Pjesa e parë
Memorie.al / Të vjetrit e kanë njohur mirë Hafiz Musa Dërgutin, atë hoxhë të nderuar prej të gjithëve, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve. Kudo që kishte një hall, kudo në familjet e Shkodrës e të katundeve për rreth, që kishte një mosmarrëveshje, do të gjendej Hafiz Musaja, me fjalën e tij, me dashamirësinë e me autoritetin e tij, për të qetësuar zemrat e plagosura, për të shuar gjakrat e ndezur, për të pajtuar e afruar vëllain me vëllanë, burrin me gruan, familjen me familje, fisin me fis. E të gjitha këto i bënte për hir të Zotit, duke sakrifikuar kohën e çmuar, pa marrë parasysh lodhjen e mundimet, e jo rrallë, duke përballuar shpenzime shpeshherë edhe të rënda.
Përkushtimi dhe devotshmëria e tij, e shoqëruar me vullnetin e përpjekjet e shumta e të pareshtura bënë që dituria e aftësitë në drejtimin e veprimtarive fetare në lagjen ku shërbente, në xhaminë e Shaban efendisë, të lidheshin fort, gjithnjë e më tepër me jetën e popullit, me preokupimet e hallet e tij.
E këto halle të jetës shoqërore të përditshme, në raste të caktuara merrnin karakter të theksuar atdhetar e politik, prandaj Hafiz Musaja, edhe pse klerik i devotshëm, u bë një udhëheqës shpirtëror në shumë fusha të veprimtarisë shoqërore, kryesisht të jetës familjare, por edhe një luftëtar me armë në dorë, kundër pushtuesit, një kundërshtar i paepur kundër asaj ideologjie antikombëtare, kundër politikës dhe ideologjisë komuniste, kundër ateizmit, që si murtajë kaloi mbi vendin tonë.
Në kujtimet e veta, Tom Lec Marku, një bashkëvuajtës i Hafiz Dërgutit në burgjet e diktaturës komuniste, shkruan: “Ishte fetar e jo fanatik, për të çdo njeri, si katolik, si mysliman ishte kreaturë e Zotit. Fort i ndershëm, guximtar ku s’ka ma, dai (dorëdhënës), për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte. Atdhetar i shquem, bashkëpunëtor i Opozitës, antikomunist i vendosun. Kështu e kam njohtë Hafiz Musa Dërgutin”.
Musa Dërguti u lind në Shkodër, më 3.3.1888, në një familje të vjetër shkodrane. Shtëpia e Ethem Dërgutit më parë, ishte në lagjen e njohur “Dërgutej “, ku edhe gjendej njëra nga xhamitë më të vjetra te qytetit. Në këtë lagje jetuan shumë familje të shquara, që lanë gjurmë të pashlyera në historinë tonë kombëtare, si e Dervishëve, e Sokolëve, etj. Ethemi, babai i Musait, me djersë e me punë të ndershme, do t’ia shtonte nderin e pasurinë familjes.
Ai do të rriste djem të nderuar e punëtorë të shquar, që u dalluan me shenjë në Pazarin e Shkodrës, ku kishin shtatë dyqanet e veta e, ku tregtonin kryesisht bylmetna e sende të tjera ushqimore, pa përmendur tokat (ara e livadhe), në “Mëhallën e Re” (në bregun e liqenit) dhe sidomos në fshatin Trush, ku edhe kullotnin tufat e bagëtive, kryesisht lopë dhe dele. Në këtë mjedis pune të ndershme, në këtë mjedis të edukatës së një tradite të nderuar qytetare e fetare, u rrit Musai, i cili më vonë do të bëhej një nga hoxhallarët më të nderuar, të qytetit të vet.
Mes katër djemve të Ethem Dërgutit, Abdylit, Zyberit, Musait dhe Qamilit, vetëm djali i tretë, iu përkushtua studimeve fetare teologjike, duke kapërcyer shkallët e përgatitjes në këtë fushë të nderuar, por, që kërkonte një përkushtim të veçantë. Musai, mësimet fillestare i mori ne gjirin e familjes së vet, por edhe në mejtepin e lagjes “Ndocej”, një mejtep që edhe shkolla më e vjetër, do të përulej me nderim para tij, sepse këtu mësuan bijtë e nderuar, të shumë familjeve të shquara të qytetit tonë.
Kujtojmë familjen Boksi, nga gjiu i së cilës doli Haxhi Idrizi i famshëm, familjen Myftia, prej së cilës dolën gjithë ata myderrizë e myftij, ndera e qytetit dhe e gjithë Shqipërisë. Kujtojmë Sali Efendin e Madh, Abdullah Efendi Myftinë, Sali Efendi Myftinë, familjen Repishti, kujtoni myderrizin e shquar, Hafiz Ibrahimin, familjen Kraja, kujtojmë teologun e përmendur Hafiz Aliun; familjen Bomnori, e kush nuk e kujton me respekt Haxhi Sheh Shaban Damnorin; familjen Kruja, kujtojmë mistikun e luftëtarin, Sheh Ali Kruja, etj., etj.
Këtu Musaja fitoi shtysat për të vazhduar studimet e mëtejshme në fushat e ndryshme të diturisë islame. Vazhdoi studimet në Medresenë e Pazarit, ku punuan e studiuan shumë personalitete të kulturës islame, që kishte qenë arenë e gjithë atyre përpjekjeve për luftë kundër pushtuesve turq e, mësymjeve grabitqare të Malit të Zi e të Serbisë. Kur gjurmët e plagët e luftërave ende nuk ishin mbyllur në Shkodër, djali i ri, (Musaj) filloi mësimet.
Duke parë zellin e tij në mësime, nisur edhe nga tradita shkodrane, që nxënësit më të mirë t’i dërgonte për studime në Stamboll, që ishte jo vetëm kryeqyteti i Perandorisë turke, por edhe kryeqyteti i kulturës e i diturisë, Musain e dërguan të vazhdonte shkollën, falë edhe mundësive ekonomike.
Për përgatitjen e studentëve, për hapjen e medreseve në vend apo, për bursat e jashtme, pushtuesi turk asnjëherë nuk ka dhënë subvencione. Kanë qenë vetë qytetarët shkodranë, që i kanë hapur mejtepet apo medresetë, ata vetë me shpenzimet e familjes apo, me ndihmat e bamirësve, i kanë dërguar bijtë për studime.
Me gjithë interesimin tonë, familja nuk ka qenë në gjendje të na sigurojë dëftesën e mbarimit të medresesë, gjë që nuk na habit aspak, duke marrë parasysh se nëpër çfarë vuajtjesh kaloi e gjithë familja e Hafiz Musait, në burgjet e internimet e panumërta, në të gjitha viset e Shqipërisë. Në Stamboll, Hafiz
Musai u njoh me kulturën e diturinë e gjerë islame, fitoi përgatitjen serioze fetare, u njoh me jetën e një qendre të madhe politike, ekonomike e shkencore. Natyrisht, asgjë e bukur dhe madhështore që përjetoi në Stamboll nuk e habiti studentin shqiptar. Ai, si shumë të tjerë para tij, mendjen e kishte te Shkodra e largët. Atje e priste familja, atje e priste detyra e përhapjes së fjalës së mirë, paqes e mirësisë mes njerëzve.
As që i shkonte mendja të harrohej, mbas një jete të zhurmshme të kryeqytetit, përkundrazi e tërhiqte qetësia e qytetit të vet, me të gjitha të mirat që sjell ideja në shërbim të popullit, të idealeve të larta njerëzore, që mishëroheshin në ajetet e Kur’anit të madhërueshëm dhe në Hadithet e Profetit a. s. E hoxha i ri, me plot përkushtim e vendosmëri, u kthye në atdhe, u kthye në Shkodër, pranë familjes e miqve.
Detyrën fetare e filloi në xhaminë e Shaban Efendisë. Kjo ka qenë një xhami shumë e vjetër në qytetin tonë, e cila u pat shembur e në trojet e saj, është ndërtuar më vonë punishtja e zhugës, në lagjen “Salo Halili”, e njohur nga banorët e vjetër të Shkodrës, në një pjesë të saj si lagjja, “Shaban Efendisë”.
Nuk e dimë nëse lagjja mori emrin e xhamisë, apo e kundërta. Është një rast i rrallë që, këtu e filloi dhe këtu e mbaroi detyrën e tij, në shërbim të banorëve të asaj lagjeje, që ishte kufi me lagjen ku banonte hoxha i nderuar. Derisa e arrestuan, këtu u fal, këtu u priu banorëve si imam, këtu predikoi çdo ditë të xhuma, këtu banorët e lagjes, dëgjuan fjalën e urtë e shpresëdhënëse të Hafiz Musasë.
Shumë e dashur u bë kjo xhami disi në skajin jugperëndimor të qytetit, sidomos për gratë e të gjitha lagjeve përreth. Në ligjëratat e Hafiz Dërgutit për familjen, për rolin e nënës në edukatë, për marrëdhëniet bashkëshortore, për marrëdhëniet e detyrat e prindërve ndaj fëmijëve e, të fëmijëve ndaj prindërve, për marrëdhëniet me fqinjët, me farefisin e me gjithë të tjerët në shoqëri, krijoi e ngjalli shumë interes në gratë e Shkodrës, saqë xhamia ishte e mbushur plot gjithnjë, e fjala e Hafiz Dërgutit ngjallte shpresë, mirësi, paqe, harmoni familjare, mirëkuptim e dashuri, mes njerëzve.
Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre, kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhembjet, që jo rrallë shkakton jeta, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame.
E kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje shkodrane. Ai ishte i mirëpritur kudo, nderohej e respektohej fjala e tij. Kudo që ai shkonte, hidhej një rreze shprese, burim mirëkuptimi e harmonie njerëzore. Hafiz Musa Dërguti, duke qenë gjithnjë pranë popullit të vet, jetoi me hallet e tij, ishte për krah tij edhe në çastet më të vështira, jo vetëm me fjalën e tij bindëse, por, kur qe nevoja, edhe duke rrokur armët, për interesat kombëtare.
Ai kështu ndiqte një traditë të hershme të prijësve të shquar fetarë, si: Ahmet Efendi Kalaja, Sheh Shamia, Sali Efendi Hylja, Daut Boriçi, Jusuf Efendi Tabaku, Haxhi Idriz Boksi, Haxhi Hafiz Abaz Golemi, etj., të cilët, në raste rreziku për atdheun, krahas fjalës së urtë, kishin rrokur armët, në luftë kundër pushtuesve turq, serbë e malazezë.
Në gusht të vitit 1920, forcat ushtarake serbo-malazeze pushtuan Kelmendin, Kastratin, Shkrelin e Koplikun. Për të përballuar agresionin serbo-malazez, u rreshtuan në front mbi 3000 luftëtarë shqiptarë, të ardhur nga Shkodra e rrethet e tjera. Mes tyre ishte edhe Hafiz Musa Dërguti, i cili, siç tregojnë, luftoi me trimëri të rrallë.
Ai u bë një shembull guximi dhe burrërie, duke përballuar vështirësi e rreziqe të shumta. Bashkëkohësit tregojnë se, kur një shok i luftës u plagos rëndë, Hafiz Musai e nxori nga beteja, përmes breshërive të plumbave dhe e mbajti në krah nga kodrat e Mosekut, deri në spitalin e Shkodrës.
Ky akt trimërie e sakrifice, ruhet ende i freskët në kujtesën e bashkëkohësve. Vitet 1920-1924, janë plot tensione politike. Shkodra është një vatër e nxehtë e ngjarjeve të shënuara që kalonte vendi ynë. Hafiz Musai, merr pjesë aktive në këto ngjarje dhe përkrah forcat e opozitës. Mbas përmbysjes së regjimit të Fan Nolit, afërsisht mbas 3-4 javësh, ai arrestohet dhe mbahet në gjendje arresti për afro 2 muaj.
Me të, kanë qenë të burgosur edhe Hafiz Ibrahim Repishti, Dom Pjetër Tusha, nga Shiroka, etj. Me ndërhyrjen e Klerit të lartë Mysliman, lirohet nga burgu. Kur fillojnë të përhapen në vendin tonë idetë komuniste, Hafiz Musai, kupton rrezikun e tyre dhe bëhet një luftëtar i vendosur kundër kësaj ideologjie, me aq pasoja për vendin tonë.
Që nga viti 1925, nga shumë hoxhallarë të shquar, demaskohet ideologjia komuniste. Mund të kujtojmë këtu artikujt e Hafiz Ali Korçës apo, librin e njohur të Hafiz Ali Krajës, për rrezikun e bolshevizmit në Shqipëri. Në vitet 1939-1944, kur idetë komuniste u propaganduan në mënyrë më të organizuar në qytetin e Shkodrës, Hafiz Musai, është ndër kundërshtarët më të vendosur. Ai në tubime të ndryshme, spontane apo dhe në xhami, fliste për rrezikun e madh që do të sillte triumfi i komunizmit në Shqipëri.
Ata që e kanë dëgjuar, tregojnë se; Hafiz Musai zbërthente dëmet e mëdha që do të pësonte morali dhe personaliteti i njeriut, familja, prona e atdheu, e sidomos theksonte natyrën gjakatare e kriminale të komunistëve, që vrasjen e njeriut, e kishin si një gjë tepër të zakontë.
Me një propagande të tillë, Hafiz Musai ishte bërë një figurë mjaft e rrezikshme për ‘Grupin Komunist’ të Shkodrës, i cili e dënoi atë me vdekje…”! Por nga frika e një konfrontimi popullor, kjo masë dënimi nuk u zbatua. Djemtë e ruanin gjithnjë babain: Fejziu, Hamiti dhe Eqeremi, edhe kërcënuan ndonjë nga krerët komunistë të qytetit. Për siguri, Hafiz Musai shoqërohej nga shtëpia në xhami, prej dy besimtarëve që i kishte komshinj, vëllezërit; Ymer e Hamza Troshani.
Ky qëndrim antikomunist i Hafiz Dërgutit, është i njohur prej të gjithëve. Aq më tepër e provon veprimtaria e tij më vonë, burgosja, dënimi e përndjekja e gjithë familjes. Prandaj edhe na duket disi i çuditshëm mendimi i shprehur nga At Zef Pllumi për Hafiz Efendiun. Ja çfarë shkruhet në librin e kujtimeve, “Rrno vetëm për me tregue”:
– “Ashtu asht! Tamam e ke, – më thotë ai (Hafiz Musa Dërguti, shënimi im) – Tanë qëllimi asht, për me u zhdukë, sepse ju e keni pre-gatitë popullin qysh me kohë për këtë ditë, tue e tregue se çka asht komunizmi: dushman i Allahut, pa Din e pa Iman. Ju nuk i keni lanë me hi kurrkund, ndër malësitë tueja. Puna jonë, ndryshej.
Lene që nuk i njifshim aspak, se çka janë kta komunistët, bile edhe i ndihmuem këta kodoshë, demek se po bajn luftë kundra taljanit e, duelen njaty në Postribë, u shpërndanë nëpër shpija, tue hangër e tue pi. Aman, aman! Çfarë edepsyzash ishin pasë kenë: Lene ma që thojshin, se Komandanti i tyne i madh, ishte Enver Hoxha, tamam një Hoxhë i dijtun, por edhe kur mblidheshin aty nën hije të fikut e, nuk e prekshin asnjë kokërr edhe sikur t’i lutej i zoti i shpisë.
“Jooo, – thojshin – na nuk kemi si e prekim gjanë e popullit: asht gjynah i madh!” E shife tash se çfarë gjynahit! Ala nuk e kanë mbllaçitë bukën, që u dhanë postribsit: në gojë e kanë, e po i pushkatojnë pa mëshirë, si me kenë tue therë bagti në kasaphane. Vetëm ju i paskeni njoftë mirë se kush janë, sepse keni ditë me e kndue, edhe atë faqen e fundit të librit të tyne. Allah, o Perëndi! Vetëm ti mund të na heqësh qafe tanë kta edepsyza”!
Sipas autorit, Hafiz Dërguti, s’i kishte pas njohur komunistët “lene që nuk i njifshim aspak, se çka janë këta komunistët, bile edhe i ndihmuam këta kodoshë demek…”! E, jo vetëm Hafiz Dërguti, por mbarë myslimanët, sepse sipas autorit, Hoxhë Efendiu, flet në shumës, pra të gjithë hoxhallarët, të gjithë myslimanët, s’i kishin njohur, madje edhe i kishin ndihmuar.
Vetëm Kleri Katolik i paskësh njohur, vetëm ai e paskësh përgatitur popullin; “tue tregue se çka asht komunizmi”. Aq më tepër, Hafiz Efendiu, deklaron me gojën e vet (sipas autorit), se “Komandanti i tyne i madh, ishte Enver Hoxha, tamam nji hoxhë i dijtun…”, e në të kundërt; “Vetëm ju i paskeni njoftë mirë se kush janë…”!
Jo, At Zefi, nuk është kështu, këto janë vetëm sajime. Ju keni shkruar të kundërtën e asaj që ka menduar e ka bërë Hafiz Musa Dërguti. Për të argumentuar sa thamë, po sjellim vetëm dy shënime, nga njerëz që e kanë njohur mirë Hafiz Musain.
Z. Eqerem Dërguti, i biri, shkruan: “Si klerik, ishte antikomunist i vendosur. Ky qëndrim, buronte në radhë të parë nga fakti se ideologjia komuniste, mohonte Zotin. Ai thoshte: Komunistët janë të pafe, ai që nuk beson në Zotin, s’ka moral, s’ka frikë nga çdo veprim, edhe i mbrapshtë po të jetë.
Sapo nisi në qytetin e Shkodrës veprimtaria e organizuar komuniste, Musa Dërguti filloi në çdo moment, në xhami, në rrugë e kudo ta denonconte farën e keqe të komunizmit. Mbahen mend, veçanërisht replikat e forta që bënte në vitet 1936 – 1937, me të rinjtë komunistë. Në këto diskutime të gjata, ai shquhej për forcën e argumentimit fetar dhe paralajmëronte rrezikun e madh të komunizmit dhe pasojat e tij për vendin tonë.
Forcat komuniste, që në atë kohë e konsideronin Hafizin pengesë dhe njeri të rrezikshëm, sepse gjatë viteve 1941-1944, kur lëvizja komuniste në Shqipëri u fuqizua, ai me këmbëngulje, vazhdonte ta demaskonte hapur atë. Në vitin 1944, iu fut një letër anonime në shtëpi, me të cilën kërcënohej me vdekje si klerik antikomunist”!
Ndërsa Z. Beqir Ajazi, një bashkëvuajtës në burgun e Burrelit, shkruan për Hafiz Dërgutin: “…Nëpërmjet një zëri ngushëllues prej patriarku, me një kulturë të gjerë sa fetare, aq edhe laike, ai të bënte për vete. Bagazhi i tij i gjerë dhe logjika e fortë, bënin që ai të të imponohej. Ky ishte Hafiz Musa Dërguti, që besonte në një Zot të vetëm e, të pashoq.
Mbi këtë ai nuk bënte asnjë lëshim…”! E më poshtë, vazhdonte: “Hafiz Musai me dijen e tij të madhe, ishte bërë qendër këshillimesh për të gjithë të burgosurit e Burrelit. Nëpërmjet shpjegimesh prej kompetenti, fjala e tij, hapej tek të gjithë e, bënte punën e vet. Kështu ai bëri nacionalistë të vendosur, të gjithë ata që i shfaqnin dyshime ,si rezultat i propagandës komuniste…”!
Burgimi
Mbas luftës, filluan menjëherë goditjet ndaj Hafiz Dërgutit. Gjatë vitit 1945, është arrestuar tri herë, duke u mbajtur nën vërejtje 4-5 ditë. Gjatë këtyre ditëve, i bënin presione të ndryshme, i thurnin shpifje nga më të ultat, por ai i përballoi me vendosmëri. Në pamundësi për ta përkulur apo për ta korruptuar, u detyruan ta lironin për mungesë provash. Dhe provat u gjetën.
Për këtë shërbeu Kryengritja e Postribës, me datën 9 shtator 1946. Forcat e Sigurimit të Shtetit, pasi shuan kryengritjen, pushkatuan shumë fshatarë e qytetarë dhe arrestuan një numër të konsiderueshëm, prej burrave të familjeve më të mira të fshatrave dhe të qytetit. E, në mes tyre, u arrestua edhe Hafiz Musa Dërguti.
Ditën e kryengritjes, ai ka qenë në Oblikë, ku është takuar me nacionalistin Rasim Gjyrezi, i cili ishte strehuar në fshatin Krebej. Porsa kthehet në qytet, të nesërmen e Kryengritjes së Postribës, në rrugë, tek Çinari i Hoxhëdheut, ndalet nga forcat e Sigurimit dhe arrestohet. Ishte data 11.IX.1946. Për disa muaj rresht, u torturua në birucat e Sigurimit, po ai qëndroi me trimëri, duke ruajtur dinjitetin e tij, si besimtar i devotshëm.
Bashkëvuajtësi i tij, Z. Tom Lec Marku, kujton: “Në burgun e Fretënve, dhoma 47, më bashkuen me të parin njeri, me Hafiz Musa Dërgutin. Tetari Dhimitër Çifliku, nga Boboshtica e Korçës, më lidhi me të këmbë e duar. Ashtu të lidhun u prezantuem. Më pyeti Hafiz Musaja: Si ta thonë emnin? – Tomë Leci, iu përgjigja.
Iu mbushën sytë me lot, kur më pa aq të ri, ende pa i mbushë 24 vjetët. Në atë kohë i kapi hekurat dhe u përpoq që të m’i lironte pak të mijat. – A po të dhamin…?! Ishte njeri dai, që bukën e vet e ndante me mue, më bënte me zor me hangër. – Ha, se je i ri. Ndërkohë më tha: A të vjen keq djalë i dashtun, me u falë? – Me gjithë qejf, iu përgjigja, por lutiu Zotit edhe për mue, se jam tue vuejtë shumë në tortura.
U suell nga muri, u çueme në kambë e filloi me u falë. Unë nuk i dinja ritet, por veprojshe tue e pa Hoxhën. Unë çohesha e ulesha së bashku me të, sepse ishim të lidhun, duer e kambë bashkë. Tue mos dijtë se s’ban me folë, i bana me krah, – Lutju Zotit edhe për mue. Ai nuk më ktheu përgjigje. – Mos harro, Hoxhë, lutju Zotit !
Kur e mbaroi faljen e, bani selam djathtas e majtas, nisi me folë me mue. – Tomë, më tha, nuk flitet gjatë faljes. – Më fal, i thaçë, e u kondendova, kur më tha se ishte falë e lutë për të dy. M’u duk se m’u lehtësuen torturat. Kështu i falte të tana vaktet…! Edhe kur dilnim me krye nevojën personale, duhet të ecnim të dy së bashku, me të njajtën kambë, fillonte e djathta ime dhe e majta e tij. Sillnim kryet nga ana tjetër…”!
Ish i burgosuri politik, Z. Ruzhdi Çoba, kujton: “Hafiz Musanë, e kam njoftë si hoxhë në burg, kam qenë shumë afër tij, qoftë për edukatën qytetare, qoftë edhe si fetar islam, dojshe me përfitue nga dijet e tij…! Në hetuesi, në Burgun e Kishës, vazhdonte me falë të pesë vaktet. Tue qenë se ishte i lidhun me një të burgosun tjetër, i lutet shokut, me e krye këtë detyrë fetare.
Tue qenë se partneri i lidhun, ishte katolik dhe pikërisht Gjon Serreqi, për respekt pranoi me u ulë e, me u çue muej me radhë, tue i kërkue hallallek. Besoj se kjo është një gjest i veçantë mirëkuptimi, në burgjet komuniste dhe Gjoni më ka thanë: ‘Ruzhdi, kjo m’u ba refleks dhe jo vetëm që nuk pritojshe me u falë me hafizin, por kishe një farë kujdesi, me e ndigjue orën e kishës, kur vinte ora e faljes…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga libri; “Në kujtim të brezave”, i autoreve; Fak LULI, (Dr. Honoris Causa) “Mësues i Popullit”, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati