Nga Tomë Mrijaj
New York
Pjesa e parë
Memorie.al / Sikurse shumë patriot të spikatur, që i mbuloi pluhuri i harresës, i njëjti fat ndoqi burrin dhe atdhedashësin e paharruar, kapiten Gjon Destanishën. Ai u ekzekutua në mënyrë barbare nga forcat e sigurimit të UDB – së jugosllave, në oborrin e Burgut të Prishtinës. Që nga ajo ditë deri më sot, nuk dihet se ku prehen eshtrat e martirit të shqiptarizmës dhe anti-komunizmit në Shqipëri, e Kosovë. Eshtrat në varrin e tij, flasin për vrasje të njëpasnjëshme, që ndodhën atë ditë, kur plumbat e mitralozave serbe, i morën jetën nacionalistit zogist, ushtarakut të karrierës, Kapiten Gjon Destanishtës (1900 – 1951).
Në Kosovë dhe Shqipëri, për fat të keq, heshtja që mbetet një vrastare e kohës moderne, më bëri të mbledh copat e shpërndara të jetës dhe veprës nacionaliste të atdhedashësit shkodran, kapiten Gjon Destanisha, përmes gojëdhënave, burimeve historike të shumë dekadave më parë, ndonjë dëshmitari ose dorëshkrimi, që kam mundur të gjej, gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta në vendlindje dhe Shkodër.
Nuk pretendoj, se do të zbardh shumëçka mbi këtë personalitet të harruar me qëllim. Ndoshta ky është “qiriu” i dytë, mbas asaj të fëmijëve të tij, që po përpiqem të ndez, për shpirtin e tij të pastër, pa patur mundësi ta vë atë mbi martirin e pa-varr…!
Vatra e ngrohtë atdhetare, ku lindi e u rrit nacionalisti
Kapiten Gjon Destanisha, u lind më 13 mars 1900, në Shalë të Dukagjinit, në lagjen Gimaj. Kjo trevë, historikisht, ka qenë vatër e rëndësishme e luftës kundër pushtuesve turq, ndër shekuj. Për Gimajt e Shalës së Dukagjinit, kanë shkruar shumë herë udhëtarë të huaj, misionarë klerikë, dijetarë vendas dhe të huaj, albanolog dhe studiuesit e ditëve tona, duke nxjerrë në pah historinë e përgjakshme, ndër luftëra dhe beteja të shpeshta, që trimat e zonës kanë zhvilluar, kundër synimeve të shovinistëve fqinjë e ushtrive pushtuesve.
Ata ishin trima, që iu bashkuan kryengritjeve të herë pas hershme të malësorëve, për liri, flamur dhe fenë e të parëve. Midis tyre, ka luftëtarë që morën pjesë në luftë me armë në dorë, në ndihmë të kryengritjes së trimit të lirisë e flamurit, Dedë Gjon Lulit, më 6 prill 1911, që ka mbetur e gdhendur në analet e historisë, si beteja e famshme në “Istikamin e Deçiqit”.
Kjo krahinë, ka qenë tepër e njohur, për vlerat e larta të traditave shqiptare, të cilat, i ruajtën dhe përcollën brez pas brezi, nëpër odat e kuvendet e burrave, ku këndoheshin këngët e trimave për liri dhe gatuheshin mendime përparimtare, për të ardhmen e trevës e Malësisë në tërësi.
Në këto kulla të moçme shqiptare prej gurit plot frëngji, u lëkund në djep Gjoni i vogël. Babai i tij, Lulash Nresi, kishte shtatë fëmijë, nga të cilët, pesë djem dhe dy vajza. Gjoni i vogël ishte fëmija i tretë. Jeta e tyre ekonomike, ishte e thjeshtë. Ata jetonin me bujqësi dhe blegtori, karakteristikë kjo për pjesën më të madhe të Malësisë.
Në moshë të re, i vdesin prindërit dhe e gjithë familja me shumë fëmijë të vegjël, mbesin nën përkujdesin e vëllait të madh, Pjetër Lulashit, i cili, më vonë vritet heroikisht në luftë kundër trupave shoviniste serbo – malazeze. Pjetri, iu bashkua idealeve atdhedashëse, që pritën me breshërinë e flakët të zjarrit, nga i pari i djelmnisë së Shalës, trimi i mirënjohur, Mehmet Shpendi.
Asokohe për Pjetrin e ri, ishte e vështirë të merrte ne dorë frenat e drejtimit të familjes së madhe. Por falë përkujdesit, që kishin treguar prindërit e tij, duke e mbajtur gjithnjë pranë dhe përfaqësuar ato në shumë kuvende, gëzime e hidhërime, ai tashmë ishte burrëruar para kohe dhe me gjoks, përballoi këtë detyrë familjare dhe fisnike, që ia ngarkoi Zoti e familja, deri në ditët e fundit, kur ai dha jetën për lirinë e Shqipërisë.
Pjetër Lulashi, sot përmendet në vendin e tij me shumë respekt, sepse ruajti me nder e dinjitet emrin e mirë, që gëzonte familja e tij, në luftërat kundër turqve dhe shovinistëve serbo – malazez, duke ngjyrosur me gjakun e vet atdhedashurinë për tokat e shtrenjta shqiptare. Mbi të gjitha, tek ai spikat luftëtari me virtytet tipike shqiptare, si; guximi, vendosmëria, për t’a çuar luftën deri në fund, bujaria, zemërgjerësia për mikun dhe njeriun në nevojë, pushkë e ngrehur përherë për armikun, fjalë pak dhe i urtë në kuvendet e burrave. Dëshmori i lirisë, në odat e burrave të malësisë, fliste saktë dhe me efektivitet në kohën e vendin e duhur.
Vdekja e vëllait të madh Pjetrit, ishte një humbje tjetër e papritur për familjen Destanisha, të cilët, Zoti i kishte vënë në provë, për të përballuar rreziqe e vështirësi të tjera në jetë. Duke pasur kushte të vështira ekonomike në vendlindje dhe për një jetë më të sigurt ekonomike, familja Destanisha, me fëmijët e brishtë, motrat e vëllezërit jetimë, marrin udhën drejt qytetit të lashtë të Shkodrës, duke marrë me vete nga vendlindja, shumë pak sende të nevojshme dhe pushkët me çifteli. Të afërmit e tyre në qytetin e Shkodrës, bëhen streha e ngrohtë e fëmijëve dhe të rinjve të brishtë, duke ju ndihmuar me sa kishin mundësi.
Gjoni i ri, qysh në ditët e para të shkollimit, bie në sy të mësuesve të tij, për zgjuarsinë që i kishte falë Zoti e natyra. Në shkollën fillore katolike në Shkodër, Gjoni po bënte përparime në mësime. Për këtë, ai kishte rënë në sy të mirë tek eprorët dhe mësuesit e njohur klerikë, të cilët, bëjnë të gjithë përpjekjet, që atij të mos i ndërpriten vitet e shkollimit pranë tyre. Ata kishin parë tek ky fëmijë, malësorin tipik, me cilësinë e krenarisë, zgjuarsisë, butësinë dhe dashurinë kristiane, për bashkëmoshatarët, etj.
Gjoni, mbasi mbaron shkollën pranë Kuvendit Françeskan në qytet, me rezultate shumë të larta, regjistrohet në një shkollë, që asokohe ishte hapur nga gjermanët dhe quhej “Shkolla e Ulët”. Këtu, ai kishte rastin e mirë, të merrte dije bashkëkohore perëndimore, të mësonte gjuhë të huaj, krahas atyre që kishte mësuar në shkollat private katolike në Shkodër. Gjermanishtja, ishte një gjuhë që e tërhiqte shumë dhe spikat në krye të klasës, për rezultatet më të mira në mësimin e gjermanishtes, krahas lëndëve të tjera, që zhvilloheshin në atë shkollë.
Më ardhjen e trupave austro – hungareze në Veri të Shqipërisë, Gjoni do të gjente punë si përkthyes i gjermanishtes, duke patur mundësi me rrogën e mirë që merrte ,të rregullonte jetën e dobët ekonomike të familjes së tij, me shumë vëllezër e motra. Sërish në shkollë. Kësaj radhë i riu Destanisha, me një kulturë gjithnjë të konsoliduar, do t’i jepte jetë realizimit të ëndrrës së tij, për të qenë një ushtarak në shërbim të popullit të tij që e donte dhe respektonte përherë.
Kështu ai do të ndiqte një kurs ushtarak 2 – vjeçarë, në Vjenë të Austrisë. Mbas përfundimit të studimeve, kthehet në Shqipëri. Si ushtarak nga qeveritë e kohës, caktohet në shumë krahina e qytete të Shqipërisë, duke ruajtur me nder e lavdi karrierën e vet ushtarake. Ai shërbeu si komandant në Xhandarmërinë, në Veri e Jug të Shqipërisë. Për një kohë e shohim, sipas burimeve historike, komandant në Shën Pal të Mirditës.
Kapiten Gjoni, mik i Derës së Kapedanëve të Mirditës
Ja sesi e përshkruan Kapedani i Mirditës, nacionalisti i madh Ndue Gjon Marku, mbi 90 vjeç, me banim në New York: “Kapiten Gjon Destanisha, ishte ndihmës-komandant Xhandarmërie, në Sh’Pal të Mirditës (në nënprefekturën e Mirditës asokohe, shënimi im T.M.).
Ishte nji simpatizues i Gjon Marka Gjonit, aq sa për të kenë në kontakt të përditshëm, me Kapidan Gjonin, del me familjen e tij për verim, në Malin e Shejt. Ata zhvillonin biseda të gjata mes njeni tjetrit. Kapiten Gjon Destanisha, kishte kumari me Preng Gjergj Keçin në Krë (Lura e Poshtme, shënimi im T.M.) e dëshira e zjarrtë e tij, ishte me shkue në Krë, në shtëpi të kumares.
Këtë dëshirë, ia rrëfen Gjon Marka Gjonit, i cili, e njohu ma s’miri me situatën e atyne ditëve, prandaj ruhej mos me shkaktue paknaqsina me regjimin e kohës. Ai ishte i urtë, i matun në gjykim e i holl në interpretimin e situatës mjaft delikate të regjimit.
Ai mundohej me qëndrue sa ma larg çdo komprometimi, që mund t’i sillte ndonjë telashe politike. Kapidan Gjoni, e porosit Kapiten Gjon Destanishten, që të mos shkoj në Lurë, sepse Qeveria, ka me mendue, se të kam çue unë, me ba propagandë antiqeveritare ndaj Monarkisë, mbasi diheshin marrëdhëniet tona me Mbretin asokohe.
Por mbas insistimeve të shumta të Gjon Destanishës, ia nep pëlqimin, e kështu të nesërmen, s’bashku me vllaun tim (Dr. Mark Gjomarku dhe unë, Ndue Gjon Marku, shënimi im T.M.), vëllain e tij, Mark Destanishën dhe me dhetë vetë të armatosun, u nisëm për Krë, në shpinë e Preng Gjergj Keçit. Aty u pritem me shumë përzemërsi, nga kjo familje me tradita e zakone bujare shqiptare. Prej aty shkojmë tek Brahim Gjoçi, për drekë. Nga aty, u caktue me shkue në Lurë t’Eperme. Ky ishte nji hap i papëlqyeshëm për babën (Kapidan Gjon Mark Gjonin, shënim im T.M), i cili, parashihte konsekuenca politike…”!
Dhe Kapidani Ndue Gjon Marku, kujton vijimin e rrugës së Kapiten Gjon Destanishës me shokë: “Ata vazhduen rrugën në Lurë t’Eperme, tek shpija e Gjon Doçit, që ishte ma e para shpi në Lurë. Prej Gjon Doçit, tek Bajraktari i Lurës, Selman Mema e, prej aty, drejt e tek shpija e Dalip Kacit.
Prej Lurës s’Eperme, u kthyem në Krë, tek konaku i Dedë Kaçorrit, për darkë. Të nesërmen, sa ishim tuj shijue rrezet e diellit të parë që sapo kishin ra në oborr, mberrini lajmëtari Marka Kolë Ndreu, i dërguem posaçërisht prej Gjon Marka Gjonit, me porosi (mesazh), se duhet me u nis menjëherë, për Malin e Shejt.
Gjon Destanisha, i anulon të gjitha planet, që kishte ba ma parë dhe kthehet menjëherë tek Kapidan Gjon Marka Gjoni. Ai i thotë Kapiten Gjon Destanishes; ‘Unë kam mendue, se ju do të qëndroni vetëm në Krë, e jo me dalë në Lurë t’Epërme, sepse qeveria, ka mendue monarku, se ju kam çue unë me ba propagandë antiqeveritare’, dhe i jep telegramin e transferimit’ në Jug të Shqipnis, që kishte mbërrit nga Tirana. Prej asaj dite, nuk e kam pa ma Gjon Destanishën”!
Ardhja e Mbretit Zog dhe vlerësimi i ushtarakut
Tashmë edhe historianët e pabindur komunistë, së fundi e kanë pranuar përmes Akademisë së tyre në Tiranë, se periudha e mbretërimit të Mbretit, Ahmet Zogut, për harkun kohor të viteve 1928–1938, ka bërë vlerësimin dhe afrimin pranë portofolave ministrore, në të gjitha departamentet dhe në pushtetin lokal të njerëzve të shquar, të cilët kishin studiuar në universitet më të njohura në Europën Perëndimore dhe se Mbreti Zog, ka meritën e padiskutueshëm, në formimin e shtetit shqiptar, mbas epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit (1405 – 1467), duke forcuar rendin, përmes një orientimi pro-perëndimor.
Me ardhjen e qeverisë monarkiste në pushtet dhe pas vitit 1924, kapiten Gjon Destanisha, ftohet përzemërsisht në një audiencë private, nga vetë Mbreti Zog, duke i ofruar detyrën e qarkkomandantit të Xhandarmërisë shqiptare, në shumë pjesë të vendit në Shqipëri, në periudha të ndryshme kohore.
Kështu Kapiten Gjon Destanisha, fillon të shërbej si ushtarak karriere, me detyrën e qarkomandantit në Veri të vendit, ku më pas transferohet në: Burrel, Leskovik, Korçë, Tiranë e, gjetkë. Më 1935-ën, u zhvillua e ashtuquajtura “Kryengritja e Fierit”. Sipas disa kujtimeve të shkruara nga dëshmitarët e kohës, del se forcat kryengritëse të drejtuara nga Et’hem Toto, bënë një përparim të dukshëm.
Mbreti Ahmet Zogu, i shqetësuar nga kryengritësit rebelë, mori në telefon ministrin e Brendshëm, i cili e njoftoi: “Shkëlqesi, duhet të rrini i qetë dhe të mos shqetësoheni shumë, se trupave qeveritare, u prinë një ushtarak me përvojë, shumë i zoti në respektimin e rendit dhe ruajtjen e qetësisë publike”!
Ishte kapiten Gjon Destanisha, me 50 xhandarë të elitës të përzgjedhur nga vetë krye-ushtaraku. Dhe ashtu ndodhi. Brenda një periudhe shumë të shkurtër, forcat qeveritare të drejtuara nga kapiteni me përvojë Gjon Destanisha, hodhën në det rreth 5000 forca rebeluese, që sollën trazira në rendin kushtetues.
Përveç taktikave shumë praktike ushtarake, Gjoni, përdori një strategji psikologjike, duke studiuar me kujdes pakënaqësinë e vetë krerëve kryengritës dhe të njërëzve që filluan të dezertojnë, mbasi e kuptuan, se ishin futur në një udhë pa krye, iu bashkuan forcave monarkiste e, thyen ato pak rebelë, që kishin mbetur. Mbas kësaj ngjarje, kapiten Gjon Destanisha shkon në shkollën ushtarake në Firence të Italisë, rreth vitit 1936 – 1937. Mbas përfundimit të studimeve, kthehet në Atdhe. Ai shërben përsëri si qarkomandant, në prefektura të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas hulumtimeve të mia, pata fatin që të njoh edhe vëllain e tij, Markun, këtu në New York, me të cilin bisedoja shpesh. Të tilla biseda kam zhvilluar edhe me nipin e kapiten Gjon Destanishës, Lazër Palin, me të cilin diskutonim me orë të tëra për vitet e shkuara. Pushtimi i vendit me 7 Prilli të vitit 1939, e gjeti kapiten Gjonin në Tiranë, në detyrë. Ai menjëherë i bashkohet forcave të nacionalistit të shquar Abaz Kupit, në luftën e rezistencës. Mbas ikjes së Mbretit Zog në Greqi, e lë detyrën si ushtarak, e kthehet në shtëpi, ku qëndroi 3 muaj pa punë.
Qeveria e Shefqet Verlacit, e emëron me detyrë në Kosovë
Qeveria e Shefqet Verlacit, e kërkoi kapiten Gjonin që të kthehet në detyrë, si ushtarak specialist me detyra me shumë përgjegjësi në Kosovë, të cilat Kapiten Gjon Destanisha, i pranoi pa hezitim. Këtu, iu dha mundësia të realizonte ëndrrën, që e kishte munduar shumë vite; vrasja e vëllaut të madh, Pjetër Lulashit, me shumë bashkë vendas të tjerë në Shalë të Dukagjnit prej shovinistëve barbarë serbo – malazez.
Ai mori detyrën, si qarkomandant i Xhandarmarisë në Prishtinë, Pejë, Suhadoll, Graçanic, Lipjan, e shumë qytete e vende të Kosovës. Ai ishte shumë i ashpër ndaj serbëve dhe malazezëve që jetonin aty. Në Kosovë qëndroi gjatë gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Viti 1945, kapiten Gjon Destanishten e gjeti në Shkodër. Si antikomunist i përbetuar, ai nuk kishte menduar që të dorëzohet në duart e pushtetarëve të rinj komunistë e, për më tepër, t’u shërbente atyre.
Ai shkoi në malet e ashpra të Dukagjinit, së bashku me nipin e vet, Lazër Palin e shum të tjerë, ku qëndruan për katër vjet në shi dëborë e, acar, me bukë e pabukë, në dimër e verë, nëpër male dhe shpella, duke luftuar më pushkë në dorë, kundër komunistëve të kryesuar nga Mehmet Shehu.
Qëndresa antikomuniste e malësorëve të Dukagjinit
Në librin “Nji katakomb nën dhé” (Kroaci, 2004, f. 136) shkruar nga shkodrani Fritz Radovani, në kapitullin: “PO SHPELLAT A M’I PRET KUSH?” DED GJO’ LULI”, flitet për qëndresën e vendosur të krahinës së Dukagjinit, në Malësinë e Mbishkodrës. Ja sesi e përshkruan autori, përmes dokumenteve të marra në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, situatën në vitin 1945.
“Nuk kanë kalue as njëzet vjet, që edhe njëherë po ndihen gjamët e paharrueshme, kur ndër ata male të egra si bishat që jetojnë ndër to e, kur, ende nuk ishin rritë ato lule të freskëta të Alpeve, ku, mendja ndalon për një çast mendimin; kah sheh vigajë të rreshtuem përreth asaj kunore, që s’njihte marre.
Janë dukagjinasit po, rreshtue përbri atyne currave, përrojeve, gurrave e lumit që zbret rrëmbyeshëm, harlisë tue marrë me vete ma shumë njerëz se cingla, cokla e trungje pishe, për me ushqye ushujzat e Velipojës, të pangopura me gjak shqiptarësh të Kosovës, për të gjatë atyne brigjeve, në Ulqin e deri në Tivar. Janë po, djelmët e Lokes, që shputat së pari zbathë, shkelën mbi shqeme, e therë në murriz e kujza pishe, e ça ndër tehe gurësh, nën të cilët ende gurgullon në rrjedhje rrëkajë nëpër vizatje të ballit të Shqipes: GJAKU I GEGËVE. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm