Memorie.al / Mursia, është një fshat në skajin më jugor të vendit, madje shumë i përfolur, për luftërat midis “bandave” dhe ekstremeve nacionaliste me Konispolin. Ky fshat u persekutua dhe u survejua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij, Ramiz Alia, në mënyrë të patjetërsueshme, bashkë me fshatrat minoritare, fqinje me Mursinë. Faktet janë tronditëse, por edhe të çuditshme. Çuditëse se vetë, të gjithë drejtuesit e pushtetit dhe partisë në këtë fshat, kishin lidhje me të arratisurit dhe të pushkatuarit, ashtu si edhe komunistët (anëtarët e partisë) kishin lidhje me ish-të arratisurit dhe ish të përndjekurit e të burgosurit politik.
Ndaj Sigurimi i Shtetit, me udhëzim të PPSH-së dhe drejtuesve të sajë kryesor, këtë fshat e mbante në survejim të plotë, madje pa dijeninë e organizatës bazë dhe pushtetit vendor. Kjo, për vetë faktet që folëm më lart.
Në këtë fshat ku u burgosën 32 persona, nga të cilët vdiqën 7, u internuan 27 familje dhe ajo më kryesorja, janë arratisur pas vitit 1944, 18 persona, që preknin të gjithë fiset e këtij fshati autokton, me pastërti heterogjene dhe besimi ortodoks.
Kjo bëri që Sigurimi i Shtetit, të mbante në survejim të plotë këtë fshat, deri tek grupi i famshëm i Mursisë më 1987. Po a ishte vërtet ky grup armiqësor, apo një stisje e Sigurimit të Shtetit, për të mbajtur nën terror këtë fshat?!
Për këtë ne mundëm të marrim intervistën e zotit Kostandin Moçi, person i konsideruar dhe akuzuar si kreu i këtij grupi!
Zoti Moçi, ju jeni akuzuar si pjesëtar i “Grupit armiqësor të Mursisë”, sipas hetuesisë së atyre viteve, kreu i këtij grupi. Ç’mund të na thoni, rreth kësaj akuze dhe këtij grupi?
Faleminderit, që u kujtuat ta riktheni në memorie të historisë edhe këtë “grup armiqësor”. Që në fillim desha të them, se nuk dua të pyetem më, pasi do përgjigjem vetë, për të gjitha, vetëm me pyetjen tuaj të parë. Pra gjithçka unë di, apo dua të them, do ti përmbledh me një përgjigje. Ta filloj?
Me kënaqësi, kjo ishte dhe kërkesa jonë!?
Na arrestuan në vitin 1987, mua, Kostandin Moçi, që më etiketuan edhe si kryetar grupi, Timo Lapa, Ylli Goshi, Pipo Çabiri, Vasil Mavro, Jaho Bajo e, Kozma Vuda. Na arrestuan me akuzën për tentativë arratisje.
Unë u habita se, nuk kishim lidhje me njëri-tjetrin, për këtë muhabet, pavarësisht se unë e kisha në mendje arratisjen, po nuk ja kisha thënë njeriu, se në atë kohë kur u arrestova, isha baba i gjashtë fëmijëve.
Por na arrestuan dhe ju nënshtruam një hetuesie, me tre hetues të Sarandës, XH.H, Z.SH. dhe K.V. Ky i fundit, më terrorizuesi e më keqtrajtuesi, (abababa) edhe tani kur e kujtoj, më dridhet mishi. Hetuesia ishte torturë më vete…!
Sa kohë ju mbajtën në hetuesi?
– Tre muaj hetuesi, tortura fizike e psikologjike. Mund të them se, na linin tre ditë pa ngrënë dhe kur na sillnin ushqim, na hidhnin krimba të gjallë në gjellë…e ne i hanim…! Hetuesi K.V., përdori edhe elektroshokun tek një nga shokët tanë, tek Vasil Mavro. Ky u torturua më shumë nga ne.
I hidhnin edhe pëllumba të ngordhur në qeli, e rrihnin, deri sa edhe rrobat kur ja ndërronin, shikoje dhe mendoje se, do qenë të një punonjësi të një thertoreje…! Aq ishim shpërfytyruar, sa kur dolëm, kushërira ime, kryetare e Këshillit Popullor, Parashqevi Moçi, u alarmua nga gjendja ime dhe bërtiti se do shkonte tek Ramiz Alia…!
Ndodhi kjo?
-Po ishte vonë, se ne u liruam me amnistinë e Ramizit, pasi ai u kthye nga vizita në SHBA-ës, pra në vjeshtën e vitit 1990 dhe vendosi amnisti dhe krijimin e qelizave të pronës private, me tufëza dhe arëza. Kishim dale nga burgu dhe kushërira qe vonë për tu ankuar…!
Po të kthehem pak tek hetuesia, kur na bënin tortura ç’ njerëzore. Po më shumë na pyesnin, se me kë kishim lidhje në Greqi, kush do na priste, si do vijonte aktiviteti agjenturor e armiqësor, etj.
A mund të na thoni diçka, para arrestimit tuaj?
– Para arrestimit i gjithë Batalioni i Kufirit në Livadhja, qe rreshtuar nga fshati Shkallë, e deri tek Bufi i Butrintit dhe me kontaktin e parë të arratisjes sonë, do na sharronin plumbat e qindra ushtarëve kufitar. U tmerruam kur e dëgjuam, por thamë se bënë mirë që na arrestuan, se na shpëtuan nga plumbi…! Mund të them, se e di që do pyesni, pse mua më etiketuan si kreun e grupit…
Pse ju cilësuan si kreu i grupit që do arratisej?
– Sepse kisha dajën e arratisur në Greqi, që më 1948-ën, Llazi Gërgura dhe Sigurimi i Shtetit, mendonte se ne do na priste dhe orientonte ai. Për hir të së vërtetës, them se edhe më 1972-in, jam arrestuar për tentim arratisjeje, në Qafën e Hartës, por pa problem. Kjo hetuesi qe e tmerrshme. Sikur Ramiz Alia mos të kishte nxjerrë amnistinë, akoma kushedi sa kohë do ishim kalbur burgjeve…?!
Po kur u liruan?
– Kur na liruan…jo të gjithëve njëherësh, madje njërin, Timo Lapën, e dënuan me burg, na porositën që fjalët që na thanë aty në hetuesi, janë të rrezikshme për jashtë. “Duhet ta falënderoni partinë dhe udhëheqjen”… dhe liri të kujdesshme! Ikëm. Nuk folëm, pavarësisht se na pyesnin. Hera e parë që shprehem publikisht. Kaq! Memorie.al