Nga Mehdi Dashi
Memorie.al / Kamioni i madh i prapavijës së filmit “L’ AMERICA”, mezi po hynte në rrugicën e ngushtë dhe përherë të gjelbëruar të Hotelit të Gjuetisë, fare pak km. larg, në periferi të qytetit të Lezhës, i cili siç dihet është ndërtuar në vitet ’40-të, nga dhëndri i Duçes, Konti Çiano, ministri i Jashtëm i Italisë së asaj kohe. Dhe që në periudhën e komunizmit, u shfrytëzua kryesisht nga udhëheqja e lartë e atij regjimi e, funksionarë e tjerë të asaj nomenklature, që e frekuentuan atë deri në shembjen e atij sistemi, në vitin 1990. Ne, personeli i hotelit, ishim mësuar me ardhjen e shumë grupeve për xhirimin e filmave shqiptarë, madje kush është shikues i vëmendshëm i kinematografisë shqiptare që i përket periudhës së para viteve ’90-të, e dallon qartë se në shume filma, ka fragmente e pasazhe nga ambientet e atij hoteli.
Në atë kohë, xhirimet zgjasnin me muaj dhe regjisorët, artistët, teknikët, shoferët e punonjësit e tjerë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, të angazhuar në ato xhirime, bëheshin si njerëz të shtëpisë, pra pjesë e personelit tonë.
Por edhe ata, herë pas here na bënin pjesë të filmave të tyre si figurantë, më shumë për të na ndihmuar në rrogat tona të vogla të asaj kohe…!
Tashmë kohët kishin ndryshuar dhe këtu, po stacionohej një grup xhirimi filmi italian, me në krye një regjisor jo të zakonshëm. Këtu, pra diku nga fundi i vitit 1992, (duhet të ketë qenë nëntor apo dhjetor, se kujtoj se ishte periudhë gjuetie rosash), do rrinte për shumë ditë me ne, autori i famshëm i filmave, si: ‘COLPIRE AL CUORE’, ‘PORTE APERTO’ ‘IL LADRO DEI BAMBINI’, etj., i famshmi Gianni Amelio.
Si në shumë gjëra e aspekte, italianët ishin krejt të painformuar për vendin tonë, si ai kamion stërmadh që mezi po hynte aty, i mbushur dëng me ushqime, pjata, lugë e, deri edhe bukë, etj. Italia, pak kilometra larg nga ne, na dinte Afrikë…?! Por deri diku, nuk kishin faj, apo më saktë nuk ishte vetëm faji i tyre…!
Ato ushqime, mbetën për një kohë të gjatë korridoreve të ngushta të hotelit, deri sa përfunduan si dhurata për punonjëset e shërbimit. Kuzhina e jonë i mrekulloi.
Shpesh Dario, shoferi simpatik dhe gjithmonë i qeshur, apo operatori Luka, me shumë seriozitet, i tregonin aktorëve që vinin e shkonin gjatë xhirimeve, historinë e konservave që kishin bllokuar kalimin në apartamentin nr. 4 të hotelit tonë.
Për ne ishte mrekulli që kafen e mëngjesit, e pinim me Amelion e madh, duke bërë shaka me grimieret Anna dhe Veronica…!
Placido, ishte i vetmi nga grupi që jetonte në Tiranë, madje na thoshnin se ruhej me polici private dhe flinte në shtëpinë e Piro Milkanit.
Pas shkëputjes nga hotel “Dajti”, Hoteli i Gjuetisë ishte ne vartësi administrative të Hotel “Tirana”, kështu që të gjitha veprimet, furnizimet e rrogat, ne i merrnim atje, madje njëherë në dy javë, një nga personeli ynë, shkonte atje me marrë rrogat, që për kohën, ne i kishim më të mirat…!
…Ato ditë më thanë që të shkoja në Tiranë, për furnizim e për rrogat, por çdo herë, ne nuk harronim të merrnim me vete; o rosa o, peshk, për shefat, që të merrnim diçka më tepër nga planifikimi…! Kështu funksiononte në atë kohë.
Në hyrje të “pesëmbëdhjetë katëshit”, (siç quhej Hotel “Tirana” asokohe), atë ditë ishte një skenë xhirimi me lypsa dhe mezi kalova turmën e kureshtarëve për të hyrë brenda.
Michele, sapo kishte përfunduar xhirimet me një sekuencë nga filmi dhe po rrinte i ulur në holl, me Silvën, grimierën e bukur me të cilën njihesha dhe shpesh bisedonim për poezinë e për artin.
“Silvia’! – i thirra – a është mundur të na bësh një foto me zotin Michele”?
Ajo vrapoi shpejt dhe mori një aparat çasti, duke më prezantuar mua me Placidon dhe në të njëjtën kohë, bëri shkrepjen. Si një xhentëlmen i vërtetë, aktori i madh, po shkundte pozën dhe m’ë drejtohet:
– “Zoti Mehdi, a din se ne kemi sy të përbashkët”?!
“Po – i thashë duke qeshur, po famën e kemi diverso”.
Madhështia e tij e përzier me mirësi, shkoi te ekspresi portativ i kafesë, që përdorte grupi i xhirimit dhe me dorën e tij, me solli kafen në filxhanin plastik.
“Z. Michele – i them – a pranoni nga unë dy rosa (Anitra) për dhuratën e madhe që më bëtë, duke pozuar me mua”?
– “Ç’është ajo fjalë – më tha, – dhurata e juaj, është më e bukur, kam njëzet vjet, pa ngrënë rosa të egra, dhe sonte, gruaja e Piros, do të na i gatuajë ne në shtëpi”.
Pastaj biseduam dhe pak e po atë ditë, më tha mua atë që ai ua tha shqiptarëve para pak vitesh, se; gjyshja e tij, fliste shqip.
Akoma e ruaj sot e kësaj dite në në një bllok timin, autografin e tij të shkruar tekstualisht: “Sinjor Mehdi, con simpati MICHELE PLACIDO”.
Më gjatë këtë, pra historinë se si e njoha artistin e famshëm të kinematografisë italiane, Michele Placido dhe foton me ngjyra që kam me të, (të cilën po e publikoj për herë të parë në këtë shkrim), e kam përshkruar në librin tim; “BURGU TURISTIK”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016