Nga Prenjo IMERAJ
Pjesa e parë
Memorie.al / Burgu kështjellë famëkeq komunist i Burrelit, do të mbetet në historinë e kombit shqiptar si një njollë e zezë, ku u burgosën, vuajtën tmerret e torturave çnjerëzore, vdiqën e u groposën pa varre, disa nga bijtë më të mirë, nacionalistët më besnikë, antikomunistët më të vendosur dhe intelektualët, më të formuar nëpër universitetet më të njohura të Europës dhe më tej. Aty hoqën të zitë e ullirit, përveç Xhevat Korçës edhe Koço Tasi, Vissarion Xhuvani, Mihal Zallari, Sokrat Dodbiba, Gjergj Kokoshi, Salih Vuçiterni, Sami Bitincka, Nino Kurti, Aleksandër Çurçia, At Pjetër Mëshkalla, Dom Shtjefën Kurti, Gjon Shllaku, Tefik Mborja, Hysni Alimerko, Tahir Hoxha, Leonidha Kume, Qemal Vrioni, etj.
Zoti Tomorr Dosti, ish i burgosur politik në burgun e Burrelit, me banim në Tiranë tregon: “Ishim duke ecur nëpër ‘pajtoz’, në orarin e shëtitjes, së bashku me Engjëll Çobën e ndjerë. Na afrohet njëri nga të burgosurit dhe na thotë se, Xhevat Korça kishte shpallur grevën e urisë. Na ra si bombë! Kur Engjëlli e mblodhi veten, foli:
‘Po hupim një nacionalist të madh. Xhevati kur e thotë fjalën nuk e kthen mbrapsht”! Po kush ishte ky burrë, për të cilin po shqetësoheshin gjithë të burgosurit politikë, ndërsa drejtoria e burgut, duke e marrë si lojë, fillimisht heshti?! Ky burrë ishte Profesor Xhevat Korça, i lindur në Korçë më 10 janar 1893. Pas mësimeve fillore në qytetin e lindjes, vijoi gjimnazin me emër të Janinës.
I mbrujtur me ndjenja atdhedashurie u aktivizua me armë në dorë, në çetat liridashëse të Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Bellkamenit, duke luftuar kundër pushtuesve turq dhe çetave shoviniste të andartëve grekë, të cilët kryenin herë pas here krime çnjerëzore, ndaj banorëve të trevave shqiptare. Pjesëmarrja në ato çeta, do t’i kushtonte Xhevatit dënimin me vdekje, si prej turqve, edhe prej grekëve.
Pas shpalljes së Pavarësisë, në sajë të interesimit të Themistokli Germenjit, mbështetur edhe prej Bajram Currit, së toku me disa djem të tjerë, u dërguan nga qeveria shqiptare e atëhershme, për studime në Vjenë, ku Xhevati u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Historike. Rezultati përfundimtar i atyre studimeve ishte i shkallës më të lartë. Gjatë atyre studimeve Xhevat Korça nuk u nda nga aktiviteti patriotik.
Më 15 dhjetor 1918, Xhevati së bashku me studentët e tjerë shqiptarë, si; Jani Basho, Remzi Baçi, Nush Bushati, Raqi Buda, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri dhe Luigj Kakariqi, i dërguan presidentit amerikan Willson, një lutje, për të marrë në dorë të drejtat e kombit shqiptar. Në vitin 1922, Xhevat Korça ngarkohet nga qeveria shqiptare në Shkodër, për të themeluar gjimnazin shtetnor laik të atij qyteti, duke aktivizuar në atë gjimnaz midis të tjerëve, edhe profesorët:
Anton Paluca, Kostaq Cipo, Kolë Margjini, Gabriel Meksi, Gjergj Kokoshi dhe Simon Rrota. Si përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, pas ardhjes së Ahmet Zogut në fuqi, Xhevat Korça me gjithë familje, u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe të emigrojë në Beograd. Duke gjetur aty përkrahjen shkencore të prof. Henrik Bariqit, që ishte albanolog i shquar, u caktua fillimisht lektor i gjuhës shqipe, në kursin-seminar të atij profesori.
Në vitin 1925, u caktua lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa në vitin 1927-’28, mbajti kursin “Gjuha Shqipe për fillestarë”. Mbas tre vjetësh qëndrimi në Beograd, u bë e pa mundur të qëndronte më tutje aty, pasi Zogu pat dërguar dy herë njerëz, për ti bërë atentat. U vendos familjarisht si emigrant në Vjenë, ku e vazhdoi punën këmbëngulëse e të palodhur, në përkthimin e dokumenteve të Arkivit të Shtetit austriak, që hidhnin dritë mbi historinë tonë kombëtare, gjë për të cilën punoi plot dhjetë vite me radhë. (Dokumentet e përkthyera nën titullin “Acta et Diplomata Austro-Hungarie, ndodhen në Arkivin s Shtetit në Tiranë, në fondin Xhevat Korça).
Pas atentatit që Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi i bënë Zogut në Vjenë, Xhevat Korça, bëri ç’ishte e mundur që ata të mos gjykoheshin në Vjenën konservative dhe monarkike, ku ata do të dënoheshin më rëndë, por me miqtë’ e tij, bënë të pamundurën që gjykimi të bëhej në ndonjërin prej qyteteve industrial, me shpresën se opinioni qytetar republikan e demokrat, do t’u shërbente të akuzuarve si mbrojtje, që të dënoheshin jo me ashpërsin’ e menduar. Në këtë kohë, bëri bujë të madhe gjesti trimëror i Xhevat Korçës, i cili pa ju dridhur qerpiku, ftoi në duel një avokat austriak.
Gazetari në fjalë, jo vetëm që Xhevat Korçën e kishte quajtur agjent provokator, por edhe shqiptarët e ikur nga Shqipëria në artikullin e tij, i cilësonte si të shitur tek Jugosllavia. Dueli nuk u realizua, sepse avokati i trembur i kërkoi falje publike Profesor Xhevat Korçës, madje në të njëjtën gazetë dhe me të njëjtën gjatësi shkrimi, sikurse edhe ai i pari. Gjatë atyre ditëve ankthi, ndërsa e shoqja e trimit qante duke i thënë se, po e linte rrugëve të Europës me fëmijë të vogël, ai i përgjigjej: “Nuk ka asnjë vlerë jeta jonë, po lamë që të na nëpërkëmbin ne si shqiptarë”!
Për shkak të jetës shumë të shtrenjtuar në Austri, gjatë krizës së viteve ’30-të, Xhevati familjarisht u vendos në Fiume të Italisë. Megjithëse Zogu në ato vite, ofroi një amnisti për kundërshtarët e tij të dikurshëm, Xhevati qëndroi deri në fund konsekuent dhe, nuk ra ndesh me parimet e tij liberale e demokratike. Kur radioja italiane komunikonte pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939, gazetarët Italianë që shkuan për ta intervistuar në banesë, si emigrant politik antizogist, e gjetën Xhevat Korçën duke qarë me ngashërime, për humbjen e lirisë.
Duke ruajtur etikën morale u drejtohet gazetarëve me urtësi: “Ju lutem na lini në hallin tonë dhe largohuni nga banesa ime. Ju na e pushtuat vendin”! Po atë ditë, Xhevat Korça kapërceu urën që ndante Fiumen italiane, me qytetin jugosllav Sushak, ku çensura fashiste, nuk arrinte për të kontrolluar shërbimet postare dhe i telegrafoi Mbretit Zog, kundërshtarit politik të hershëm, që të hapte kufijtë, për t’i lejuar patriotët e ikur të ktheheshin e, t’a mbronin bashkërisht atdheun. (Këto dy dëshmi, janë të dokumentuara nga dëshmitarja, Zonja Lejla Bumçi, në Gjyqin Special të viti 1945, me kryetar Koçi Xoxin dhe prokuror Bedri Spahiun).
Në vitin 1940, ai do të pranojë emërimin si anëtar i Këshillit të Shtetit, së bashku me Riza Danin, Sejfi Vllamasin, Omer Nishanin, Fuad Asllanin, Dhimitër Beratin, etj., që në fakt nuk kishte as edhe një funksion juridik, por vetëm teknik. Gjatë nji mbrëmjeje që kishte organizuar Mëkëmbësia, me intelektualë shqiptarë, Xhevat Korçës i afrohet Ndihmësi i Mëkëmbësit të Mbretit, Lorusso Attoma dhe i thotë:
– “Profesor, nga ju presim tashti, si kundërshtar i regjimit të Mbretit Zog që kini qenë, të na shkruani për fashizmin dhe për të mirat që po i sjell ai Shqipërisë”.
Situata u bë e nderë dhe, askush nuk pipëtinte në grupin ku ata ndodheshin, se të gjithë e njihnin Xhevatin, që e thoshte haptas atë çka mendonte. Kur ai foli, tha:
– “Zoti Attoma, duhet ta dini se që më 7 prill 1939, penës s’ime i është thyer maja”! Intelektualët, midis të cilëve aty pranë ishte edhe Omer Nishani, heshtën. Për çudinë e të gjithëve ky njeri, që pas luftës u bë president i Shqipërisë komuniste, dy ditë më vonë, do të shkruante në gazetën “Tomori”, një artikull të gjatë që përfundonte me këto fjalë: “Kur miku i tij, Mustafa Kruja, u emërua kryeministër në vitin 1942, Xhevat Korça pranoi postin e Ministrit të Arsimit, por me dy kushte:
1- Gjuha italishte, të hiqej si gjuhë e detyruar prej shkollave fillore të Shqipërisë dhe Kosovës.
2- Të lirohen prej kampit të internimit të Ventotenes në Itali, të gjithë arsimtarët shqiptarë, të internuar si kundra-italianë.
Kuptohet që pas gjithë këtyre ngjarjeve dhe për faktin tjetër që, dikur Xhevat Korça kishte qenë anëtar i KONARE-s, fashistët italianë, të mos kishin besim tek ai. Gjenerali Dalmazzo, Kryekomandanti i forcave italiane në Shqipëri, kishte lëshuar një qarkore tepër sekrete, për ta gjurmuar në çdo lëvizje si person me tendenca komuniste, gjë që nuk qëndronte fare, pasi veprimtaria e Xhevat Korçës, ishte vetëm atdhetare shqiptare. Patrioti Beso Gega, i qé lutur Xhevat Korçës, ta ndihmonte për të liruar nga burgu fashist të bijën, Liri Gega, duke i thënë se ajo ishte vetëm kundra-italiane dhe jo komuniste.
Xhevati ndërhyri tek ministri i Brendshëm, Mark Gjomarkaj si edhe tek kryeministri Mustafa Kruja, i cili e njihte mirë Beso Gegën, si patriot, për të nxjerrë Liri Gegën prej burgut. Kryeministri hezitoi shumë, pasi e dinte veprimtarinë terroriste komuniste të Liri Gegës, por megjithatë e liroi. Për ironi të fatit vite më vonë, kur u bënë bashkë në burgun e Ri në Tiranë, Beso Gega tërë seriozitet, i drejtohet Xhevat Korçës: – “Ti mirë e ke që je në burg. Ti tradhtova jo vetëm detyrën tënde, kur ma lirove vajzën nga burgu, por duhej edhe mua të më kishe arrestuar në vend, kur ndërhyra për të”!
Xhevati vetëm se u habit nga ato fjalë, pasi ai nuk e dinte se komunistja Liri Gega, e kishte mohuar babain e saj. Gjatë veprimtarisë së tij si ministër, Xhevat Korça bëri ç’kishte në dorë, së bashku me kolegët e tij, për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare që, nën drejtimin e Mustafa Krujës, mblidhte figura të shquara, si; Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Anton Paluca, Aleksandër Xhuvani, Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Dhimitër Beratti; etj. Qëllimi i atij Instituti, ishte krijimi i një bërthame akademike, për t’i shërbyer shkencës së albanologjisë dhe më vonë edhe themelimit të një universiteti shqiptar.
Ishte vendim i kësaj Kryesie, Instituti që përmendëm më lart, caktimi si Gjuhë e Njësuar Normative Shqipe, e folura e qytetit të Elbasanit, gjë e cila u ligjërua sapo Mustafa Kruja u bë Kryeministër dhe Xhevat Korça, ministër i Arsimit ku, me qarkoren, (Nr.61-datë 20 Shkurt 1942), drejtuar të gjitha shkollave të mesme të Shqipërisë e, të nënshkruar nga vetë ministri i Arsimit, Xhevat Korça, njoftoheshin drejtorit’e atyre shkollave, rreth Gjuhës Normative Shqipe dhe urdhëroheshin të përdoreshin si tekste zyrtare, Sintaksa edhe ai i Gjuhës Shqipe, me autor Atë Justin Rrotën.
E nuk mund të mos zihet në gojë edhe se si, përgjatë diktaturës, kurrë nuk u zu në gojë fakti, se jo pak, por tridhjetë vite para atij që u quajt Kongresi i Drejtshkrimit, (20 – 25 Nëntor 1972), në shkollat e Shqipërisë, mësohej Gjuha e njësuar Normative Shqipe! Vrasja e Qazim Koculit në Vlorë, e shtyti Mustafa Krujën dhe Xhevat Korçën, të japin dorëheqjen në shenjë proteste, se mendohej që italianët, kishin gisht në vrasje, pasi Qazim Koculi, kishte qenë komandant ushtarak i kryengritësve në Luftën e Vlorës, më 1920.
Ardhja e regjimit komunist në Shqipëri në nëntorin e vitit 1944, e gjeti Xhevat Korçën jashtë politikës, në shtëpinë e vet në Tiranë. E arrestuan bashkë me djalin e tij të madh, Gencin, pasi ky i fundit, ishte inkuadruar në batalionin nacionalist “Besnik Çano” e, kishte luftuar në Kosovë, kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë. Në prill të vitit 1945, Xhevat Korça doli përpara Gjyqit Special, të kryesuar nga Koçi Xoxe dhe me prokuror Bedri Spahiun. Qëndrimi i tij ishte më se dinjitoz. E akuzuan si tradhtar dhe i shitur tek Italia fashiste. Xhevati tërë bindje, i u drejtua trupit gjykues:
– “Po të gjeni qoftë edhe një rresht të vetëm të shkruar, apo një fjalë të thënë pro fashizmit, nga ana e ime, do ta pranoj pa as edhe një kundërshti, dënimin më të rëndë që do të vendosni”!?
– “Ke shpërdoruar fondet e F.A.P.I.-t”, (fondet e Ministrisë së asaj kohe), ulëriti prokurori!
Kur Xhevat Korça paraqiti dokumenta se, nga ai fond u dha nga një rrogë shtesë gjithë arsimtarëve pa përjashtim, si në Shqipëri edhe në Kosovë, prokurori komunist u ndie përsëri:
– “E ke bërë, për t’i afruar arsimtarët me fashizmin”!
Xhevat Korça me zë të lartë, iu drejtua Prokurorit:
– “Paskeni konsideratë të lartë për mësuesit shqiptarë, me që mendokeni se me një rrogë, u korruptuakan dhe ndërruakan idealet e tyre”!
Për Xhevat Korçën trupi gjykues komunist, vendosi dënimin me vdekje (ishte dënimi i katërtë me vdekje, se përveç turqve dhe grekëve, e patën dënuar edhe austriakët). Në fakt, më vonë dënimi kapital, iu kthye me burgim të përjetshëm dhe e futën në burgun kështjellë të Burrelit, të cilin e përballoi me trimëri e qëndrueshmëri të pa shoqe, si edhe dinjitet të lartë.
Tregonte dikur një bashkëvuajtës, Tomor Aliko: “Në vitin 1949, Xhevat Korça ndodhej i shtruar në spitalin e burgut, së bashku me një farë Teme Shehu. Një oficer i lartë i Sigurimit, që shkoi për inspektim, u thotë të burgosurve me ironi: – “Ku jini o baballarë të Kombit…”?! Xhevat Korça hazër xhevap, i a ktheu: – “Le t’ua lemë historianëve për të gjykuar”!
Ai drejtues i lartë në ministrinë e Punëve të Brendshme dha urdhër dhe menjëherë e nxorën Xhevat Korçën nga spitali edhe e kthyen në burg. Xhevati vërtet vuante vetë, por më shumë vuante për bashkëvuajtësit e tjerë të burgut. Përpara syve të tij, për çdo ditë parakalonin të vdekur, që varrmihësit gardianë, me një batanije i groposnin tek qershia famëkeqe e burgut të shfarosjes të Burrelit. Ishin djem e pleq fatkëqij që nuk i duronin dot torturat dhe kushtet e tmerrshme të atij burgu kob-sjellës…
Të burgosurit në burgun e Ri të Tiranës, kanë pasë dëshmuar për një bisedë interesante të zhvilluar në qeli, midis Mehmet Shehut dhe Xhevatit, mbas ‘Gjygjit Special’, gjatë së cilës u dukën qartë, jo vetëm guximi e burrëria e Xhevat Korçës, por edhe inteligjenca dhe kultura e tij, në krahasim me atë drejtues famëkeq të hierarkisë komuniste. Si Ministër i Punëve të Brendshme, vete Mehmet Shehu të vizitojë Burgun e Ri. Kur u fut në kaushin ku ndodhej edhe Xhevati, të cilin e njohu dhe i drejtohet me këto fjalë:
– “E more Xhevat Korça, u binde më në fund se ne luftuam për kauzën e drejtë, kurse ju e kishit gabim”?! Xhevati replikoi diçka për këtë çështje e, pastaj diskutimi u pleks duke i u drejtuar njëri tjetrit; Memeti me Xhevat, kurse ky i fundit me Zoti Ministër. Në vazhdim fillojnë e diskutojnë marksizmin teorik. Mehmeti ulet në krevatin portativ të të burgosurit dhe në vazhdim, i habitur nga përgatitja teorike e Xhevat Korçës në fushën e filozofisë materialiste, fillon i drejtohet me profesor.
Pas kësaj edhe Xhevati, fillon e i drejtohet ministrit në emër, Mehmet. Jo vetëm të burgosurit e kaushit, por edhe shoqëruesit e Ministrit, nuk pipëtinin por, ndiqnin me kureshtje debatin. Pas një çasti diskutimit shtyhet në fushën e zbatimit të Revolucionit të Tetorit, në Bashkimin Sovjetik. Mehmet Shehu dëgjon me vëmendje si diskuton Xhevat Korça dhe pas pak i drejtohet duke e pyetur:
– “Po ti profesor, si e njihke kaq mirë Revolucionin e Tetorit”?! Ai shtangu kur Xhevat Korça, i u përgjigj “… E ke lexuar ti Mehmet, librin ‘Dhjetë Ditë q’e Tronditën Botën’, të John Reed-it? E pra dije, se unë e kam përkthyer”. Atëherë Mehmet Shehu, kthehet dhe i thotë; “… Duke e njohur kaq mirë teorinë komuniste, si u gabove e nuk u bëre me ne”?! Atëbotë i kthehet Xhevat Korça dhe i thotë: “Pikërisht pse e njoh kaq mirë, si teorinë edhe zbatimin në Rusi të kësaj teorie, u bëra antikomunist i vendosur”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm