Nga Fahri Dahri
Memorie.al / Plot 111 vite më parë, Paramëthinë e pushtoi “dragoi” – gjarpri mitik. Ishte 23 shkurt (Flevar) i vitit 1913, kur “Azdërhalli”(¹) shqeu nofullat dhe nxori dhëmbët e helmatisura; u armatos me mjetet luftarake të kohës dhe u zvarrit nëpër nahinë e Paramëthisë, për të kryer aktin barbar, duke përdorur pushkët, kondakët e pushkëve, sëpatat dhe mjete të tjera goditëse, ndaj parisë së 13 katundeve të Thesprotisë. Po, kjo është e vërtetë!. Sipas dëshmive të mbrritura gojë më gojë dhe dosjes Nr. 23, dok. 17, nr. 61, Janinë 11. 8. 1913, të Arkivit Shtetëror të Vjenës (Austri)) për Shqipërinë, në fillim të vitit 1913, nisi të vihej në fuqi një plan djallëzor i forcave shoviniste greke (kisha-shtet), për shfarosjen e popullsisë etnike shqiptare të besimit mysliman, të rajonit të Çamërisë.
Shanset historike përafruan dhe mundësuan strategjitë ekspansioniste në favor të shtrirjes së helenizmit edhe në territorin etinik shqiptar të Çamërisë. Faktorë kryesorë dhe të paramenduar, që ndihmuan në ndërrimin demografik, fillimisht në qytetin e Paramëthisë, ishin lëvizjet e popullsisë, me fillesë nga mesi i shekullit XIX-të e, në vazhdim. Prurjet e popullsive të etnive jo shqiptare, në rajonin e Çamërisë, ku ndodhën masakrat dhe gjenocidi ortodoks grek, e dobësuan elitën myslimane dhe çuan në helenizimin gradual të qyteteve me shumicë shqiptare në zonë.
Ndërrimi i strukturës demografike nga shqiptaro-greke, që ishte para vitit 1920, në greko-shqiptare, ndodhi kryesisht në qytetin e Paramëthisë. Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike (1912-1913), si gjithë rajoni i Çamërisë, edhe qyteti i Paramëthisë, u bë pjesë e shtetit grek. Në atë situate gjeo-politike, shteti grek filloi zbatimin e strategjisë famëkeqe të “Megalloidesë”.
Gjatë periudhës ndërluftuese (Italo-gjermane, me shtetin Grek), Paramëthia ishte një qendër me banorë autoktonë të etnisë shqiptare, në zonën e Çamërisë.
Por sipas strategjive në ndërhyrjet demografike, fillimisht në qytetin e Paramëthisë, pas vitit 1939, ndryshoi pesha specifike e banorëve, në rritje të greko-folësve. Në kohën e okupimit të Greqisë nga “Boshti” (1941-1944) qyteti i Paramëthisë, kishte një popullsi prej rreth 6.000 banorë, prej të cilëve 3.000 banorë ishin të kombësisë greke dhe 3.000 banorë çamë. të etnisë shqiptare. Pothuajse të gjitha ndërtesat e banuara nga shqiptarët myslimanë, në qytet u shkatërruan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më 23 shkurt 1913, banda e Deli Janaqit e përbërë prej 200 andartëve, të ndihmuar edhe nga autoritetet lokale të kombësisë greke, u shpërndanë në të 13 katundet e nahisë së Paramëthis dhe filluan të grumbullojnë një nga një, të gjithë personat që i kishin të shënuar në listat paraprake. Ata shkonin derë më derë, merrnin personin që kishte emrin në listë, duke i porositur “të visheshin bukur, se i kërkonte qeveria, për t’i caktuar muhtarë (kryepleq) të katundeve me banorë çamë”.
Në të vërtetë aksioni ishte një mashtrim, mbasi ata u dërguan në ngushticën e një përroi, nga ku nuk mund të dëgjoheshin krismat e dyfeqeve, të thirrurat që dilnin nga dhimbjet e goditjeve me hanxharë, sopata dhe mjete te tjera goditëse. Atje, tek Prroi i Selanit, në afërsi të qytetit të Paramëthisë, u vranë 72 burra, paria e 13 katundeve.
Masakra e Selanit, paralajmëronte gjenocidin në vazhdim. Egërsia, mjetet që u përdorën kundër asaj parësie, duke i copëtuar me thika, sopata e hanxharë, lënia pa i varrosur me ditë të tëra, synonte të trembte dhe të ngjallte panik që popullsia çame e besimit mysliman, për të braktisur gjithçka dhe të merrte rrugën e mërgimit.
Veprime këto që nuk reshtën që nga ajo ditë e, deri në 5 mars të vitit 1945, vite ku gradualisht rajoni u zbraz nga banorët e saj autoktonë dhe u mbush me popullsi të etnive të tjera, por të besimit ortodoks. (Dhe me paturpësi, vazhdojnë të çirren me sajesën “bashkëpunëtorë me okupatorin”!? Kur masakrat greke ndaj atyre banorëve, ishin të pandërprera mbi 30 vjet përpara okupimit italo-gjerman!?).
Në strategjinë greke të helenizimit të Epirit, ishte parashikuar fillimisht shfarosja e krerëve më të shquar (notevole) të katundeve të krahinës etnike shqiptare të Çamërisë. Në grupin e parë të grumbullimit, ishin burrat e katundeve; Nihuar, Skupicë, Rrëzanj, Bedelen dhe Dramës. Mbas këtyre, vazhdoi grumbullimi i burrave të tetë katundeve të tjera të nahisë së Paramëthisë. Grumbullimi i burrave i veçuar (grupe-grupe), lehtësonte punën e “grumbulluesve” dhe siguronte andartët, nga ndonjë mundësi kundërsulmi.
Sipas të dhënave që disponojmë, përzgjedhja e parisë së çamëve, u shtri në 13 katunde, kryesisht në qytetin e Paramëthisë dhe katundet në rrethinat e saj. U veçua kjo nahi, për efekt të sigurisë, mbasi siç e trajtuam më sipër, në këtë qytet ishte formuar dhe forcuar baza demografike, ishte ulur numuri i banorëve çamë dhe rritur numuri i banorëve të kombësisë greke.
Katundet dhe numuri i parisë së përzgjedhur për t’u vrarë, therur dhe copëtuar, ishin: Në qytetin e Paramëthisë 5 veta; në katundet: Petrovicë 1; Vrisi 4; Nikolicë 9 veta; Nikohor 20 veta; Mininë (Neraida) 29 veta; në Shën Mëriz 4; në Rrëzanj (Risian) 14 veta; në Bedelen 7; në Skupicë 10 veta; në Vratilë 4; në katundin Grikë, 3 veta dhe në katundin Dramës, 16 veta.
Gjithsej ishin thirrur dhe grumbulluar 126 burra, nga Nahija e Paramëthisë. Nga këta, u vranë me batare pushkësh, u therën dhe u copëtuan me hanxharë e sopata, 72 veta, të tjerët në mënyra të ndryshme, arritën të shpëtonin nga vrasjet e burgaxhinjëve dhe andartëve kretanë, të kapitenit Deli Janaqi.
Në një bisedë me disa dramsiotë, në fshatin Çermë-Biçak të Lushnjës, aty nga viti 1955, në kujtim të atyre 72 martirëve, që jetën u a morën andartët grekë, duke i mashtruar se do të takoheshin me komandën, për tu njohur nga qeveria greke si “muhtarë” në katundet e tyre, Nevruz Binozi (Dalani), nipi i Dalan Binozit, i cili u vra bashkë me shokët e tjerë në “Prroin e Selanit”, në afërsi të qytetit të Paramëthisë, solli në kujtesë, fjalën e mbajtur nga gjyshi i tij, në çastet kur po i çonin në grykën e ngushtë të Selanit.
Dalan Binozi u thotë andartëve: “Ne e kuptuam se ju po na çoni për të na vrarë, por dijeni se Çamërisë, nuk do t’i mungojnë burrat edhe pas vrasjes sonë”. Dhe mbas pak, si arritën tek vendi i caktuar, u dha urdhri “zjarr”. Të shtënat e dyfeqeve, vringëllimat e sopatave si dhe britmat e dhimbjeve, oshtinë në atë vend, në atë ditë, sipas dëshmitarëve britmat e dhimbjeve vazhduan disa ditë.
Mbasi i vranë dhe i copëtuar edhe pse disa trupa nuk kishin vdekur, “trimat” e Deli Janaqit, shpejtuan t’i rrjepin duke u zhvatur gjithçka që kishin marrë me vete, para, sende me vlerë, stoli dhe veshje të shtrenjta që ishin përzgjedhur, sepse do të shkonin të paraqiteshin para kapedanëve.
Pabesia dhe mashtrimi grek, nuk u arrit të pikasej, ata nuk e menduan se ishin para kurtheve vrasëse të shtetit ortodoks grek. Ata ishin përzgjedhur për tu ekzekutuar pa asnjë vendim gjyqi, pa asnjë lloj faji, por për faktin se ishin pari e fshatrave të tyre, të pasur dhe me etni të pastër shqiptare.
Ndaj kësaj barbarie, autoritetet greke, jo vetëm nuk reaguan, por i morën në mbrojtje kriminelët, sepse qeveria i kishte dërguar vetë, për të kryer atë mision të posaçëm çnjerëzor. Fakti se vrasja ishte vendim qeveritar, rezulton edhe nga një raport i bërë për atë tragjedi, prej Konsullit Austro-Hungarez në Janinë, i cili i shkruan Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vjenës:
“Një oficer që u dërgua nga gjykata ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar, konstatoi faktin e kryer sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e ngjarjes, edhe pse bejlerët e vrarë, qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve”.
Prerja në besë, mashtrimi dhe mos dënimi i atyre që kryejnë vepra të rënda kriminale, janë metoda dhe mjete që përdoren nga të pabesët, frikacakët dhe mercenarët dhe, kur këto sjellje nuk trajtohen nga shteti, si në rastin konkret, tregojnë se ai shtet është i kalbur, frikacak dhe i mbërthyer keqas nga një hallkë tjetër çnjerëzore, që nuk lidhet aspak me asnjë besim fetar, por është një strukturë organizative monster, që herët a vonë, do të digjet në zjarrin e “Ferrit” të vërtetë, por jo në atë të Dante Aligerit.
Tragjedia e 72 petritëve të Thesprotisë, ishte një sinjal ndjellkeqës, për një të ardhme të pamundur të banorëve të fisit çam të etnisë shqiptare, në vendin e tyre autokton dhe një shfaqje e sjelljes greke, si “shpërblim i së keqes”, të vendimeve famëkeqe që po përgatiteshin në tavolinat e Fuqive të Mëdha. Vendime, që siç kanë deklaruar edhe ata vetë, do të dëmtonin popujt edhe për 100 vjet.
Gjëma e atyre “firmave”, ranë mbi popujt, dëmtuan sidomos interesat e popujve të vegjël dhe paqësor, kryesisht kombin shqiptar, duke favorizuar shtetet që edhe sot me forma të ndryshme, të kamufluara vringëllojnë çdo lloj armësh për vrasjen e fëmijëve, femrave, të sëmurëve dhe pleqve. Qëndrimet reale të këtyre shteteve dallohen dhe kuptohen pikërisht në të qenurit “Anti Krisht”, por mashtrojnë popujt me demagogji, duke u fshehur mbas predikimeve të Krishtit.
Ky shkrim i dedikohet 72 burrave çamë, që u vranë dhe u copëtuan nga dora gjakatare ortodokse greke 111 vite më parë. Ata burra ranë për të mos u harruar kurrë, mbasi flijimi i jetës së tyre mbetet në memorien e shoqërisë, për të treguar krahas egërsisë çnjerëzore të shtetit dhe institucioneve fetare greke, edhe pasojat e rënda që sjellin mos mbajtja e drejtë e ekuilibrave në trajtimin e interesave të popujve nga Fuqitë e Mëdha, pavarësisht nga etnia, reca, besimi fetar dhe origjina.
Një lapidar për 72 burra fisnikë, të drejtë dhe të pafajshëm, veç ruajtjes së memories, rrit vlerat shtetërore dhe mban lart ndërgjegjen kombëtare. Ata u vranë dhe u torturuan për të qenë gjithmonë pranë nesh, duke na kujtuar dhe rritur në vazhdimësi “Vigjilencën” dhe “Unitetin” mes nesh, pa harruar fytyrat e vërteta të shteteve fqinjë, të cilët si egërsirat presin errësirat gjeo-politike për të kapërcyer gjerdhet. Memorie.al