Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ Historia e panjohur e botimit ilegal të “Lahuta e Malcisë”, me paratë që austro-hungarezët i kishin dhënë Faik Konicës, për librin e Filip Shirokës e ndihma e At Pashko Bardhit, si dhe personalitetet e njohura, që dërguan telegrame ngushëllimi apo morën pjesë në varrimin e “Këngëtarit t’Lahutës”, si; Prof. Eqerem Çabej, Zenel Prodani, Spiro Vinjau, Muharrem Bajraktari, Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Karl Gurakuqi, Frano Alkaj, Mihal Bellkameni, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Hafiz Murati etj
Në fundin e nëntorit të vitit 2002, në kuadrin e 90-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, dekoroi me medaljen e artë “Nderi i Kombit”, Padër Gjergj Fishtën, njërin prej figurave e personaliteteve më të shquara të historisë së Shqipërisë, i cili gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ishte shpallur armik e reaksionar dhe gjithashtu vepra e tij, ishte e ndaluar që në vitet e para të pasluftës. Vlen për t’u përshëndetur ajo nismë e Presidentit Moisiu, për të rivlerësuar dhe për të vënë në vendin që u takon, shumë prej personaliteteve të fushave të ndryshme të historisë së Shqipërisë, të cilët gjatë periudhës së regjimit komunist, jo vetëm që u lanë në harresë, por u denigruan dhe u poshtëruan në mënyrën më të paskrupullt nga politika dhe propaganda e atij regjimi. Dekorata e Presidentit Moisiu e akorduar për Fishtën, i bashkëngjitet atyre që kleriku, poeti, shkrimtari, politikani dhe publicisti i madh, pati marrë nga Greqia, Turqia, Austro-Hungaria dhe Italia.
“Si vetimë u përhap an’e kand të Shqipnisë, lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjegj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë”, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fist tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë”. Këto fjalë pothuajse të panjohura deri më sot, janë ato të Prof. Dr. Aleksandër Xhuvanit, njërit prej lëvruesve më të shquar të gjuhës shqipe, të mbajtura në ceremoninë mortore të varrimit të poetit të madh, Padër Gjergj Fishta, në qytetin e Shkodrës. Ndonëse Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani, gjatë viteve të regjimit komunist, për shumë kohë ishte i zgjedhur në funksionin e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë edhe pse ai gjatë atyre viteve, ishte një njeri shumë nderuar dhe i respektuar për punën e tij të madhe në fushën e gjuhësisë. Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të Poetit Kombëtar, Padër Gjergj Fishtës, nuk e pa kurrë dritën e botimit, pasi siç dihet, Fishta dhe vepra e tij, u ndaluan që në vitet e para të pasluftës. Çfarë ka thënë tjetër Prof. Aleksandër Xhuvani, në atë fjalim që nuk është bërë asnjëherë publik, që nga ajo kohë dhe kush ishin personalitetet e tjera të politikës e artit, që morën pjesë apo dërguan telegrame ngushëllimi në varrimin e tij? Lidhur me këtë bën fjalë shkrimi i mëposhtëm.
Pagëzimi i Fishtës nga De Martino
Gjergj Fishta u lind më 23 tetor të vitit 1871, në katundin Fishtë të zonës së Zadrimës dhe ishte i biri i Ndokës së Simon Ndocit e i zonjës Prenda, të Lazër Kuçit. Pas lindjes së tij, të dy prindërit që ishin besimtarë të më mëdhenj, e dërguan në kishë, për ta pagëzuar ashtu si ishin ritet fetare të katolikëve. Ai fëmijë i porsalindur pati fatin që të pagëzohej nga Padër Leonardo De Martino, i cili përveçse detyrës së meshtarit që e kreu deri në fund të jetës së tij, është tepër i njohur edhe si një nga poetët e shkrimtarët më të famshëm të arbëreshëve të Italisë. Padër Leonardo De Martino, e pagëzoi atë fëmijë të vogël me emrin Zef, i cili ishte dhe emri i tij i vërtetë, deri në periudhën që ai u dorëzua si prift dhe mori emrin “Gjergj”.
Mësimet e para Fishta, i mori në Kolegjin e Troshanit i cili në atë kohë ishte një nga më të njohurit, jo vetëm në atë trevë të Shqipërisë Veriore, por edhe në Ballkan, për faktin se ai ishte direkt nën administrimin e kujdesin e Vatikanit dhe aty jepnin mësime, disa nga klerikët më të famshëm katolikë, të ardhur enkas nga Italia. Pasi përfundoi mësimet në Kolegjin e Troshanit, ku Fishta u dallue për inteligjencën e tij natyrore të rrallë, ai u mor nga pedagogët e tij (fretërit françeskan) dhe u dërgua për të ndjekur më tej studimet, në fushën e teologjisë në Bosnjë, të ish-Jugosllavisë, e cila në atë kohë ishte krahinë e perandorisë Austro-Hungareze.
Pas diplomimit në atë Kolegj Françeskan, ai u kthye në Shqipëri dhe u caktua si meshtar, në fshatrat e Lezhës, ku dha meshën e parë, më 25 shkurt të vitit 1894. Në zonën e Lezhës e cila asokohe ishte nën administrimin e Prefekturës së Shkodrës, Fishta ,shërbeu si meshtar për disa vite dhe më pas u caktua edhe në disa fshatra të tjerë si Gomsiqe të Pukës dhe në krahinën e Hotit, në zonën e Mbi-Shkodrës. Në vitin 1902, Gjergj Fishta, u emërua me detyrën e drejtorit të kolegjeve françeskane, të qytetit të Shkodrës. Punën e parë që bëri në ato shkolla, ishte futja e gjuhës shqipe, në të gjitha lëndët mësimore. Nisur nga puna e madhe që bëri Fishta, në ato vite për përhapjen e gjuhës shqipe, në vitin 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit, që caktoi dhe alfabetin e Gjuhës Shqipe, ai u zgjodh në mënyrë unanime, nga të gjithë delegatët e tij, si Kryetar i Komisionit, të atij Kongresi. Në vitet që vijuan më pas, Padër Gjergj Fishta, themeloi revistën “Hylli i Dritës”, të cilën e nxori për herë të parë në vitin 1913-të, e cila vazhdoi më pas deri në vitin 1944, kur u mbyll nga komunistët që erdhën në pushtet.
Nga viti 1916-të e deri në vitin 1918-të, Padër Gjergj Fishta, drejtoi edhe gazetën “Posta e Shqypnisë” dhe vazhdoi të ishte anëtar i rregullt i Shoqërisë Letrare “Bashkimi” me qendër në Shkodër, e cila ishte themeluar që në vitin 1899. Në vitet e pas shpalljes së Pavarësisë, Padër Gjergj Fishta, iu kushtua edhe politikës. Në vitin 1919-të, kur u mbajt Konferenca e Paqes në Paris, ai dërgua si anëtar i një prej delegacioneve shqiptare, që mori pjesë me të drejta të plota në atë mbledhje, ku morën pjesë shumë delegacione nga vende të ndryshme të Botës. Në vitin 1921, në zgjedhjet e para parlamentare, Padër Gjergj Fishta, u zgjodh deputet i Prefekturës së Shkodrës dhe pak kohë më vonë u zgjodh edhe nënkryetar i Parlamentit. Nisur nga ai funksion që mbante, Fishta u dërgua si përfaqësues i Shqipërisë, në konferencat ndërballkanike që u zhvilluan në Athinë, Stamboll e Bukuresht. Po kështu në vitin 1932, ai bëri një udhëtim të gjatë, prej disa javësh në SHBA-së, ku mori takime me mërgatën shqiptare, që ishte vendosur aty dhe shumë prej personaliteteve të saj.
Konica sponsorizoi “Lahutën e Malcisë”
Vepra madhore e Padër Gjergj Fishtës. “Lahuta e Malcisë” e filloi botimin e saj si fillim, që në vitin 1905 me një vëllim të vogël me titull, “Te ura e Rrazhnicës”, i cili u shtyp nga shtypshkronja “Vitalini” në Zarë të Dalmacisë. Botimi i atij libri të vogël, në formë broshure u bë i mundur, vetëm në sajë të Faik Konicës, i cili i dërgoi Fishtës, 100 franga ari, që ia kishte dhënë Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë, për botimin e një libri të poetit shkodran, Filip Shiroka. Duke qenë se në atë kohë që u dhanë ato para, Filip Shiroka, nuk e kishte përgatitur akoma librin për botim e nëse nuk kishte ndonjë vepër tjetër, për t’u botuar në gjuhën shqipe, ishte vënë kusht që paret duhej të ktheheshin. Në atë kohë Faik Konica, në një letër që i dërgoi Padër Pashko Bardhit, të cilin e kishte bashkëpunëtor të revistës “Albania”, e pyeste nëse Shoqëria Letrare “Bashkimi”, kishte ndonjë vepër për botim dhe Pashko Bardhi, menjëherë e rekomandoi botimin e vëllimit të Fishtës, të titulluar “Te ura e Rrazhnicës”. Pas kësaj Faik Konica, i dërgoi paratë me postë dhe libri u botua në mënyrë ilegale, pasi në atë kohë ishte e ndaluar me ligj, që në tokat që ishin nën adminstrimin e Austro-Hungarisë, të botoheshin libra në gjuhën shqipe.
Botimi i librit, u bë i mundur në saj të Padër Pashko Bardhit, i cili shkoi tek Ministri Fuqiplotë i Austro-Hungarisë, në Dalmaci dhe iu lut që të gjendej ndonjë mënyrë për botimin e librit të Fishtës. Pasi e dëgjoi deri në fund, Minisitri austro-hungarez, i tha Pashko Bardhit, që emrin e autorit të mos e vinin në faqen e parë të librit, por në faqen e fundit dhe përpara se të shpërndahej libri, faqja e fundit të shkëputej që andej dhe vetëm ashtu mund t’i shpëtonte ndëshkimit ligjor. Në këtë mënyrë, u bë shtypja e atij libri në vitin 1905 dhe në të gjitha kopjet e atij botimi, ku disa ekzemplarë ruhen ende dhe sot, nuk figuron fare emri i autorit, Gjergj Fishtës.
Ribotimet e “Lahutës”
“Lahuta e Malcisë” që është dhe vepra kryesore e Padër Gjergj Fishtës, është një vëllim me 30 këngë, e cila u botua e plotë, vetëm në vitin 1937. Pas botimi ajo vepër pati një jehonë të madhe dhe nga kërkesat e shumta që iu bënë, Fishta u detyra dhe e ribotoi atë në vitin 1939. Pas këtyre dy botimeve, “Lahuta e Malcisë” u ribotua përsëri në vitin 1958, në diasporën shqiptare, duke u përgatitur nga At Daniel Gjeçaj, në bashkëpunim me Prof. Martin Camajn dhe Dr. Petro Vuçanin. Ai ribotim kishte rreth 700 faqe, sepse ishte i paisur edhe me shpjegime dhe komente të ndryshme. Përveç “Lahutës”, që konsiderohet si një nga veprat më madhore dhe më të arrira të tij, Padër Gjergj Fishta, shkroi edhe rreth 30 vepra të tjera, ku më të spikaturat janë: “Vallja e Parrizit”, “Mrizi i Zanave”, “Anzat e Parnasit”, “Gomari i Babatasit”, “Jerina” etj.
Përveç këtyre veprave, Fishta, bashkëpunoi ngushtë duke shkruar në të gjithë shtypin shqiptar të asaj kohe, që nga “Albania” e Faik Konicës, te “Kalendari” i Mit’hat Frashërit, në “Hylli i Dritës” dhe në të gjitha revistat letrare shqiptare. Asokohe Padër Gjergj Fishta, konsiderohej si një nga polemistët më të spikatur dhe ndër polemikat e tij, mbahet mënd ajo me titull “Gabove Hilë”, në të cilën ai polemizonte me Ministrin e Arsimit, Hil Mosi, lidhur me mbylljen e shkollave private në Shqipëri. Ai artikull asokohe bëri një bujë të madhe, në të gjithë vendin dhe i gjithë shtypi shqiptar e komentoi gjatë atë.
Ceremonia e varrimit të Fishtës
Padër Gjergj Fishta u nda nga jeta më 29 dhjetor të vitit 1940-të, në spitalin civil të qytetit të Shkodrës, ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkërive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë, në kishën Françeskane të Gjuhadolit, ku morën pjesë me mijra e mijra vetë nga populli i Shkodrës, midis të cilëve dhe ajka e intelektualëve shqiptarë dhe përfaqësues nga të gjitha shkollat e vendit. Në mes shumë fjalimeve që u mbajtën në ceremoninë mortore të varrimit të tij e cila u bë në shkallët e godinës së Postës që qytetit, erdhën dhe shumë telegrame, ku midis tyre ishin ato të Prof. Eqerem Çabejt, Zenel Prodanit, Spiro Vinjaut, Muharrem Bajraktarit, Rexhep Mitrovicës, Bahri Omarit, Karl Gurakuqit, Frano Alkajt, Mihal Bellkamenit, Lasgush Poradecit, Ernest Koliqit dhe Hafiz Muratit. Fjala e fundit në atë ceremoni madhështore, u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani, që ishte një nga miqtë më të ngushtë të Fishtës, e cila ka qenë pothuajse e panjohur dhe nuk e pati parë kurrë dritën e botimit.
Fjalimi i Aleksandër Xhuvanit mbi varrin e Gjergj Fishtës
Për të krijuar idenë e oratorisë së Aleksandër Xhuvanit, mjafton të kujtojmë fjalimin e tij, mbi varrin e Atë Gjergj Fishtës. Kjo vlen gjithashtu, për të treguar qartë, vlerësimin e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht të Këngëtarit të Lahutës. Për këtë arsye, nuk e kemi prekur origjinalin, në mënyrë që të njihemi edhe me trajtesat gjuhësore të asaj kohe:
“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë, lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë”, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera, kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lëvrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave, shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali, ka zbutë e ka edukue zemrën e saj“. Kjo ishte një pjesë nga fjalimi i prof. Xhuvanit mbi varrin e poetit tonë, Gjergj Fishta./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016