Nga Dr. Silvana Xheneti
Memorie.al / “Ambasciatore non porta pena” – thotë një proverb i njohur italian, “i dërguari nuk ndëshkohet”, por përkundrazi, terrori komunist edhe ata nuk i kurseu aspak. Ngjarja në fjalë, ka ndodhur më 16 gusht të vitit 1944. Pushkatimi i delegacionit të Gjirokastrës, që shkoi me flamur të bardhë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një rast unikal, jo vetëm në Shqipëri e Ballkan, por edhe më gjerë. Vrasja e këtij delegacioni, nuk ishte aspak “vepër e kokave të nxehta”, por një vijë e përcaktuar tashmë, brenda Partisë Komuniste, ku duke monopolizuar idealin e luftës për liri, ta shndërronin atë në një luftë civile vëllavrasëse, duke goditur çdo pikëpamje, çdo mendim të lirë e çdo përpjekje, për lindjen e një opozite qysh gjatë luftës.
Neki Xheneti lindi në qytetin e Gjirokastrës më 21 janar 1881. Duke ndjekur traditën familjare, edhe ai si paraardhësit e tij, studimet universitare për Drejtësi, i kreu në Stamboll, së bashku me Mehdi Frashërin.
Ai rridhte nga një familje e dëgjuar intelektuale gjirokastrite e me pasuri të konsiderueshme, që dispononin toka, kullota, çifligje e dyqane, jo vetëm aty, por edhe në Delvinë e Vlorë dhe të parët e tij vinin nga familja autoktone gjirokastrite Gjergjaj.
Ndërrimi i mbiemrit nga Gjergjaj, në Xheneti, u bë pikërisht në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, nga banorët e trevave të Paramithisë (Greqi) dhe kjo në shenjë nderimi e mirënjohjeje të thellë, për aktin e bamirësisë së ndërtimit të një ure mbi lumin Grebene, nga stërgjyshi i tij, Mustafa Gjergjaj (Xheneti), që me gjestin e tij human, në favor të popullsisë, habiti edhe parinë e atij qyteti.
Avokat Xheneti, në vitin 1912, ndonëse i ri në moshë, u përfshi në lëvizjen për Pavarësi, ndërsa më 1914-ën, ishte anëtar i Komisionit të palës shqiptare, për caktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë, sipas Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Më 1920-ën, mori pjesë në Luftën e Vlorës, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës.
Gjithë karrierën, deri në fund të jetës, avokat Neki Xheneti e pati në Vlorë, larg vendlindjes e familjes, në profesionin e lirë të avokatit, ku kishte reputacion të madh si avokat i dëgjuar, si njeri me karakter e burrëri të rrallë, që mbante e vishte jo vetëm kostumin e frakun, por edhe gunën e brucin.
Aq shumë e donte qytetin bregdetar, saqë kishte filluar ndërtimin e një shtëpie, që të sillte aty edhe familjen e tij që ende jetonte në Gjirokastër, pasi në Vlorë, kishte jo vetëm zyrën e tij avokatore, por edhe pasuritë e interesat e tij ekonomike, ku ai kishte investuar frytet e profesionit të tij, si: shtëpi, toka e çifligje në qytet e, zonat përreth.
Në dimrin e vitit 1944, Neki Xheneti rikthehet në Gjirokastër, pasi vëllai i tij i vetëm, avokat Xhevdet Xheneti, i tronditur nga terrori i kuq i komunistëve, që u ushtrua këtu gjatë masakrës së 18-19 nëntorit 1943, që zhduku fizikisht nacionalistё e njerëz të pafajshëm, plaçkiti, dogji e shkatërroi shumë shtëpi e godina, goditet nga një infarkt, i cili më pas i mori edhe jetën.
Av. Nekiu, më parë kishte shkuar edhe në Tiranë, ku kishte takuar e biseduar me Mehdi Frashërin dhe intelektualë të tjerë, për gjendjen e vështirë të cilën përjetonte Jugu i Shqipërisë, me skamje, dhunë, terror psikologjik e mungesën e lidhjeve të komunikimit, jo vetëm me Tiranën, por dhe me Tepelenën, Përmetin e Vlorën.
Pas shumë peripecish, ai mbërrin në Gjirokastër nga Greqia, duke mos arritur ta gjente në jetë, vëllanë e vetëm dhe pasi priti për ditë të tëra ngushëllimet për humbjen e parakohshme të tij, vizitat e para në qytet, i kreu pikërisht te familjet e nacionalistëve të pushkatuar nga komunistët.
Në dimrin e vitit 1944, avokat Xheneti e gjeti Gjirokastrën në kaos, pasiguri, ankth e në një gjendje të rëndë ekonomike e, tension të mprehtë shoqëror e psikologjik, prandaj ai së bashku me shumë burra të dëgjuar të qytetit, në mars të vitit 1944, krijoi një Komision për Administrimin e qytetit, ku si çështje kryesore ishin; problemet për furnizimit të qytetit, për organizimin e asistencës për të varfrit e muhaxhirët, mbledhje ndihmash për spitalin, vendosjen e rendit dhe qetësisë, etj.!
Komisioni i kryesuar nga avokat Xheneti, i cili u bë një nga figurat më popullore në qytet, hodhi poshtë ndërhyrjen e komunistëve për manipulim e, flaku jashtë komisarin e kuq, Haki Toska, për presionin që ushtroi karshi tij.
Në një situatë të tillë kritike, për të bërë të mundur komunikimin e fshatrave me qytetin, pasi qyteti kërcënohej nga uria, ngaqë Gjirokastra ndodhej nën një darë të hekurt, e izoluar në çdo drejtim dhe për t’i prerë rrugën gjakderdhjes, në mbledhjen e përfaqësuesve të popullit në xhaminë e Teqesë, Komisioni për Administrimin e Gjirokastrës, nën aprovimin e gjithë komunitetit, zgjodhi një tjetër delegacion, pas misionit të parë që sapo ishte kthyer nga Zagoria.
Delegacioni duhej të shkonte përsëri e të zhvillonte bisedime me Shtabin e Zonës së Parë Operative të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Enver Hoxhës, në Nderan të Zagorisë, për të koordinuar veprimet e për të arritur një marrëveshje për bashkëpunim, duke evituar vëllavrasjen, pasi çdo veprim ushtarak i mëtejshëm do të sillte (ashtu siç ndodhi më tej) shkatërrime, djegie, reprezalje e viktima krejtësisht të pakuptimshme.
Ata e dinin që komunistët ishin të pabesë, nuk harronin se xhelatët e kuq, i rrëmbyen dhe i nxorën nga shtëpitë bashkëqytetarët e tyre, duke i vrarë e masakruar, nëpër rrugët e qytetit, por situata e vështirë, nderi i qytetit e i vatanit, i thërriste që të ndërmerrnin një mision të tillë.
Të tre burrat, të përcjellë me respekt nga mijëra qytetarë shaluan kuajt e, u paraqitën në Shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë–Gjirokastër me qendër në Zagorie. Të paarmatosur, të qetë, ata ishin nacionalistët e vërtetë gjirokastritë, të papërzier në asnjë parti politike: avokat Neki Xheneti, Vehip Hasani (60 vjeç – tregtar i madh) e Xhemal Babameto (52 vjeç – tregtar).
Krerët e Shtabit, i pritën me këmbët e para, duke mos i respektuar si delegacion, me mandatin e përfaqësimit të popullit dhe bisedimet i zhvilluan jashtë çdo etike, nën një kërcënim të vazhdueshëm. Qëllimi tejet human e nacionalist i misionit, u interpretua nga Shtabi i Zonës I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër, si; “përçarje, krim kundrejt Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe tradhti e hapët karshi popullit Shqiptar e, rinisë shqiptare”.
Tolerancës dhe argumentimit të çështjeve të paraqitura me mençuri e pjekuri nga delegacioni i nacionalistëve, iu kundërvunë brutalitetin e megalomaninë komuniste, duke i akuzuar si përçarës e sabotatorë të Luftës Nacionalçlirimtare e, duke mos pranuar asnjë alternativë në bisedime, i arrestuan e burgosën më pas, në shtëpinë e fshatarit Kalo Gjoni, ku rojet partizane rrethuan shtëpinë e ruanin, që askush mos t’i afrohej vendit ku mbaheshin të burgosurit.
Pas këmbënguljes së delegacionit në misionin e tij, Shtabi i Zonës së Parë Operative, përdori tentativën për intrigë e përçarje, duke veçuar e bërë presion mbi Vehipin e Xhemalin, që të largoheshin nga avokat Neki Xheneti e, për ta përdorur si justifikim më pas, se ata vetë ishin të shitur e të përçarë mes tyre, pa le pastaj për interesat e kombit!
Por, ata ishin patriotë të vërtetë dhe nuk pranuan të tradhtonin misionin e, nuk e lanë në baltë njëri-tjetrin, megjithëse presionet e shantazhet vazhduan për ditë të tëra dhe ata po rrezikonin jetën.
Kur çdo gjë po rrokullisej drejt fundit tragjik, ata dorëzuan një letër, ku linin amanetet e fundit e bashkë me të, edhe sendet e tyre personale (sahat floriri, unaza, gjyzlykë, stilografë), relike këto që vite më pas, gjirokastritët ua panë Islam Radovickës e, Abdyl Këllezit.
Më 16 gusht 1943, pasdite rreth orës 16:00, avokat Neki Xheneti e dy shokët e tij, të lidhur me litar parashute e, të shoqëruar nga një kordon rojesh partizane, i shpunë në vendin e ekzekutimit, duke i rreshtuar përballë gropës së hapur (varri i tyre i përbashkët), ku i gjithë delegacioni u pushkatua publikisht, në fshatin Nderan të Zagorisë e, ata me trimëri e guxim, pa u trembur aspak, thirrën: “Jo komunizëm! Të rrojë Shqipëria”!
Më pas, partizanët që ishin caktuar për pushkatimin e tyre, i kontrolluan, duke iu marrë kostumet, këpucët, çorapet, etj., një sakrilegj ky shumë tronditës, para se t’i hidhnin në gropën e hapur enkas për ta. Kjo vrasje makabre, tronditi thellë shpirtrat njerëzorë të asaj treve, aq sa të gjithë njerëzit që ishin prezent aty, u larguan të tmerruar.
Çuditërisht, pas kësaj skene, filloi të binte një shi i hollë dhe fshati ra në heshtje të thellë, pasi banorët e Nderanit, për herë të parë shihnin një skenë të tillë, aq makabër e të llahtarshme.
(Është mëse e kuptueshme, që dënimi kapital i këtij delegacioni, u krye me urdhrin e bashkëqytetarit të tyre, Enver Hoxha, i cili ato ditë ndodhej afër Zagories, në Odriçan të Përmetit, e konfirmuar kjo nga Haki Toska, i cili në një takim që pati në prill të vitit 1988 me të birin e Nekiut, profesor Luan Xhenetin, i tha: “Duhet të keni të qartë se babai tënd edhe i gjithë delegacioni, u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës”).
Ndodhia e tmerrshme u përhap menjëherë në Gjirokastër, për vetë natyrën e saj, por edhe për peshën e madhe të dhimbjes, gjithashtu kjo ngjarje asokohe u përcoll me indinjatë, edhe nga dy gazeta greke të Janinës, që denoncuan publikisht pabesinë e komunistëve që vrisnin edhe delegacionet.
Plot pas një viti, të afërmit e viktimave erdhën dhe i morën kufomat e tyre, akoma të patretura, pasi siç thuhet në këto raste, veprime të tilla, nuk i tret as dheu.
Për gati gjysmë shekulli, diktatura komuniste i cilësoi ata të tre, si; “kriminelë të luftës, armiq të popullit”, jo vetëm duke iu konfiskuar gjithë pasuritë, por akoma më tej duke i persekutuar e internuar familjarisht (në Bulqizë, etj.).
Hipokrizia bolshevike arriti kulmin, kur në një dokument të dërguar Komitetit të Partisë në muajin nëntor të vitit 1969, Hysni Kapo, cilësonte: “Ata janë vrarë si kalimtarë, nuk dihet se kush i ka qëlluar rrugës”.
Se sa hipokrite ishin këto deklarime, vërtetohet me faktin se; as një korrigjim, nuk u bë në trajtimin politik të pjesëtarëve të këtyre familjeve, duke i goditur fort, me “luftën e klasave”, jo vetëm tre djemtë e tij, por edhe nipërit e mbesat.
Në artikullin e datës 22 dhjetor 2017, në gazetën shqiptarja.com, gazetarja Admirina Peçi shkruan pikërisht kështu për këtë ngjarje:
“Gjyqet partizane zhvilluar në rrethanat e luftës njihen si një prej levave kriminale me të cilat vepruan komunistët për të eliminuar kundërshtarët e tyre politikë gjatë viteve të Luftës.
Shpesh gjyqet zhvilloheshin brenda një kohe të shkurtër madje gjykimi dhe ekzekutimi i të dënuarve me pushkatim kryheshin edhe brenda ditës.
Në këto gjyqe pothuajse gjithmonë mungonin provat dhe dëshmitarët, në rastet me të shpeshta, jepnin dëshmi të rreme ose, të përgatitur që më parë, sipas një skenari të caktuar.
Sot do të sjellim për lexuesit një dokument, që e dëshmon më së miri këtë. Vendimi i gjyqit partizan për të cilin flasim, është marrë me 6 gusht 1944.
Pas tij, janë çuar në pushkatim tre persona, pa asnjë provë, përveç faktit që partizanët e improvizuar si gjyqtarë, mendojnë se ata janë tradhtarë.
Të dënuarit me pushkatim ishin: Av. Neki Xheneti, Vehip Hasani dhe Xhemal Babameto, të cilët akuzoheshin se ishin futur në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si agjentë, për të mbjellë përçarje.
Me këtë akuzë ata dënohen nga gjyqi partizan me pushkatim. Më poshtë e sjellim të plotë vendimin e këtij gjyqi, nënshkruar nga sekretari Pajtim Shyti, anëtarët N/Kol. Islam Radovicka e Rexhep Çami dhe kryetari i gjyqit, Abdyl Këllezi”.
Nga kujtimet e tim eti, profesor Luan Xheneti, që e nisi profesionin e nderuar të mësuesit, në kurset kundër analfabetizmit, kur ishte ende 16 vjeç maleve të Kuçit, mbaroi studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë Tiranë me rezultate të shkëlqyera, duke u emëruar më pas profesor Letërsie në gjimnazin e sapohapur të Kavajës, ku në vitin 1967, pushohet nga puna, duke u akuzuar si; “akademik borgjez”, për efekt të luftës së klasave. /Memorie.al
Marrë nga Kujto.al