Nga Keze Kozeta Zylo
Memorie.al / Znj. Adriana Radi – Dine, ka lindur ne internim. Babai i saj Dr. Lazër Radi, ka qenë ish-i burgosur politik, i internuar në gjithë kohën e zezë të diktaturës, nëna e saj, pati të njëjtin fat persekutimi, bashkëshorti Dine Dine, u burgos politikisht për 10 vjet, vjehrri u burgos dhe u pushkatua pa gjyq, ndërsa gjithë fisi Dine, u persekutuan dhe përndoqën tmerrësisht, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Znj. Adriana Dine Radi, lindi në Lushnje më 8 korrik 1959, në internim dhe pasi mbaroi shkollën fillore e 8-vjeçare në Savër të Lushnjes, në vitin shkollor 1974-1975, për arsye biografike, e përjashtojnë nga gjimnazi “20 Tetori” i qytetit të Lushnjes. Më 1976, martohet me Dine Dinen dhe në vitet 1976-1990, punon në punë të rënda në bujqësi, në fshatin Gjazë të Lushnjes. Ndërsa në vitin 1991, largohet nga Shqipëria dhe vendoset në qytetin e Nju Jorkut. Adriana ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë; Ervinin dhe Suelën. Nga një djalë i lindur në internim, kur erdhi në Amerikë, Ervini mbaroi një nga shkollat më prestigjioze, në fakultetin e Shkencave Politike në ‘Columbia University’. Aktualisht, Znj. Adriana Dine Radi, jeton dhe punon në qytetin e Nju Jorkut.
-Znj. Adriana, a mund të na flisni ju lutem, për fëmijërinë tuaj dhe si e keni përjetuar atë?
-Unë kam lindur në Lushnje, në korrik të vitit 1959, ndërkohë që prindërit e mi, ishin në Kampin e Internimit në Çermë të Lushnjes. Në atë kohë, babai im, Dr. Lazër Radi, sapo ishte transferuar nga kampi i internimit, Kuç i Kurveleshit, në kampin e Çermës. Fillimisht u vendosën në Gradishtë, më pas në Çermë, dhe mbas dy vitesh qëndrimi aty, i transferuan në një tjetër Kamp Internimi, në atë të Savrës, ku ata u vendosën në fillim të vitit 1960. Në Savër, kam kryer shkollën fillore dhe 8-vjeçaren, më pas kam vazhduar gjimnazin në Lushnje, por pa mbaruar vitin e parë, më përjashtuan.
Kam punuar për më shumë se një vit, si punëtore bujqësie, derisa në vitin 1975, u martova me Dine Dinen, i cili rridhte nga një familje e njohur nacionaliste dibrane. Në vitin 1980, kishim një fëmijë pa mbushur ende vitin, kur përjetova arrestimin dhe burgosjen e bashkëshortit tim, për motive politike, me 10 vite heqje lirie. (agjitacion e propagandë). Mbas një viti, nga dëshpërimi për të birin, më vdiq edhe vjehrra, duke më lënë me djalin, që nuk kishte mbushur ende dy vjeç. Në këtë situatë të vështirë, munda të mbijetoj vetëm në sajë të prindërve të mi dhe kushërinjve të burrit, që m’u gjendën gjithmonë pranë, në kohët më të vështira të jetës sime…
– Ju keni lindur në internim, në Savër, pasi ishit të dënuar nga diktatura e egër komuniste, cilat janë disa nga momentet më të vështira të jetës suaj atje?
– Deri në moshën 31 vjeçe, krejt jeta ime, është vërtitur në tre kampe internimi, në Myzeqe: në atë të Çermës, 1959-1960; në atë të Savrës, 1960-1975, dhe atë të Gjazës, 1975-1990. Kampe, ku krejt ne brezi i fëmijëve të lindur nga prindër të dënuar dhe të burgosur, pësuam padrejtësisht dhe vijuam fatin tragjik të tyre. Kam pasur gjithashtu edhe fatin “të shëtis” edhe nëpër mjaft burgje të vështira, si ai i Spaçit, i Qafë-Barit, Zejmeni dhe Kampi i Kompleksit “Dinamo”, ku bashkëshorti im, qe i detyruar të vuante dënimin e tij politik.
Mjafton të lexoni disa nga rrëfimet e mia të kësaj periudhe (të cilat, i kam paraqitur të shkruara në sitin www.radiandradi.com) ku pasqyroj sigurisht me thjeshtësi dhe sinqeritet prej gruaje dhe nëne, vetëm një pjesë shumë të vogël, të vuajtjeve të mia të pafundme. Por, për të krijuar një ide më të plotë, po ju përmend edhe pak gjëra të tjera: Isha fëmijë dhe shumë gjëra nuk arrija t’i kuptoja, prindërit tanë ishin munduar me mish e me shpirt, që ne të mos e ndjenim atë botë të egër ku jetonim…! Kështu, mbasi mbarova 8-vjeçaren, mendoja se duhej të isha e lumtur mes moshatarëve të mi, në shkollën e re që munda të regjistrohem me njëmijë sakrifica. Pa përfunduar vitin e parë të gjimnazit, u gjet një pretekst qesharak, për të më përjashtuar mua dhe një shoqen time, që ishte ashtu si unë, nga ana e biografisë.
M’u desh të filloja punë me kazëm e lopatë, që në moshën 14 vjeçare. Mbas dy vitesh, u martova dhe u vendosa në Gjazë. Më vdiq fëmija i parë, pa mbushur ende 2 vjetët. Dhe djali që më lindi më pas, Ervini, nuk kishte mbushur ende vitin, kur më burgosën bashkëshortin…! Një vit më pas, më vdiq edhe i vetmi person që kisha pranë, vjehrra. Pra, e vetme, në një kamp përqendrimi, me një foshnje në krahë, kur nuk isha me shumë se 21 vjeçe…! E kështu mund të vazhdoj pafund, mbasi e trishtë është ta them, po nuk gjej ndonjë moment, që mund të quhet çast lumturie në jetën time.
– Ju jeni e bija e Dr. Lazër Radit, një intelektual i shquar i Kombit, çfarë keni mësuar nga babai juaj dhe si do ta ruani pasurinë e trashëgiminë kulturore, që ju ka lënë babai?
– Babanë e kam pasur mbështetje morale e pikë referimi, përgjatë gjithë jetës sime. Prej tij kam mësuar gjithçka, që nga më e thjeshta e, deri tek privimet e mëdha të familjes sonë. Për mua ai ka qenë jo vetëm prindi dhe familja, por edhe shkolla, edhe libri, edhe besimi, edhe shpresa. Këshillat e tij, më kalitnin vullnetin, më ringjallnin shpresën, si mund t’ia dilja me sukses përballë çdo lloj vështirësie, të isha dinjitoze, përballë peripecive dhe vuajtjeve, sido që ato të më paraqiteshin. Nuk e di nëse do t’ia kisha dale, pa figurën e tij frymëzuese dhe pa atë jetën e tij, pranë jetës sime?!
Edhe pse kemi qenë të varfër materialisht, si pjesa dërmuese e popullit shqiptar, duke pasur një baba të tillë pranë, ne u ndjemë të pasur shpirtërisht, dhe mundëm të përfitojmë edhe në ato kushte izolimi, mjaft nga kultura botërore që na transmetohej përditë prej tij. Si unë edhe vëllezërit e mi, Jozefi e Luçiano Radi, u lidhën mbas krijimtarisë së babait tonë, dhe të tre së bashku, po përpiqemi të bëjnë publike, gjithë ato dorëshkrime të shumta, si; ese, poezi, publicistikë, përkthime, etj., të cilat babai nuk pati kohë t’i nxirrte në dritë e, që ne së shpejti, do t’i kemi gati për botim…!
– Me një fjalë, të ishe vajza e vetme e Lazër Radit, për mua ka qenë një fat dhe privilegj i madh…! Ai ka ndarë me mua të gjitha dhimbjet, pa u ankuar kurrë, se po bënte shumë apo, diçka të veçantë. Pastaj të ishe në konfidencën e tij, është diçka që fjalët e mia janë tejet të varfra, për ta dëshmuar si duhet…! Ndjehem krenare sa herë përmendet emri i tij… dhe kurrë nuk më ka ndodhur që një njeri që e ka njohur atë, të ketë thënë diçka tjetër, veç respektit të thellë ndaj tij…!
– Vëllai juaj Jozef Radi, është një poet i talentuar dhe një eseist i shkëlqyer, si janë frymëzuar fëmijët tuaj, nga vëllai dhe babai juaj, si shkrimtarë të mirënjohur, ndër lexues të shumtë?
– E vërteta është se fëmijët e mi, ishin ende të vegjël, kur ne u detyruam të largoheshim nga Shqipëria. Duke u rritur, nën shtysën e babait të tyre, Dines, herë pas here, edhe ata shfletojnë veprat e gjyshit e, të dajës së tyre.
Sigurisht frymëzohen, po unë besoj se edhe ata ndjehen krenarë, për arritjet e tyre dhe përpiqen mos të mbeten mbrapa, për sa ju është e mundur. Pa harruar se sot, ata jetojnë në realitete të tjera dhe me interesa të tjera…!
– Kur babai juaj Dr. Radi, kishte 100 vjetorin e lindjes, si u ndjetë ju, si bija e tij, që shteti dhe institucione të ndryshme kulturore, heshtën për veprën e tij?!
– Shteti dhe institucionet kulturore edhe sot e kësaj dite, heshtin për vlerat e kolosëve të vlerave të artit e letërsisë shqipe, që ata gjatë regjimit komunist, i etiketuan si; “reaksionarë”.
Do të habitesha, sikur të kishin vepruar ndryshe, me babanë tim…! -Po ne si fëmijë, po bëjmë gjithë përpjekjet, që vepra e tij, puna e tij, vlera e tij, një ditë do të vlerësohet. Im atë thoshte gjithnjë: “E keqja nuk mund të jetë kurrë, e përjetshme”!
– Ç’mund të na tregoni për nënën tuaj të ndjerë, e cila rridhte nga një familje fisnike dhe ashtu si ati juaj, e persekutuar po aq egër?
– Eh, vërtet ç’mund të them për nënën time?! Një grua 20 vjeçe, që mbasi ia dënuan të shoqin me tridhjetë vite burg, dhe mbas një viti i vdes fëmija i parë, në moshën 24 vjeçe, e dënojnë dhe e persekutojnë, njësoj si bashkëshortin e saj…?! Duke jetuar tmerre të parrëfyeshme…!
Ajo që mund të them, është se ajo e ndoqi gjithkund bashkëshortin e vet me besnikëri, deri në vdekje, duke i rritur tre fëmijë, në kushte kampesh dhe vuajtjesh, dhe duke ndarë jo vetëm ditë të vështira, po edhe sakrifica të panumërta.
Ajo grua ishte një mbështetje e jashtëzakonshme, për atë njeri të jashtëzakonshëm, që ishte im atë…! Edhe sikur vetëm kaq sa tregova, është e mjaftë për të dëshmuar vlerat e saj…! E që në fund të fundit, ishte një grua e thjeshtë, dhe një nënë e devotshme, si pakkush…!
– Ju keni në krah një bashkëshort shembullor, Dine Dinen, nip i ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-Kryeministër i Shqipërisë…! Kam lexuar që i ati i tij, është vrarë, dhe ai u internua qysh fëmijë, e më pas edhe u burgos…! Çfarë mund të na thoni për jetën e tij të vështirë?!
– Bashkëshorti im, rrjedh nga një familje e njohur nacionaliste, dibrane. Bir i një oficeri zogist, Esat Dine dhe nip i ish-kryeministrit Fiqiri Dine, ai përjetoi gjithë pasojat e një jete të vështirë, që për fat të keq, e njohu qysh fëmijë. I ati u burgos dhe u torturua për vdekje dhe së fundi, për motive politike, u vra pa gjyq, nga forcat e regjimit komunist.
Xhaxhai, Fiqiriu, u arratis nga Shqipëria dhe emigroi në Greqi e, më pas në Belgjikë, ku edhe ndërroi jetë, kurse krejt fisi i tij, u persekutua për gati një gjysmë shekulli. Dinia, që në fëmijëri, njohu tmerret e kampeve shfarosëse të Turanit, Tepelenës, Porto-Palermos, Savrës dhe së fundi Gjazës. U arrestua e dënua për agjitacion e propaganda, me dhjetë vite burgim, që e vuajti në burgjet e Spaçit, Zejmenit (Lezhë) dhe Qafë-Barit.
Gjatë periudhës në emigracion në Amerikë, ka botuar vazhdimisht shkrime me karakter publicistik, ese, kritikë letrare, përkthime dhe tregime të përjetuara, në skëterrën komuniste. Ka në dorëshkrim “Kujtimet”, ku përshkruan gjithë vuajtjet e tij, tonat e, të mjaft prej bashkëvuajtësve, në kampet dhe burgjet komuniste.
– Cili është reagimi e perceptimi i fëmijëve tuaj tashmë të rritur, për jetën tuaj aq të vështirë dhe tejet diskriminuese?
– Veçanërisht djali, i cili ka qenë më i rritur kur jetonim në Shqipëri, vonë, tepër vonë, na ka treguar episode tronditëse, ku del qartë diskriminimi, që ju bëhej edhe fëmijëve të të deklasuarve. Duke qenë se ka mbaruar fakultetin e Shkencave Politike në ‘Columbia University’, ai është i interesuar të dijë gjithçka ndodh sot në vendin e tij, dhe ndjehet tejet i revoltuar, për atë që ndodhi dikur, por më shumë për atë që vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite, në këtë të ashtuquajtur “demokraci”.
– Nëse do të shihnit persekutorët tuaj në mjedise të ndryshme, çfarë do t’u thoshnit atyre?
– Ata nuk e meritojnë t’u flasësh, sepse ata nuk kanë asgjë njerëzore…! Po nëse do t’ju thosha diçka, do të ishte: “Të paktën, të kishit kërkuar ndjesë…”!
– Cili është mendimi juaj, për hapjen e dosjeve të krimeve nga diktatura?
– Dosjet duhej të ishin hapur prej kohësh, por as sot, nuk është kurrë vonë, për t’u hapur. Do të ishim çliruar nga shumë ankthe e komplekse, që po na marrin frymën. Sikur të bëhej kjo, gjithçka mund të ndryshonte rrënjësisht.
– Kur erdhët në Amerikë dhe cila ishte rruga, për të arritur në Botën e Lirë?
– Kjo është histori e gjatë. Dua vetëm të theksoj që një rol vendimtar luajti kushëriri i parë i bashkëshortit tim, i ndjeri, Hiqmet Dine, i cili nuk kurseu asgjë, për të përshpejtuar ardhjen tonë në Botën e Lirë. I mbetemi mirënjohës përjetësisht.
– Cilat janë disa nga përshtypjet kryesore të jetës suaj si grua, në Amerikë?
– Nuk mund të themi se ne shpresonim të gjenim parajsën. Kemi punuar shumë e, po vazhdojmë të punojmë, por mund të them vetëm një gjë: për njerëzit e aftë e, të përgjegjshëm, Amerika është vendi më i mirë në botë, ku secili mund të gjejë rrugën e vet, pa ndjerë asnjë lloj diskriminimi.
– Si e shikoni rolin e gruas në Diasporë dhe të komunitetit shqiptar, për çështjen kombëtare?
– Roli i gruas në Diasporë dhe ai i komunitetit shqiptar për çështjen kombëtare, janë një vlerë shumë e çmuar për Shqipërinë e shqiptarët, kudo që janë. Përsa i përket gruas në veçanti, më lejoni t’ju bëj një kompliment: Ju jeni një prej aktivisteve, ku secili mund t’ju merrte si shembull. Unë e vlerësoj kontributin tuaj!
– Në SHBA-ës, ka një komunitet shqiptar të konsiderueshëm të rinjsh… sa të integruar e shihni ju këtë komunitet, në jetën amerikane?
– Ndoshta është një veçanti e të rinjve shqiptarë, por unë i shoh mjaft të integruar, me jetën amerikane, po aq sa i shoh të lidhur, edhe me jetën brenda komunitetit tyre. Gjë e cila ndodh edhe me fëmijët e mi!
– Çfarë ëndrrash, ka të parealizuara Adriana?
– Dëshira ime e vetme, ishte të vazhdoja shkollën, e mohuar në vendin tim, por kjo më qe e pamundur sepse, më duhej të punoja për të mbajtur familjen e, t’i shkolloja fëmijët. Kjo ëndërr, nuk u realizua ndonjëherë!
– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut”, ideuar nga “Albanian Excellencë”, libër që do të botohet për herë të parë, për gratë e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?
– Ëndrra ime më e madhe, ka qenë lumturia e fëmijëve. Sot ndjehem e lumtur, që lodhja ime nuk më shkoi kot, të paktën e plotësova te fëmijët e mi atë ëndërr, që nuk munda ta realizoj për veten time, në vendin tim! Ata mbaruan shkollat e larta dhe ecin sot në mënyrë të pavarur. Më vjen mirë që më konsideroni si grua të realizuar. Ju faleminderit!
– Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare, në shekullin e XXI?
– Krahas misionit të saj të natyrshëm, mbarëvajtjes së familjes, nuk kam dyshim se gruaja shqiptare, me inteligjencën e saj, do të jetë e pranishme në çdo fushë të jetës, në art e në kulturë, biznes e, gjer në politikë…! Unë besoj në vlerat dhe aftësitë e gruas shqiptare… sepse kam besuar në veten time! Memorie.al
New York, 2016
Marrë nga gazetadielli.com