Bajzë e Koplik, në Postribë e Shalë, Orosh e Peshkopi, në Çerem e Golaj, do të udhëhiqeshin trimërisht nga Abaz Ermenji, i shpallur “kriminel lufte”, prej regjimit komunist të Tiranës. Paradoksi qëndron në faktin se shpallej “bashkëpunëtor i italianëve dhe gjermanëve” pikërisht ai nacionalist, i cili pat marrë titujt akademikë francezë, duke luftuar me armë në dorë, për vite të tërë, kundër italianëve dhe gjermanëve.
Në vjeshtën e vitit 1946, atëherë kur repartet e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, po digjnin shtëpitë e Skraparit e Kolonjës (pasi aty ish strehuar Abaz Ermenji), nacionalisti i madh, vendos të hidhet në Greqi. Prej vitit 1946-1949, Ermenji do të vuaj nëpër kampet famëkeq të Greqisë, madje jeta e tij do të vihej në rrezik, nga komunistët grekë. Ka qenë sigurisht ndërhyrja e anglo-amerikanëve, me ç‘rast Abaz Ermenji dërgohet në Itali, posaçërisht për t‘u vënë në krye të forcave antikomuniste shqiptare në mërgim.
Aty sërish fiton dimensioni i vet human, për t‘u rrethuar të gjithë në frontin antikomunist, pavarësisht se çfarë partie përfaqësonin, apo çfarë ideje shpalosnim. Viset etnike shqiptarë, do të shërbenin kurdoherë për patriotin nga Ermenji, ashtu si konstelacione yjore, që u rrëfenin në lashtësi udhën, detarëve trima. Edhe në vitin 1954, kur Abaz Ermenji vihet në krye të Komitetit “Shqipëria e Lirë” në Paris, vizioni për Shqipërinë Etnike, do të mbetej i pandryshueshëm për të.
Në mjaft takime, konferenca, biseda me politikanë të shquar perëndimorë, Ermenji do të përcillte idenë, se një Shqipëri Etnike, është faktor stabiliteti në Ballkan ose, në të kundërt, një Shqipëri e copëtuar, do të reflektonte një nënqiell të trazuar ballkanik, për dekada të tëra. I ftuar nga organizma të paqes në Evropë e SHBA-ës, profesor Abaz Ermenji do të kontribuonte duke rrëfyer se komunizmi, kjo sëmundje e urryer për shqiptarët, nuk kishte asgjë të përbashkët me kontinuitetin shpirtëror të bashkëkombësve të vet, përkundrazi, ishte instaluar atje përmes lumenjve të gjakut të derdhur midis vëllezërve të një nëne. Ai do të merrte në New York, dekoratën “Ajzenhaur” dhënë nga Presidenti i SHBA për luftën dhe përpjekjet e pandërprera kundër komunizmit. Por energjitë e këtij nacionalisti, nuk mund të gjenin paqe edhe pas këtyre nderimeve, të vetmet që i bëheshin një shqiptari.
Në kuvendin me rastin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në New York, pos të tjerave, profesor Ermenji do të kumtonte: “Duhet të themelojmë një shtet shqiptarë të plotë, që të jetë një faktorë përparimi dhe paqeje krahas me popujt e tjerë të Ballkanit. Në Shqipërinë politike dhe jashtë saj, kemi sot afro pesë milionë shqiptarë, që kanë një vetëdije kombëtare shumë më të zhvilluar, se e kishin në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Që e shikojnë me helm në zemër se Prizreni e Shkupi, qendrat e Shqipërisë së atëhershme, nuk bëjnë pjesë në Shqipërinë politike të sotme. Këta shqiptarë nuk do t‘i lëshojnë kurrë armët nga dora, derisa të gjithë bijtë e kombit, të mblidhen nën një atdhe të përbashkët.
Me të gjitha mjetet brutale që përdorën armiqtë tanë, drita jonë nuk do të shuhet kurrë sepse, nuk shuhet shpirti i një kombi. Jemi regjur me të gjitha vuajtje dhe përpjekjet prandaj vullnetin tonë, s‘ka forcë që e thyen. Do të luftojmë të papërkulshëm, derisa të kemi frymë dhe kanë për ta vazhduar luftën të papërkulshëm, ata që vijnë pas nesh. Drita jonë dhe armët tona, do të shkojnë dorë më dorë, populli do e luftojë brez pas brezi, gjersa parimet që vuri Lidhja e Prizrenit, të bëhen realitet, derisa i tërë kombi shqiptar, kombi më i vjetër në Ballkan, të bashkohet në një shtet të plotë, në një shtet të lirë, që ta drejtojë vetë jetën e tij dhe të bëhet zot i fateve të tij”. (Marrë nga fjalimi me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit”, New York, 24 qershor 1978).
Nga fundi i viteve ‘80-të, të shekullit që lamë pas, kur e kam takuar për së pari profesor Abaz Ermenjin në Paris, më ka habitur jo vetëm kthjelltësia e tij politike, por sidomos energjitë e mëdha dhe guximi për t‘i shkuar deri në fund ëndrrës së rinisë të tij, bashkimit të trojeve shqiptare. Në zhvillimet e reja evropiane, nacionalisti i madh, parashihte jo vetëm rrëzimin e komunizmit, si sistem i kalbëzuar ekonomik, por edhe një frymë lirie e demokracie, ç‘ka nënkuptonte parashtrimin e ideve të Shqipërisë Etnike.
Gjithashtu në fillim të viteve ‘90-të, Abaz Ermenji do të vihej në krye të punëve të mëdha, për rikrijimin e Partisë “Balli Kombëtar”, si në shtetin amë, ashtu edhe në Evropë e ma gjerë. I fundmi nacionalist i madh i cili, e pa Shqipërinë të lirë prej telave me gjemba të komunizmit, gjatë këtyre viteve u përpoq me mish e me shpirt, jo vetëm të evokonte të kaluarën e lavdishme të nacionalizmit shqiptar, por edhe të provonte se idetë e mëdha të Ballit Kombëtar, kanë qenë dhe mbeten tejpamëse, deri në këto vite të shekullit të ri.
Ato ide mbijetuan dhe përcillen ende sot, pasi janë shpresa e krejt shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë në çdo çep të globit. Në kulmin e vrasjeve dhe dhunimeve serbe, në marsin e vitit 1999, Abaz Ermenji, kryetar i Partisë “Balli Kombëtar”, nëpërmjet adresës elektronike të tij, do t‘u drejtohej bashkëkombësve të vet: “Thirrje gjithë shqiptarëvet! Sikurse e parashikonim serbët po zhdukin me rrënjë popullin e Kosovës, duke vrarë burrat dhe duke hedhur jashtë kufijve gra, pleq e fëmijë, në kushtet më barbare që mund të mendohet, kanë shpërngulur gjer tani prej vatrave të tyre lart nga 1.000.000 frymë, që banonin në ato vende qysh nga koha e ilirëve. Iu kanë marrë gjithçka kishin, iu kanë djegur shtëpitë, fshatrat dhe qytetet, i kanë hedhur në rrugë, pa i lejuar të merrnin me vete as një cope bukë.
Prej këtyre, mbasi kanë kaluar ditë e net nëpër pyje me dëborë, më se 200.000, kanë ardhur në Shqipëri. Të tjerë kanë hyrë në Maqedoni dhe Mal të Zi, ku po heqin të gjitha të zezat. Të tjerë fshihen akoma në pyjet e Kosovës, pa ushqim dhe veshmbathje. Jam kryelartë që shteti shqiptar po bën ç‘është e mundur, për t‘i ndihmuar këta të mjerë, duke i marrë nëpër familje dhe duke e ndarë me ta kafshatën e bukës. Ky është një zgjim i ndjenjës kombëtare, një dashuri e hovshme për Shqipërinë. Por duhet të bëjmë më shumë se kaq. Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, duhet të japim tërë ndihmën tonë, për çlirimin e Kosovës dhe kthimin e këtyre vëllezërve të mjeruar, në vendin e tyre. Kosovën duhet ta çlirojmë me doemos, ose duhet të vdesim të gjithë.
Një gjëmë kaq e rëndë sa kjo, rrallë herë e ka goditur kombin shqiptar. Duhet ta përballojmë me guxim burrash. Ka të ngjarë që fuqitë e NATO-s, të zbresin në tokën e Kosovës. Por tani për tani, duhet t‘i japim tërë ndihmën tonë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Iu bëj thirrje të gjithë atyre kosovarëve që janë anëtarë të Ballit Kombëtar, të bashkohen me UÇK-në. Është koha, o sot o kurrë, të sakrifikojmë gjithçka për Shqipërinë dhe për shpëtimin e kombit Shqiptar. Për çlirimin e Kosovës, “autonomia” e kosovarëve, nuk do të ketë më asnjë kuptim, sepse këta nuk mund të jetojnë në një kuadër me Serbinë, që po kërkon t‘i shfaros me rrënjë.
Kosova do të bëhet e pavarur. Duhet të luftojmë dhe të punojmë të gjithë, në këtë drejtim. Duhet ta mbajmë të bashkuar popullin e mërguar të Kosovës, që të kthehet në vatrat e tij mbasi të çlirohet toka kosovare, nuk duhet të pranojmë asnjë ndarje të asaj toke, që ka qenë përjetësisht e shqiptarëve. Mundohuni burra e gra, ta arrijmë këtë qëllim të lartë kombëtar. Sepse vetëm atëhere, do t‘i kemi kryer detyrat tonat të shenjta dhe do ta kemi ndërgjegjen të qetë. Abaz Ermenji” (Gazeta “Balli i Kombit”, Tiranë, 11 mars 1999)
Në të njëjtën kohë, ndonëse mosha po e mundonte së tepërmi, Abaz Ermenji do të mbështeste pa rezerva edhe luftën e shqiptarëve etnikë në Maqedoni, në mbrojtje të të drejtave elementare dhe shtetformuese të tyre. Shqiptarët në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivarë, Kërçovë, Ohër dhe Strugë, do t‘u jenë kurdoherë mirënjohës nacionalistit të madh Abaz Ermenjit. Ata, si krejt shqiptarët ,do të dinë të çmojnë veprën e komandanti legjendar të tyre, prijësit tejpamës politik, luftëtarit të pamposhtur për çështjen shqiptare.
Muza e tij, ashtu si kundër muza e Orfeut të lashtë, gjallëron tashmë shpirtrat e trazuar të shqiptarëve kudo që janë. Prandaj krejt nacionalistët shqiptarë, që në Hagë, të shekullit të kaluar e, deri tek gjenerata e sotme, do të dinë të ndajnë jetën e tij fizike, nga ajo e përjetshmja e luftëtarit, Abaz Ermenjit. Kisha nderin dhe privilegjin të isha nën direktivat tuaja, nën mësimet e juaja, nën udhëzimet e juaja, dhe jo vetëm unë personalisht, por dhe gjithë anëtarët e rimëkëmbur të Ballit Kombëtar. Amanetet tuaja, se; “Penda e Pushka bëhen binjake, kur e don Liria”, mbeten të gdhendura në memorien e gjithë “Shërbestarëve të Shqipërisë”. Memorie.al
Marrë nga Gazetadielli.com