Nga Halim Ramohito
Pjesa e katër
Memorie.al / Halim Ramohito, një nga ish-gjeneralët e mbetur nga grupi i ushtarakëve që u arrestuan dhe u internuan si “grupi puçist” i vitit 1974, nga ana e Enver Hoxhës. Në krye të këtij grupi ishte Beqir Balluku dhe pas tij, kasta më e nderuar e ushtarakëve të kohës, ndër ta dhe gjeneral Ramohito, që pasi kishte marrë pjesë në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte shërbyer si përfaqësues i Shqipërisë dhe si atashe ushtarak në ‘Traktatin e Varshavës’. Dëshmitar i prishjes me rusët, Ramohito më vonë do të bëhej dëshmitar i shkatërrimit të ushtrisë shqiptare nga diktatori Hoxha, i cili tregoi se gjatë qëndrimit në pushtet, nuk donte rreth e rrotull njerëz të kualifikuar, por vetëm servilë. Ramohito, i qetë dhe me ftohtësinë që i jepte distanca kohore, nxorri dhe botoi kujtimet e tij, pa të cilat ndoshta historia e asaj kohe me “grupin puçist”, nuk do të ishte e plotë, madje edhe mund do të shkruhej shtrembër apo deformohej…!
Me një sinqeritet të rrallë, ai rrëfen ndjesitë e tij gjatë mbledhjes famëkeqe të Komitetit Qendor të PPSh-së, ku u përjashtuan nga partia e, më pas u arrestuan e u internuan për vite me radhë kasta ushtarake e kohës, me në krye Beqir Ballukun. Edhe pse iu desh të zhvishte xhaketën me grada e, të punonte tokën si një bujk në internimin e gjatë, edhe pse iu desh të mos e shihte më nënën e tij as në vdekje, pengu i tij më i madh, mbeten “autokritikat” që iu desh të bënte, për hir të partisë. “Enveri, na vrau edhe me duart tona…! – shkruan Ramohito, në pjesën e parë të kujtimeve të tij, “Në shërbim të Atdheut tim”, botim i “Grand-Prind”.
Skenari në ekzekutimin e Ramize Gjebresë
Kujtimet e gjeneral Halim Ramohitos, hedhin dritë mbi ekzekutimin barbar të partizanes Ramize Gjebrea, e akuzuar se theu ligjet e ushtrisë, duke u dashuruar me kolegun e saj partizan. Ramohito që e kishte njohur nga afër dhe e kishte mike Ramizenë, bën me faj të gjithë ata që morën pjesë në mbledhjen famëkeqe të Brigadës së Pestë, ku askush nuk e mbrojti, por me një skenar të tmerrshëm, e paragjykuan, hodhën baltë mbi emrin e saj dhe më pas e pushkatuan pa e lajmëruar më parë.
Rahomito shpreh një përshtypje të jashtëzakonshme për këtë vajzë, që siç thotë ai, ishte e bukur, e zgjuar dhe fjalimet e saj para partizanëve ishin të papërsëritshme. Ndoshta për këto veti të saj edhe pseudonimin e kishte “Interesantja”.
Kujtimet e gjeneral Halim Ramohitos, për Ramize Gjebrenë
“Ramizeja ishte një vajzë, do të thosha një fenomen i rrallë dhe interesant, ashtu siç kishte edhe emrin e luftës, “Interesantja”. Jam dëshmitar okular kur them edhe tani, pas mbi gjashtëdhjetepesë vjetësh, se tek ajo shkriheshin në një të tërë bukuria, trimëria dhe zgjuarsia. Siç dihet, zgjuarsia pa trimëri, mund të të shndërrojë në një njeri pa vlerë, në një dërrasë që kushdo, mund të shkelë mbi personalitetin tënd, por edhe trimëria pa zgjuarsinë, mund të të çojë në veprime të pakontrolluara, deri edhe aventureske.
E përsëris, tek Ramize Gjebrea ishin të shkrira në një të vetme të dyja këto cilësi. Ajo, siç thonë në Labëri, ishte një vajzë trime, me mend. Këto veti frymëzonin tek ajo atdhetarizmin dhe dashurinë e flakët, për ta parë atdheun e saj vetëm të lirë dhe të përparuar. Edhe për këto arsye, mendoj dhe propozoj që emri i Ramize Gjebresë, të radhitet në stendën e kuadrove të shquara drejtuese të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Muzeun Kombëtar. Unë mendoj se fotografia e saj meriton të jetë edhe para emrave tanë, që figurojnë në këtë listë. E kam fotografinë e saj në arkivën time të dokumenteve të LANÇL-it, ku që në shikimin e parë, konstaton hijeshi dhe krenari.
Ramizeja, kishte shumë veti pozitive, të cilat do të mundohem sadopak t’i paraqes, në këto shënime modeste. Ajo lindi më 30 prill të vitit 1923, në një familje atdhetare gjirokastrite. U rrit në qytetin e Beratit, ku dhe mbaroi shkollën fillore me rezultate të larta. Në vitet 1935-1940, ajo ishte në radhët e para të vashave “legjendare” Antifashiste, të shkollës së mesme “Nëna Mbretëreshë” të Tiranës. Ajo shquhej aty si në mësime, ashtu edhe si veprimtare përparimtare dhe revolucionare antifashiste. Aty, shoqet e saj e pagëzuan me emrin konspirativ të LANÇL-it, “Interesantja”. Për të gjithë ne, ky emër ishte shumë domethënës.
Për këdo që e takonte dhe e dëgjonte në atë periudhë të vështirë pune e lufte, Ramizeja paraqiste interes dhe nuk mund të mos shtronte pyetjen, se sa bukur është të shohësh një vajzë që sapo ka mbushur tetëmbëdhjetë vjetët e jetës të saj, të mishërojë në të gjithë qenien, dy cilësi aq të domosdoshme, sidomos për luftën për çlirim, trimërinë dhe zgjuarsinë. Ramize Gjebrea, i kishte këto dy cilësi dhe i shfaqte më së miri ato në bankat e shkollës, por edhe në aksionet e shumta antifashiste, në qytetin e Tiranës. Ajo i shfaqi ato, në betimet e saj të zjarrta para trupave të vrarë nga fashistët, të shokëve të saj të luftës, Misto Mames dhe Ramiz Aranitasit, etj. Ramizeja, në ilegalitet të plotë, në fillimet e vitit 1942, shoqëroi në Gjirokastër Qemal Stafën, në punët e tij si udhëheqës i rinisë.
Ajo zhvilloi gjithashtu veprimtari të tjera të shumta antifashiste, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Berat. Takimin tim të parë me Ramize Gjebrenë, e kam pasur në qershor të vitit 1943, në fshatin Ramicë të Vlorës, i cili për ne, gjatë LANÇL-it, ishte një kështjellë e luftës dhe e natyrës, e vendosur në mes të maleve të Çipinit dhe malit të Bardhë. Këtë fshat të vogël, gjatë periudhës së LANÇL-it, ne, partizanët, e konsideronim edhe si; “kryeqendrën” tonë të luftës në qarkun e Vlorës. Kjo, ndoshta edhe për faktin se aty, në shtëpinë e dy prej ish-drejtuesve të shquar të LANÇL-it dhe Forcave tona të Armatosura, në dhjetëra vjetët e pasçlirimit të vendit, Bako dhe Mevlan Dervishaj, ishin vendosur zyrat e udhëheqësve të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe të komiteteve Qarkore të Partisë dhe të Rinisë Komuniste, të qarkut të Vlorës.
Në këtë fshat, ishin ngritur edhe dy punëtori për riparimin e veshmbathjeve të partizanëve. Në rrëzë të malit Çipin, në një shpellë natyrore, ishte i vendosur edhe spitali partizan, pothuajse pa aparatura, por me mjekë profesionistë të shquar vendas dhe të huaj (italianë) ish-ushtarakë shumë të përkushtuar në këtë punë. Rasti për takimin e parë me Ramizenë, ishte prezantimi i saj nga sekretari Organizativ i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste të Vlorës në atë periudhë (Manush Myftiu), në një takim ku ne ishim grumbulluar për mbledhjen e radhës, të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste për Vlorën. Ramizeja, sa ishte ngarkuar të drejtonte këtë komitet, si sekretare politike e tij.
Në këtë mbledhje, ishin pjesëmarrës Ymer Veshi, sekretar organizativ (më vonë, ai u largua për në Mallakastër me detyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë Komuniste të kësaj krahine), Kastriot Muço, i ngarkuar në këtë komitet për problemet ushtarake, Babaçe Faiku e Teki Alushi, të ngarkuar për punën me rininë e fshatit dhe Amali Pjero e, Halim Ramohito, të ngarkuar me punën me të rejat dhe me të rinjtë e qytetit të Vlorës. Ramizeja kishte një fytyrë tërheqëse dhe një trup mesatar. Ajo ishte e veshur me një uniformë bojë mjalti, të mbajtur mirë, të ushtrisë angleze, mbante në dorë një sahat të markës “Kronometër” dhe shkruante me një stilograf aq të kërkuar në ato vite, të markës “Pelikan”. Për çdo muaj unë dhe Amali Pjero, me masa të forta sigurie, në ilegalitet, detyroheshim të largoheshim nga qyteti, për mbledhjet e radhës të Qarkorit të Rinisë, duke ndjekur rrugën nga Vlora, nëpër pyjet me ullishta drejt Kaninës, pastaj lëviznim për në zonat e çliruara nëpërmjet fshatrave Gumenicë, Velçë dhe Ramicë, ku zakonisht zhvilloheshin këto mbledhje.
Në një rast, gjatë kthimit për në qytet, në fshatin Kaninë (në korrik 1943), u ndeshëm me një pritë të një reparti të ushtrisë fashiste italiane. Gjatë përpjekjes me ta, mbeti i vrarë shoqëruesi ynë, ish-drejtuesi i Rinisë Antifashiste të lagjes “Varosh” të Vlorës, Nure Alushi. Në këtë përpjekje, theu të dy duart edhe kaninjoti Ismail Halili, që na shoqëronte gjatë kthimit. Si rregull, në rendin e ditës të mbledhjeve të Komitetit Qarkor të Rinisë, përfshiheshin këto çështje: – Situata politike në frontet e Luftës Antifashiste në vend dhe në frontin ndërkombëtar; – Veprimtaria e Rinisë së Qarkut në këtë luftë dhe detyrat për të ardhmen; – Komunikime eventuale të porosive të Komitetit Qendror të Rinisë, të cilat na i binte i deleguari i Komitetit Qendrorë të Rinisë, Ramadan Xhangolli (“Xhakja”), i cili, gjithashtu, na lexonte edhe letrat me udhëzime të Nako Spiros, sekretar Politik i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste dhe më vonë president i BRASH-it, të nënshkruara me pseudonimin “Deti”.
Përveç çështjeve të mësipërme, në rendet e ditës të mbledhjeve tona, ishte patjetër edhe një pike, që kishte lidhje me kritikën dhe autokritikën. Këto çështje kishte në rendin e ditës edhe në këtë mbledhje të parë të Komitetit Qarkor të Rinisë, të cilën e drejtoi Ramizeja. Me detyrat, si anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë në Qarkun e Vlorës, më vonë si përgjegjës i Rinisë të Brigadës së Pestë, dhe si zëvendës-komisar i batalionit të pestë, në të gjitha rastet ku unë kam marrë pjesë, nëpër këto mbledhje të panumërta të forumeve të rinisë dhe të partisë në reparte, për të cilat kam mbajtur edhe shënime në ditarin tim, nuk gjej në asnjë rast, ndonjë pikë të rendit të ditës, që lidhet me çështje të karakterit ideologjik “komunist”, siç e konsideronim ne veten, “emër” të cilin ne e mbronim me aq fanatizëm në atë periudhë.
Siç e citova edhe më sipër, në të gjitha analizat tona, qoftë në forumet e Partisë dhe ato të Rinisë, të paktën në Brigadën e Pestë, ku unë isha edhe në detyra drejtuese, në rendin e ditës të analizave tona kryesisht ishin vetëm problemet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të qëndrimeve tona ushtarake-politike në këtë luftë dhe, në ndonjë rast, diskutoheshin edhe probleme të figurës morale të të riut partizan. Ramizenë, si mjeshtre e punës ilegale, nuk mund ta mbante vendi, mbyllur vetëm në këtë qendër të vogël në fshatin Ramicë. Ajo donte të takohej drejtpërdrejt dhe vazhdimisht me organizatat e rinisë nëpër fshatra dhe këtë punë, e filloi menjëherë që ato ditë që vajti në zonat e çliruara, në krahinën e Bregut të Detit. Përshtypjet e saj për këtë udhëtim, po t’i shikojmë të krahasuara me horizontin shumë të ngushtë që ne kishim në atë kohë, në analizën e problemeve, mua më duken edhe sot gjykime largpamëse.
Ja çfarë i shkruante më 28 gusht 1943 Ramizeja, përgjegjëses së Rinisë Antifashiste të asaj periudhe të krahinës së Bregut dhe shoqes së saj të shkollës “Nëna Mbretëreshë”, Agllai Zotos: “Agllai, kam vetëm një javë që jam larguar nga ajo anë dhe meqë atje isha e zënë me punë të tjera (të Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar), bëra në fshatin Vuno vetëm një konferencë, ku morën pjesë të gjitha vajzat e reja të fshatit. Ato ishin të mira, vetëm se duhet të punojmë akoma më shumë me to. Që ti, Agllai, t’i njohësh më mirë ato, të porosis, që të bësh disa konferenca me to. Ato t’i bësh në çdo katund që të kalosh, si në Qeparo, Kudhës, Dhërmi, Palasë e Himarë.
Ki kujdes, Agllai, në fillim mos u fol atyre drejtpërdrejt vetëm për detyrat e tyre të luftës në fshat, por, në radhë të parë, për luftën që bëjnë të rejat e të gjithë botës për liri dhe pavarësi dhe, pastaj, këtë çështje lidhe me luftën që po bëjnë të rejat tona sot në Shqipëri, kundër pushtuesve dhe, pastaj, këtë çështje, lidhe gjithashtu edhe me detyrat e përbashkëta që na dalin edhe në luftën e përbashkët antifashiste çlirimtare. Dhe kështu, me këto shpjegime, në fillim ato vajza me siguri do të entuziazmohen dhe, pastaj, gradualisht, ato do të lidhen me ne. Kur këto të reja do të kërkojnë të futen në aktivet tona të Rinisë Antifashiste, t’u themi se, kushtet për t’u pranuar në to janë të thjeshta, mjafton që ato të jenë të moralshme, të mos jenë egoiste e ambicioze, por të dashura me të gjithë”. “Duhet të punojmë, – e porosit Ramizeja Agllainë në këtë letër, – që rinia e krahinës suaj dhe e gjithë Shqipërisë, i gjithë populli ynë, ta kuptojë mirë se ne jemi për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe jo për të prurë në vendin tonë Rusinë, Serbinë apo Greqinë…”!
E nënvizova këtë porosi, pasi për kohën ajo kishte rëndësi të madhe. Në këtë pikë, ne duhet të përgatiteshim mirë për t’iu kundërvënë me vendosmëri dhe zgjuarsi propagandës së pushtuesve, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre, që i bëhej me shpifje qëllimeve, deri edhe strategjike, të luftës sonë. Në shumë takime me të rejat e Vlorës, Ramizenë e kisha dëgjuar t’iu thoshte atyre se; sapo të çlirohet atdheu ynë, do të krijohen mundësitë, që të rejat e Shqipërisë të vendosin lirisht edhe mbi jetën e tyre familjare. Në Qarkorin e Rinisë të Vlorës, Ramizeja punoi bashkë me Ymer Veshin (emri i tij i luftës “Ylli”), drejtues ky veteran i Rinisë Komuniste e Antifashiste në qarkun e Vlorës, që nga 7 prilli 1939. Të dy bashkë, Ramizeja dhe Ymeri, punuan shumë edhe për organizimin e Konferencës së Rinise të Qarkut, e cila do të çonte më pas, në krijimin e një organizate të vetme të Rinisë, që u quajt Bashkimi i Rinisë Antifashiste të qarkut (BRASH).
Kjo konferencë, megjithëse në kushte të vështira të luftës, u zhvillua me sukses në një kasolle në fshatin Bolenë të Vlorës, më 31 dhjetor 1943. Kryetari i parë i Këshillit të BRASH-it, u zgjodh Ymer Veshi dhe sekretare e Përgjithshme Ramizeja. Ky organizim i ri i rinisë, luajti një rol të rëndësishëm për zgjerimin e Organizatës së Rinisë dhe shtimin e radhëve partizane, me të rinj të qarkut, sidomos me ata të fshatrave. Në Brigadën e Pestë, që ishte formacioni më i madh partizanë në qarkun e Vlorës, Ramizeja u ngarkua edhe me detyrën e anëtares së Seksionit Politik, me sektor pune, atë të përgjegjëses së Rinisë të Brigadës. Veç kësaj, ajo, me përvojën dhe talentin e saj letrar, ndihmoi edhe në nxjerrjen e gazetës së brigadës, me titullin “Buçitja”.
Një përshtypje të veçantë, la fjalimi i Ramizesë para rreth një mijë partizanëve të rreshtuar dhe shumë banorëve të krahinës, më 20 janar 1944, në një lëndinë afër fshatit Tërbaç (në Bramyshje), me rastin e përurimit zyrtar të Brigadës së Pestë Sulmuese partizane (Në fakt, data e saktë e krijimit të Brigadës V-të, është 28 nëntori i vitit 1943, në fshatin Gumenicë të Vlorës, si fillim, vetëm me tri batalione, ditë që përkoi me 31-vjetorin e shpalljes së pavarësisë). Në atë takim të 20 janarit 1943, merrnin pjesë qindra lebër, të ardhur qëllimisht nga të gjitha krahinat e qarkut të Vlorës, deri edhe të Kurveleshit. Shumë pjesëmarrës, më tregonin më pas të entuziazmuar se një mbledhje të tillë, ata e kishin parë vetëm në qershor të vitit 1920, ditën kur kryengritësit në Luftën e Vlorës, çliruan edhe vetë qytetin e Vlorës, duke i hedhur njësitë pushtuese italiane në det.
Më kujtohet fjalimi i zjarrtë i Ramizesë në mbledhjen e përurimit të Brigadës, i cili la shumë mbresa tek të gjithë të pranishmit. Në këtë fjalim edhe sipas shënimeve të mbajtura në ditarin tim, ajo ngriti lart, luftën kundër pushtuesve monarkistë italianë, më 1920-n dhe luftën e popullit të Vlorës, kundër fashistëve Italian, më 7 prill 1939. Ajo përmendi katër heronjtë e rinisë të lagjes “Topana” të Vlorës, si dhe heroizmin e Kastriot Muços, Lef Sallatës dhe Zonja Çurres, me shokë. Në fund, fjalimin e saj të zjarrtë në këtë miting ajo e mbylli me thirrjen për rininë dhe për gjithë popullin e qarkut të Vlorës, se; lufta akoma nuk ka mbaruar, se ajo duhet të ngrihet akoma në një stad më të lartë dhe kështu me flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, rinia e Vlorës dhe i gjithë populli i saj, duhet të ecë përpara, për çlirimin sa më parë të të gjithë vendit nga pushtuesit fashistë italianë dhe veglat e tyre.
Më kujtohet se pas mitingut disa pleq lebër, me mustaqet vesh më vesh, me kësulat e bardha në kokë, me atë bishtin e tyre si antenë, në majë të tij dhe kërrabat në dorë, më pyetën: “E nga e kini gjetur dhe prurë këtu këtë gocë, more djem, se na u duk jo vetëm e zgjuar, por edhe shumë trime…?! Na gëzoi edhe ne, pleqve, me fjalën e saj dhe, për këtë, paçi edhe uratën tonë”! U thashë se na e kishin dërguar nga Tirana, për të drejtuar luftën e rinisë së Vlorës, por vetë ajo vajzë kishte lindur në kryeqendrën e Labërisë, në Gjirokastër, prandaj ishte edhe aq trime dhe e zgjuar. Në takimin tim me ata lebër të lashtë, si malet rreth e rrotull, ishte edhe rapsodi i njohur, xha Selim Hasani i Brate dhe, siç e kish zakon, aty për aty, i frymëzuar nga ky manifestim i madh, por edhe nga pjesëmarrja e dhjetëra vajzave, që parakaluan të rreshtuara në të pesë batalionet e Brigadës V-të dhe sidomos i frymëzuar nga fjalimi i Ramizesë në këtë festë, ai thuri vargjet e këngës së njohur, gjatë dhe pas luftës, që fillonte me fjalët: E tunde, parti, e tunde, Me djem e vajza si nure, Ato që mbathin poture…!
Mentaliteti konservator, sidomos ai lab, në atë periudhë edhe në Vlorë, nuk i falte vajzat të visheshin me pantallona (poture). Por i madhi xha Selim, që u bindej vetëm kanuneve të atdhetarizmit dhe i falej vetëm Zotit të këngës së tij hyjnore, për kushtet e luftës, jo vetëm i lejonte që ato të vishnin kështu, por edhe gëzohej që i shihte të veshura si luftëtaret e hershme, sepse vetëm ashtu ato dukeshin të bukura si “nure”. Me të mbaruar ceremonia e përurimit zyrtar të Brigadës së Pestë, më 20 janar 1944, të pesë batalionet e saj, u nisën për në sektorët e caktuara të mbrojtjes, për të përballuar Operacionin e madh të Dimrit të vitit 1943, që sapo kishte filluar edhe në qarkun e Vlorës. Si rregull, por veçanërisht në kushtet e atij Operacioni të Dimrit të vështirë të vitit 1943, komanda e Brigadës dhe drejtuesit e tjerë të seksionit të saj politik, kishin vendosur të shpërndaheshin nëpër batalione, si të deleguar të tyre.
Ramizeja u caktua në Batalionin e Tretë, ku zëvendës-komisar ishte Heroi i Popullit Zaho Koka. Gjithçka dukej sikur ishte e parathënë dhe e paracaktuar. Edhe vetë puna dhe detyra e Zahos në sektorin politik në atë periudhë do ta lidhte atë më shumë me Ramizenë. Na është bërë zakon që nga koha e luftës (kjo ndoshta edhe nga respekti dhe dashuria që kemi për shokët tanë dëshmorë), që në tregimet e kujtimet për ta t’u veshëm atyre edhe bukuri dhe cilësi të rralla fizike trupore, por në të vërtetë legjendarit Zaho Koka natyra ia kish dhënë këto dhunti trupore. Kishte një trup të gjatë si një selvi, shpatulla të gjera dhe një fytyrë të bukur, që skuqej edhe kur fliste me atë dialektin aq të bukur që flasin gjuhën shqipe vunjotasit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm