Nga Thanas L. Gjika
Pjesa e parë
– Ese për analistin ing. Mërgim Korça –
Memorie.al / Ing. Mërgim Korça, në letrat shqipe, është një nga analistët vërtet të lirë të periudhës paskomuniste, i cili me veprat e tij ka zgjeruar dhe zgjeron horizontin e lexuesve, ka hapur dhe hap rrugë të reja për zgjidhje problemesh të mbetura pezull para shoqërisë sonë të djeshme e të sotme. Ai ka shkruar shumë artikuj nëpër forume e gazeta të ndryshme, shumicën e të cilave i ka botuar dhe në tri përmbledhjet e mirëpritura ‘Histori të Pashkruara’ (268 fq, 2005), ‘Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike’ (247 fq, 2008) dhe ‘Çështja Kolaboracionizëm e të tjera, t’i Gjykojmë’ (515 f, 2014).
Po ashtu ai ka mbajtur në TV Miçigan, biseda dhe intervista të ndryshme, kumtesa në sesione shkencore, si dhe disa DVD me intervista të kryera prej tij, me z. Seit Demneri, ish shok klase i Ramiz Alisë në gjimnazin e Tiranës, etj. Në këto vepra, bëhen përpjekje këmbëngulëse, për të sqaruar faktin se cili ka qenë morali dhe atdhetaria e figurave kryesore të Luftës Antifashiste Shqiptare dhe e drejtuesve të regjimit komunist shqiptar në vitet 1944-1992. Mësimi themelor që transmetojnë shkrimet e këtij analisti, moto e tyre, është: Politikanët dhe historianët e pamoralshëm kanë qenë dhe janë të dëmshëm.
Për vlerat e Mërgimit si analist kanë shkruar pena të spikatura, si profesor Ardian Ndreca, shkrimtari i shquar Visar Zhiti, etj. Inxhinieri i talentuar Mëgim Korça, është djali i vogël i Dr. Xhevat Korçës (1893–1959), një intelektual e atdhetar i pavlerësuar ende. Xhevati, mbasi mbaroi gjimnazin në Janinë, më 1911, doli malit si komit me çetat e Rilindjes sonë Kombëtare të Themistokli Gërmenjit e, Spiro Bellkamenit.
Më 1917, u dërgua për studime në Austri, ku më 1922, doktoroi me një studim për jetën dhe vlerat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërtuar si përgjigje ndaj tri pyetjeve. Mbas kthimit në atdhe, disa muaj më vonë, u dërgua prej qeverisë shqiptare të themelonte Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës, punë të cilën e kreu me sukses.
Në vitin 1925, u largua prej Shqipërisë si antizogist, dhe po atë vit, prof. Barich, e emëroi lektor në Universitetin e Beogradit. Më 1928, mbasi Ahmet Zogu dërgoi atje dy herë njerëz për t’i bërë atentat, u largua prej Beogradit dhe shkoi në Austri, ku jetoi si emigrant deri më 1936, vit kur kaloi me gjithë familje në Fiume të Italisë. Në gusht 1939, u kthye në atdhe, dhe kur miku i tij Mustafa Merlika Kruja, e ftoi të bëhej Minister i Arsimit, Xhevati pranoi pasi u aprovua kërkesa e tij, për heqjen e italishtes nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë, si dhe për lirimin nga burgu dhe nga internimi në Itali, i të gjithë arsimtarëve të dënuar si kundër italianë.
Më 17 nëntor 1944, Xhevatin bashkë me djalin e madh, forcat komuniste e arrestuan duke e cilësuar; “profashist, armik të popullit”. Në prill 1945, bashkë me shumë të dënuar të tjerë, e nxorën para ‘Gjyqit Special’ me kryetar të trupit gjykues Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, i cili në pretencën e tij, kërkoi dënimin me vdekje me pushkatim, të Xhevat Korçës, si fashist.
Në fjalën e tij të fundit, Xhevat Korça, duke i’u drejtuar kryetarit të trupit gjykues, tha: “Zoti kryetar, mos i dëgjoni se ç’thotë prokurori. Unë ju them: Gjemani një fjalë të thënë publikisht në favorin e fashizmit, ose një fjali të shkruar kësisoj dhe pushkatomëni”!
Mbrojtja burrërore që Xhevar Korça i bëri vetes, e detyroi trupin gjykues, ta ndërronte dënimin, nga me vdekje, me burgim të përjetshëm. Në gusht të vitit 1959, për të shprehur protestën e vet, ndaj dënimit që i ishte dhënë pa të drejtë dhe ndaj gjendjes së mjerueshme të të burgosurve të Burelit, Xhevat Korça i dha fund jetës, me grevë uríje, rast i rrallë, në mos i vetëm deri atëkohë, në burgjet e kampit komunist.
Ndihmesa e tij në fushën e letrave është e panjohur ende. Fillimet e shkrimeve të tij, dokumentohen në revistën ‘Djalëria’ që botonin studentët shqiptarë në Austri. Por këto shkrime, si dhe të tjera të botuara në organe të tjera shtypi, nuk janë mbledhur. Rëndësi të madhe padyshim paraqet i gjithë dokumentacioni i marrë në arkiva të ndryshme evropiane, i përkthyer prej tij dhe i titulluar; ‘Akte dhe dokumenta Austro – Hungare lidhur me Shqipërinë’. Gjithashtu Xhevat Korça përktheu nga gjermanishtja, veprën e amerikanit John Reed, ‘10 Ditë që tronditën Botën’ (gjermanisht: ‘10 Tage DieDie Welt Erschutterten’).
Djali i madh, Genci u lind në Shkodër më 1924 dhe u detyrua që foshnjë të merrte rrugën e mërgimit, bashkë me babain dhe nënën. Ky djalë emigranti filloi të merrte formim në shkolla austriake dhe italiane, deri më 1943, ku mbaroi edhe vitin e parë të mjekësisë, u kthye për pushimet verore dhe mbeti në Shqipëri. Endërra e Gencit, ishte të mbaronte studimet për mjekësi, por nuk mundi ta realizonte, për shkak të rrethanave.
Më 17 nëntor 1944, ai u arrestua bashkë me babain dhe u lirua, për mungesë faktesh, mbas 13 muajsh, pa qenë i dënuar nga asnjë proces gjyqësor. Ai punoi për të mbajtur familjen, si ndihmësmjek në Shkodër, por pas ndonjë viti, e dërguan me punë në zonën malore të Dukagjinit, ku ai u lidh me disa atdhetarë antikomunistë, me të cilët pas peripecish të ndryshme, mundi të arratisej në Jugosllavi, në tetor të vitit 1952.
Mbas disa muajsh, ai mundi të arratisej edhe prej Jugosllavisë në Austri, e prej andej, shkoi në Greqi, prej ku më 1955, shkoi në SHBA-ës. Këtu vijoi formimin e tij në Wayne State University, Detroit MI, në degën Kimi-Industriale, në profilin Higjenë Industriale. Për rezultatet e larta studentore, iu dha një simbol i Universitetit, si studenti më i shkëlqyer i vitit. Aty dha leksione për disa vjet. Më tej, punoi si inxhinier në kolosin amerikan të industrisë, në “General Motors Detroit MI”, ku për 13 vitet e fundit, derisa doli në pension, ishte Drejtor i Higjienës Industriale, për të gjithë Korporatën e “General Motors”.
Në vitin , Genci botoi në anglisht vëllimin me kujtime “One Man’s Journey to Freedom”, (Rruga e një burri drejt Lirisë), të cilën e vlerësoi po në anglisht, në gazetën “Dielli”, Dr. Gjon Buçaj, kryetari i Shoqërisë “Vatra”. Kjo vepër të tërheq për rrëfimin e thjeshtë të peripecive, që kaloi djaloshi dhe burri Genc, në mërgim e në atdhe dhe sërishmi në mërgim. Ai u martua më 1958, me zonjushën Margaret dhe ka sot dy djem e një vajzë dhe tetë nipër e mbesa, një “bletë” e plotë, si themi në Shqipëri.
Nga treshja e familjes elitare Korça, shkëlqen në mënyrë të veçantë, djali i vogël i familjes, Mërgimi, të cilit ia kushtoj këtë ese të shkurtër. Ai, që në rininë e hershme u detyrua të punonte e të shkollohej për të mbijetuar me nder e, për të pleqëruar nënën, të përvuajturën e madhe të familjes. Kjo zonjë ishte një nga kurajozet e pakta, që votoi kundër regjimit, në zgjedhjet e vitit 1945, duke e lëshuar sferën (votën) në kutinë e “armikut”, kuti e pashtruar me kadife, gjë që shkaktoi zhurmë dhe zbulimin e sekretit të votimit kundër…!
Mërgimi e “piu” të plotë gotën e hidhërimeve gjatë kohës së diktaturës dhe mbas shkërmoqjes së saj, u përshtat për bukuri në atdheun e ri, në ShBA-ës, ku krahas punës së paguar për të siguruar jetesën e tij e të familjes, filloi luftën si intelektual, me ndjenja te spikatura qytetare, për sqarimin e karakterit negativ të diktaturës shqiptare dhe të personaliteteve politikë e shkencorë të saj.
Mërgimi, si e tregon vetë emri, u lind jashtë shtetit, në 30 nëntor 1932, kur familja e tij ndodhej në mërgim, në Grac të Austrisë. Në vitet e diktaturës, si bir i një të dënuari me damkën “armik i popullit”, dhe vëlla i një të arratisuri, pra për shkak të biografisë, Mërgimit nuk iu dha e drejta, për të ndjekur studimet e larta.
Por, duke përfituar nga një “zbaticë” në luftën e klasave, si edhe nga mbështetja që i dha Ndërmarrja Rruga-Ura, ku punonte, ai mundi të ndjekë studimet për Inxhinieri Mekanike, në kurset pa shkëputje nga puna, (kurset e mbrëmjes), nëntë vite mbasi e kishte mbaruar shkollën e mesme.
Mërgimi arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe t’i imponohej qeverisë diktatoriale, e cila ishte shumë e varur nga mekanika bujqësore. Këto suksese ai i arriti përmes punës së tij intensive e këmbëngulëse, për të projektuar e zbatuar projekte origjinale për makineri bujqësore, ku spikati talenti i tij, prej projektuesi e konstruktori mekanik.
U bënë shumë të njohura makineritë e projektuara dhe krijuara prej ing. Korçës, si makina për rrallimin e pambukut, (për të cilën i kishte urdhëruar vetë Enver Hoxha, drejtuesit e rretheve Lushnjë edhe Fier, që patjetër duhej ta zgjidhnin atë problem, duke ngarkuar inxhinierët më të aftë për atë punë, sepse industria tekstile, detyrohej të importonte sasira të mëdha pambuku, nga që rendimenti i prodhimit pambukut, ishte shumë i ulët).
Ing. Korça, e ideoi, e projektoi dhe e ndërtoi agregatin për drenazhimin e tokës, me hapje të mekanizuar tuneli, me diametër 10 cm., në thellësi 70 cm., nga sipërfaqja e tokës dhe të mbushur automatikisht me zhavorr të larë e të fraksionuar, në vend të tubave qeramike.
Vënia në zbatim e kësaj metode drenazhimi, e ulte koston e drenazhimit dhjetë here, krahasuar me vendosjen e tubave qeramike. Gjithashtu, ajo e shpejtonte këtë proces, nga një hektar, që drenazhonte një brigadë prej 10 vetash në një muaj, në katër hektarë në ditë, kur kryhej me këtë mekanizëm.
Gjithashtu ing. Mërgim Korça, projektoi dhe ndërtoi një tjetër makineri për hapjen e vijave kulluese, të cilën vetë ish-kryeministri Mehmet Shehu, kishte vite që ua kërkonte uzinave të Mekanikës Bujqësore. Kjo, sepse makineritë e sjella nga importi dhe që dispononin S.M.T.-të dhe Fermat Bujqësore, e hapnin vijën kulluese me gjerësi në sipërfaqe, mbi një metër.
Nisur nga ky fakt, kryeministri i kishte dhënë Sekretares së Parë të Komitetit të Partisë së Lushnjës, Lenka Çukos, një skicë me porosi, që t’ia jepte ing. Korçës, ku përmasat e vijës kulluese, ai kërkonte të ishin në sipërfaqen e arës, 45 cm., në thellësi 45 cm., si dhe gjerësi të bazës së vijës, 10 cm. Vënia në punë e kësaj makinerie, i kurseu ekonomisë bujqësore, dhjetëra mijëra hektarë toke, krahasuar me vijat që hapeshin deri atëherë, me makineri të importuara.
Doemos projektimi si edhe ndërtimi i këtyre makinerive në rrethin e Lushnjes, i bënte kryesisht drejtuesit e këtij rrethi, të rritej konsiderata ndaj tyre, nga ana e udhëheqjes. Por, nga ana tjetër, edhe dikasteri i Bujqësisë, nderohej nga këta rezultate. E për pasojë, rritej edhe konsiderata e drejtuesve të vendit, ndaj ing. Korçës.
Nuk mund të mos vihet në dukje, se si vetë Kryeministri Mehmet Shehu, vajti për t’i parë, si rralluesen e pambukut, edhe agregatin e hapjes së vijave kulluese, (me ç’rast qëndroi mbi pesë orë dhe kryesisht duke diskutuar me ing. Mërgimin). Po kështu, të ngarkuar nga kryeministri, agregatin e drenazhimit me zhavorr, të shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, shkuan dhe e ndoqën në punë e sipër, dy nga zv/Kryeministrat.
Megjithatë, pavarësisht nga arritjet si projektues e krijues makinerish, atë kurrë nuk e afruan të punonte në institucionet qendrore të mekanikës në Tiranë, as i dhanë tituj e grada shkencore. Por për rezultatet shumë dobiprurëse të punës së tij, Mërgimit iu akordua titulli i lartë shkencor “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës”, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast, e shkeli parimin e luftës së klasave, i detyruar nga nevojat e mëdha që kishte bujqësia për mekanikën bujqësore, por doemos, edhe i prirë nga informacionet që merrte, rreth rëndësisë së agregateve të ndërtuar prej këtij inxhinieri. Ky titull, nuk shoqërohej me rritje rroge apo, privilegje të tjera.
Jetën nën diktaturë, pavarësisht nga sukseset, Mërgimi e jetoi nën shpatën e Demokleut, si shumica e bijve të familjeve të dënuara e persekutuara prej regjimit komunist. Ai fillimisht u muar me punën e tij si punëtor krahu, më tej, si teknik e inxhinier mekanik, duke treguar me punë të ndershme aftësitë e veta, pa lajka e servilizëm.
Mërgimi, punoi me gjithë forcat e veta mendore e fizike, natyrisht jo për forcimin e diktaturës, por sepse ishte edukuar në familje, të punonte me përgjegjësi e ndershmëri dhe sepse e ndjente se vetëm duke arritur që të ishte shumë i nevojshëm, mund të mbijetonte, ashtu siç mbijetoi, pa pasoja shkatërrimtare.
Në vitin 1990, Mërgimi, ashtu si babai i tij dikur, mori rrugën e mërgimit, po kësaj radhe, për shkaqe të tjera: bijtë e familjeve me biografi antikomuniste, udhëheqja komuniste në fuqi, për të zbatuar planin “Katovica” për Shqipërinë, nuk i donte t’i kishte në Shqipëri, këta bij të ish opozitës së PKSh-së, me synimin që proceset e pluralizmit, t’i kryenin shërbëtorë besnikë të PPSh-së, ish-sigurimsa e ish-komunistë, të fshehur si antikomunistë…!
Kështu, familjes Korça, bashkë me shumë familje të përndjekura, në vitin 1990, “iu krijuan kushtet”, për të shkuar jashtë shtetit, pranë të afërmve të tyre. Mërgimi me familjen e vet, shkoi tek vëllai i tij, që jetonte prej vitesh në Detroit MI, USA.
Kur mbërriti në Amerikë, iu fut studimit të anglishtes, të cilën e përvetësoi shpejt dhe mirë, ndonëse ishte 59 vjeçar. Përvetësimi i anglishtes, kësaj gjuhe të vështirë për moshën e tij, u bë i mundur në saje të kujtesës së fuqishme dhe zotërimit në nivele të lartë të gjermanishtes dhe italishtes.
Njëherazi ai punoi edhe për përvetësimin dhe përdorimin e kompjuterit, për t’u përshtatur me psikologjinë dhe mënyrën amerikane të të menduarit, hapa këto që e ndihmuan të punësohej fillimisht si nëpunës, në një zinxhir restorantesh ‘McDonald’ ku pronari Z. Ekrem Bardha, e punësoi se ishin njohur, duke qenë ushtarë në Repartin e Punës, para se Z. Bardha të arratisej nga Shqipëria, e në vazhdim pastaj, si përkthyes për tri gjuhët që ai zotëron, punë të cilën e vijon dhe sot.
Me të tilla arritje, Mërgimi me familjen e tij, filloi të bënte një jetë modeste, por komode, në atdheun e ri. Mirëpo brumi atdhetar e intelektual, i trashëguar prej familjes së tij Korça, nga babai e, Angoni, nga nëna gjirokastrite, nuk e lejonte që ai të bënte jetën e një njeriu të vetëkënaqur. Ai ia nisi punës shtesë, për të ndihmuar zhvillimin e mendësisë së popullit shqiptar, duke shkruar artikuj e kumtesa, duke mbajtur biseda e intervista, duke botuar libra.
Deri në moshën 59 vjeçare, edhe pse dinte mirë disa gjuhë të huaja, Mërgimi nuk kishte shkruar asnjë artikull në Shqipëri, nuk i ishte dhënë mikrofoni të fliste para dëgjuesve, por ai i kapërceu me sukses të tilla pengesa psikologjike, në saje të aftësive të tija të lindura.
Ashtu si në vitet e Rilindjes sonë Kombëtare, arbëreshët e Italisë e të Greqisë, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Pashko Vasa, etj., etj., edhe Mërgim Korça, bashkë me veprimtarë që punojnë sot në diasporë, janë dëshmi e gjallë e faktit, se njeriu mund ta ndihmojë atdheun, pavarësisht se ku jeton e punon, se largësia nuk e pengon askënd, që të japë ndihmesën e vet në të mirë të popullit, të cilit i përket.
Njësoj sikur të jetonte në atdhe, Mërgimi jeton me hallet e popullit të tij, shpenzon kohë, energji, shkurton orët e gjumit, lexon materiale të ndryshme në internet dhe me kurajon e vet, pa pyetur se kush janë ata që përpiqen ta mbajnë në vendnumëro mendësinë e popullit shqiptar, sulet me “shpatën” e tij, me “penën” e intelektualit të pa kompromis. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm