Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Zydi Moravës me origjinë nga fshatrat e Korçës, familja e të cilit nga kushtet tepër të vështira ekonomike ishte shpërngulur dhe kishte ardhur në Tiranë që në fillimin e viteve ’50-të me shpresën për të punuar në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” që po ndërtohej në periferi të kryeqytetit. Pasioni i Zydiut për librat dhe letërsinë që në fëmijërinë e tij dhe botimi i poezive të para në moshën 17 vjeçare në gazetën “Puna” kur ai punonte në qytetin e Elbasanit, me ndihmën e shkrimtarit e poetit Ilia Dede. Njohja më pas me një grup letrarësh të rinj në Tiranë, me në krye Bedri Myftarin, ku bënin pjesë dhe Ahmet Golemi, Roland Gjoza, Kosta Dhamo, Piro Kuqi, etj., të cilët në vitin 1974 u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit, duke u etiketuar si “grupi armiqësor i letrarëve të rinj”, për të përfunduar burgjeve dhe internimeve. Si e internuan Zydiun në fshatin Yrshek të Tiranës duke u detyruar që të punonte në punët më të rënda në bujqësi, deri në marsin e vitit 1978-të, kur një “Gaz” i Degës së Brendshme të Tiranësi, i ndaloi tek këmbët dhe “në emër të popullit” i vuri prangat, për ta dënuar më pas me 10 vjet burg, të cilat ai i vuajti në kampin e Spaçit, ku me bashkëvuajtësit e tjerë, poetët e shkrimtarët, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti e Ali Oseku, vazhdonin të shkruanin edhe aty në burg poezi në fshetësinë më të madhe.
Që i vogël prirje për letërsi
Zydih Morava u lind më 14 mars të vitit 1946 në fshatin Gracen të krahinës së Devollit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i tij Dalipi gjatë viteve të luftës ishte lidhur me Lëvizjen Antifashiste dhe ndonëse punonte gjithë ditën në punët më të rënda të bujqësisë, nuk e përballonte dot jetesën e familjes e cila ishte e zhytur në një mjerim të thellë. Nisur nga gjendja e keqe ekonomike dhe kushtet e vështira në të cilën ndodhej asokohe familja Morava, babai i Zydihut (Dalipi) mundi ta rregullonte që të shpërngulej nga fshati i tij dhe në vitin 1953 të vinte në Tiranë, me shpresë për të punuar në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, i cili sapo ishte ndërtuar. Lidhur me këtë Zydihu tregonte: “Edhe pas shpërnguljes sonë nga fshati, përsëri në Tiranë familja jonë jetonte në kushte tepër të vështira ekonomike, pasi ishim pesë fëmijë për t’u rritur. I ndodhur në këto rrethana familjare dhe për t’ju ardhur sadopak në ndihmë prindërve dhe familjes, që në moshën 17 vjeçare unë u detyrova që të futesha në punë, në Ofiçinën e Kombinatit ku punoja për orë të tëra i përkulur mbi torno. Ndonëse kisha filluar punë, unë për asnjë çast nuk iu ndahesha çapkënllëqeve, duke u bërë problem si në familje në lagje ashtu dhe në ndërmarrje. Por në kontrast me këto teka të moshës, unë gjeja kohë dhe rrija për orë të tëra mbi libra, duke lexuar novelat e Çehovit e shumë libra të tjerë, që i blija apo ua merrja shokëve të mi më të rritur, pasi nga familja nuk kisha trashëguar asnjë të tillë, sepse si nëna dhe babai ishin të dy analfabetë. Duke qenë i marrosur pas librave, asokohe kur nuk isha më shumë se 14-15 vjeç, fillova të shkarravisja nëpër fletore poezitë dhe tregimet e para, por pa menduar aspak për botimin e tyre. Në vitet 1965-‘67 kur kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Elbasan, arrita të botoj tregimet e poezitë e para në revistën “10 Korriku” dhe në gazetën “Puna”. Botimi i atyre tregimeve dhe poezive që për mua përbënte një eveniment i veçantë, u bë i mundur nga dashamirësia që tregoi Ilia Dede, që asokohe punonte si redaktor në gazetën “Puna”, kujtonte Zyhdi Morava atë kohë kur ai botoi poezitë dhe tregimet e para.
Në grupin e letrarëve të rinj
Edhe pas lirimit nga ushtria, Zydihut nuk iu venit aspak pasioni për librat dhe letërsinë, por përkundrazi ai vazhdoi të shkruante më shumë poezi dhe tregime të ndryshme, me dëshirën e madhe që ato t’i shihte të botuara në gazeta apo revista. Në atë kohë ai u afrua dhe u njoh edhe me një grup djemsh të rinj, të cilët ishin shumë të pasionuar pas letërsisë. Lidhur me këtë Zyhdiu kujtonte: “Aty nga viti 1969 unë u njoha dhe u lidha me një grup djemsh të rinj që aspironin të bëheshin shkrimtarë dhe poetë. Këta djem të rinj që nuk mund ta kuptonin dot jetën e tyre pa letërsinë, ishin: Bedri Myftari që asokohe punonte si gazetar në “Zëri i Rinisë”, Kostandin Dhamo e Roland Gjoza (student të Letërsisë), Ahmet Golemi (mësues fizkulture), si dhe Pirro Kuqi që punonte në “Misto Mame”. Me këtë djem të rinj tepër pasionant pas letërsisë, mua më prezantoi dhe më njohu Rrapi Dhamo, i cili në atë kohë drejtonte rrethin letrar në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Të gjithë ne djemtë që përbënim atë grup, na bashkonin shumë gjëra të përafërta, por më kryesorja ishte letërsia për të cilën ne diskutonim me orë të tëra, sa herë që mblidheshim në kafene apo shtëpitë e njeri tjetrit. Nga i gjithë grupi ynë asokohe më i njohuri ishte Bedri Myftari, i cili punonte si gazetar në “Zëri i Rinisë” (redaksia ishte në godinën e Komitetit Qendror) dhe kishte botuar edhe librat e parë më tregime e poezi, kurse ne të tjerët pothuaj ishim fare të panjohur, ndonëse kishim botuar tek-tuk në gazeta apo revista. Shpesh herë ndërsa dilnim shëtitje nga kodrat e liqenit dhe lexonim poezitë e njeri-tjetrit e duke shkëmbyer mendimet tona në diskutimet e pafundme mbi letërsinë, jeta na dukej më e bukur. Por ne asokohe as nuk e mendonim dhe as nuk e dinim se çdo bukuri e lirë në diktaturë ishte e destinuar që të shtypej që në shfaqen e saj”, kujtonte Zyhdi Morava lidhjet e tija me grupin e djemve të rinj që ishin të marrosur pas letërsisë dhe aspironin që të bëheshin shkrimtarë dhe poetë të famshëm.
Goditja nga Sigurimi
Po çfarë ngjau me grupin e letrarëve të rinj me të cilat u bashkua dhe Zyhdiu. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Grupi ynë në atë kohë as që kishte ndonjë lloj synim politik dhe as që na kishte shkuar në mënd një gjë e tillë që të dilnim kundër regjimit komunist. Por dashje pa dashje si të rinj dhe rebelë nga shpirti, ne aspironim e kishim dëshirë që të shkruanim jashtë kornizave dhe klisheve të kohës, gjë e cila asokohe përbënte një herezi dhe mëkat të rëndë. Pikërisht këto prirje tonat u bënë shkak që grupi ynë të binte në sy dhe të ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Asokohe njerëzve të Sigurimit u bënte shumë përshtypje dhe vetvetiu shtroheshin hamendjet: ç’është ky grup të rinjsh, përse rrinë gjithmonë bashkë, cilat janë synimet e tyre dhe ç’qëllime kanë?! Kështu nuk vonoi shumë dhe aty nga viti 1971, Sigurimi i Shtetit vendosi goditjen e grupit tonë dhe i pari që u arrestua dhe doli para gjyqit, ishte Bedri Myftari, të cilin e quajtën “Kryetar i Grupit”. Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, na thirrën edhe ne që ishim shokët më të ngushtë të tij dhe aty na quajtën “Grupi armiqësor i letrarëve të rinj”, gjë e cila do të thoshte një paralajmërim, se edhe ne ishim në shënjestër për t’u arrestuar së shpejti. Pas mbarimit të gjyqit, Bedri Myftarin e dënuan me gjashtë vjet burg dhe masa e parë që u mor ndaj nesh, ishte heqja e të drejtës së botimit dhe shpërndarja si grup. Kështu në kuadër të këtyre masave, Roland Gjozën që ishte student i shkëlqyer, e caktuan të punonte në rrethin e Pukës, Kostandin Dhamon e morën ushtar, mua më hoqën nga Ofiçina e Kombinatit dhe më dërguan punëtor në fermën “Gjergj Dimitrov”, kujton Zyhdi Morava goditjen e “grupit të letrarëve të rinj”, ku bënte pjesë dhe ai, gjë e cila filloi me arrestimin e Bedri Myftarit që u konsiderua si Kryetar Grupit meqenëse ishte disa vjet më i madh se të tjerët dhe punonte si gazetar në “Zëri i Rinisë”.
Arrestimi e burgu në Spaç
Ashtu siç dhe ishte menduar nga pjesëtarët e grupit të letrarëve të rinj, Sigurimi i Shtetit nuk do të mjaftohej vetëm me arrestimin e Bedri Myftarit, por më pas të njëjtin “fat” do të kishin dhe Zyhdi Morava, Pirro Kuqi dhe Ahmet Golemi. Lidhur me këtë Zyhdiu kujtonte: “Pas gjyqit të Bedri Myftarit, nga ferma “Gjergj Dimitrov” ku më kishin çuar, pas një vendimi të Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve, mua më internuan për 5 vjet në fshatin Yrshek të Tiranës. Aty më lanë të banoja në një kasolle gjysëm të rrënuar dhe më caktonin në punët e krahut më të rënda që kishte bujqësia. Gjatë asaj periudhe internimi, ndonëse mua nuk më lejohej që të botoja dhe për këtë nuk kisha asnjë lloj shprese, mbrëmjeve kur vija tepër i lodhur nga puna, vazhdimisht shkruaja tregime dhe poezi të ndryshme. Në atë kohë shkrova dhe një roman që fatkeqësisht nuk arrita ta ruaj dot. Në atë periudhë që isha në Yrshek, duke parë veten në atë gjendje të mjeruar që më rrethonte mua dhe fshatarët e tjerë që banonin aty, unë për herë të parë u ndërgjegjësova dhe fillova të mendoj se ai sistem ishte një egërsirë e vërtetë. Unë nuk e kisha zakon dhe as nuk flisja me të tjerët kundra regjimit komunist, sepse e dija gjendjen ku ndodhesha. Por edhe pse rrija në heshtjen time të thellë, Sigurimi i Shtetit nuk më la rehat dhe më arrestoi në 14 mars të vitit 1978, ndërsa kisha kryer dy vjet e gjysëm nga koha e internimit. Arrestimi im u bë aty teksa isha duke ecur në një nga rrugët e sektorit, ku një “Gaz” i Degës së Brendshme më ndaloi tek këmbët dhe personat që zbritën prej tij, më hodhën prangat pasi më komunikuan se ajo bëhej “në emër të popullit”. Unë pak a shumë isha i përgatitur për arrestimin, se disa kohë më parë një nga miqtë e mi më njoftoi se mund të arrestohesha dhe më këshilloi se po të kisha ndonjë material komprometues në banesë, do të bëja mirë që ta hiqja. Kështu unë u detyrova dhe i dogja pothuaj të gjitha dorëshkrimet e mija që i kisha ruajtur prej vitesh. Pas arrestimit më dërguan në hetuesinë e Tiranës (rep 313) dhe pas katër muajve më nxorën në gjyq e më dënuan me 8 vjet burg politik për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, ku dëshmitarë më dolën disa fshatarë që i shërbenin Sigurimit të Shtetit. Pas dënimit, më 10 gusht të atij viti, më dërguan në burgun e Spaçit ku qëndrova deri në 15 nëntor të 1982, ditë në të cilën u lirova nga amnistia që u dha për të burgosurit politikë. Gjatë vuajtjes së dënimit në burg, ndonëse punoja në frontet më të vështira në galeritë e Spaçit, në fshehtësi shkruaja poezi e tregime, ndonëse e dija që po të kapesha do të ri dënohesha edhe 10 vjet të tjera. Në atë gjendje ashtu të drobitur nga lodhja rraskapitëse, uria e të ftohtit, unë shpesh gjeja kohën dhe me shokët e mi: Visar Zhiti, Ali Oseku e Frederik Reshpja, diskutonim për atë që na dhimbte më shumë, letërsinë. Burgu ndikon pozitivisht në forcimin e karakterit, ndërsa liria ndikon në të kundërtën e kësaj, sepse ajo ka një presion më të madh dhe ndikon në prishjen e karakterit. Nëse në rastin e parë duke qenë i izoluar në një hapësirë të vogël, larg interesave të përditshme të jetës dhe në vëzhgimin e mijra syve, ajo të bën ta kontrollosh veten, kurse në rastin e dytë, përball interesave të shumta të jetës, nevojave ekonomike dhe synimeve drejt karrierës, ish i burgosuri fillon të deformohet pa u ndjerë dhe e shtyp presioni i lirisë dhe e heqin zvarrë kërkesat e nevojës së përditshme. Prandaj ndjej një lloj pështjellimi, kur shikoj se shumë nga ata që dalin në media të ndryshme, marrin pozën e heroit. Unë mendoj se nuk ka heronj, por ka njerëz që përpiqen të punojnë për mirë ashtu siç ka dhe njerëz që i shtyp e keqja”, e mbyll përkufizimin e tij Zyhdi Morava, për bashkëvuajtësit e burgjeve dhe internimeve.
Krijimtaria letrare
Pasi doli nga burgu në vitin 1982, Zyhdiu u kthye pranë familjes së tij në Tiranë dhe filloi punë nga më të rëndat: duke ngarkuar e shkarkuar dru tek Stacioni Hekurudhor, duke korrur bar në fshatin Yzberisht, roje në stallat e kuajve etj. Gjatë atyre viteve edhe pse nuk kishte asnjë shpresë se do t’i botohej ndonjë poezi a tregim, ai vazhdonte të shkruante vazhdimisht. Vetëm në shtatorin e vitit 1982, me ndihmën e Bardhyl Londos, ai arriti të botonte një tregim (me titull “Për Elizën”) tek gazeta “Drita”. Në vitin 1990-të kur filluan lëvizjet për shembjen e regjimit komunist, Zyhdiu u ingranua me Sindikatat e Pavarura dhe më pas si redaktor e gazetar në gazetën “Sindikalisti” dhe për një vit drejtoi gazetën “E Vërteta”, të asaj Sindikate. Nga viti 1995 deri në 2000-in, ai punoi si zëdhënës i Bashkisë së Tiranës dhe për dy vjet u zgjodh si Sekretar për Letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe më pas për disa vjet si kryetar i saj. Nga viti 1991 e deri sa ndërroi jetë në 2010-ën, Zyhdiu arriti botonte 21 libra, duke qenë një nga shkrimtarët më prodhimtarë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016