Nga Halim Ramohito
Pjesa e pestë
Memorie.al / Halim Ramohito, një nga ish-gjeneralët e mbetur nga grupi i ushtarakëve që u arrestuan dhe u internuan si “grupi puçist” i vitit 1974, nga ana e Enver Hoxhës. Në krye të këtij grupi ishte Beqir Balluku dhe pas tij, kasta më e nderuar e ushtarakëve të kohës, ndër ta dhe gjeneral Ramohito, që pasi kishte marrë pjesë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte shërbyer si përfaqësues i Shqipërisë dhe si atashe ushtarak në ‘Traktatin e Varshavës’. Dëshmitar i prishjes me rusët, Ramohito më vonë do të bëhej dëshmitar i shkatërrimit të ushtrisë shqiptare nga diktatori Hoxha, i cili tregoi se gjatë qëndrimit në pushtet, nuk donte rreth e rrotull njerëz të kualifikuar, por vetëm servilë. Ramohito, i qetë dhe me ftohtësinë që i jepte distanca kohore, nxori dhe botoi kujtimet e tij, pa të cilat ndoshta historia e asaj kohe me “grupin puçist”, nuk do të ishte e plotë, madje edhe mund do të shkruhej shtrembër apo deformohej…!
Me një sinqeritet të rrallë, ai rrëfen ndjesitë e tij gjatë mbledhjes famëkeqe të Komitetit Qendor të PPSh-së, ku u përjashtuan nga partia e, më pas u arrestuan e u internuan për vite me radhë kasta ushtarake e kohës, me në krye Beqir Ballukun. Edhe pse iu desh të zhvishte xhaketën me grada e, të punonte tokën si një bujk në internimin e gjatë, edhe pse iu desh të mos e shihte më nënën e tij as në vdekje, pengu i tij më i madh, mbeten “autokritikat” që iu desh të bënte, për hir të partisë. “Enveri, na vrau edhe me duart tona…! – shkruan Ramohito, në pjesën e parë të kujtimeve të tij, “Në shërbim të Atdheut tim”, botim i “Grand-Prind”.
Skenari në ekzekutimin e Ramize Gjebresë
Në vitet e pasçlirimit, më është dhënë rasti të bisedoj me shokë të mi të ngushtë, drejtues të Batalionit të Tretë partizan, ku Ramizeja qëndroi gjatë dy muajve, aq sa vazhdoi edhe Operacioni nazisto-kuisling i Dimrit të viteve 1943-‘44. Kam biseduar edhe me shokë të mi partizanë nga fshati Vuno, vendlindja e Zahos. Nga këto biseda dhe nga përshkrimi që u bëjnë edhe ata marrëdhënieve të Zahos me Ramizenë, duke i njohur nga afër, asnjëri nuk e ka mohuar, se ata kishin për njëri-tjetrin shenja simpatie reciproke.
Sipas përshkrimit të bërë nga Sofokli Lazëri, në librin me kujtime “Kthimi i dhimbjes” (ngjarje të cilat nga sa di Sofua, i ka jetuar edhe vetë), të gjitha këto shfaqie simpatie të Zahos me Ramizenë në atë periudhë të luftës, i janë dukur edhe atij të natyrshme e njerëzore dhe pa asnjë teprim, të cilat ndoshta më vonë, mund të ktheheshin edhe në lidhje të përhershme martesore, mes tyre. Është folur dhe shkruar se Nako Spiro, ka pasur lidhje të afërta me Ramizenë, kur ajo punonte në Tiranë.
Ky mund të jetë një fakt i vërtetë, por po aq i vërtetë dhe shumë domethënës është edhe fakti tjetër se, me ta marrë vesh Nakua ngjarjen për vrasjen e Ramizesë, ishte i pari ai që e denoncoi me forcë këtë veprim kriminal, ishte i pari ai që e denoncoi atë me forcë, edhe në Kongresin e Rinisë Antifashiste Shqiptare në gusht të vitit 1944, në Helmës të Skraparit dhe këtë e bëri me guxim e largpamësi, jo në prizmin vetjak, por në atë parimor.
Hollësirat për këtë qëndrim i kam shkruar më sipër (në pjesën ku flas për Nakon). Në atë periudhë, por ndoshta edhe tani, mund të ketë shokë të veçantë, që arsyetojnë akoma me mentalitetet e vjetra, kur vajzat në Labëri, shiteshin e bliheshin vetëm për të lindur fëmijë, ose lidhnin martesa me shkesi, pa dijeninë e tyre, etj.
Është i pakuptimtë fakti që këta shokë, në atë kohë, por edhe tani, të guxojnë ta justifikojnë këtë krim, me gjoja faktin se Ramizeja, me simpatinë për Zahon, na paska shkelur një lidhje të parë martesore, dhe këtë gjoja e kishte bërë “në kohën që shokët tanë ngrinin në borë dhe jepnin edhe jetën në malet e Vetëtimës, në krahinën e Bregut të Detit, etj”. Vetë jeta dhe lufta e Ramizesë, në batalion dhe gjatë Operacionit të Dimrit, kanë vërtetuar që edhe këto gjykime, ishin vetëm shpifje të rëndomta.
Faktet tregojnë se edhe gjatë Operacionit të Dimrit, Ramize Gjebrea, bashkë me Zaho Kokën, përditë luftonin, njëkohësisht edhe drejtonin partizanët e batalionit të tyre, në malet e larta me borë dhe ngrica të Vetëtimës, gjatë marshimeve të gjata dhe ndeshjeve të përditshme me nazistët dhe veglat e tyre. Por edhe në këto kushte të vështira, Ramizeja gjente kohën të hidhte në letër edhe përshtypjet mbi këtë luftë, gjente edhe rrugën për t’ia dërguar këto përshtypje, gazetës të Rinisë Antifashiste të asaj periudhe, “Kushtrimi i lirisë”, në Tiranë.
Ja përmbajtja e një letre, e shkruar me dorën e saj nga malet e Vetëtimës, mbi fshatin Vuno të Bregdetit, letër e shoqëruar edhe me një artikull për këtë gazetë dhe e nënshkruar prej saj si zakonisht, në një mënyrë disi origjinale, “Rami – Zeja”:
“Nuk kam kohë, as kondita t’ju shkruaj gjatë dhe me hollësi. Këtë letër po e shkruaj, – u drejtohet ajo shokëve të redaksisë të kësaj gazete, – në këmbë dhe, siç mund ta konstatoni edhe vetë edhe nga njollat e shumta të bojës, që më kanë rënë mbi këtë letër, bora dhe tufani në këto çaste dhe në këto male, nuk të lenë as të marrësh frymë. Kemi dy javë që këmbët nuk na zënë as dhé, duke luftuar dhe çarë përditë rrethim pas rrethimi.
Partizanët e Batalionit të Tretë, të Brigadës së Pestë Sulmuese partizane, me të cilët unë jam, janë të veshur keq, me bukë e pa bukë, por, megjithëkëtë, të habit trimëria dhe kurajua e të rinjve të batalionit, kur ata edhe në këto kushte të tmerrshme, jo vetëm nuk përkulen, por bëjnë edhe heroizma që s’merren as me mend…”!
Takimin e fundit me shoqen dhe motrën time të paharruar, Ramize Gjebrenë, e pata në fshatin Ramicë, më datën 3 mars 1944, në këto rrethana: Batalioni ynë i Pestë partizan, ato ditë ishte i vendosur në fshatin Velçë të Vlorës, me detyrë të mos lejonte ndonjë inkursion të befasishëm armik, nga ai drejtim. Siç e kam përmendur edhe në këto kujtime, unë kryeja në atë kohë detyrën e zëvendës-komisarit të këtij batalioni. Bashkë me komisarin e batalionit, Rrahman Parllakun, na thirrën për të marrë udhëzime në shtabin e Brigadës, në Ramicë.
Aty, pasi mbarova punë, kërkova të takohesha edhe me Ramizenë, po për çudinë time, atë e gjeta të shtrirë e të mbuluar me një çull (velenxë), në një korridor të ngushtë të zyrës të Këshillit të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të qarkut, në një gjendje tejet të trishtuar e të shpërfytyruar dhe, për këtë, më erdhi shumë keq. Ajo nuk më tha asgjë për ngjarjen, për të cilën e akuzonin. Kur e pyeta për gjendjen, më tha vetëm: “Halim, siç më shikon, jam shumë e sëmurë…”!
Më vonë, nga të tjerë e mora vesh ngjarjen me Ramizenë dhe arsyen pse ajo ishte në atë gjendje fizike. Në heshtje edhe unë në atë periudhë, u pajtova me gjendjen e krijuar dhe me besimin se shokët drejtues të Brigadës, do ta analizonin dhe do të vendosnin drejt mbi çështjen për të cilën ajo po akuzohej dhe nuk kërkova që akuzat ndaj saj, të shtroheshin më parë në mbledhjen e drejtuesve të Bashkimit të Rinisë Antifashiste të qarkut të Vlorës, ku edhe unë isha anëtar.
Më vonë, më 5 mars, ndodhi ajo që në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhte, pushkatimi i Ramizesë…! Unë nuk isha aty në momentin e pushkatimit, por emrat dhe qëndrimet që kanë mbajtur në këtë “gjyq” të montuar dhe antinjerëzor, secili pjesëmarrës në të, janë në Arkivin e Shtetit, bashkë edhe me disa raporte që kanë bërë shokët kryesorë të Batalionit të Tretë partizan, lidhur me marrëdhëniet e Zaho Kokës me Ramizenë.
Në të gjitha këto gjykime, ka vetëm tendenciozitet dhe paragjykim fatal dhe asgjë më tepër! Në ndonjë shkrim të bërë në ndonjë gazetë edhe tani, bëhen përpjekje për t’ua hedhur fajin për këtë vendim, vetëm personave të veçantë, pjesëmarrës në këtë “mbledhje”. Për mendimin tim, të gjithë pjesëmarrësit e “mbledhjes”, kanë përgjegjësi për atë vendim mizor që u mor aty ndaj Ramizesë.
Shokë të mi të Brigadës, që u ndodhen të rreshtuar në vendin e pushkatimit, më kanë treguar se kur Ramizenë e prunë të shoqëruar para batalionit, të rreshtuar në një shesh të vogël të fshatit Ramicë, nga paraqitja e saj, të krijohej përshtypja, se ajo mendonte se e prunë aty për të folur dhe për të bërë vetëm autokritikë. Dhe përse do ta bënte këtë, për një intrigë të bazuar, në një mentalitet fanatik dhe antinjerëzor, ku hijet e tij dukeshin edhe në këtë rreshtim…?!
Dy ose tri nga partizanet e pranishme, nuk e lanë atë as të fliste dhe, me një sinjal, qëlluan në drejtim të saj, por plumbat nuk binin në shenjë, se edhe këto partizane, siç duket, ishin të hutuara, për atë që po ndodhte. Ata që ishin më afër Ramizesë në ato momente, më kanë thënë se dëgjuan nga ajo të thoshte vetëm fjalët, që ishin të fundit për të: “Pse…”?! Ç’bëni kështu…”?! Pse më vrisni…”?!
Në këto momente mendimi e reflektimi të partizanëve, ndërhyri një nga kuadrot kryesorë të batalionit të tretë, S. S., i cili, me revole në dorë dhe në mënyrën më barbare, e goditi, duke e shtrirë menjëherë atë për tokë. Ramizeja u varros po në fshatin Ramicë. E përsëris, proces-verbali me emrat e kuadrove që morën pjesë në këtë “mbledhje” makabre dhe diskutimet e tyre, si dhe raportet e disa drejtuesve të Batalionit të Tretë për këtë çështje, janë në Arkivin e Shtetit.
Nga këto dokumente, nuk del ndonjë fakt që ndonjë pjesëmarrës në këtë “mbledhje”, të këtë shfaqur ndonjë mendim të kundërt me atë të vendimit mizor ose, që ndonjë pjesëmarrës edhe i vetëm, t’u jetë imponuar të tjerëve për këtë vendim, siç thuhet në ndonjë organ të shtypit. Të gjithë pjesëmarrësit në shqyrtimin dhe vendimin për këtë çështje, pa asnjë përjashtim, kanë qenë dakord për atë vendim mizor dhe të gjithë, edhe sipas mendimit tim, kanë përgjegjësi. Po ashtu, përgjegjësi kemi edhe të gjithë ne, kuadrot e larta të Bashkimit të Rinisë Antifashiste të qarkut të Vlorës, që nuk ngritëm as zërin, për mbrojtjen e drejtueses sonë, Ramize Gjebreja.
Hysni Kapo, qysh gjatë Luftës, më ka thënë se; “vendimi ynë për vrasjen e Ramizesë, ka qenë i gabuar…”! Sofokli Lazëri, që është edhe dëshmitar okular i kësaj drame, ka shkruar një libër me titullin “Kthimi i dhimbjes, Zahua dhe Ramizeja”, me përmbajtjen e të cilit, edhe unë në përgjithësi, kam qenë dakord. Sofua më ka thënë gjithashtu se, porositë për të shkruar për ta, ma ka dhënë drejtpërdrejt, Hysni Kapua. “Edhe idetë kryesore të librit që kam shkruar, – më ka thënë Sofua, – janë të Hysni Kapos.
Që nga maji i vitit 1944, unë vazhdoja të kryeja edhe detyrën e përgjegjësit të Rinisë të Brigadës së Pestë dhe, njëkohësisht, edhe atë të zëvendës-komisarit të batalionit të pestë. Pas kthimit nga kongresi i Bashkimit të Rinisë Antifashiste në Helmës, në gusht të vitit 1944, më thirri në qytetin e Peshkopisë, zëvendës-komisari i Brigadës dhe më vonë i Divizionit të Parë partizan, Manush Myftiu.
Pasi me komunikoi zgjedhjen time, në mungesë, në këtë Kongres si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BRASH-it, më porositi që, pavarësisht se forcat e Brigadës ishin të angazhuara në luftime, në vargun e malit të Korabit, të mblidhnim menjëherë Komitetin e Rinisë dhe të gjitha organizatat e rinisë të Brigadës…për të analizuar “gafën”, siç më tha ai tekstualisht, që bëmë me vrasjen me 5 mars 1944, të Ramizesë, në fshatin Ramicë…!
“Për këtë akt që kryem, – më tha Manushi, – ne u kritikuam rëndë në Kongresin e BRASH-it në Helmës të Skraparit dhe unë me Hysniun, e pranuam atje fajin. Tani që jemi edhe në pragun e çlirimit të vendit, – me porositi Manushi, – ne duhet t’i shikojmë më gjerë, problemet e moralit partizan. Do të zbresim shpejt në qytete dhe populli atje, duhet të shikojë tek ne, jo vetëm partizanët trima e çlirimtarë të tij, por edhe njerëz të emancipuar.
Asnjeri nuk i ka ndaluar dhe nuk mund t’i ndalojë tani edhe partizanët e Brigadës sonë, – përfundoi Manushi, – që të lidhin edhe miqësi me shoqet e tyre partizane të luftës”. Analizat tona për këtë problem, duhet të kishin si përmbajtje, kuptimin e drejtë të problemeve të moralit partizan. Ndonëse bëhej me shumë vonesë dhe vetëm pas presionit nga lart, sidomos nga Nako Spiro, kjo punë pati më vonë një kuptim dhe reagim të drejtë, ndaj pushkatimit sa kriminal, aq edhe tragjik të Ramize Gjebresë.
Të rinj partizanë të Brigadës sonë, me unanimitet, i dënuan shfaqet e sektarizmit edhe në këtë drejtim dhe sidomos atë krim të kryer ndaj drejtueses së tyre, Ramizesë. Kështu, në frymën edhe të vendimeve të Kongresit të gushtit të vitit 1944, të BRASH-it në Helmës, ne e analizuam edhe më thellë dhe më me përgjegjësi në komitet dhe në të gjitha organizatat e rinisë të Brigadës, problemin e moralit partizan.
Pas atyre analizave, filluan edhe lidhjet, deri edhe martesore, ndërmjet të rinjve dhe të rejave partizane, madje edhe midis atyre të Brigadës sonë të Pestë, që shquhej nga njësitë e tjera partizane më shumë, për një frymë sektare, sidomos në këtë drejtim. Dhe, ndoshta që nga ajo kohë, mbeti ajo shprehja e njohur: “fejesa dhe martesa, alla partizançe”. Me sa di, menjëherë pas çlirimit të vendit, me ndërhyrjen sidomos të Nako Spiros dhe të deputetit të Vlorës e, ish – kryetarit të Këshillit të Frontit Antifashiste Nacionalçlirimtar të qarkut, Hasan Pulos, Ramizeja u rehabilitua edhe zyrtarisht.
Më kujtohet se, një nga drejtuesit kryesorë të BRASH-it, Alqi Kondi, në organet e shtypit të kohës, botoi një artikull të gjatë për Ramizenë, të cilën e cilësonte me të drejtë, si një nga udhëheqëset e shquara të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Pas çlirimit të vendit, në fillimin e vitit 1945, e ëma e Ramizesë dhe e gjithë familja e saj, e tërhoqën trupin e saj nga fshati Ramicë dhe e varrosën atë në fillim në varrezat e Tufinës në Tiranë, ndërsa më 1947, eshtrat e saj u rivarrosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, bashkë me shokët e saj partizanë, heronj të qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë, të rënë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Në mars të vitit 1944, si përgjegjëse e Rinisë të Brigadës së Pestë partizane, në vendin e Ramize Gjebresë, u caktua ish – shoqja e saj e shkollës dhe e Luftës, anëtarja e Komitetit Qarkor të Rinisë të Vlorës, Amali Pjero, ndërsa që nga maji i vitit 1944, në Çajup dhe deri në çlirimin e plotë të vendit, në këtë detyrë u caktova unë (Halim Ramohito.).
Për mua, ka qenë një nder dhe obligim i madh, të vazhdoja punën në këtë detyrë në Brigadën e Pestë, rrugë të cilën e kish çelur e para e paharruara, shoqja dhe edukatorja ime, Ramize Gjebreja. Jam i ndërgjegjshëm se, të gjithë partizanët e Brigadës sonë të Pestë, që jetojnë edhe tani, megjithëse kanë kaluar mbi 65 vjet nga vrasja mizore e saj, e kujtojnë dhe do ta kujtojnë gjithnjë partizanen dhe udhëheqësen e tyre të parë të Rinisë të Brigadës.
Ramize Gjebreja, ka qenë dhe do të mbetet në historinë e kësaj Brigade, nga të parat, ndër 363 dëshmorët e saj. Ramize Gjebrea, jo vetëm për familjen e saj, për mua dhe për brezin tim, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe për brezat e rinj të sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë, ka qenë dhe do të mbetet në histori, një figurë e ndritur nga çdo pikëpamje, një frymëzim i luftës, moralit dhe punës në shërbim të atdheut.
Megjithëse kalojnë vitet, edhe tani ajo do të mbetet një vajzë e re, një trime e rrallë dhe e zgjuar, që dha jetën, jo vetëm për çlirimin e atdheut, por edhe për emancipimin e brezit të të rejave të Shqipërisë dhe, për këto merita, e meriton, siç thashë edhe më sipër, që emri i saj në Muzeun Kombëtar, të rreshtohet bashkë me emrat e kuadrove drejtuese më të shquara të Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Çdo 5 Maj, në Ditën e Dëshmorëve edhe unë, nxënësi dhe shoku i saj i Luftës, kam nderin që të vë një karafil të kuq, mbi varrin e saj…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm