Nga Ermira Isufaj
Memorie.al / Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi, dy ish-punonjëse në vilat e ish-‘Bllokut’ tregojnë për periudhën kur u shërbenin udhëheqësve komunistë, duke filluar që nga Ramiz Alia, Adil Çarçani, Hysni Kapo, Lenka Çuko, Beqir Balluku, etj. Si jetonin ish-bllokmenët, ushqimet e zgjedhura, ndërsa kriza kishte pllakosur Shqipërinë…?! Plotësimi i tekave të përditshme, që nga petullat, tek ushqimet kineze….! Jo çdokush mund të shkelte në familjet e tyre! Në zonën më të blinduar të kryeqytetit shqiptar, ku shpesh ishte e ndaluar të hidhje vështrimin, e jo më të kapërceje postblloqet apo, kontrollet e personave, që kujdeseshin për ruajtjen fizike dhe rendit të ish-udhëheqësve komunistë.
Aty, ato të dyja, Hatixhja dhe Ikbalja, kishin përditshmërinë e punës. Prania në mesin e bashkëshorteve, fëmijëve të funksionarëve, më të lartë të pushtetit popullor, nuk mund të mos të impononte besim, njëherësh edhe trysni nga të katërta anët. Hatixhe Duro dhe Ikbale Gjaçi e kanë nisur punën si guvernante në vilat e ish-‘Bllokut’ komunist, duke “shëtitur” thuajse në pjesën dërrmuese të shtëpive të ish-zyrtarëve të atij regjimi, derisa ato dolën në pension. Thonë, se nuk ishte një punë e lehtë, edhe pse përpjekjet për të bërë vetëm detyrën e përditshme, ishin më shumë se nevojë, për të ruajtur “kokën” dhe vendin e punës.
Përvoja e gjatë nëpër shtëpitë e të mëdhenjve të shtetit komunist, ka kaluar jo pa tension. T’i shërbeje kafenë e mëngjesit dhe petullat e ngrohta Ramiz Alisë, Beqir Ballukut, Hysni Kapos apo Lenka Çukos, ishte më tepër se përgjegjësi. Shpesh ishte ankth, se mos një dridhje duarsh, apo një lëvizje e nxituar, mund të bëhej shkak për ndonjë situatë ose incident, të padëshiruar. Ashtu siç herë të tjera, dy guvernantet e vilave të ish-‘Bllokut’, bëheshin pjesë e gëzimeve familjare, festave të fundvitit apo, vëmendjes së kujdesshme të bashkëshorteve të politikanëve, të cilat i sajdisnin me dhurata të ndryshme, për veten dhe familjet e tyre.
Hatixhe Duro: “Si u kujdesa për mjekët kinezë, të Enver Hoxhës”?!
Znj. Hatixhe, të punoje në vilat e ish-pushtetarëve të regjimit komunist, nuk ishte një detyrë e lehtë. Përpos përgjegjësisë profesionale, çfarë trysnish të tjera kishte puna juaj
Përpara se të më emëronin si punëtore në shtëpinë e Beqir Ballukut, funksionarit të parë komunist, në vilën e të cilit kam punuar për gjashtë muaj, biografia ime, u kalua në sitë. Asokohe, të gjithë punonjësit e besuar nëpër vilat e udhëheqësve, nevojiteshin me biografi të kulluar dhe ajo e imja, ka qëndruar gjashtë muaj rresht, në zyrat e shtetit, duke kaluar nëpër filtra të kujdesshëm, aq sa, kishin arritur të pyesnin për mua dhe familjen, edhe në vendlindjen time, në fshat. Ishte vërtet punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse punoja brenda shtëpive të zyrtarëve komunistë, u shërbeja atyre, bashkëshorteve, fëmijëve, sigurisht me gatishmëri të plotë.
Në fillimet e mia, kam qenë punëtore vile dhe detyrat që më caktonin, kishin të bënin kryesisht me larjen e dyshemesë, oborrit, larjen e rrobave, hekurosjen e shumë punë të tjera shtëpie. Më vonë, pasi u specializova në një kurs për kuzhiniere, u pozicionova në këtë profil, duke gatuar për shumë pushtetarë komunistë ndër vite, njëherësh, duke shërbyer në pritjet e delegacioneve të huaja, që vizitonin vendin tonë, pritje që organizoheshin kryesisht në “Pallatin e Brigadave”.
Por, edhe pse njëfarësoj unë dhe koleget e mia, ishim të besuarat e shtëpive të këtyre zyrtarëve, siguria dhe kontrolli, ishin primare edhe për ne. Çdo mëngjes, përpara se të hynim në vilat e “Bllokut”, tregonim fletë-hyrjen, të cilën e paraqisnim tek post-blloku, e pastaj futeshim nëpër shtëpitë respektive, nga ora 7:00 e mëngjesit, deri në orën 16:00 të pasdites.
Çfarë kujtoni nga përvoja juaj e parë e punës?
Për herë të parë kam nisur punë në vitin 1965. Do të zëvendësoja një kuzhiniere që kish marrë lejen e pushimeve. Atë ditë organizohej një pritje në Pallatin e Brigadave. Unë shërbeva pijet te të ftuarit e pranishëm, ministra të pushtetit popullor dhe disa përfaqësues të një delegacioni të huaj. Menjëherë pas kësaj përvoje, më dërguan të punoja si guvernante, në shtëpinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Kam qëndruar për gjashtë muaj atje.
Si punëtore, kisha një marrëdhënie tepër korrekte, me të gjithë familjen, por kryesisht me të shoqen e tij, Saide Ballukun. Ishim gjithsej tre punëtorë dhe një kuzhiniere, që shërbenim në shtëpinë e Ballukut. Puna ime kishte të bënte me pastrimin e shtëpisë, orendive, oborrit, etj. Isha vetëm 23 vjeçe dhe fillimi ishte tepër i vështirë, plot emocione.
A ndihej barazia, në mënyrën si ata ju trajtonin ju punëtorët e thjeshtë, që u shërbenit zyrtarëve komunistë dhe familjeve të tyre?
Personalisht, jam ndier e vlerësuar për punën time. I njihja rreziqet, ndaj gjithnjë mundohesha të bëja detyrat e ditës, kokulur, e bindur dhe pa kurrfarë kurioziteti të tepruar, për të mësuar se çfarë ndodhte në vilat ku shërbeja, hyrjet apo daljet e njerëzve të caktuar, situata familjare, apo politike të padëshiruara, që mund të ndodhnin e që reflektoheshin edhe në shtëpi, të tipit nervozizëm, apo ngritje zëri.
Nëse përhapja fjalë, apo interesohesha më shumë seç duhej, pasojat do ishin të pashmangshme. Ndaj, duke ruajtur këto parime, respekti nga ana e tyre, nuk më ka munguar. Beqiri shpesh ulej me ne punëtorët dhe bashkërisht pinim kafe. Ndërsa, të tjerë pushtetarë shpesh, nuk na ndanin nga gëzimet e tyre familjare. Tregoheshin të kujdesshëm, duke na bërë dhurata për vete dhe familjarët, në rastet e festave të fundvitit.
Pas vilës së Beqir Ballukut, keni lëvizur thuajse në pjesën dërrmuese të vilave të ish-Bllokut, apo jo?
Po. Kam punuar në shumë prej tyre, por këto lëvizje bëheshin jo pa rekomandime apo, reputacion të mirë. Pas Beqir Ballukut, kam punuar në shtëpinë e Hysni Kapos. Ishin një familje e respektuar, prej nga unë ruaj edhe kujtime shumë të bukura. Vito Kapo-ja, e pëlqente shumë punën time të dorës dhe më kërkoi që t’i qëndisja dy palë çarçafë, për të bijën, Verën, kur ajo u martua.
Doli një komplet shumë i këndshëm, e për të cilin kam punuar ditë e natë, derisa të bëja diçka të vyer. Aq shumë i pëlqeu Vitos puna ime, sa i sugjeroi gruas së Manush Myftiut, emrin tim, si një punëtore e zonja. Tek vila e këtij të fundit, punova edhe më gjatë, sërish si punëtore, deri në çastin që vendosa të ndiqja shkollën e kuzhinës, mora të shtatë kategoritë, bashkë me titullin e kuzhinieres profesioniste.
Zonja Hatixhe, cilin kujton si një moment të vështirë ndër vitet e punës suaj nëpër vilat e ish-zyrtarëve komunistë?
Ka qenë një moment, që nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte festa e Vitit të Ri dhe në “Pallatin e Brigadave”, organizohej një pritje e një delegacioni portugez. Në krye, ishte Ramiz Alia, ndërsa ne të stafit, në mëngjes, na kishin thënë se ishte thjesht një koktej. Unë kisha përgatitur disa antipasta të lehta me sallam dhe qofte, djathëra të freskëta, pasi sigurisht, për gatimet e kësaj natyre, apo edhe të pushtetarëve të asaj kohe, furnizimi me produktet dhe lëndën e parë, bëhej enkas në magazinën e “Bllokut”, ku nuk mund të gjeje, edhe qumësht dallëndysheje. Gjithçka speciale. Mua më lajmërojnë në minutat e fundit se nuk bëhej fjalë për një banket, por për një darkë të mirëfilltë për gjashtë persona.
Një tension i jashtëzakonshëm. Frika, më pushtoi trupin. Çfarë mund të bëja në aq pak kohë?! Ndërsa shoqëruesve të Ramiz Alisë, gati sa nuk u kish rënë të fikët, përpara faktit, se si duhej t’i shpjegonin atij, se darka nuk mund të arrihej. Në ato çaste, m’u vërtit çdo pasojë e keqe në kokë, ndaj mblodha veten dhe iu futa punës. Gjatë kohës që shtrohej banketi dhe shërbeheshin pijet, nisa të përgatis darken, që nga supa, mishi, filetot, ëmbëlsirat dhe brenda 45 minutave, ia dola mbanë. Gjithçka ishte gati. Atë tension e frikë që kam përjetuar atëherë, nuk mund ta harroj kurrë.
Ju keni shërbyer si kuzhiniere edhe në kohën kur në Shqipëri erdhën disa doktorë kinezë, për të parë gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës….?!
Episod më vete, është edhe kjo pjesë në eksperiencën time të gjatë, të punës. Mbaj mend, që ishin pesë doktorë kinezë, që erdhën për të vizituar udhëheqësin, Enver Hoxha, në kohën kur gjendja e tij shëndetësore, ishte përkeqësuar. Ata qëndruan 14 ditë në Tiranë dhe thuajse çdo ditë, kam gatuar për ta, deri edhe petulla kineze.
Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje, që mund të bëja edhe ushqim kinez, por ja që ia dola mbanë. Realizoja disa mbushje brumi me mish, në forma të çuditshme, të cilat i fusja më pas në ujë të vluar, për disa minuta. Ato i shërbeja, sipas dëshirës, me djathë, ose thjesht të marinuara. Kam gatuar shumë receta kineze, ndërsa doktorët, mbeteshin gjithnjë të kënaqur nga gjithçka u përgatisja.
Kur keni punuar në shtëpinë e Ramiz Alisë dhe tek Lenka Çuko?
Mbaj mend që në kohën kur punoja te Ramiz Alia, çdo mëngjes i shërbeja kafenë, ndërsa petullat e ngrohta, ishin të preferuarat e tij. Gjithnjë më falënderonte, për gatimet e mia, teksa e shoqja, Semiramisi, ishte një grua e jashtëzakonshme. Në çdo festë, ajo nuk harronte të më bënte dhurata për familjen time dhe kjo më bënte të ndihesha mirë dhe e vlerësuar. Nuk ishin aspak njerëz tekanjozë. Edhe në vilën ku jetonte Lenka Çuko, kam kaluar shumë mirë. Sa herë që kthehej nga puna, ajo do vinte gjithnjë të na përshëndeste, ne stafin e punëtorëve e kuzhinierëve, që punonim për të.
Në momente të caktuara gëzimi, familjare, ajo na merrte në valle bashkë me Naunka Bozon. Edhe pse shpesh mund të më provokonin në forma të ndryshme, duke vendosur nëpër sirtarë apo sipër komodinave lekë, bizhuteri apo sende me vlerë, unë i nuhasja kurthet dhe përherë shmangesha. Përditshmëria e punës sime ndër vite, derisa dola në pension, ka pasur sa përgjegjësi, aq edhe frikë bashkë. Por ishte kujdesi, vigjilenca ime dhe nevoja për të mbajtur familjen me atë rrogë, që çdo herë më shtynin, të mos përzihesha në situata delikate, duke parë gjithnjë, vetëm detyrat që më caktoheshin.
Ikbale Gjaçi: “Adil Çarçani, thyente këshillat e infermieres”!
Znj. Ikbale, fillimisht ju keni punuar në magazinën ushqimore të ish-‘Bllokut’, që posedonte gjithçka kërkohej nga furnitorët, për shtëpitë e pushtetarëve të lartë komunistë. Çfarë keni vërejtur, gjatë viteve që punuat atje?
Në magazinën ushqimore të ish-“Bllokut”, kam punuar për gati tre vjet. Çfarë nuk kam kaluar nëpër duar, mallra dhe produkte, që nuk i kisha parë kurrë më parë. Çdo asortiment, gjendej në atë magazinë, por sigurisht, që ishte i destinuar vetëm për familjet e ngritura të funksionarëve komunistë, apo për “Pallatin e Brigadave”, ku organizoheshin pritje shtetërore nga më të ndryshmet.
Vetëm qumësht dallëndysheje, nuk gjeje në magazinën tonë, se çdo produkt tjetër, deri tek frutat e thata, filetot e peshkut, ishin aty. Ne plotësonim kërkesat, që na sillnin të shkruara enkas, furnitorët e vilave të udhëheqjes, por çdo kalim, bëhej me shumë kujdes. Tregohej shumë vigjilencë, në peshën e ushqimeve, kontrollohej sërish cilësia, pasi çdo gabim, ishte i pafalshëm.
Si kaluat më pas në pozicionin e guvernantes, në vilën e Adil Çarçanit?
Tek vila e Adil Çarçanit, kam punuar nga viti 1986, deri në fillim të demokracisë. Fillimisht, më dërguan si punëtore në shtëpinë e tij, duke më thënë se do të qëndroja vetëm dy javë, por qëndrimi zgjati, më shumë nga sa e kisha parashikuar.
Me sa duket, atyre u pëlqeu metoda ime e punës, marrëdhënia korrekte, që kisha me stafin e punëtorëve atje, por edhe vetë familjen Çarçani. Punët që bëja, ishin nga të ndryshmet, nga pastrimi, larja e rrobave në lavatriçe, shpesh edhe gatuaja në kuzhinën e familjes, e cila ishte e pozicionuar në bodrum.
Kujtoni ndonjë moment veç të tjerëve, në atë shtëpi?
Punova në shtëpinë e Adil Çarçanit, gjatë kohës kur ai u diagnostikua me diabet. Çdo ditë, vinte infermierja në shtëpi, që i peshonte, gjithfarë ai do të konsumonte gjatë vakteve të ditës. Shpesh, përcaktonte edhe menynë, sepse e tillë ishte sëmundja. Duke respektuar atë regjim ushqimor, bëhej e mundur që të ruhej niveli i sheqerit në gjak. Por, shpesh e kujtoj faktin, që sapo infermierja mbaronte orarin e punës dhe largohej, Adili vinte në kuzhinë, na përshëndeste dhe kërkonte të hante sërish, ndonjë gatim të shijshëm, që atij i pëlqente shumë.
Të nesërmen, që i bëhej matja e glicemisë esëll nga infermierja, niveli i sheqerit, i dilte mjaft i lartë, çka shpesh rrezikonte edhe shëndetin e Adilit. Bëhej zhurmë e madhe. Infermierja bënte kritika ndaj stafit, por gjërat përsëriteshin. Adili përsëriste të njëjtën gjë, sa herë largohej ndihmës mjekja. Ndofta ngaqë, ishte shijues i mirë i ushqimit.
Të shoqen e tij, Havanë, e kanë treguar grua të sertë. Ç’marrëdhënie kishe me të?
Për vetë pozicionin që ajo kishte, si prokurore, mund të dukej edhe e sertë, por me ne, stafin e punëtorëve të shtëpisë, ajo ishte korrekte, dhe kaq na mjaftonte. Tregohesha shumë e kujdesshme në punën time, që të mos i lija shkas për kontradikta. Madje, edhe kur merrja pluhurat, çdo orendi e lëvizja me kujdes dhe e rivendosja sërish, në po të njëjtin vend. Shumë kolegeve të mia, u ka ndodhur që të kenë probleme, pikërisht për faktin, se pse lëvizen gjërat nga vendi nëpër shtëpi?!
Mua njëherë më ka ndodhur, që teksa kisha vendosur rrobat për t’u larë në lavatriçe, një çorape me ngjyrë, ishte përzier me to dhe të gjithë rrobat, u bënë të zeza. Kam qarë gjithë ditën. U mbylla në bodrum poshtë, sepse kisha frikën e pasojave. Përveç rrobave, kisha hallin se mos e merrte vesh e shoqja e Adilit, se do ishte bërë nami. Falë Zotit, një kolege ime aty, u tregua e gatshme të më ndihmonte. I futi në klor, më pas në një ilaç zbardhues dhe ato u bënë si të reja. Asnjëherë nuk kam për ta harruar, tensionin që përjetova atë ditë.
Nëse mund të bëjmë një krahasim përvojash pune: ju keni punuar edhe në vitet e diktaturës, edhe në periudhën post-komuniste. Ku ndahen këto eksperienca?
Secila prej tyre, ka pasur specifikën e vet. Në përvojën e parë të viteve të punës, qoftë në “Pallatin e Brigadave”, në magazinën ushqimore, të ish-“Bllokut” apo në shtëpinë e Adil Çarçanit, për shumë vite me radhë, gjërat ishin shumë të ndrydhura. Mundohesha të bëja punën time dhe të mos përzihesha as me fjalë, as me biseda, që mund të shpreheshin mes familjarëve gjatë ditës. Nëse do të bëja të kundërtën, kush e di në cilën zonë të Shqipërisë do më degdisnin, bashkë me familjen.
Duke ruajtur kokën time, vendin e punës, gjithnjë bëja sikur nuk kuptoja apo, nuk dëgjoja. I tillë ishte sistemi, nuk veproja dot ndryshe. Ndërsa, pas vitit 1991, fillimet e brishta të demokracisë e tutje, kam punuar kryesisht, në vilat qeveritare të pushimit, në zonën e malit të Dajtit. Kam punuar për disa kohë për ish-kryeministrin Ilir Meta dhe familjen e tij. I kam shërbyer mëngjesin, kafenë, lëngun e frutave, apo edhe vakte të tjera ushqimore të ditës, të gjithë familjes Meta.
Situatat ishin më pak tensionuese. Nuk kishim atë presionin e dikurshëm dhe frikën që të mos hapnim gojën për të folur, se kishim drojë, se thoshim gjëra të gabuara, apo jo të duhura. Me Monika Kryemadhin, ne punëtorët, shpesh pinim kafenë së bashku, diskutonim probleme tonat familjare e, kemi gjetur edhe mbështetjen e tyre, për çështje të caktuara. Memorie.al
Marrë nga Panorama.com.al