Nga Irhan Jubica
Pjesa e parë
Një varr për të vërtetën e eshtrave të Fishtës.
Memorie.al / Pikëpyetje, shumë pikëpyetje? A janë hedhur me të vërtetë në Drin eshtrat e Gjergj Fishtës? A mos kjo histori është më shumë një legjendë, që për shkak të ndjeshmërisë së publikut, rezultoi më funksionale se ajo letrarja e vitit 1963, me protagonistë një gjeneral dhe një prift? A është e mundur që i njëjti dëshmitar, të ketë qenë i pranishëm edhe kur është dhunuar varri, që sipas një varrmihësi, ka qenë rreth dy metër larg pllakës së mbishkruar, edhe kur janë futur eshtrat në thes, edhe kur janë ngarkuar në karro edhe kur karroja ka ecur përgjatë qytetit nëpër një rrugë rreth 3 km. deri në Drin?! Drini qarkon një pjesë të mirë të Shkodrës, ndaj në ç’vend janë hedhur në Drin? Në ç’datë? Në ç’orë? Kush tjetër ishte dëshmitar? Cilët ishin varrmihësit? Po karrocieri? A e dinin varrmihësit se për çfarë po gërmonin? Po karrocieri, a e dinte se çfarë po hidhte në lumë? Kush i urdhëroi të gjithë këta njerëz? Po sikur eshtrat e Fishtës të mos jenë hedhur fare në lumë, por të jenë fshehur diku tjetër?!
Pse nuk i janë përgjigjur këtyre pyetjeve asnjë nga françeskanët që shkruan historinë e atij Kuvendi të famshëm? Pse nuk është shpallur një kërkim zyrtar i pjesës tjetër të eshtrave? A është e vërtetë se lufta ndaj besimit në Shqipëri, më së shumti ishte luftë kundër katolicizmit (dhe myslimanizmit), e udhëzuar apo frymëzuar nga ortodoksia sllave, për shkak ndoshta të një xhelozie të vjetër të tyre ndaj katolikëve shqiptarë, meqenëse edhe numri i klerikëve ortodoksë të përndjekur është i papërfillshëm, sidomos në raport me besimet e tjera? Nuk janë pikëpyetjet e vetme që dalin duke lexuar dëshmitë aq të pakta e fragmentare të atyre që e jetuan atë kohë. Një pjese të këtyre pyetjeve, tenton t’i përgjigjet ky shkrim, por natyrisht pyetja më thelbësore mbetet “Pse?”.
Jeronimi përsëri…!
“…U shkatërruan kishat…! Pranë altarëve të Krishtit u lidhën kuajt si në grazhd…! Eshtrat e martirëve u nxorën nga varret”. Fjalët e përkthyesit “Shë Hieronim” ilir të Biblës në latinisht, sipas Bogdanit, duket sikur janë shkruar në vitin 1967, e jo di kund rreth vitit 400 të mijëvjeçarit të parë, e ndonëse i referohen dyndjes së hunëve, gotëve, skithëve e vandalëve në Ballkan e më gjerë, e japin më së miri tablonë përmbyllëse të luftës së komunistëve shqiptarë kundër besimit.
Kjo luftë kishte nisur që në vitin 1945, me burgosjen, torturat, internimin, pushkatimin e mbi 200 klerikëve, me grabitjen dhe vjedhjen e autorësisë së arkivave unikale të kishave, vlera e të cilave më shumë se fetare, ishte kulturore e historike shqiptare, me prishjen e 2300 objekteve me vlera arkitekturore të kultit. E pikërisht në vitin 1967, plot 1900 vjet mbas 29 qershorit të kryqëzimit dhe tretjes së varrit të apostullit të Krishtit, Shën Pjetrit, në Shqipëri u dhunuan dhe u tretën eshtrat e Shën Fishtës, “Apostullit të Madh të Shqiptarizmës”, siç e quan Koliqi.
Në fakt, për faj të shqiptarëve ose jo, panteonit kurrë të ngritur të kombit, i mungojnë shumë prej eshtrave të të vdekurve të mëdhenj: varri i Gjergj Kastriotit u dhunua prej turqve, përpara se trupi i pajetë i Pjetër Bogdanit të hidhej në shesh po prej aziatikëve. (Zef Simoni shkruan se më 1946, pas torturave, edhe trupi i varur i priftit Mark Gjani iu hodh qenve e kockat u lëshuan në përrua.)
As serbët nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e mbledhësit të “Kanunit”, Shtjefën Gjeçovi; “L’Osservatore Romano” i 30 janarit 2000 thotë se në të njëjtën mënyrë u sollën edhe komunistët me eshtrat e Jak Serreqit, Lazër Mjedës, Gaspër Thaçit, Ernest Cozzit, Bernardin Shllakut e Gjergj Fishtës. Në shumë shkrime përmendet edhe Dedë Gjo’ Luli, për të cilin herë thuhet se ka qenë varrosur pranë Fishtës, e herë në kapelën e vogël, në të majtë të altarit të Kishës Françeskane, bashkë me fretërit e lartpërmendur, por kjo nuk i pengoi komunistët ta njihnin hero, edhe pse ia tretën eshtrat.
Fjalët e kohës, Fishta që s’është!
7 shkurt 1967. Gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” e “Puna” botojnë fjalimin pesë faqesh, në dukje kundër burokracisë, që Enver Hoxha kishte mbajt një ditë më parë, në takimin e zgjeruar të disa organizatave të rinisë e Partisë së Punës. Disa ditë më vonë, fjalimin e botojnë edhe “Zëri i Rinisë”, “Jeta e re” e, çdo gazetë lokale në vend. Gazetari i Komitetit Qendror të PPSH-së Xhelil Gjoni, njofton në “ZP”-në e 8 shkurtit, se; gjimnazistët durrsakë të “Naim Frashërit”, kanë marrë një nisëm për ta çliruar vendin, prej së vjetrës e prej fesë. Ky kryeartikull, në gazetën më të frikshme në vend, pasohet nga të tjerë shkrime që pasqyrojnë entuziazmin e rinisë për “dacibaot” që bllokojnë edhe dyert e kishave e xhamijave.
Kinezëria kulturore përkrahet në Durrës nga shkolla “Mujo Ulqinaku”, e më pas nga i gjithë vendi. Në artikullin e gjatë; “Kotësia dhe dëmi i paragjykimeve fetare” të “ZP”-së 18 marsit, Selami Tabaku, Arif Gashi dhe Gjon Jaku (ky i fundit i akuzuar prej një bashkëkohësi, si një ndër “spiujt e parë të Sigurimit në Shkodër, informatori kryesor për pjesën katolike”), akuzojnë Patër Anton Harapin (që më 1944 shkruante: “…për fe e atdhe… ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer”), Hafiz Ali Tarin (antizogist, teolog mysliman, që kishte mbajtur një fjalim të ndjerë, në varrimin e Fishtës) e Sali Myftinë për lidhje të ngushta me pushtuesit.
Fishta është kudo, por nuk përmendet askund. Fishta nuk përmendet as në një shkrim për shtypin në Shkodër, që Vehbi Bala, boton në “Jeta e re”, ku ia ka dalë ta përjashtojë publicistin Gjergj Fishta, nga kontributi i themeltar në krijimin e drejtimin e “Elcisë së zemrës s’Jezu Krishtit”, “Zanit të Shna Ndout” e “Postës së Shqypnies”, por sidomos të “Hyllit të Dritës”, pa të cilin nuk ka as histori të shtypit shqiptar. Është koha kur në faqet e para të gazetave, nëpërmjet titujve të mëdhenj, masat e ndërsyera kërkonin; “t’i djegim”, “t’i shkatërrojmë”, jo vetëm zakonet prapanike dhe mashtrimet e fesë.
Një përfaqësi e lagjes “Kongresi i Përmetit” po në Shkodër, më 19 mars, i shkruan një letër “shokut Enver Hoxha”, ku e njofton se; xhamijat që kishin në lagje, po i kthenin nga qendra terri, në institucione kulture. Aksione të tilla raportoheshin përditë nga radioja dhe gazetat, si në Gjepalaj, Durrës, Tiranë, Roshnik të Beratit, Kukës, etj. E për ta mbajtur të ndezur zjarrin ku do të digjeshin armiqtë, më 16 prill, Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë, i drejton një tjetër thirrje popullit; “për t’u ngritur mbi të vjetrën”.
Bashkë me fletë-rrufetë e panumërta, ku në emër të rinisë kërkohej ndalimi i fesë, kjo ishte ana e dukshme e asaj që ndodhi më 1967, vit që i parapriu ateizmit zyrtar e, që kulmoi me hapjen në Shkodër të të vetmit muze ateist në botë. E padukshmja pjesë e këtij “ajsbergu” qe fatale, për shkak se kalonte nga zyrat e Sigurimit të Shtetit. E Sigurimi nuk ka bërë asnjë fletë-rrufe.
Thash e them ose, “bëj e bjer”!
Historia e shkruar për herë të parë në një “RD” të fillim vitit 1991, përveç kopjimit nga njëra gazetë në tjetrën, do të qarkullonte si ata gojëdhënat, vërtetësia e të cilave, për shkak se i mvisheshin diktaturës komuniste të konfirmuar si gjakatare dhe e pashpirt, nuk kërkonte fakte konkrete, por mjaftohej me një pusullë anonime. Shumë prej autorëve që shkruan për Fishtën, qysh prej erës së demokracisë e këtej, shprehen të sigurt se; ka ndodhur pikërisht ashtu si shkruante më 1990, sipas Zef Pllumit, një anonim në sallën e Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut”:
Me urdhër të Bilal Parrucës, atëkohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv si dhe kryetar i Frontit Demokratik të Shkodrës, eshtrat e Fishtës, janë hedhur në Drin. Duket pra, se ky është kontakti i parë, që jo vetëm Zef Pllumi ka pasur me lajmin për zhvarrimin e Fishtës, sepse në një shkrim tjetër, vetë Pllumi pyeste: “A u zbulue ndonjëherë vorri i vërtetë i Fishtës dhe a u hodhën në lum, eshtnat e tij? Nuk mund [të] them kurrgjë me siguri”.
Këtë artikull të rifillimit të “Hyllit të Dritës”, Pllumi e sjell në vitin 2001, në “Françeskanët e mëdhaj” dhe e rikonfirmon në 2006, në; “Histori kurrë e tregueme”, por duke i bashkangjitur një shkrim ku, n’mes tjerash thuhet: “Kje natë. Simbas nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e, i hodhën në Drin”. E më pas “…zoti Ferdinand Topalli, i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës, për me i hjedhë në Drin” (“Histori kurrë e tregueme”, 2006).
Ndryshe nga Pllumi që shkrimeve të veta u shton nga ndonjë element, por pa e zbuluar të vërtetën, Konrrad Gjolaj, gjithashtu françeskan dhe i burgosur, në veprën e tij të guximshme “Çinarët” (1996) i përmend thuajse shkarazi, “vorret e përdhunueme të Fishtës, Mjedës…”, ndërsa duke iu referuar vdekjes së Bernardin Shllakut, hedh dritë mbi vendin e mundshëm të tretjes së eshtrave të Fishtës, kur thotë se; Shllaku ishte varrosë në Kishën Françeskane, por “me ‘revolucionin kultural’ edhe eshtnat e Tija u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtnat e vllazënve të tjerë t’asaj Kishe”.
Ipeshkvi Zef Simoni, në të shumë-cituarin në botë; “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni, nga 1944-1990” (botuar një vit pas “Martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare, 1944–1990”, Tiranë, 1993), e rreshton Fishtën, në një listë emrash të priftërinjve katolikë, që iu tretën eshtrat, pa treguar asgjë konkrete se si, ku, kur e kush i ka bërë këto krime! Ndërkaq, me një akrobaci absurd, Dhori Qiriazi arrin të mos e përmendë fare dhunimin e eshtrave të Fishtës, në librin e tij; “Krishtërimi në Shqipëri” që ndoshta duhej të kishte kushtimisht shumë të vërteta, për persekutimin e Klerit Katolik, e posaçërisht të varreve të tyre, si një ndër krimet më barbare të kryera nga komunizmi.
As Kapllan Resuli në “Fishta dhe të tjerë”, (2001) nuk e përmend fare zhvarrimin e Fishtës, pavarësisht synimit të librit të tij. Në vitin 1992, ndërsa i jepte përgjigje akuzave që iu patën bërë për 50 vjet Fishtës, studiuesi fisnik, Injac Zamputi, nuk ka dashur me sa duket, të merret me çështjen e eshtrave. Megjithatë, brenda kapakëve të librit të tij “Fishta. Koha, njeriu, vepra”, botuesi F. Ferra, e merr të mirëqenë dhunimin e varrit të Fishtës, kur shkruan;
“Veprën e Fishtës nuk arritën ta zhdukin, si zhdukën eshtrat e tij”. Natyrisht, libri me dy data “Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra” i autorit Vehbi Bala, nuk mund të kishte diçka për zhvarrimin e mistershëm të Fishtës, jo vetëm për shkak se në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985, ky autor kishte shkruar “tanë të zezat”, por edhe se lënda e librit daton shkurt 1961, pra 6 vjet përpara natës pa datë të dhunimit të varrit.
Një autor tjetër, M. Korça, në; “Patër Gjergj Fishta… gjeniu pa varr”, edhe pse nuk jep asnjë burim, e nuk citon asnjë dëshmitar, siguron se “ish …edhe një natë e errët shkurti, kur u përdhunua varri. Një palë eshtra flakeshin në Dri, për ta asgjësuar! …Bilal Parrucën caktuan, që urdhrin ta jepte”! Në këtë frymë duket se janë hartuar mjaft artikuj. F. Radovani, në “Një monument nën dhè”, është i sigurt se; “përveç françeskanëve të tjerë, u dhunue vorri i Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishta dhe … eshtnat… u tretën”.
Edhe një ndër studiuesit më seriozë të letërsisë shqipe, Anton N. Berisha, në librin e tij; “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë”, (Prishtinë 2003), nuk e ndjen të nevojshme të citojë asnjë burim, kur pohon: “Tërbimi i kuqalashëve ndaj këtij krijuesi madhor [Fishtës] dhe veprës së tij, mbërriti deri në absurd: ia zhdukën varrin dhe eshtrat”! Disa vjersha e skica të tashme të realizmit demokratik, gjithashtu e marrin të mirëqenë dhunimin e varrit të Fishtës, veç me një të dëgjuar.
Në fund të vitit 1996, dy shkrime të njëpasnjëshme në “Rilindja Demokratike”, për ceremoninë e rivarrimit të Fishtës, veç gafave panumërta, nuk ofrojnë asgjë nga e vërteta; madje njëri prej tyre, mund të konsiderohet i papërgjegjshëm: mbasi i ka quajtur disa herë eshtrat; “mbetje të tretura. të trupit të poetit”, A. Malja, shkruan më 29 dhjetor, se kisha françeskane e Shkodrës u prish gjatë vitit 1967 dhe “Me këtë rast humbën edhe eshtrat e At Gjergj Fishtës”.
Vetëm një ditë më parë, I. Seci, në të njëjtën gazetë, kishte përmendur disa herë se; eshtrat e Fishtës, ishin tretur nga barbarët komunistë, por pa dhënë as më të voglin detaj, se si ka ndodhur kjo! Aty shkruhet gjithashtu se; Fishta ka vdekur me 30 janar e; jo dhjetor, se ka vdekur në vitin 1910 e, jo 1940, etj.; gabime të mundshme teknike. Por padyshim, maja më e lartë e asaj që mund të quhet manipulim me çështjen, është një libër i sapo botuar, me autor Pjetër Pepa. Rreth 15, nga 1600 faqet e dyvëllimshit; “Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri” (2007), i kushtohen kapitullit me titullin; “20 mars 1967. Hidhen në Drin eshtrat e Poetit Kombëtar Padër Gjergj Fishta”.
Mbasi shpall qysh në titull lajmin, autori duket se pendohet në radhët në vijim, kur shkruan: “Për të qenë i saktë me historinë, më duhet të them që nuk jam i sigurt nëse, vërtet, në këtë datë, u hodhën në Drin eshtrat e Poetit Kombëtar”! Dhe më pas: “U hodhën në Drin e, gjithçka përfundoi me turp” (v.II, faqe 373). Edhe pse nuk e vë në dyshim hedhjen e eshtrave në Drin, autori nuk e gjykon të nevojshme të sqarojë lexuesit, por edhe historinë, me të cilën pretendon të jetë i saktë, se si ndodhi akti e, cilët ishin aktorët.
Nga ta kapësh…?!
Ndoshta askush nuk dëshiron ta diskutojë, vërtetësinë e (f)aktit të tretjes së eshtrave të Gjergj Fishtës, por pas shfletimit të mijëra faqeve, libra e gazeta, është e pamundur t’i rezistosh tundimit, për të bërë pyetjen tjetër: Kur? Ka kaq pak informacion në qarkullim, dhe koha për hapjen e arkivave të fshehta, duket se nuk do të vijë asnjëherë në Shqipëri, sa është thuajse e sigurt, se ndoshta për shkak të natyrës së çështjes, edhe kjo pyetje aq e thjeshtë, e joimplikuese; “Kur”? mund të mos marrë kurrë përgjigje. Për aq kohë sa të dyja datat e ofruara, nuk mbështeten në dëshmi apo dokumente, do të ishte e gabuar të besohej, si kohë e kryerjes së atij riti hienash, qoftë nata e shkurtit, e pretenduar nga M. Korça, qoftë 20 marsi i përgënjeshtruar nga vetë P. Pepa!
Nominus svnt odiosa
Është mëkat që Konrrad Gjolaj, ky burrë i dehur prej të vërtetës, nuk ka shkruar asgjë për zhvarrimin e Fishtës, edhe pse të krijohet përshtypja se; pikërisht kjo lëndë përbënte kapitullin, që sikur i është hequr në çastin e fundit librit të tij “Çinarët”, së fundmi ribotuar nga françeskanët; “me lejen e të parit të fesë”. Megjithatë, boshllëkun që krijojnë autorët e tjerë në veprat e tyre për Fishtën, në lidhje me pyetjen e radhës; “Kush e dhunoi varrin”, mund ta plotësojë rrëfimi i jashtëzakonshëm i fratit velipojak Gjolaj, alias Tomë Marku.
Një ndër kapitujt e këtij libri të pa nderuar me asnjë “Pendë” prej MTKRS-ë e, madje jo fort të pëlqyer nëpër Shkodër e gjetkë, për të vërtetat therëse, është ai kushtuar mësuesit të tij, njërit prej dy priftërinjve gjermanë, të pushkatuar në Shkodër më 1946: Alfons Trackit. Përpara këtij kapitulli, vjershat e këngët e panumërta kushtuar mësuesve, janë të vogla, por le të kthehemi në çështje. Faqe pas faqeje, duke paraqitur gjendjen e Klerit Katolik, qysh prej vitit 1945, At Gjolaj, nuk heziton të japë një mori emrash, të atyre që ishin protagonistët e sulmit mbi besimin, sulm që nuk u ndal me vdekjen.
Viti 1967, nuk është dhe aq i largët, ndaj paraqitja e emrave të mëposhtëm, mund t’ia kthejë kujtesën atyre, që dinë diçka për këtë ngjarje të errët. Gjithmonë duke cituar At Konrrad Gjolajn, nga libri i tij “Çinarët” (1996), konstatojmë se: “Misto Treska, Kolë Jakova, Rasim Guri, Gjovalin Luka, Irakli Bozo, Tonin Jakova, Gjon Bushati, Muhamet Oruçi, Ahmet Daja, Sadetin Mandija, Ismail Barbullushi, Zija Dibra, Mark Ndoja, Arif Gjyli, Hajdar Delvina, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Qazim Kapisyzi, Zoj Themeli, Fadil Kapisyzi, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Zoj Shkurti, Nesti Kopali, Gjon Prendushi, Çesk Shoshi, Hys Zaja, Pjetër Darragjati, Mestan Ujaniku, Aranit Çela, Tonin Miloti, Spiro Pano, Gjon Jaku, Rrahman Përllaku, Qamil Gavoçi, Gani Dizdari, Ahmet Çaku, Mahmut Kaja, Shaban Arra, Gaspër Leci, Martin Margilaj, Gac Mazi, Nuri Llazani, Stavro Frashëri, Ciril Pistoli, Sabri Hoti, Ethem Barbullushi, Gjon Banushi, Hamit Beqja, Ramiz Alia, Ylvi Dibra, Pjerin Kçira, Gjovalin Mazreku, Zef Bardhoku, Vehbi Çanga, Luigj Shala, Hulusi Hako, Dilaver Sadikaj, Pjetër Hasi, Mark Uli, Sadik Rama, Rustem Sykja, Nevzat Haznedari, Ndoc Deda, Vehibe Xhabija, Xhixhi Mazi, Xhuhere Mushani, Satber Jubani, Minire Haxhi, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Çoku, Asllan Lici, Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Bik Pepa, Kadrie Kopliku, Marie Vasili, Mita Leka, Bose Marku, Marie Siliqi, Laje Haxhia, Gjylafe Gjylbegu, Jovanka Perja, Violeta Stavri, Adlije Kazazi, Pal Mëlyshi, Xhemal Selimi, Adlije Bushati, Ndreko Rino, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Faik Kapllani, Skënder Drini, Tano Banushi, Hasan Smaja, Lin Çollaku, Nush Baba, Asim Halili, Zef Shoshi, Faik Minarolli, Ali Xhunga, Hilmi Seiti, Dhimitër Shkodrani, Jahe Tefiku, Mustafa Qilimi, Hilmi Hebovija, Loro Beltoja, Xhemal Dini, Angjelin Kumria, Fadil Ymeri, Ramiz Hafizi, Halit Isufi, Fadil Kraja, Jovan Vojushi, Selahedin Cena, Luigj Frangaj, Mikel Prennushi, Musa Kraja, Lin Simoni, Pjetër Hasi e Mark Tarri, ishin njerëzit më aktivë të kohës në krye të luftës kundër fesë dhe njerëzve të fesë.
Ai përmend edhe Ndoc Vasilin, xhakonin e ri, që më vonë, sipas tij, do të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit në futjen e armëve në Kishë, si dhe disa priftërinj të tjerë, të cilët më vonë janë penduar e, falur nga eprorët e kishës. Sipas Gjolajt, detyrat dhe përfitimet e secilit, ishin të ndara: një pjesë ishin spiunë; një pjesë agjitatorë dhe bërtitës në salla gjyqesh kundër klerit; një pjesë përvetësuan veprat shkencore nga arkivat e kishave dhe u doktoruan, me studimet e Justin Rrotës, p.sh.; një pjesë ishin të pabesë me miqtë; një pjesë i kanë lyer duart me gjak, duke torturuar për vdekje, duke gjymtuar këmbë, duke ngulur gozhdë në kafka, apo duke ekzekutuar të pafajshëm; një pjesë ndërmerrnin hetime, ngrinin akuza dhe nënshkruanin mandate vdekjeje; një pjesë ishin ordinerë, hajdutë, kriminelë, përdhunues; një pjesë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
(Marrë nga “Zemra Shqiptare”, 14.10.2007)