Dashnor Kaloçi
Memorie.al/Publikohet raport-informacioni i 17 marsit të vitit 1973 për Enverin, Mehmetin dhe Hysniun lidhur me Estradën e Tiranës, i hartuar nga funksionari i lartë i Komitetit Qendror, Enver Halili, i cili informon rreth atyre që ndodhnin dhe thuheshin aty ku mes të tjerash shkruhet: “Regjisori Bujar Kapexhiu ka arritur deri aty, sa në një mbledhje t’ju bëjë thirrje të hapur artistëve dhe pjesëtarve të Estradës, që të shikojnë televizionin italian dhe të mësojnë prej tij nga mënyra e vënies në skenë, forma dhe interpretimi”
Dokumenti që po publikojmë i përket datës 17 mars të vitit 1973, ku funksionari i lartë i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Halili, informon Enver Hoxhën mbi një mbledhje që është zhvilluar me kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë së atij institucioni. Në atë mbledhje e cila zhvillohej po në të njëjtën kohë, me mbledhjen e mbajtur nga Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor, së cilës i kishte paraprirë fjala e tij në Plenumin e III-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, si bosht kryesor, të dyja kishin të njëjtën temë:
“Shfaqjet e huaja dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi dhe gjithë jetën e vendit”. Dhe gjithashtu të dyja këto mbledhje, mbaheshin vetëm pak kohë pasi kishte përfunduar Festivali i 11 Kombëtar i Këngës në Radio Televizion, i cili u bë shkas, në një farë mënyre apo mundet me shumë gjasa, që të kishte qenë edhe preteksi që u goditën, disa shkrimtarë dhe artistë, me në krye të ashtuquajturin: Grupi armiqësor, në Art e Kulturë, me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën. Ashtu siç do të shohim në raport-informacionin në fjalë, i deleguari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Halili, (askohe instruktor në K.Q., deputet në Kuvendin Popullor, sekretar i parë në disa rrethe dhe vite më pas, ministër dhe anëtar i Byrosë Politike), ia ka përshkruar me detaje gjithçka ndodhte në kolektivin e Estradës Profesioniste të Tiranës dhe organizatën bazë të partisë, së atij institucioni. Madje jo vetëm aq, pra në atë çka ndodhte në punën e tyre, por informacioni shtrihej deri edhe në jetën personale e familjare të aktorëve dhe artistëve të atij institucioni.
Ajo që vihet re është se kritikat e ashpra nuk kursehen as ndaj Vaçe Zelës e konsideruar që asokohe, si një nga legjendat e këngës shqiptare, apo regjisorit të njohur, Bujar Kapexhiu, ndaj të cilit ishte bërë objekt sulmesh edhe prej faktit, se kishte drejtuar si konferencier Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, së bashku me partneren e tij, Edi Luarasi. Dhe të gjitha këto të trajtuara me detaje të hollësishme në raport-informacionin në fjalë të të deleguarit të komitetit Qendror, i drejtoheshin vetë Enver Hoxhës.
Dhe siç ishin rregullat e punës me të cilat funksiononte aparati i Komitetit Qendror, përveç Enver Hoxhës, ai raport-informacion, është parë edhe nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu dhe Petro Dode, të cilët gjithashtu kanë vënë nënshkrimet përkatëse mbi dokument.
I N F O R M A C I O N
“REGJIZORI KAPEXHIU BEN THIRRJE TE HAPUR TE NDIQET TELEVIZIONI ITALIAN”
- Nga Estrada ka pasur tendenca, të cilat edhe janë realizuar për të kopjuar nga televizori Italian? Kështu, p.sh. në shfaqjen e “Katërmijë duartrokitje”, që është vënë në skenë nga regjisori Bujar Kapexhiu, duken imitime dhe kopjime, që nga titulli e deri te numra të veçantë, si takimi me sportistë (boksier, futbollistë dhe basketbollistë), me të cilët bëhet humor pa asnjë përmbajtje, etj. Imitime dhe kopjime ka pasur edhe në disa numra të shfaqjeve të tjera. Me të drejtë u kritikua Bujar Kapexhiu, i cili është i prirë, për të kopjuar dhe e quan për diçka normale dhe të nevojshme, sa që ka arritur në një mbledhje të kolektivit, të bëj thirrje aktorëve dhe pjesëtarëve të tjerë të Estradës, të mësojnë nga televizioni italian, nga mënyra e vënies në skenë nga forma dhe interpretimi.
- Në disa raste dekori i shfaqjeve si në Estradë e veçanërisht në Cirk, ka pasur nuanca të huajtura. Shpesh herë nuk janë përshtat përmbajtjes së shfaqjes, piktura dhe karikatura pa kuptim, bile në ndonjë rast s’është marrë vesh se çfarë donte me paraqit autori. Nga regjia dhe vetë aktorët janë përdor me raste veshje ekstravagante mini dhe maxi funde, pantallona kauboj dhe të tjera. Disa aktorë në kundërshtim me rregullat, kanë transformuar edhe rekuizitën me qëllim që t’i përshtatje modës së dëshiruar nga ata.
- Në disa raste, sidomos këto dy tre vjetët e fundit, për t’ju shmangur vështirësive, punës intensive, Estrada e sidomos Cirku, kanë rënë pas temave të lehta me përmbajtje të cekët ose nga njëherë pa përmbajtje. Edhe vështirësitë që hasen në drejtim të sigurimit të materialeve nga krijuesit, Estrada e në mënyrë të veçantë regjisorët, u kritikuan nga aktorët, se shpesh herë kanë rënë në mikro tema pa asnjë trajtim në gjerësi e thellësi të problemeve të mprehta të të gjitha fushave që preokupojnë partinë dhe shoqërinë.
“AKTORET E ESTRADES IMITOJNE ME XHESTE ARTISTET ITALIAN”
- Disa aktor të estradës duke dashtë me kopjuar ndonjë artist italian në interpretimet e tyre në role të veçanta, kanë bërë shtrembërime, gjeste dhe lëvizje, jashtë përmbajtjes së tekstit, ky veprim ka bërë që të injorohet përmbajtja, duke tërheqë vëmendjen e spektatorëve me gjestet dhe lëvizjet pa kuptim. Në diskutimet e tyre, shoqet dhe shokët e estradës, kritikuan edhe mjaft shfaqje e ndikime të ideologjisë borgjeze e revizioniste, në mënyrën e jetesës për sjelljen e aktorëve dhe pjesëtarëve të tjerë të kolektivit në familje dhe shoqëri. Disa aktor dhe orkestrant kanë shthurje, në jetën familjare, dy shoqe janë ndarë nga burrat, për fajin e tyre, 2-3 të tjerë, kanë grindje në familje, të cilat rrezikojnë bashkëjetesën familjare. Tek tuk ka edhe shfaqje rrugaçërie, sidomos kur trupa e estradës është në turne, në rrethet e tjera, këto akte arrijnë deri aty, sa të zihen me njerëz të jashtëm, të dëmtojnë pasurinë socialiste me dashje etj. Edhe brenda kolektivit ka nga disa, zënie e mëri. Brenda në kolektivë disa herë, janë konstatuar vjedhje të pasurisë socialiste, si rroba, poçe elektrike etj., ashtu edhe para të njëri tjetrit.
Shokët kur folën u munduan dhe deri në një farë mase i pasqyruan edhe shkaqet e këtyre të metave, të depërtimit të ndikimeve të ideologjisë së huaj në gjirin e kolektivit të tyre.
SKENDER PLASARI: “NE NUK THELLOHEMI TE MESIMET E SHOKUT ENVER”
Me gjithë që organizata bazë ka bërë përpjekje me u marrë me këto probleme, ajo shpesh herë, ka parë në sipërfaqe shfaqjet dhe fenomenet negative, nuk ka bërë gjithnjë analizë të thellë, të prejardhjes së tyre. “Puna edukative – tha në diskutimin e saj aktorja Hajrie Sojli – ka lënë për të dëshiruar në kolektivin tonë, pak nga mungesa e seriozitetit të organizatës bazë dhe ish sekretarit të saj, pak nga mungesa e pre dispozicionit tonë për të frenetuar e pregatitë, mirë formën e edukimit, kanë bërë që ato mos të lozin rrolin që i takon”. Kritika për mungesë në pregatitjen dhe zhvillimin e formave të edukimit, pati edhe nga disa komunistë e punonjës të tjerë. Shkrimtari dhe njëherit aktori Skënder Plasari tha: “Ne punonjësit e artit nuk thellohemi sa duhet në mësimet e partisë e të shokut Enver, nuk i njohim në thellësinë e tyre problemet e mprehta me karakter politik, ideologjik, ekonomik e tjera, si rrjedhim edhe kur i trajtojmë ato në skenën tonë, i trajtojmë më shumë në sipërfaqe. Pak lexojnë pjesëtarët e kolektivit tonë, duke filluar që nga regjisori e deri tek aktori më i ri”. Aktori Enver Bukri tha: “Ne interpretojmë në skenë, gjithfarë rolesh me tipe të ndryshme, pozitive e negative, por rrallë për të mos thënë hiç, ne studiojmë materialet e partisë, në përshtatje me rolin që do lozim e aq më pak për tipin që do paraqesim, mjaftohemi me atë që dimë nga praktika. Kjo na ka bërë që shpesh herë mos t’ia arrijmë qëllimit në tërësi”. Për këto dobësi u kritikua edhe metoda e punës së regjisorit Bujar Kapexhiu i cili nuk e lot fare këtë rol, e shikon veten thjesht si teknik e jo si edukator, si psikolog, bile në diskutimin e tij, ai në mes tjerave e quajti veten thjeshtë punë dhënës.
Vënia e interesit personal, mbi atë të përgjithshmin ka bërë që të biem në ndikime të huaja, tha një diskutantët. Shpesh herë disa aktor dhe krijues, të inkurajuar në ndonjë rast edhe nga drejtuesit e institucionit, duke vënë në plan të parë interesin personal, nga ana morale dhe materiale (suksesin duartrokitjet dhe të ardhurat) kanë rendë pas formës e paraqitjes edhe këto jo sipas estetikës tonë dhe kanë lenë mënjanë, esencialen, përmbajtjen e tjera.
“STAFI ESTRADES ME 8-VJECARE, VETEM NJE ME TE MESME DHE 2 ME TE LARTE”
Na duket se me të drejtë ngritën shokët, që një nga shkaqet që ka influencuar në dobësitë dhe të metat e sipër përmendura është edhe niveli i ulët arsimorë dhe ideo-estetik i trupës. Nga 20 aktor, 5 janë me fillore, 12 me tetë vjeçare, 1 me të mesme dhe 2 me të lartë. 10 vjetët e fundit nuk është emëruar asnjë aktor me shkallë profesionale, qoftë edhe me të mesme. Për problemin e kuadrit u bënë disa kritika në adresë të komitetit partisë dhe atij ekzekutiv, të cilët nuk kanë treguar interesimin e duhur për këtë institucion, ka mbi 3 vjet, që estrada është pa dirigjent dhe akoma s’ka perspektivë për t’u emëruar.
Në përgjithësi, thanë në diskutimet e tyre shokët, interesimi nga ana e organeve të partisë e të pushtetit në rreth ka munguar. Shoku Fadil Paçrami, nuk e ka shikuar estradën njësoj si Teatrin e Operas dhe atë Popullor. Kur kishim 20 vjetorin, erdhi në ceremoninë e hapjes dhe nuk qëndroj në shfaqje. Në përgjithësi u bënë kritika për shokët drejtues të partisë e të pushtetit në rreth, duke përjashtuar shoqen Katina Starja, që pak vinë në shfaqjet e estradës, si rrjedhim edhe ndihma e tyre për mbarëvajtjen e punës ka qenë shumë e pakët. Ato pretendojnë që këto organe, më afër duhet ti qëndrojnë estradës t’i hapin horizont, me këshillat, vërejtjet e propozimet e tyre. Edhe për edukimin ideopolitik, pa mënjanuar punën që duhet të bëjë organizata bazë, ndoshta ato duhet të ndihmojnë më afër këtë institucion.
Pothuajse të gjithë ngritën si problem, tepër serioz mungesën e krijimtarisë për estradat. Veç tjerave edhe disa shkrimtar, humorist që deri vonë shkruanin për estradat, janë larguar. Atje u shprehën se janë disa shkaqe: mendimi tek shkrimtarët, se këto janë gjëra të vogla e nuk të japin titull, njohje, etj., jo gjithnjë ka aktor të përshtatshëm për ti interpretuar dhe pjesët janë në “shenj” për tu diskutuar e kritikuar, shpërblimi material është i vogël, në krahasim me krijimtarinë tjetër etj.
Këto ishin disa probleme që dolën dhe u diskutuan në organizatën bazë dhe kolektivin e estradës profesioniste. Një ndihmë të mirë për përgatitjen dhe zhvillimin e këtyre mbledhjeve, dha i deleguari komitetit partisë rajonit Nr. 3 shoku, Fiqiri Vogli./Memorie.al
Instruktori i K.Q.
(Enver Halili)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016